10.000 NËNSHKRIME PËR QYTET TË JETUESHËM
Në më pak se një muaj aktivistët e Lëvizjes BASHKË arritën të mbledhin 10.000 nënshkrime qytetarësh për reduktimin e ndotjes së ajrit. Këtë peticion - të drejtuar një vargu institucionesh qendrore e vendore, nga Këshilli i Ministrave në Bashkinë e Tiranës - e kanë nënshkruar të rinj e të moshuar, punëtorë e profesionistë, dyqanxhij e sipërmarrës, sepse kriza mjedisore e shëndetësore në Tiranë është çdo ditë e më e rëndë.
Çdo vit mijëra bashkëqytetarë vdesin nga sëmundjet e shkaktuara nga ndotja e ajrit. Në krahun e kundërt, një grusht pushtetarësh politikë dhe oligarkësh ekonomikë janë bërë miliarderë prej ndërtimeve pa kriter, zhdukjes së hapësirave publike e gjelbërimit, cilësisë së keqe të karburantit dhe trafikut.
Tirana mund të bëhet qytet i shëndetshëm dhe i jetueshëm vetëm përmes angazhimit tonë të përbashkët. Një firmë, si ajo e 10.000 bashkëqytetarëve, është një hap i domosdoshëm i përballjes së institucioneve me vullnetin dhe shqetësimin e qytetarëve.
Po jeta dhe shëndeti ynë kërkojnë pak më shumë se kaq. Duhet që të gjithë bashkë të mblidhemi përpara institucioneve përgjegjëse për të ngritur zërin e pakënaqësisë dhe urgjencës.
Në ditët në vijim Lëvizja BASHKË do t'ju njoftojë për hapat e mëtejshëm në arritjen e objektivit tonë të përbashkët.