Kulla e re më e lartë do të ndërtohet në krah të selisë së Partisë Socialiste

Edi Rama dhe Erion Veliaj me ne sfond kullen me te larte qe do ndertohet

Një kullë e re, në krah të selisë së Partisë Socialiste, do të ndërtohet në qendër të Tiranës, me lartësi prej 192.8 metrash dhe me 50 kate mbi tokë. Deri tani kjo është kulla më e lartë.
Sipas të dhënave të pasqyruara në media, përfshirja e Bankës Kombëtare Tregtare (BKT) në projekt përmes një kompanie satelite, vendos në dyshim transparencën e procesit dhe origjinën e financimit, duke lënë hapur, edhe këtë herë, alternativën e përfshirjes së parave të pista në industrinë e ndërtimit. Këto ndërtime pa kriter kanë ndikuar ndjeshëm edhe në cilësinë e ajrit në Tiranë. Densiteti i lartë i ndërtimeve dhe trafiku i rënduar rrisin nivelin e gazrave të dëmshëm për shëndetin. Qytetarët përballen me një mjedis, ku ajri i ndotur bëhet një sfidë e vazhdueshme për shëndetin dhe mirëqenien e tyre. Nevoja për një planifikim urban të qëndrueshëm dhe një përqasje e përgjegjshme ndaj zhvillimit është e nevojshme për të përmirësuar cilësinë e jetës në kryeqytet dhe për të mbrojtur shëndetin publik. Gazeta britanike "The Guardian", duke shkruar për paratë e pista në ndërtim në Tiranë, thekson një realitet shqetësues lidhur me burimin e financimit të disa projekteve ndërtimore në kryeqytetin shqiptar. Sipas raportit të "Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar", shuma prej 1.6 miliardë eurosh është "pastruar" në kantieret e betonit, për një periudhë kohore prej tre vitesh. Kjo shifër nxjerr në pah një lidhje të mundshme midis ndërtimit dhe krimit të organizuar, duke theksuar shqetësimet rreth origjinës së parave që financuan këto projekte të mëdha ndërtimi. Artikulli vë në dukje se pas kullave të larta dhe zhvillimeve urbane në kryeqytet, mund të ketë një përfshirje të thellë të strukturave kriminale dhe parave të pista në këtë sektor. Qeveria dhe Bashkia e Tiranës, pas mbarimit të shfrytëzimit pa kriter të trojeve private, kanë lajmëruar edhe ndërtimin e një kulle te pallati i sportit "Asllan Rusi" dhe stadiumi "Selman Stermasi". Nën zë po flitet se edhe Pallati i Kongreseve do të prishet për t’i hapur rrugën ndërtimit të kullave të reja. Logjika e fitimit në kurriz të jetës së banorëve të Tiranës dhe hapësirës publike ka shpërfillur nevojat dhe të drejtat e komunitetit në emër të interesave financiare të një grupi të vogël. Teksa paraja shkon e gjitha në ndërtim, sektorët e tjerë rrudhen. Ekonomia nuk krijon kapacitete të reja prodhuese, por vetëm struktura betoni parazitare, të cilat vrasin ambientin dhe keqshpërndajnë burimet. Një rreth vicioz që po vret qytetin, por potencialisht edhe ekonominë. Duhet t’i themi sa më parë NDAL babëzisë së Erion Veliajt, Edi Ramës, oligarkëve, bankave dhe krimit të organizuar. Lëvizja BASHKË është e vetmja forcë politike që kundërshton këtë keqzhvillim dhe ka kapacitetet për të propozuar një alternativë të zhvillimit të qëndrueshëm. Ne refuzojmë të bëhemi pjesë e tavolinave të nëntokës, ku ndahet Tirana dhe Shqipëria midis një grupi të vogël njerëzish.

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/kulla-e-re-me-e-larte-do-te-ndertohet-ne-krah-te-selise-se-partise-socialiste/