KUR TË VIJNË MENDTË, S’T’I HANË AS QENTË

Dje Edi Rama ka folur përpara biznesmenëve të sektorit fason duke i rënë kambanës së alarmit të pagave të ulëta dhe largimit në masë të forcës punëtore nga Shqipëria. Foli edhe për telendisjen në punë të shtunë e të diel të grave punëtore. Ta dëgjoje pa e njohur, do të mendoje se ishte ngjallur Lenini.

Mirëpo Edi Rama nuk është bërë dje kryeministër. Ka thuajse një dekadë që ushtron pushtet absolut. Kështu që është mirë të kujtojmë disa nga “arritjet” e këtij kokorroçi në lidhje me punën dhe punëtorët.

1. Pak kohë pas ardhjes në pushtet, Edi Rama shkriu Ministrinë e Punës. Një sinjal i fortë se për qeverinë e tij puna dhe punëtorët nuk do të kishin fare rëndësi.

2. Gjatë qeverisjes së tij mesatarja vjetore e të vdekurve në punë është mbi 30 vetë. Në shumicën e rasteve faji i ngarkohet viktimës. Kur duhet të përfundojë ndokush në burg, zakonisht ai që e pëson është një mbikëqyrës i dorës së tretë. Pronarin e madh, sidomos nëse është oligark, nuk e gjen gjë. Madje media i fsheh emrin.

3. Në vitet e sundimit të tij tentativat e punëtorëve për t’u organizuar në sindikata janë luftuar jo vetëm nga punëdhënësit, por edhe nga shteti. Rast emblematik është fati i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. Fill pas krijimit të sindikatës, oligarku Samir Mane pushoi nga puna katër drejtuesit kryesorë të sindikatës. Qeveria u reshtua me oligarkun, ndërsa media nuk pipëtiu. Sindikata u godit rëndë. Sot shumë prej qindra minatorëve themelues të asaj sindikate kanë marrë rrugët e kurbetit.

4. Në vitin 2015, gaztori që na sundon mburrej përpara investitorëve italianë se në Shqipëri nuk kishte sindikata. Prandaj mund të vinin të investonin lirisht pasi askush nuk do t’u kërkonte hesap për trajtimin çnjerëzor të punëtorëve. Pasoja? Lexo fjalinë e parë të postimit!

5. Në vitin 2021, ndërsa vizitonte një fasoneri në Shkodër, Rama i sugjeronte pronarit që të merrte punëtorë nga Bangladeshi sepse ata, ndryshe nga punëtorët shqiptarë, punojnë fort dhe nuk merren me thashetheme. As kanë dëngla për liri-demokraci. Gënjeshtër – poshtërim – racizëm! Po sulltanit gjuhëgjatë nuk i bëhet vonë.

6. Në dy-tre vitet e fundit - për shkak të kushteve të padurueshme të punës, pagave të ulëta, mungesës së pushimeve, punës në të zezë, shtypjes së lirisë sindikaliste dhe anësisë korruptive të shtetit - punëtorët shqiptarë kanë ikur nga sytë këmbët, sa në Gjermani e në Angli. Përpara këtij “votimi me këmbë”, qeveria e guakëve të korruptuar nuk ka asnjë përgjigje. Ose më saktë, e vetmja përgjigje që ka janë batutat e TikTok-ut.

7. Rritja e pagës minimale kohët e fundit sjell efekte të drejtpërdrejta vetëm për punonjësit më të keqpaguar të administratës publike. Në sektorin privat, ku Maliqi është përmbi kushtetutën, jo më ligjin, një pjesë e pagës jepet në të zezë. Për më tepër, inspektimet nuk shërbejnë për të vënë drejtësinë në vend, por thjesht për të marrë haraç inspektori patronazhist.

Afërmendsh, Shqipëria do të vinte në këtë ditë. Pa sindikata, pa të drejta e dinjitet në punë, me qeveri e administratë të korruptuar, me sipërmarrës dritëshkurtër, katastrofa mund të vononte, por s’do të harronte. Sot fajtorët nuk mund ta fshehin fajin pas retorikës. Ata duhen vënë përpara përgjegjësisë. Një orë e më parë!

- Arlind Qori, aktivist dhe kryetari i Lëvizjes BASHKË.

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/kur-te-vijne-mendte-sti-hane-as-qente/