FITORE HISTORIKE E PUNËTOREVE – PLOTËSOHEN KËRKESAT DHE KTHEHET NË PUNË KRYESINDIKALISTJA MIRJETA MULLA

Sindikata e Punëtorëve të Fasonerive (SPF) - dega Bilisht - ka arritur sot një fitore të jashtëzakonshme dhe historike, duke rikthyer më në fund shpresën në organizimin sindikal në vendin tonë.

Pas grevës dy-ditore, sot janë mbyllur me sukses bisedimet tripalëshe mes Sindikatës, Inspektoratit të Punës dhe pronarit të kompanisë “Toni Oil”. Palët kanë rënë dakord të rinisë puna pas plotësimit të kushteve të vëna nga punëtorët. Rikthimi në punë i kryesindikalistes Mirjeta Mulla, garantimi i lirisë së organizimit sindikal, respektimi i pagës minimale si dysheme e pagave, sigurimi i punëtoreve të pasiguruara, kanë qenë disa nga kërkesat e Sindikatës të cilat janë pranuar.

Pritet zyrtarizimi i marrëveshjes së arritur.

Kjo është një fitore historike për nga rëndësia për përpjekjen sindikale në vendin tonë. Organizimi i lirë dhe i vërtetë i punëtorëve po dëshmon se është e vetmja rrugë për të fituar të drejtat sindikale dhe ato ekonomike në vendin e punës.

Lëvizja BASHKË inkurajon të gjithë punëtorët që të organizohen, pasi çdo betejë e vogël e fituar në vendin e punës, është një hap përpara për mbarë shoqërinë. Përpjekja e popullit shqiptar për të rikthyer shpresën dhe dinjitetin e humbur kalon përmes fitoreve sindikale.

Lëvizja BASHKË ka qenë dhe mbetet kurdoherë në krah të punëtorëve dhe betejave të tyre. Ne do të jemi gjithmonë aty ku ka padrejtësi dhe nevojë për organizim; në Bilisht, në Bulqizë, në Ballsh, në Durrës, në Tiranë dhe anekënd Shqipërisë.

Punëtorët e bashkuar kanë për të fituar!

#BASHKË

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/fitore-historike-e-punetoreve-plotesohen-kerkesat-dhe-kthehet-ne-pune-kryesindikalistja-mirjeta-mulla/