ERION VELIAJ KA FIRMOSUR PËR SHKATËRRIMIN E LULISHTES NË KOMBINAT
Sot paradite përfaqësues të Lëvizjes BASHKË u takuan me banorë të rrugës "Llambi Bonata" në Kombinat. Lulishtja përpara pallateve të vjetra të tyre do të zaptohet nga një pallat 7-katësh, duke lënë pa hapësirë publike qindra fëmijë, të moshuar dhe qytetarë që prej dekadash luajnë dhe pushojnë këtu.
Kjo zhvatje e hapësirës publike është edhe më skandaloze nëse kujtojmë që banorët e një pallati të vjetër ngjitur me lulishten janë larguar nga banesat e tyre pas tërmetit të nëntorit 2019, pasi trualli është shpallur gjeologjikisht i rrezikshëm për ndërtim. Banorët e atij pallati do të degdisen nëpër rrethinat e Kombinatit, ndërkohë që banorëve të mbetur do t'u grabitet lulishtja e tyre.
Sa më shumë qëndron Erion Veliaj larg burgut, aq më të rrezikuar janë banorët e Kombinatit dhe gjithë Tiranës në shtëpitë e tyre dhe hapësirën publike.
Përfaqësuesja e Lëvizjes BASHKË në Këshillin Bashkiak të Tiranës Mirela Ruko do ta ngrejë çështjen e banorëve të Kombinatit në të gjitha mbledhjet e Këshillit Bashkiak.
Sugjerimi ynë për banorët e Kombinatit është që sa më parë të ngrihen në protesta. Vetëm organizimi dhe qëndresa e tyre mund ta shpëtojë lulishten dhe të japë një shembull për të gjithë qytetarët e Tiranës.
Lëvizjen BASHKË do ta kenë në krah në çdo hap!