NESËR VENDOSET NËSE LËVIZJA BASHKË DO MARRË PJESË NË ZGJEDHJE

Pas shumë peripecish e zvarritjesh burokratike, nesër në orën 15:00 mbahet seanca e Kolegjit Zgjedhor ku do të vendoset nëse Lëvizja BASHKË do të marrë pjesë në zgjedhjet e 14 majit si subjekt politik.

Në fillim ishte Agron Zhukri, i cili e caktoi seancën për njohjen e subjektit tonë një ditë pas afatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pas presionit të opinionit publik, ai u zëvendësua dhe njohja nga gjykata u bë më 2 mars.

Më pas ishte Ilirjan Celibashi, kreu i KQZ që – edhe pse dokumentacionin e depozituam në kohë – zgjodhi ta interpretojë ligjin sipas interesit të Edi Ramës, duke na e refuzuar regjistrimin në zgjedhje me pretendimin se vendimi i gjykatës nuk ishte i formës së prerë.

Sot, 15 ditë më pas, Gjykata e Tiranës shpalli njohjen e subjektit politik Lëvizja BASHKË me vendim të formës së prerë. Këtë vendim ne nesër do ta paraqesim në hallkën e fundit vendimmarrëse: në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor të Gjykatës Administrative të Apelit.

Ne shpresojmë se trupa gjykuese e Kolegjit Zgjedhor do të bëjë drejtësi duke e hedhur poshtë vendimin e KQZ dhe duke e regjistruar Lëvizjen BASHKË në zgjedhje.

Cilido qoftë vendimi, me mbështetjen e 7000 qytetarëve të Tiranës ne do të kandidojmë në këto zgjedhje, si subjekt politik ose si kandidat i pavarur.

Ky është një hap i parë, që të gjithë bashkë jemi zotuar të hedhim, në rrugëtimin tonë drejt Shqipërisë që ëndërrojmë.

Bashkë do t’ia dalim!

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/neser-vendoset-nese-levizja-bashke-do-marre-pjese-ne-zgjedhje/