DREJTËSI PËR JETËT E PUNËTORËVE

Deputeti Bujar Çela me në sfond një ngrehinë të shkatërruar dhe mbishkrimin 'Drejtësi për jetët e punëtorëve'

Ngjarja tragjike e ndodhur në Lushnjë - ku një shpërthim i fuqishëm në një kapanon në pronësi të deputetit Bujar Çela mori jetën e dy punëtorëve, babë e bir, dhe plagosi shtatë të tjerë - ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve. Ajo tregon jo vetëm mungesën e sigurisë në punë në Shqipëri, por edhe për një sistem ku njerëzit me pushtet politik dhe ekonomik mund të abuzojnë pa u ndëshkuar.

Arrestimi i sotëm i sipërmarrësit 32-vjeçar, Leonard Gjini, me akuzën për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë, nuk duhet të shihet si zgjidhja përfundimtare e problemit. Është naive të mendojmë se veprimet apo mosveprimet e një njeriu të thjeshtë kanë sjellë tragjedinë. Për më tepër, nuk mund të injorojmë përpjekjet e dukshme për të mbuluar ose minimizuar përgjegjësitë e atyre që janë në pozita pushteti.

Kjo ngjarje dhe reagimi problematik i institucioneve shtrojnë me urgjencë nevojën për transparencë, llogaridhënie dhe ndëshkim të drejtë për të gjithë ata që janë përgjegjës për vdekjen e dy punëtorëve.

Më gjerësisht, nuk duhet larguar nga vëmendja që Shqipëria qeveriset nga një grupim që nënçmon punëtorët dhe pengon organizimin e tyre në sindikata. Të panumërta janë deklaratat e Edi Ramës kundër sindikalizmit dhe të drejtave në punë.

Në kushtet ku jeta, shëndeti dhe të drejtat në punë janë më të rrezikuara se kurrë, është e domosdoshme që shoqëria të ushtrojë presion për ndryshime të vërteta dhe të qëndrueshme në legjislacion dhe në zbatueshmërinë e ligjeve që sanksionojnë të drejtat në punë. Sikundër, punëtorët duhet të inkurajohen që të organizohen në sindikata të forta e demokratike.

Asnjë punëtor nuk duhet të ndihet në rrezik prej punës. Asnjë familje nuk duhet të përjetojë humbjen e një të dashuri si rezultat i neglizhencës ose abuzimit të pushtetit. Ngjarja tragjike në Lushnjë nuk duhet të kalojë në heshtje. Është detyrë e të gjithëve të kërkojmë drejtësi për Rolandin dhe Elidionin dhe të punojmë së bashku për një të ardhme ku të gjithë mund të ndihen të sigurt në vendin e tyre të punës.

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/drejtesi-per-jetet-e-punetoreve/