LE TË FLASIM PAK PËR SANITARET

Rrethana më interesante në çështjen e vjedhjes së 500.000 eurove, përtej aferës korruptive të drejtoreshës dhe guximit të një gruaje të klasës punëtore “për të bërë gola” atje lart, është përmendja për të parën herë në publik e gruas që pastron e shërben në shtëpitë e të tjerëve. Ose siç njihet në zhargon: sanitarja.

Për këto gra nuk është folur kurrë dhe nuk ka folur kurrkush.

Janë me mijëra gra në të pesëdhjetat që çdo ditë, në shi dhe në diell, stacionohen në pritje të autobusit të Kamzës, Kombinatit, Freskut, tek 9-Katëshet, 15-Katëshi, pas Bibliotekës Kombëtare, te 7 Xhuxhat, në Sauk etj.

Këto gra i pikas menjëherë nga konfigurimi estetik i tyre: tejet të disiplinuara, me tesha të thjeshta, të përhimta e të rregullta, ato janë të afta të rrinë pincë dhe në heshtje për dyzetë e pesë minuta.

(Ato rrallë qeshin)

Këto gra jetojnë në njërin skaj të qytetit dhe shërbejnë në skajin tjetër, të detyruara të kalojnë nga njeri autobus në tjetrin. Kalojnë përmes qytet(ërim)it, por nuk ndalen aty, as në piazza-t dhe as në hapësirat e tjera të tij.

(Këto gra shpesh e kanë lëkurën, dhëmbët dhe trupin e dëmtuar, por nuk shkojnë dot te mjeku)

Këto gra shpesh punojnë në të zezë duke pastruar dhe larë shkallë pallatesh, por ndryshe nga roli i administratorit që është përherë burrë, i mirëpaguar dhe i njohur si rol shtetërisht, këto gra janë ilegale, pa siguracione dhe me pagë nën mininale.

(Dhe ndrydhja e tyre kulturore - së cilës supozohet t’i ikin duke lëvizur nga periferia në metropol - duket dy kilometra larg)

Për to nuk ka leje vjetore dhe festash. As shpërblime ekstra. Kur të dalin në pension, nëse do të ndalen së punuari, shumica e tyre do ta shtyjë pleqërine me 8 mijë lekëshin e pensionit social.

(Këto gra janë të zhgënjyera nga fëmijët e tyre)

Ca nga këto gra janë mëditëse, punojnë nga njëra shtëpi në tjetrën për të bërë për pesëmbëdhjetë mijë lekë të vjetra atë që një gruaje tjetër do t’i nevojitej e gjithë fundjava. Këto gra zakonisht i paguajne vetë siguracionet, por me kushtin e të punuarit dyfish.

(Këto gra është vështirë t’i organizosh në sindikata sepse janë një ushtri e shpërndarë në katër mijë copa/vende të ndryshme, pa një pronar të përhershëm në krye, por edhe të panjohura si kategori nga shteti)

Të tjerat pajtohen në zyra, dyqane, restorante etj. Sa më i vogël biznesi, aq më pak pagë dhe kontratë për to. Zyrat shtetërore, por edhe bizneset e mëdha, janë për fat të mirë të detyruara të zbatojnë Kodin e Punës.

(Këto gra kanë turp e frikë të flasin përpara kamerave, të cilat janë syri i të keqes, çdo dalje nga anonimati është përballje me publiken e cila për to është e huaj dhe armiqësore, aq të margjinalizuara janë).

Këto gra janë armata që zbarkon në qytet në 6 të mëngjesit dhe largohet në 6 të mbrëmjes dhe sot gjenden të vëna me shpatulla për muri nga (b)analistë dhe byrokratë që fshehin para të pista nën dyshek, nga një shtet që merr guximin t’i kryqëzojë ato, por jo edhe pronarët e parave.

Sot këto gra janë vënë në shënjestër si subjekt subversiv dhe i dyshimtë.

Dhe ashtu janë.

Janë një forcë subversive, e punës, plot mllef dhe potenciale, e cila herët a vonë do të kërkojë mbrasht atë që i jep çdo ditë qytetit. Jo me robinhudizma, por si një subjekt i ri, gjinor, social dhe politik.

- Shkruan aktivisti i Lëvizjes BASHKË, Klodi Leka.

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/le-te-flasim-pak-per-sanitaret/