KONGRESI I 3-të

Foto grupi me delegatët e Kongresit të 3-të të Lëvizjes BASHKË

Të dielën u mbajt kongresi i 3-të i Lëvizjes BASHKË. Delegatë të zgjedhur nga bazat tona në Shqipëri dhe diasporë, diskutuan për rreth tetë orë për gjendjen politike e shoqërore në Shqipëri, të frymëzuar veçanërisht nga protestat historike të qytetarëve, si dhe për mënyrat se si Lëvizja BASHKË mund ta përmirësojë veprimtarinë e vet si përfaqësuese e denjë e të drejtave dhe interesave të shtresave të gjera shoqërore.

Delegatët analizuan ecurinë e Lëvizjes BASHKË prej kongresit të fundit të dhjetorit 2023, vunë në dukje arritjet dhe problemet e rrugëtimit tonë, si dhe u shprehën të gatshëm që bashkërisht ta fuqizojmë Lëvizjen dhe, bashkë me të, çdo qytetar që aspiron një Shqipëri me demokraci të njëmendtë, zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe drejtësi shoqërore.

Kongresi i 3-të miratoi edhe një varg ndryshimesh në Statutin e Lëvizjes BASHKË, të cilat do ta përmirësojnë punën tonë organizative, do të sigurojnë lidhje më komplekse dhe dinamike midis organeve përfaqësuese, si dhe do të forcojnë llogaridhënien demokratike.

Në fund, delegatët votuan për organet përfaqësuese qendrore të Lëvizjes, duke zgjedhur anëtarët e Këshillit të ri Koordinues dhe rizgjedhur në krye të Lëvizjes BASHKË Arlind Qorin.

Bashkë jemi më të fortë!

Bashkë me qytetarët do të ndërtojmë më të mirën Shqipëri!