MBI GJYSMË MILIONË PUNËTORË NË GREVË NË BRITANINË E MADHE
Mbi 500 mijë punëtorë, mes të cilëve shoferë autobusësh e trenash, pedagogë universitetesh e mësues gjimnazesh, nëpunës civilë dhe punonjës aeroportesh, iu bashkuan grevës së ditës së djeshme. Sipas organizatorëve, ky është mobilizimi më i madh i dekadës së fundit.
Arsyeja e grevës së përgjithshme janë pagat e punëtorëve që kanë ngelur në vend prej disa vitesh, ndërkohë që inflacioni është rritur ndjeshëm. Shumica e trenave në Britani u paralizuan, teksa u mbyllën rreth 85 shkolla.
Organizimi i grevës së përgjithshme ka për qëllim t’u rikujtojë atyre që qeverisin se kush e bën në të vërtetë shoqërinë që të funksionojë. Ata janë punëtorët, si në Britani ashtu edhe kudo tjetër.
Kjo grevë dhe mobilizim shoqëror do të ishte i pamundur pa organizimin e punëtorëve në sindikata të fuqishme.
Në Shqipërinë tonë, mjerisht, shumica dërrmuese e punëtorëve nuk janë të organizuar për shkak të presionit të madh të pronarëve dhe mosfunksionimit të shtetit si arbitër mes palëve. Kujtojmë këtu se pak vite më parë kryeministri Rama u mburrej investitorëve të huaj se në Shqipëri nuk kishte sindikata.
Kësisoj në Shqipëri një punëtor i shfrytëzuar e i keqpaguar në punë, i hipën gomones për në Britani. Ndërsa pronari i fasonerinë në Krujë i bën thirrje shtetit që të ndalë skllevërit e tij pakistanezë që janë arratisur pa lejen e tij.
Punëtorët shqiptarë, të krahut e të mendjes, kanë një zgjedhje për të bërë: ose do të emigrojnë e Shqipëria do të kthehet gradualisht në një vend të skllavërisë moderne (si në Katar), ose do të organizohen në sindikata për të fituar të drejta për veten e tyre, duke transformuar në rrugë e sipër mbarë shoqërinë.
Në çdo hap të organizimit sindikal, Lëvizja Bashkë ka qenë dhe do të jetë përherë në anën e punëtorëve.
#Bashkë mund t’ia dalim!