GËZUAR 29 NËNTORIN!

Pikture partizanesh qe degjojne nje plak duke luajtur nje vegel muzikore

Si sot 79 vjet më parë Shqipëria u çlirua nga pushtuesit nazi-fashistë. Çlirimi erdhi si rezultat i heroizmit të dhjetëra mijëra të rinjve e të rejave që me atdhedashurinë dhe idealet e tyre përnaltësuan historinë e popullit tonë. Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare e radhiti popullin shqiptar mes fitimtarëve të Luftës së Dytë Botërore, si kontribuues për mposhtjen e të keqes absolute të historisë së njerëzimit: nazi-fashizmit. Instrumentalizimi i Luftës nga diktatura e mëpasshme nuk e njollos asnjë grimë rolin historik të partizanëve dhe partizaneve që luftuan për një Shqipëri të lirë dhe moderne. Sot Shqipërisë i kanoset një lloj i ri pushtimi, që nuk vjen nga jashtë, as marshon me çizme ushtari. Është zaptimi dhe përvetësimi çdo ditë e më shumë i pasurive të përbashkëta, i të drejtave politike, shoqërore e ekonomike, është kolapsi i demokracisë dhe cenimi i shtetit të së drejtës. Shqipërinë e sotme e kanë pushtuar pushtetarët e korruptuar, oligarkët e pangishëm dhe organizatat mafioze. Këta zaptues nuk kanë ideologji, as ide, por vetëm interesa të lidhura me zhvatjen e popullit dhe pasurive të përbashkëta. Kjo ortakëri mbytëse e dobëson shoqërinë shqiptare dhe strukturat politike të shtetit tonë. Prandaj 29 Nëntori sot, sikundër 28 Nëntori dje, sjellin në vëmendje jo vetëm nderimin për heronjtë dhe sakrificat e të djeshmes, por edhe faktin se pavarësia dhe çlirimi mbeten ende aspirata të parealizuara plotësisht.

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/gezuar-29-nentorin/