ME BANORËT E RRJOLLIT, KUNDËR OLIGARKUT BASHKIM ULAJ
Që prej 2 shkurtit, banorët e Rrjollit po protestojnë çdo ditë kundër grabitjes së tokave të tyre nga oligarku Bashkim Ulaj. Prej javësh, ata janë në terren, duke mbrojtur pronën dhe të drejtën e tyre për të jetuar e punuar në tokën që e kanë trashëguar ndër breza. Përballë tyre është rreshtuar jo vetëm policia private “Breçani”, por edhe strukturat e shtetit, të cilat në vend që të garantojnë rendin dhe të drejtat e qytetarëve, po sillen si polici private e interesave të një biznesmeni të fuqishëm, oligarkut Bashkim Ulaj.
Çdo ditë qytetarë të thjeshtë dhunohen dhe përfundojnë në komisariate për orë të tëra, me justifikime formale dhe procedura të stërzgjatura, që në thelb kanë vetëm një qëllim: t’i lodhin, t’i frikësojnë dhe t’i intimidojnë, në mënyrë që të tërhiqen nga rezistenca e tyre. Presioni psikologjik, shoqërimet e përsëritura dhe prania e forcave të shumta në zonë krijojnë tension që synon të hapë rrugën për interesat e oligarkut.
Edhe pse Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit u kanë dhënë të drejtë disa prej banorëve të Rrjollit, ndërsa të tjerë janë ende në procese gjyqësore me seanca të caktuara në data të mëvonshme, kompania “Gener 2” vazhdon punimet në terren. Kjo situatë ngre shqetësime serioze mbi respektimin e vendimeve gjyqësore dhe parimit të sigurisë juridike. Derisa drejtësia të shprehet përfundimisht për të gjitha çështjet në shqyrtim, punimet duhet të pezullohen, në mënyrë që të shmanget çdo dëm i parikuperueshëm dhe të garantohet zbatimi i plotë i ligjit.
Gjithashtu zona "Lumi i Bunës – Velipojë" është zonë e mbrojtur me ligj dhe ka rëndësi ndërkombëtare si pjesë e Konventës Ramsar si një nga zonat natyrore më të rëndësishme në Shqipëri.
Banorët e Rrjollit vazhdojnë të qëndrojnë, duke theksuar se po mbrojnë një të drejtë themelore: pronën dhe dinjitetin e tyre. Lëvizja BASHKË dhe deputeti i saj Redi Muçi, do të jenë zëri i tyre si në Kuvend, ashtu edhe në terren e protesta, përballë çdo padrejtësie.
Bashkim Ulaj mund të ketë në dorë qeverinë, ndikim në media dhe fuqinë e aparatit shtetëror, por banorët e Rrjollit kanë të drejtën dhe legjitimitetin moral për të mbrojtur tokën e tyre!