KUVENDI I MBYLL PUNIMET PA DISKUTUAR PËR PROJEKTLIGJIN E MINIMUMIT JETIK
Që në datën 30 mars aktivistët e Lëvizjes BASHKË kanë dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin e nënshkruar nga 21.000 qytetarë për vendosjen e minimumit jetik në Shqipëri. Pavarësisht nënshkrimeve të kaq shumë qytetarëve dhe këmbënguljes së Lëvizjes BASHKË, Kuvendi jo vetëm që nuk e ka futur në agjendën e punimeve këtë projektligj, por deri më sot nuk ka kthyer përgjigje se në ç’muaj a vit të këtij shekulli ka ndër mend të respektojë iniciativën ligjvënëse dhe të drejtën kushtetuese të qytetarëve shqiptarë.
Në vend të diskutimit të projektligjit të minimumit jetik, Kuvendi ka qenë i zënë me punë “jetike” si dyfishimi i pagave të deputetëve e ministrave, si dhe ka vazhduar tradita e kotësisë së debateve parlamentare.
Miratimi i ligjit të minimumit jetik do të sillte efekte të drejtpërdrejta në rritjen e të ardhurave të shtresave më të varfra të shoqërisë. Sipas përllogaritjeve tona, nuk do të kishte më pensione minimale prej 8.000-lekësh, por të paktën prej 20.000 lekësh. Po ashtu do të rriteshin zinxhir të gjitha pensionet e tjera, të cilat llogariten mbi bazën e pensionit minimal, duke nisur nga rritja me të paktën 50% e pensioneve të invaliditetit.
Ligji i minimumit jetik do të rriste ndjeshëm ndihmën ekonomike, duke i mundësuar çdo familjeje me një anëtar të paktën 20.000 lekë më muaj.
Ligji i minimumit jetik do të sillte për pasojë edhe rritjen e pagës minimale, duke kontribuuar kësisoj në motivimin e punëtorëve dhe uljen e emigrimit të forcës punëtore.
Po shumica parlamentare ka të tjera përparësi. Duhet të orvatet të fshijë gjurmët e skandaleve të pandalshme korruptive – nga inceneratorët te fondet për bujqësinë, nga ortakëria me krimin e organizuar tek uzurpimi i pasurive publike nga oligarkët. Një qeveri e tillë nuk meriton të rrijë asnjë ditë më shumë në krye të vendit.
Lëvizja BASHKË do të vazhdojë ta trajtojë me përparësi çështjen e minimumit jetik. Organizimi ynë anembanë Shqipërisë do të japë shumë shpejt efektet e duhura në mobilizimin e qytetarëve në protesta dhe aksione kundër korrupsionit, për drejtësi shoqërore dhe, në radhë të parë, për miratimin e ligjit të minimumit jetik.