Programi qeverisës

1. Shteti zhvillimor

1.4 Turizmi

Shqipëria ka parë një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve dhe interesit për destinacionet e saj natyrore dhe kulturore. Strategjia e qeverisë shqiptare për turizmin (2019-2023) vendosi disa objektiva kryesore për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit, si për shembull nxitja e investimeve private, konsolidimi i produkteve turistike, përmirësimi i shërbimeve, riorientimi i promovimit dhe mbështetja për menaxhimin e destinacioneve turistike. Këto objektiva janë kryesisht të përgjithshme dhe kanë një fokus të fortë në politika të masivitetit dhe maksimizimin e fitimit të shpejtë të disa duarve. Nga ana tjetër janë favorizuar ndjeshëm oligarkët vendas, duke sjellë një mbyllje të tregut për investime të huaja me një eksperiencë mbi këtë sektor. Investimet pa kriter dhe për fitime të shpejta kanë sjellë ndërhyrje dhe cenim në zonat e mbrojtura, çka përbën një dëm të parikuperueshëm mjedisor dhe cenon njëkohësisht parimet e turizmit të qëndrueshëm.

I. Problemet kryesore

Ndërsa strategjia e qeverisë përqendrohet në nxitjen e investimeve nga oligarkët vendas, nuk ka politika të mirëfillta që të mbështesin në mënyrë të qëndrueshme profesionistët dhe sektorin publik në zhvillimin e turizmit. Punëtorët e sektorit turistik përballen me mungesë trajnimi dhe kualifikimesh të duhura, duke e ulur kësisoj cilësinë e shërbimeve turistike dhe identitetin tonë mikpritës.

Strategjia e qeverisë aktuale inkurajon zhvillimin e shpejtë të investimeve pa kriter, duke prishur pikërisht arsyen pse turistët e vizitojnë vendin tonë: natyrën. Këto investime shpeshherë nuk marrin parasysh ndikimin afatgjatë në mjedis dhe komunitetet lokale. Një shembull tipik është ndërtimi i resorteve turistike që operojnë në stilin “ndërto-shit-ik”, ku qëllimi kryesor është fitimi i shpejtë, ndërsa dëmtimi i natyrës dhe komuniteteve lokale mbetet i lartë. Ky zhvillim spekulativ sjell urbanizim të pakontrolluar, që çon në humbjen e mikpritjes tradicionale shqiptare dhe traditave lokale.

Një problematikë mjaft e përhapur është edhe zaptimi i plazheve publike me shezlongët e resorteve të mëdha apo e bizneseve lokale në shkelje flagrante të ligjit. Çmimet e caktuara për përdorimin e tyre janë stratosferike dhe shumë herë ato janë bërë burim konfliktesh mes pushuesve dhe bizneseve. Legjislacioni shqiptar parashikon që: për çdo 1 kilometër vijë bregdetare, 300 metra duhet të jenë të dedikuara për plazh publik; duhet të lihet një hapësirë prej 2.5 metrash përpara rreshtit të parë të çadrave, e cila të jetë e lirë për përdorim publik; hapësira midis çadrave nuk duhet të jetë më e vogël se 3 metra në linjë horizontale me vijën e ujit dhe jo më e vogël se 2.5 metra në linjë vertikale me vijën e ujit. Asnjë nga këto vendime nuk respektohet.

Nga ana tjetër, Shqipëria ka një sezon të shkurtër turistik, dhe strategjia e qeverisë nuk ka arritur të adresojë këtë problem. Pa politika për zgjerimin e sezonit turistik dhe promovimin e turizmit gjatë gjithë vitit, potenciali i vendit mbetet i pazhvilluar plotësisht. Tkurrja e sezonit bën që të ketë periudha të zgjatura me mungesë të aktivitetit turistik, duke e kufizuar rritjen ekonomike të sektorit dhe të rajoneve turistike.

Shumë destinacione turistike në Shqipëri vuajnë nga mungesa e infrastrukturës së përshtatshme, siç janë rrugët, shërbimet bazë dhe standardet sanitare. Kjo përkeqëson përvojën e turistëve dhe dobëson konkurrencën e Shqipërisë përballë vendeve fqinje, si Greqia apo Mali i Zi.

Qeveria mbështetet kryesisht në të dhënat e INSTAT dhe Bankës së Shqipërisë për matjen e numrit të turistëve, por këto institucione nuk kanë kompetenca specifike për këtë sektor. Nuk ka një institucion të dedikuar për matjen dhe analizën e fluksit të turistëve, siç ndodh në vendet e tjera të BE-së, si për shembull Greqia. Kjo çon në pasiguri dhe spekulime mbi të dhënat zyrtare, duke e vështirësuar formulimin e politikave të bazuara në të dhëna të sakta.

Nga pikëpamja e strukturave pritëse të turistëve, Shqipëria ka 2,437 struktura akomoduese; hotelet përbëjnë rreth 65% të totalit, ndërsa pjesa tjetër janë shtëpi dhe dhoma. Sipas të dhënave të QKB-së, në vend janë licencuar 75 operatorë turistikë, 322 agjenci udhëtimi dhe 306 udhërrëfyes. Sipas vlerësimeve të WTTC, kontributi direkt i turizmit në PBB-në e vendit ka qenë 8.5% në vitin 2017. Nuk ka të dhëna zyrtare për vitet në vazhdim. Po sipas parashikimeve të WTTC, kjo shifër do të arrijë në 9.1% të kontributit direkt në PBB.

Paqëndrueshmëria e turizmit duket edhe në faktin se ky sektor nuk po shërben si lokomotivë zhvillimore e sektorëve të lidhur në mënyrë organike me të si bujqësia apo industria. Pavarësisht se në Shqipëri shtohet çdo vit numri i turistëve dhe konsumi i tyre, por edhe shtohen strukturat akomoduese, bujqësia dhe blegtoria vendase e ulin prodhimtarinë. E njëjta gjë vlen edhe për industrinë. Kësisoj nga zhvillimi i paqëndrueshëm i turizmit në Shqipëri përfitojnë bujqit e vendeve fqinje dhe industrialistët e vendeve të tjera.

Shqipëria ka një numër prej 278,100 punonjësish në këtë sektor, por nëse llogaritet në kuptimin e ngushtë direkt, arrijnë deri në 4.2% të tregut të punës gjithsej. Problemi më i madh i punës në këtë sektor është informaliteti tejet i lartë dhe puna sezonale. Një pjesë e konsiderueshme e punëtorëve të sektorit të turizmit punojnë deri në 16 orë në ditë, shtatë ditë në javë, duke mos gëzuar as minimumin e të drejtave të njohura nga Kodi i Punës.

Një tjetër problem madhor është paqëndrueshmëria e turizmit në aspektin e efekteve shkatërrimtare në natyrë. Ndryshimi i ligjit për zonat e mbrojtura do të cenojë biodiversitetin e Shqipërisë dhe do t’i hapë zonat e mbrojtura natyrore ndaj investimeve. Këto zhvillime nuk merren në konsideratë në strategjinë afatgjatë të qeverisë, duke e lënë mjedisin të ekspozuar ndaj dëmtimeve të mëdha që mund të kenë pasoja të pakthyeshme për natyrën dhe turizmin ekologjik.

II. Alternativa e Lëvizjes BASHKË

Turizmi gjatë gjithë vitit

Përmes politikave të zhvillimit të qëndrueshëm që ruajnë natyrën, evidentojnë më së miri trashëgiminë kulturore të Shqipërisë dhe promovojnë bashkëjetesën në lokalitete, përmirësojnë infrastrukturën Shqipëria ka potencialin të ketë turizëm gjatë gjithë vitit. Një transformim i tillë do të sillte përdorimin më të qëndrueshëm të burimeve ekonomike dhe do të siguronte të ardhura dhe marrëdhënie pune më të qëndrueshme për sipërmarrjet dhe punonjësit e këtij sektori.

Çlirimi i plazheve publike

Lëvizja BASHKË zotohet të zgjerojë ndjeshëm hapësirën e plazheve publike, si dhe të zbatojë me përpikmëri normat e reja të respektimit të karakterit dhe sipërfaqes publike të plazheve. Ne do të inkurajojmë përdorimin e përkohshëm të çadrave vetjake nga qytetarët.

Ndryshimet në kuadrin ligjor

Lëvizja BASHKË do të abrogojë të gjitha ndryshimet e bëra së fundit në ligjin për zonat e mbrojtura, duke ofruar siguri për ruajtjen e paprekshme të natyrës sonë dhe të raporteve tradicionale të popullsive lokale me këto zona.

Nga ana tjetër do të ndërhyhet në ligjin nr. 93/2015 për të rritur profesionalizmin dhe cilësinë e shërbimeve turistike. Këto ndryshime do të mundësojnë që licencimi i profesionistëve të kualifikuar për auditim të kufizohet në tre sipërmarrje. Kësisoj në një afat kohor 4-vjeçar auditimi u kalon profesionistëve, duke synuar që të ngushtohet rrethi i operatorëve të papërgatitur dhe të garantohet një standard më i lartë i cilësisë. Për më tepër, do të kushtëzohet që marrëdhëniet kontraktuale midis investitorit dhe auditorit të jenë të vlefshme vetëm pas regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR), për të garantuar një qasje transparente dhe formale ndaj sipërmarrjeve turistike. Kjo politikë do të ketë synim motivimin e profesionistëve për t'u trajnuar dhe certifikuar, duke u krijuar atyre mundësinë për të ardhura më të larta në momentin që do të krijohet tabela e tarifimit të auditimit.

Ngritja e strukturave të forta mbikëqyrëse të impaktit në natyrë

Forcimi i Policisë Pyjore dhe i institucioneve të tjera mbikëqyrëse do të sigurojë që sipërmarrjet që veprojnë në sektorin e turizmit të zbatojnë detyrimet e tyre ligjore, do të ulë ndjeshëm rrezikun nga zjarret dhe do të kontribuojë në pastrimin dhe ruajtjen e zonave të gjelbra.

Formalizimi i marrëdhënieve të punës

Konsolidimi i turizmit gjatë gjithë vitit do të ndikojë drejtpërdrejt në kalimin e një pjese të konsiderueshme të punonjësve nga puna sezonale në punë të qëndrueshme. Lëvizja BASHKË do të veprojë energjikisht përmes institucioneve të respektimit të të drejtave në punë që të gjithë punëtorët e sektorit të turizmit si ata që punojnë gjatë gjithë vitit, edhe për punëtorët sezonalë që të gjithë të pajisen me kontrata pune, duke nxitur njëkohësisht organizimin sindikalist të punëtorëve të turizmit dhe hartimin e kontratave kolektive të punës. Do të zbatohet me rreptësi Kodi i Punës edhe për numrin e orëve maksimale të punës në javë, si dhe pagesat shtesë për punën jashtë orarit dhe kohëzgjatjes normale të punës. Të vetëpunësuarit në sektorin e turizmit, nëse nuk kryejnë punë tjetër të siguruar, do të nxiten të sigurohen në skemën e sigurimeve shoqërore.

Për punëtorët dhe të vetëpunësuarit që nuk do të arrijnë ta kenë 12-mujore veprimtarinë në sektorin e turizmit, do të jepet një bonus tremujor prej 310 eurosh në muaj (totali 930 euro) dhe do të sigurohen trajnime në muajt janar-shkurt. Ndërsa, në muajin nëntor-dhjetor, agjencitë turistike, në bashkëpunim me sindikatat e shërbimit, duhet të ofrojnë për punonjësit me kontrata kolektive paketa me oferta turistike, kështu që profesionisti gëzon ditët e tij të pushimit, por edhe pasurohet me eksperiencë në destinacione të huaja.

Nga ana tjetër, sipërmarrjet e mëdha turistike do të paguajnë tarifa për analizat e personelit, duke u pajisur me vërtetim shëndeti. Ky vërtetim përfshin analiza për sëmundjet që mund të transmetohen përmes ushqimeve dhe pijeve, si dhe seminaret për higjienën e organizuara nga Agjencia e Formimit Profesional, të cilat do të zgjasin për një periudhë afatshkurtër prej 120 orësh. Trajnimi dhe rikualifikimi i punonjësve në sektorin e turizmit do të jetë një prioritet, duke u mundësuar atyre të marrin certifikime profesionale dhe të rrisin aftësitë e tyre në përputhje me kërkesat e tregut dhe standardet ndërkombëtare.

Formimi i Agjencisë së Formimit Profesional

Kjo strukturë do të jetë vendimtare për trajnimin dhe certifikimin e profesionistëve të rinj në sektorin e turizmit, duke garantuar cilësi dhe profesionalizëm të lartë në të gjitha hallkat e këtij sektori. Afrimi i profesionistëve vendas për mësimdhënie dhe kurrikula do ta orientojnë më mirë dhe më shpejt studentin me tregun e punës. Afrimi i profesionistëve që ushtrojnë punën e tyre njëkohësisht do të krijonte mundësinë që kjo Agjenci të mblidhte informacion direkt dhe të etiketonte problematikat në kohë reale.

Futja e shërbimit në faturë (bakshishi, pastrimi i dhomës, ciceroni, transporti) do të sillte vëmendjen e profesionistëve në rajon, duke e bërë Shqipërinë vend unik dhe tërheqës. Kësisoj do të shkurajohet ikja masive sezonale në vendet fqinje, por edhe rritet kërkesa.

Krijimi i Observatorit

Observatori do të mbikëqyrë zbatimin e politikave në sektorin e turizmit dhe për të monitoruar zhvillimin e sektorit. Observatori do të marrë përsipër disa nga funksionet e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, duke përfshirë mbledhjen e të dhënave dhe monitorimin e trendeve të sektorit.

Brenda Observatorit do të krijohet një strukturë e posaçme e matjes reale të dimensioneve të turizmit në Shqipëri. Qëllimi është të maten me vërtetësi numri i turistëve dhe shpenzimet e tyre në Shqipëri. Do të hartohet një formular për shtetasit e huaj që vizitojnë Shqipërinë, i cili do të përfshijë informacion mbi vendqëndrimin, numrin e ditëve të qëndrimit, arsyen e vizitës dhe faturën e pagesës së udhëtarit. Kjo metodë do të kontribuonte edhe në formalizimin e punës dhe sipërmarrjes në sektorin e turizmit. Për çdo formular të plotësuar do të aplikohet një kupon prej 9 eurosh.

Për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit, janë propozuar disa masa të rëndësishme: Observatori do të ketë për detyrë të monitorojë zhvillimet në sektor, të përpilojë strategji afatgjata dhe të krijojë identitetin e turizmit shqiptar, duke përfaqësuar alternativën shqiptare në tregun ndërkombëtar. Ky institucion do të mundësonte hartimin e politikave mbështetëse, si mbështetje për agjencitë turistike për të krijuar paketa rinore në muajt prill-maj. Do të mbështeten strukturat akomoduese me një financim prej 1200 euro për strukturë, duke krijuar hapësira për studentët në grupe sipas degëve për të frekuentuar zonat turistike. Po ashtu, bashkëpunimi me rininë e diasporës do të ngrinte një valë paketash për studentët e universiteteve fqinje dhe të huaja në tërësi.

Muajt shtator-tetor do të shfrytëzohen për mbështetjen e agjencive vendase sa herë që do të krijonin paketa turistike për pensionistët. Kësisoj do të kishim një zgjatje domethënëse të sezonit, por edhe fillimin e përfshirjes në masë të popullsisë vendase në shijimin e natyrës shqiptare. Po ashtu, mbështetja për konsolidimin e turizmit mjekësor do të ishte një politikë që do të ndihmonte në betejën ndaj tkurrjes së sezonit.

Bashkëpunimi me diasporën

Lëvizja BASHKË do të nxisë rritjen e bashkëpunimit me diasporën shqiptare që angazhohet në sektorin e turizmit, duke ndihmuar kësisoj në rritjen e profesionalizmit dhe promovimin e alternativës turistike shqiptare. Diaspora mund të ofrojë njohuri dhe përvoja ndërkombëtare që do të rrisin standardet e shërbimeve turistike në Shqipëri.

Strategji afatgjatë për zhvillimin e turizmit

Shqipëria duhet të kalojë nga modeli i turizmit masiv në atë alternativ, duke promovuar destinacione autentike dhe mbrojtur mjedisin dhe traditat lokale. Kjo do të mundësojë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe një përvojë më të mirë për turistët.

Financimi i programit për turizmin

Mbështetja e strukturave akomoduese, të punësuarve dhe të vetëpunësuarve në këtë sektor do të kishte një kosto të përballueshme nga buxheti i shtetit, sidomos në kushtet e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm dhe rritjes së produktivitetit të punës.

Më konkretisht, mbështetja tremujore për punëtorët e turizmit do të kishte një kosto prej 51,559,200 eurosh në vit. Subvencionet për 2,437 struktura akomoduese që do të mirëpresin të rinjtë dhe pensionistët do të jenë 2,924,400 euro në vit.

Nga ana tjetër, të ardhurat nga tarifat e hyrjes për turistët për efekt matës mund të parashikohen në 53,341,226 euro, duke marrë për bazë raportet e qeverisë aktuale për 5,926,803 turistë jorezidentë.