LËVIZJA BASHKË DO TË KANDIDOJË NË BASHKINË E TIRANËS

Mbrëmë, mes qindra anëtarëve dhe mbështetësve, Lëvizja BASHKË shpalli publikisht pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet lokale, përkatësisht në Bashkinë e Tiranës. Pavarësisht se paligjshmëritë e një gjykatësi të komanduar politikisht synojnë të na pengojnë, ne kemi vullnetin dhe të gjitha mundësitë që të kandidojmë në zgjedhjet lokale, duke mos lënë asnjë instancë ligjore pa u apeluar dhe duke ushtruar të gjithë presionin qytetar e kushtetues për t’i shtrënguar institucionet që të zbatojnë ligjet e vendit.

Në takimin e djeshëm, përpara se dhjetëra qytetarë të merrnin fjalën dhe të jepnin sugjerimet e tyre, Lëvizja BASHKË paraqiti shtyllat e programit të saj për kthimin e Tiranës në një qytet të jetueshëm. Po ashtu shpalosëm strategjinë tonë të shndërrimit të përpjekjes për Tiranën edhe në një model politik që nesër do të rrëzojë sistemin e kalbur politiko-ekonomik në fuqi dhe do t’i ndërrojë faqen vendit.

Kandidati i Lëvizjes BASHKË për kryetar të Bashkisë së Tiranës do të jetë Arlind Qori, me profesion pedagog i shkencës politike, aktivist prej 12 vjetësh dhe prej dhjetorit të vitit të shkuar edhe bartës i përgjegjësisë së kryetarit të Lëvizjes BASHKË.

Pasi të sigurojmë njohjen dhe regjistrimin e partisë nga gjykata dhe KQZ, do të bëjmë publike edhe listën e kandidatëve për Këshillin Bashkiak të Tiranës.

Që sot paradite ne jemi në rrugën përballë Bibliotekës Kombëtare për të mbledhur nënshkrimet e qytetarëve që do të na mundësojnë realisht pjesëmarrjen në zgjedhje. Në ditët në vijim do të mund të na gjeni edhe nëpër lagje dhe pika të tjera takimi brenda qytetit.

E vetmja fuqi që kemi është mbështetja dhe solidariteti i qytetarëve.

BASHKË PËR TIRANËN!

#BASHKËPËRTIRANËN

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/levizja-bashke-do-te-kandidoje-ne-bashkine-e-tiranes/