Lëvizja BASHKË deklaratë për 7 Marsin.

100 vjet më parë Migjeni shtronte dilemën: më mirë Sokrat i vuejtun, apo derr i kënaqun. Sot, më 7 mars, ditën e mësuesit, ne këtë dilemë ua shtrojmë burokratëve të ministrisë së arsimit.

A është më mirë për ju, ministra e zv. ministra, drejtorë drejtorish e inspektorë të arsimit, që në shkollat tona të japin mësim sokratët e vuejtun nga pasioni për dijen, apo derrat militantë-partish që shoqërojnë të rinjtë nëpër mitingje elektorale?

E nëse roli i mësuesit është të ndriçojnë mendjet e reja, përse të rinjtë tanë enden si të verbër në mes të katër rrugëve? E nëse roli i mësuesit është që përmes dijes t’u hapë të rinjve horizontet e lirisë, përse padija sot të rinjve u hap vetëm horizontet e emigrimit.

Ndër shekuj dija ka qenë privilegji i të paktëve. Përse sot që ajo është mundësia e të shumtëve, fëmijët detyrohen ta bëjnë mësimin me dy turne? A mos vallë barku juaj ende nuk u ngop nga kullat, sa të gjendet një hapësirë edhe për shkollat?

Ku janë laboratorët e kimisë e të biologjisë, që zgjojnë kureshtjen për të njohur botën? Ku janë palestrat e kalitjes fizike e të skalitjes mendore? Përse te të rinjtë në Shqipëri arsyetimi kritik ia ka lënë vendin mpirjes para ekranit të celularit?

Përse puna e mësuesit në Shqipëri shpërblehet më pak se në çdo vend tjetër të rajonit? Përse arsimi universitar në Shqipëri financohet më pak se në çdo vend tjetër të rajonit?

Përse, o burokratë, në Shqipëri 7,000 fëmijë kanë braktisur shkollat fillore e të mesme për të nxjerrë bukën e gojës? Përse po boshatisen bankat e universiteteve? A e ndjeni ju veten përgjegjës, o derra të kënaqun?

E nëse – në fjalët e Isak Njutonit – individi ia del “të vështrojë përtej” për shkak se ka qëndruar “mbi shpatullat e gjigandëve”, ju o minj i keni dënuar të rinjtë tanë që ngelen përherë çilimij.

Gëzuar 7 marsin, ditën e Sokratëve!

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/levizja-bashke-deklarate-per-7-marsin/