Programi qeverisës
1. Shteti zhvillimor
1.5 Të ardhurat e buxhetit dhe taksimi
I. Gjendja aktuale
Ndonëse ekonomia e Shqipërisë është rritur ndjeshëm në terma të PBB-së nominale në dhjetë vitet e fundit, niveli i të ardhurave të buxhetit të shtetit ka ndryshuar me një shkallë shumë më të ulët. Në vitin 2014 niveli i të ardhurave për buxhetin e shtetit, duke përfshirë edhe ndihmat, ka qenë 26.3% e PBB, në vitin 2023 ka arritur në 27.2% e PBB dhe parashikimet e qeverisë e projektojnë në 29.2% në vitin 2027. Një analizë krahasuese me vende të tjera në rajon tregon se Shqipëria është në vendin e fundit sa i takon mbledhjes së të ardhurave, ndërsa mesatarja e vendeve të OECD është 34%. Ndër faktorët thelbësorë për këtë situatë janë niveli i lartë i evazionit fiskal, informaliteti në punë dhe në paga, ulja e tatimit të dividendit, përjashtimet tatimore etj. Shpesh dëgjohet në diskutimin publik për nevojën e pasjes së një shteti të vogël, por të paktën nga pikëpamja e të ardhurave shteti ynë është shteti më i vogli në rajon.

Në figurat e mëposhtme jepen në mënyrë më të detajuar përqindja e grumbullimit të të ardhurave për vitin 2023. Siç shihet nga këto të dhëna, TVSH-ja zë gati 30% të të ardhurave, pasuar nga sigurimet shoqërore (19%), ndërsa tatim fitimi, akcizat dhe të ardhurat personale janë midis 9 dhe 10%. Sa i takon TVSH-së, nëse shikojmë strukturën e taksave sipas raportit më të fundit të OECD (Revenue Statistics 2024, f. 15), pesha mesatare e TVSH-së në vendet e OECD-së është 20.8%, dhe vetëm disa vende janë mbi 30%, si për shembull Kili (39%) dhe Kolumbia (31.8%).


Një dallim tjetër i shumë i madh në strukturën e taksave është pesha që zë tatimi mbi të ardhurat personale, e cila për Shqipërinë është 9%, ndërsa mesatarja e vendeve të OECD-së është 23.6 %. Për disa vende të rajonit është si më poshtë: Serbia (15%), Maqedonia e Veriut (15%), Kroacia (25%), Sllovenia (14%) dhe Greqia (15%). Ndërsa pesha e të ardhurave personale në strukturën e taksave për vendet më të zhvilluara të Evropës, si Gjermania, Italia, Suedia, Norvegjia, është midis 25 dhe 28%. Nga kjo analizë duket qartë që në vendin tonë taksat indirekte (TVSH-ja) zënë një vend dukshëm më të madh sesa taksat direkte (të ardhurat personale dhe të kapitalit).
Sa i takon taksimit të të ardhurave personale në Shqipëri, ai është progresiv për të ardhurat nga puna (nga 0-13-23%), i sheshtë për të ardhurat nga tatimi në burim (15%) dhe dividendi (8%).
Në përfundim të kësaj analize të shkurtër dalin në pah dy probleme themelore:
- Niveli i ulët dhe i pamjaftueshëm i të ardhurave që grumbullohen për shpenzimet publike;
- Një strukturë e deformuar e grumbullimit të taksave.
II. Alternativa e Lëvizjes BASHKË
Parimet e taksimit
Parimi themelor i taksimit që Lëvizja BASHKË përqafon është parimi i taksimit të ndershëm: sistemi i taksimit të jetë dhe të shihet si i ndershëm trajtim i njëjtë i atyre që janë në rrethana të ngjashme, dhe vendosja e taksave më të larta karshi atyre që mund ta përballojnë më mirë barrën e taksimit. Në këtë kuptim, Lëvizja BASHKË mbështet një model progresiv të taksimit. Më tej, krahas parimit të ndershmërisë, do të kihen parasysh edhe parimet e tjera të taksimit si nxitja e investimeve që rrisin produktivitetin e punës dhe vlerën e shtuar, eficienca ekonomike, thjeshtësia administrative dhe transparenca.
Objektivi
Objektivi i Lëvizjes BASHKË do të jetë rritja e të ardhurave të buxhetit në nivelin e 33% të PBB-së brenda katër viteve, nisur nga rreth 28% që është sot. Kjo duhet realizuar për të përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme cilësinë e shërbimeve publike bazike si shëndetësia dhe arsimi, mbrojtjen sociale, rritjen e solidaritetit dhe kohezionit social (pensionet dhe ndihmën ekonomike të shtresave në nevojë), për të mbështetur gjithashtu një rritje ekonomike më të lartë, bujqësinë dhe industrinë përpunuese, investimet në teknologji të reja etj. Në projektbuxhetin e vitit 2025 janë parashikuar 754.7 miliardë lekë të ardhura në total (28.8% e PBB), ndërsa PBB parashikohet 2,620.7 miliardë lekë. Lëvizja BASHKË do të synojë rritjen e buxhetit me 1% të PBB për çdo vit, dhe në këtë mënyrë deri në vitin 2029 të ardhurat do të arrijnë në 33% të PBB. Shtesa e buxhetit të shtetit në vlerë absolute e fituar nga rritja e përqindjes varet edhe nga shkalla e rritjes së ekonomisë kombëtare. Kështu, me një normë konservatore të rritjes ekonomike me 3% në vit, shtesa mesatare në buxhet për çdo vit do të jetë rreth 55 miliardë lekë, dhe në krye të katër viteve në total rreth 220 miliardë lekë krahasuar me vitin 2025. Po vendi ynë e ka të gjithë potencialin, nëse qeveriset me politika zhvillimore nxitëse në bujqësi dhe industri, për një rritje ekonomike mbi 5% në vit. Në këtë rast, shtesa mesatare në buxhet do të jetë 74 miliardë lekë në vit dhe në total rreth 296 miliardë lekë më shumë deri në vitin 2029.
Masat konkrete
- Do të luftojmë evazionin fiskal, informalitetin në punë, informalitetin në paga dhe shmangiet tatimore:
- Do të rriten kapacitetet e administratës tatimore.
- Duke aplikuar modele të vendeve të tjera që kanë eliminuar gati 100 për qind paranë CASH, brenda vitit të parë do të rishikojmë dhe përmirësojmë legjislacionin që lehtëson formalizimin e ekonomisë dhe penalizon evazorët e mëdhenj. Do të bazohemi te nxitja e formalizimit me politika lehtësuese.
- Brenda vitit të parë do të rishikojmë legjislacionin për përgjegjësitë administrative dhe penale që duhet të kenë kontabilistët, audituesit dhe audituesit ligjorë, bazuar në praktikat më të mira evropiane.
- Do të rishikohen me themel përjashtimet tatimore, si për shembull në sektorin e turizmit (hotelet dhe resortet me 4 dhe 5 yje me status special), ashtu edhe përfitues të tjerë, duke vendosur një barrë tatimore të ndershme dhe të drejtë për sipërmarrësit.
- TVSH dhe mbështetja sociale
Lëvizja BASHKË do të rimbursojë TVSH-në për kategoritë në nevojë dhe pensionet e ulëta. Nisur nga nivelet shumë të ulëta të pensioneve në Shqipëri, krahas objektivit madhor të Lëvizjes BASHKË për vendosjen e minimumit jetik dhe rritjen e pensioneve mbi nivelin e minimumit jetik, ne do të hartojmë një skemë të rimbursimit të TVSH për pensionet e ulëta dhe mesatare, si dhe për përfituesit e ndihmës ekonomike dhe atyre me aftësi të kufizuar. - Tatimi i të ardhurave personale të punës
Lëvizja BASHKË mbështet parimin e tatimit progresiv të të ardhurave personale. Bazuar në modele të ngjashme të tatimit progresiv, si për shembull Sllovenia, ne propozojmë 5 fasha të tatimit, si më poshtë:
Paga minimale bruto 60,000 lekë tatimi 0%;
Nga 60,001-100,000 lekë tatimi margjinal 10%;
Nga 100,001-200,000 lekë tatimi margjinal 15%
Nga 200,001-400,000 lekë tatimi margjinal 25%
Nga 400,001 lekë e sipër tatimi margjinal 35%
Aplikimi i këtij modeli progresiv të tatimit në raport me tatimin aktual do të sjellë ulje të tatimit për pagat bruto deri në pagën 400,000 lekë, dhe rritje të tatimit për pagat mbi këtë vlerë (Tabela 2). Më konkretisht, pagat deri në 100,000 lekë do të përfitojnë një ulje të ndjeshme të tatimit (nga 56-78%), pagat deri në 200,000 ulje deri në 14%, ndërsa për pagat mbi 200,000 ulja vjen duke u zvogëluar në mënyrë graduale.Figura 14: Ndryshimi i tatimit të të ardhurave personale nga puna - Deklarim vjetor dhe me njësi familjare
Krahas deklarimit mujor të të ardhurave personale nga punësimi, Lëvizja BASHKË do të zbatojë një deklarim vjetor të të ardhurave personale në tërësi, e cila do të mbështet në njësinë familjare të deklaruesit kryesor në njërën anë, si dhe do të marrë në konsideratë nivelin e minimumit jetik të familjes në anën tjetër. Kombinimi i të ardhurave vjetore/familjare dhe minimumit jetik do të shërbejë për të bërë korrigjimet përkatëse të nivelit të tatimit. - Tatimi i dividendit
Krahasimisht me modelin aktual, ku dividendi është ulur padrejtësisht në nivelin 8%, Lëvizja BASHKË do e vendosë tatimin e dividendit në masën 15%. - Tatimi i biznesit/korporatës
Sot shteti shqiptar aplikon një tatim të sheshtë të korporatës në nivelin 15%, dhe aplikon një sërë përjashtimesh si për investitorët në sektorin e turizmit, apo aplikon tatim të diferencuar në normën 5% në agroturizëm, shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, zhvillimin e software-ve dhe industrinë automotive.
Lëvizja BASHKË me synimin e rritjes së të ardhurave buxhetore për të mbështetur shtetin zhvillimor dhe social dhe vendosjen e një tatimi sa më të drejtë do të vendosë një skemë të diferencuar të tatimit të fitimit. Së pari, për investimet që rrisin ndjeshëm kapacitetin teknologjik, produktivitetin e punës dhe ngjitin ekonominë vendase në zinxhirin global të vlerës, do të aplikohet një normë tatim fitimi prej 3% (sot është 5%). Për investimet e tjera, do të aplikohen tri shkallë tatimore, përkatësisht 10, 15 dhe 20%. Aplikimi i këtyre shkallëve do të mbështetet në 1) shkallën e fitimit të tatueshëm dhe 2) tipin e sektorit. Sektori financiar dhe spekulativ, si sektori i ndërtimit, do të kenë normë më të lartë të tatim fitimit. - Taksa e pronës
Taksa e pronës, për apartamentet e treta e me radhë, do të përdoret si instrument rregullator për të siguruar të drejtën e banesës. Për një shtjellim të hollësishëm shiko kreun e strehimit.