MANIPULIMI I AKSIDENTEVE NË PUNË
Manipulimi i aksidenteve në punë ishte titulli i dokumentarit nga Inside Story, në të cilin shqyrtohen disa raste konkrete të punëtorëve që ishin dëmtuar apo edhe kishin humbur jetën në vendin e punës. Në vitin 2023 në Shqipëri ka pasur 145 aksidente të raportuara në vendin e punës, në të cilat 30 persona kanë humbur jetën. Duhet përmendur se ka pasur edhe raste të tjera, të cilat nuk raportohen nga kompanitë ose punëdhënësit e tjerë. Sektorët më problematikë vazhdojnë të jenë ndërtimi, minierat, elektriciteti etj.
Rastet e aksidentit të Sherif Doçit, Fatjon Aliajt, Përparim Kurtit – pavarësisht se kanë ndodhur në vite, sektorë të ndryshëm – kishin një të përbashkët ulëritëse: mungesën e kushteve teknike dhe sigurisë në punë, korrupsionin e institucioneve shtetërore për të monitoruar kompanitë dhe për të realizuar akte inspektimi pasi kishte ndodhur aksidenti në punë dhe faktin që në fund faji i mbeti punëtorit.
Në rastin e Sherif Doçit, i cili humbi dhe jetën për shkak të rrëzimit të derës elektronike mbi trupin e tij, mungonte akti i ekspertimit në të cilin do të qartësohej që derës elektronike i mungonin elementët e sigurisë teknike. Në rastin e Alban Vilës, i cili ra nga skela në një kantier ndërtimi, kompania fshehu provat dhe mungonin dëshmitë e punëtorëve që ishin të pranishëm.
Në lidhje me aksidentet në miniera, të cilat fatkeqësisht përfundojnë me humbje jete, ka një sërë problemesh në sigurinë në punë, si p.sh. mungesa e sistemit të ajrimit, hyrjeve emergjente etj. Minierave sot u mungojnë Rregulloret e Sigurimit Teknik. Në rast aksidentesh, inspektimet bëhen nga funksionarë që nuk kanë njohuri teknike ose që korruptohen nga kompania.
Në rastet kur kompania nuk ka raportuar për aksidentin në punë, ajo gjobitet 100.000 lekë (të reja) për secilin rast. Kjo shumë është lehtësisht e përballueshme për kompanitë abuzuese. Në këtë mënyrë, punëtori nuk merr dëmshpërblimin e duhur. Përparim Kurtin e kanë mjekuar në një spital privat për të fshehur provat e aksidentit. Sot ai përfiton vetëm ndihmë ekonomike dhe jo kemp, për shkak të paaftësisë për të punuar në vazhdimësi. Institucionet shtetërore shpesh herë bëjnë një sy qorr dhe një vesh shurdh duke i mbyllur çështjet e shkeljeve të rregullave të mbrojtjes në punë. Në vitin 2023 ka pasur 76 raste të raportuara, dhe 42 çështje janë mbyllur me justifikimin për mungesë provash, faktesh etj.
Në dokumentar përmendej edhe paaftësia e Inspektoratit të Punës për të kryer inspektime të drejta dhe ligjore. Shpesh herë inspektimet e kompanive (p.sh. ato të sektorit fason) bëhen online dhe nuk shkohet në terren, duke ua lehtësuar kompanive të shkelin të drejtat e punëtorëve. Mungesa e mbikëqyrjes së kushteve të punës shkaktohet jo vetëm nga korrupsioni, por edhe nga mungesa e numrit të mjaftueshëm të inspektorëve dhe cedimi i standardeve të inspektimit. Korrupsioni dhe neglizhenca kriminale e institucioneve publike po vrasin dhe gjymtojnë çdo vit e më shumë punëtorë. Pasiguria, pagat e ulëta dhe mungesa e të drejtave në punë po i shtyjnë punëtorët shqiptarë drejt emigrimit masiv. Një qeveri që mendon vetëm për oligarkët nuk mund të sjellë asnjë të mirë për njerëzit e punës.
Lëvizja BASHKË është e vetmja parti politike në Shqipëri që e sheh kauzën dhe të drejtat e punëtorëve me përparësi. Ne jemi gati të japim mbështetjen tonë të pakushtëzuar për punëtorët që duan të organizohen në sindikata të reja e demokratike.