EDI RAMA DUHET TË HETOHET PËR KORRUPSION DHE ABUZIM ME DETYRËN

Ditët e fundit shtypi amerikan po hedh dritë mbi një skandal korruptiv të një funksionari të lartë të Byrosë Federale të Hetimit (FBI), në të cilin është i lidhur edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Marrëdhënia e tij me Charles McGonigal-in tregon për akte korruptive të natyrës ekonomike e politike. Sipas shtypit amerikan dhe dokumenteve hetimore të botuara deri më sot, Edi Rama dyshohet si ushtrues i ndikimit të paligjshëm mbi institucionet amerikane dhe si premtues i licencave preferenciale për kompani të kërkimit të naftës të lidhura me McGonigal-in dhe, përmes tij, edhe me oligarkun rus Oleg Deripaska.

Deri më sot Edi Rama është justifikuar për çdo vartës të tij të dënuar si ndihmës i trafikantëve (Saimir Tahiri), të implikuar në skandalin e inceneratorëve (Vangjush Dako, Alqi Bllako e Arben Ahmetaj), sikundër edhe për afera të tjera korruptive ku implikohen Ilir Beqaj dhe Damian Gjiknuri. Në të gjitha rastet, ai ka pretenduar se përgjegjësia është individuale dhe ai vetë nuk kishte gisht, ndonëse ka qenë eprori i tyre dhe përgjegjës për mbikëqyrjen e ligjshmërisë dhe korrektesës institucionale. Sot ai është përgjegjës në vetën e parë, i dyshuar nga drejtësia amerikane dhe i denoncuar nga shtypi amerikan.

Edi Rama duhet hetuar një orë e më parë nga organet e prokurorisë së Republikës së Shqipërisë.

Edi Rama duhet të japë dorëheqjen që të mos ndikojë me pozitën e kryeministrit në zhvillimin e hetimeve ndaj tij.

Ne e dimë që Edi Rama është i korruptuar fund e krye. Kemi denoncuar ndër vite të gjitha reformat abuzive, koncesionet plaçkitëse dhe praktikat korruptive të qeverisë së tij. Mirëpo sot ajo që dimë të gjithë është marrë vesh dhe po vërtetohet në mbarë botën.

Shqipëria nuk meriton një kryeministër si Edi Rama.

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/edi-rama-duhet-te-hetohet-per-korrupsion-dhe-abuzim-me-detyren/