LËVIZJA BASHKË DËNON SULMIN VDEKJEPRURËS NDAJ POLICISË SË KOSOVËS

Aleksander Vucic nje bidon vaji dhe sfond i hartes se Kosoves e cila duket si e djegur

Sot në mëngjes një grup njerëzish të armatosur kanë sulmuar dhe vrarë një polic të Republikës së Kosovës në veri të vendit. Konteksti i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë lë vend të mendojmë se ky akt kriminal është produkt i orvatjeve të njëpasnjëshme të regjimit të Aleksandër Vuçiçit për të destabilizuar Kosovën.
Në raste të panumërta është vënë re se qëllimi i Beogradit zyrtar ka qenë dhe është destabilizimi social si kusht i destabilizimit institucional, dhe anasjelltas, i Republikës së Kosovës.
Lëvizja BASHKË kërkon nga institucionet e Republikës së Shqipërisë ta dënojnë pa rezerva këtë akt kriminal e destabilizues, si dhe të qëndrojnë në krah të institucioneve të Republikës së Kosovës në përpjekjen për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
Po ashtu u bëjmë thirrje institucioneve ndërkombëtare dhe shteteve të përfshira në normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë që të shquajnë me objektivitet se cili është burimi i destabilizimit të Kosovës dhe rrezikimit të paqes në Ballkan: mendësia shoviniste e regjimit të Aleksandër Vuçiçit.