INDIFERENCA E QEVERISË NDAJ KRIZËS SË SEKTORIT FASON

Edi Rama dhe ministria e sipermarrjes Delina Ibrahimaj ne nje takim per biznesin

Sot Edi Rama i vendosi përfaqësuesit e sektorit fason përpara dy alternativave: ose përshtatuni me kushtet e konkurrencës globale, ose vdisni! Në fakt, që prej themelimit të vet, sektori fason është përballur me konkurrencën globale që nis nga Amerika Latine e përfundon në vendet e Azisë lindore. Sigurisht, duke iu përmbajtur logjikës më të egër të shfrytëzimit të fuqisë punëtore dhe mosrespektimit të të drejtave të punëtorëve.

Kohët e fundit, për shkak të fuqizimit anormal të lekut – të shkaktuar edhe prej pastrimit të valutave të pista (kryesisht euro) – sektori fason po përballet me një rritje të fortë të kostove të prodhimit. Porositësit (markat e huaja) vënë në dispozicion të njëjtën sasi valute, por kjo valutë këmbehet me më pak lekë. Çka do të thotë se pjesa më e madhe e kostove të sektorit që paguhen në lekë (fuqia punëtore, energjia elektrike, taksat etj.) janë rritur ndjeshëm në raport me pagesat e porositësit, duke çuar në zgrip të falimentimit shumë sipërmarrje.

Në kushtet ku dhjetëra mijëra punëtore e punëtorë rrezikojnë vendin e punës, kryeministri i Republikës së Shqipërisë ka vetëm një mesazh: “Ju ruajt Zoti!” Ai ka refuzuar edhe paketën e ndihmave për mbijetesën e sektorit fason, edhe ndihmën për punëtoret që po mbesin pa punë anembanë Shqipërisë.

Në emër të parimit abstrakt “Përshtatu ose vdis!”, Edi Rama ka larë duart si Ponc Pilati.

Përvoja e vendeve që janë drejtuar nga shtete me karakter zhvillimor tregon se industria tekstile në përgjithësi është ndihmuar nga politika subvencionuese jo vetëm për t’i rezistuar tallazeve të paparashikueshme si ndryshimi i fortë i kursit të këmbimit, por edhe për të rritur kapacitetet e tyre prodhuese dhe për ta ngritur procesin e prodhimit vendas në zinxhirin ndërkombëtar të vlerës.

Mbështetur në përvojat më të mira botërore dhe duke parë me përparësi punën, pagat dhe të drejtat e punëtorëve, Lëvizja BASHKË evidenton si nevojë urgjente miratimin e një pakete ndihme financiare dhe të rritjes së kapaciteteve për sektorin fason. Është e rëndësishme të miratohen lehtësi fiskale dhe subvencionime për ndërmarrjet e sektorit fason.

Gjithsesi kjo ndihmë shtetërore duhet të shoqërohet me plotësimin e panegociueshëm të disa kushteve bazike:

i. Ndërmarrjet përfituese duhet të rrisin kapacitetet e tyre prodhuese përmes përmirësimit teknologjik dhe kualifikimit të forcës punëtore.

ii. Ndërmarrjet që do të përfitojnë ndihmë shtetërore duhet t’u ndalohet pushimi i punëtorëve nga puna.

iii. Ndërmarrjet përfituese do të mbikëqyren rigorozisht për respektimin e të drejtave të punëtorëve, sidomos në lidhje me pagesat shtesë të orëve të punës jashtë orarit zyrtar, ditët e pushimit, paga minimale, liria e organizimit sindikalist etj.

iv. Në asnjë rast nuk duhet pranuar kërkesa e uljes së pagës minimale.

Largimi nga mallkimi i “krahut të lirë të punës” nuk mund të vijë prej humbjes së vendit të punës dhe varfërimit të skajshëm të dhjetëra mijëra familjeve punëtore, por prej ndihmës shtetërore për shëndoshjen e sektorit dhe mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.

Njerëzimi ka krijuar shtetin dhe institucionet publike pikërisht për të dalë nga gjendja e natyrës apo e “luftës së të gjithëve kundër të gjithëve”, në të cilën “njeriu për njeriun është ujk”. Një shtet zhvillimor dhe demokratik nuk braktis askënd, sidomos njerëzit e punës. Një shtet zhvillimor e demokratik sheh më shumë potencial te zhvillimi i industrisë e bujqësisë sesa te hotelet me 5 yje, kazinotë apo bastet. Në një shtet zhvillimor e demokratik puna, prodhimi dhe dija janë alternativa ndaj vjedhjes dhe shpërdorimit.

Programi dhe aktivizmi i Lëvizjes BASHKË ka për synim themelimin e një shteti që është vërtet zhvillimor e demokratik.

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/indiferenca-e-qeverise-ndaj-krizes-se-sektorit-fason/