KONCESIONI I STERILIZIMIT QË NA VRET DALËNGADALË

Edi Rama dhe Ilir Beqaj me sfond paisje mjeksore

Koncesioni i sterilizimit të instrumenteve spitalore është nënshkruar më 2015, me afat 10-vjeçar, mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanisë koncesionare “Sani Service” SHPK, me pronar Ilir Rrapajn. Ky i fundit rezulton të jetë mik i afërt i Ilir Beqajt, ministrit që dha në koncesion sterilizimin. Në periudhën 2016-2025 kjo kompania parashikohet të marrë 100 milionë euro nga buxheti i shtetit.

  • Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), kontrata e sterilizimit është hartuar në kushte favorizuese vetëm për koncesionarin Sani Service. Miqësia e Ilir Beqajt me Ilir Rrapajn, sipas SPAK-ut, mund të ketë favorizuar fitimin e këtij koncesioni.
  • Përse u fry fatura nga 12 milionë euro në vit që ishte parashikuar në 17 milionë euro (40% më shumë se sa ishte parashikuar nga buxheti)?
  • Koncesioni korruptiv i sterilizimit ka rritur kostot shëndetësore për qytetarët. Sipas mjekëve gjinekologë, “të blesh një set kirurgjikal kushton mesatarisht 40 mijë lekë të reja. E kuptoni se sa shumë është rritur kostoja e një ndërhyrjeje kirurgjikale?!” -Sipas KLSH, kompania koncesionare fiton miliona euro në vit duke fryrë faturat që i dërgon Ministrisë së Shëndetësisë, duke quajtur instrumente komplekse edhe të thjeshtat, ose duke i shtyrë doktorët të përdorin mjete komplekse edhe aty ku nuk duhet, për shembull në rastin e lindjeve natyrale në spitalin gjinekologjik. -Qendra e sterilizimit e Qendrës Spitalore Universitare, e ndërtuar me kredi të Bankës së Këshillit të Evropës, nuk është vënë kurrë në funksion nga ana e shtetit, por i është dhënë në përdorim kompanisë Sani Service. Sipas një raporti të KLSH, pajisje me vlerë mbi 107 milionë lekë të blera nga qeveria shqiptare iu dhuruan këtij koncesionari pa pagesë. -Sipas auditimeve viteve të fundit të KLSH, vërehet një vështirësi në monitorim sa i takon instrumenteve kirurgjikale, si dhe vështirësi në respektimin e tavanit buxhetor, gjë që ndikon e zhbalancon buxhetin dhe sjell kufizime në ndërhyrje për pacientët. Vërehet po ashtu një ndryshimi i numrit të instrumenteve kirurgjikale në mënyrë të paargumentuar për disa prej seteve nga viti në vit. -Ilir Beqaj, strumbullari i këtij koncesioni korruptiv, po hetohet gjithashtu për një skemë të pastrimit të parave kur ishte drejtor i agjencisë që monitoron fondet që vijnë nga Bashkimi Evropian (Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës). Këto manovra korruptive, sipas SPAK-ut, bëheshin nëpërmjet një restoranti në pronësi të bashkëshortes së Beqajt dhe bashkëpunimit me palë të tjera. Nuk duhet të harrojmë për asnjë rast se për koncesionin e sterilizimit Edi Rama është mburrur disa herë publikisht. Ndonëse ende nuk ka prova se Edi Rama ka marrë vetë ryshfet për miratimin e këtij koncesioni, përgjegjësia politike është në radhë të parë e tij. Në Shqipëri nuk vidhet pa lejen dhe pa hisen e Shefit të Madh! Të shtunën në orën 11:00 mblidhemi sërish në sheshin Skënderbej!

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/koncesioni-i-sterilizimit-qe-na-vret-dalengadale/