Bazuar në të dhënat e INSTAT për vitin 2023 shihet qartë se sektori i ndërtimit dhe i pasurive të paluajtshme ka ndikuar në rritjen e përgjithshme të PBB gjatë vitit 2023 krahasuar me vitin 2022. Pesha e sektorit të ndërtimit në PBB në vitin 2023 ishte 10.2%, ndërsa ajo e sektorit imobiliar 6%. Pra në total këto dy sektorë kanë pasur një peshë prej 16.2% në PBB e vitit 2023.
Faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rritjen e shpejtë dhe ndikimin në këtë masë të këtyre dy sektorëve të ndërlidhur mes tyre janë si vijon: Shtimi me ritme shumë të shpejta i ndërtimeve të objekteve rezidenciale (veçanërisht në Tiranë), pastrimi i parave të krimit të organizuar dhe korrupsionit, vazhdimi i pafundmë i procesit të rindërtimit si pasojë e tërmetit, turizmi nëpërmjet ndërtimit të hoteleve dhe komplekseve rezidenciale, blerjet e të huajve kryesisht në zonat turistike, investimet në sektorin e komunikacionit e veçanërisht në rrugë.
Si sektori i ndërtimit dhe ai i pasurive të paluajtshme në vitin 2023 pësuan rritje të ndjeshme për të dytin vit radhazi dhe, nëse u referohemi të dhënave paraprake të INSTAT-it për vitin 2024 dhe vitin 2025, rritja vazhdon akoma. Rritja ka filluar në vitin 2019, por, siç raporton revista Monitor, në 2023 është arritur rekordi prej 1.3 miliardë euro transaksione bankare. Ndër faktorët kryesor që kanë çuar në këtë shifër janë: Shtimi i ndjeshëm i lejeve të ndërtimit, kanalizimi i parave informale si dhe blerjet e të huajve sidomos në zonat turistike.
Figura 4: (Burimi i të dhënave INSTAT)
Në grafikun e mësipërm duket qartë se sektori i ndërtimi ka favorizuar dhe prioritëzuar ndërtesat përballë investimeve në infrastrukturë.
Pavarësisht se sektori imobiliar dhe ai i ndërtimit kanë njohur rritje të vazhdueshme vitet e fundit, paga mesatare bruto vjetore është rritur mesatarisht me vetëm 2050 lekë. Ky sektor ka mbi 100,000 të punësuar.
Disa nga efektet negative që ka sjellë kjo shpërndarje e pabarabartë e lejeve të ndërtimit janë:
Mbipopullimi i zonave të caktuar veçanërisht në Tiranë dhe në zonat turistike bregdetare.
Po t’u referohemi të dhënave që ka nxjerrë vetë Bashkia e Tiranës në raportet PBA të periudhës 2024-2026, mbipopullimi duket qartë, veçanërisht në pjesën e qytetit në njësitë administrative 1-11.
Figura 5: (Burimi të dhënave PBA 2024-2026 Bashkia Tiranë)
Për të kuptuar mbipopullimin në këto zona mjafton të mendojmë që në Gazën e paraluftës dendësia ishte 6500 banorë/km2.
Infrastrukturë rrugore e pamjaftueshme
Kjo shpërndarje e pabarabartë ka bërë që sot Shqipëria të jetë shumë mbrapa BE, por edhe vendeve të rajonit në infrastrukturën komunikuese mes qyteteve dhe mes qyteteve e fshatrave. Sipas të dhënave të botuara nga Eurostat në 2023, Shqipëria është vendi i fundit në rajon për gjatësi totale rrugësh për sipërfaqe.
Figura 6: (Burimi të dhënave EUROSTAT)
Jo vetëm gjatësia e rrugëve, por edhe cilësia e tyre lë për të dëshiruar. Sipas të dhënave të INSTAT-it, gjatë vitit 2023 në Shqipëri janë shkaktuar 1285 aksidenteku shpesh herë shkaku ka qenë cilësia e dobët e standardeve të projektimit e realizimit të punimeve. Gjithashtu kur flitet për rrugët nuk mund të lihet pa përmendur edhe kostoja e ndërtimit dhe e mirëmbajtjes së tyre.
Sistemi furnizimit me ujë dhe sistemi i kanalizimeve nuk mund të përballojë këtë ndryshim të menjëhershëm të dendësisë së ndërtimeve dhe popullsisë.Figura 7: (Burimi të dhënave AKUM)
Sipas të dhënave të AKUK-ut të 2022, vetëm katër qytete në Shqipëri furnizohen 24 orë me ujë në pothuajse gjithë sipërfaqen e tyre (qytet + fshat). Qytetet e tjera kanë ende probleme ku, përveç mungesës së furnizimit 24 orë me ujë, edhe rrjeti i ujësjellësit nuk është i plotësisht i përditësuar duke mbajtur infrastrukturën e përpara viteve ‘90.
Po t’i referohemi të njëjtit burim të dhënash rreth sistemit të kanalizimeve dhe trajtimit të ujit të ndotur, asnjë qytet nuk është i pajisur plotësisht me sistem kanalizimesh dhe për më tepër asnjë qytet nuk ka impiant pastrimi që të mbulojë tërësisht qytetin. Mungesa e impianteve të pastrimit të ujërave të zeza ndikon drejtpërdrejt në ndotjen e lumenjve dhe deteve dhe për pasojë në shëndetin e popullsisë.
Prodhim i pamjaftueshëm i energjisë elektrike
Drejtimi i investimeve kryesore jo në drejtim të infrastrukturës ka sjellë jo pak probleme edhe në sektorin e prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike.
Figura 8: (Burimi të dhënave ERE)
Vlerat e paraqitura në tabelën e mësipërme janë marrë nga raportimet e ERE-s. Duke lexuar këto të dhëna dallohet qartë një paradoks: Edhe pse sot Shqipëria prodhon më shumë energji elektrike nga sa konsumon, në shumicën e rasteve sasia e energjisë së importuar është më e lartë se ajo e eksportuar. Figura 9: (Burimi të dhënave INSTAT)
II. Problemet kryesore
Ndonëse në rritje të vazhdueshme dhe pjesë e rëndësishme e PBB, sektori i ndërtimit dhe ai i pasurive të paluajtshme është plot me probleme funksionale dhe ekonomike që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme. Në vijim po rendisim problemet kryesore të këtij sektori.
Hyrja në treg dhe qarkullimi i parave të pista që vijnë nga burime të pakontrolluara.
Monopolizimi i tregut të ndërtimit nga disa ndërtues kryesore duke bërë thuajse të pamundur hyrjen në treg të subjekteve të reja.
Hyrja dhe qarkullimi në treg i parave të pista është faktori kryesor që ndikon në rritjen e çmimeve të apartamenteve dhe pronave në përgjithësi. Mungesa e konkurrencës së lirë në treg është një faktor tjetër që ndikon në rritjen e çmimeve. Duke qenë sektori i ndërtimit i përqendruar në pak duar, bëhet më e lehtë për ata ndërtues që e zotërojnë të mund të kontrollojnë tregun dhe paracaktojnë çmimet.
Abuzimet me fondet publike
Sipas një raporti të KLSH, 1 në 5 lekë humbet, pra 20% e fondeve publike të investuara vidhet dhe shpërdorohet nga ata që menaxhojnë tenderat, projektet dhe nga ata që zbatojnë punimet. Duke eliminuar këtë vjedhje do të krijohej mundësia për më shumë investime në sektorë të tjerë dhe përmirësuar cilësinë dhe kushtet e jetesës së qytetarëve.
Investimet në sektor në një drejtim shumë më dominant krahasuar me të tjerat: ndërtimi i objekteve rezidenciale në krahasim me ndërtimet në infrastrukturë e energji.
Fokusimi i ndërtimit në objektet rezidenciale, përveç mbipopullimit të zonave të caktuara dhe mbetjes pas të investimeve në sektorin e infrastrukturës dhe energjisë, sjell edhe disa probleme të mëdha në jetën e përditshme të qytetarëve. Dy më kryesoret janë trafiku i rënduar i cili, përveç vonesës që u krijon banorëve për të arritur në destinacion, shkakton edhe ndotje të vazhdueshme të ajrit dhe përmbytje në rast shirash pasi rrjeti ekzistues i kanalizimeve nuk arrin të përballojë shkarkimet e kaq shumë objekteve.
Kontratat dhe koncesionet me PPP
Kontratat koncesionare PPP në ndërtim janë fokusuar në dy drejtime kryesore: ndërtimi i autostradave dhe i HEC-eve të vegjël. Në të dyja këto raste përfitues kryesor nuk është as shteti as qytetarët, por ndërtuesi, si p.sh. në rastin e fundit të rrugës Thumanë-Kashar ku qytetarët do të detyrohen të paguajnë për kilometër më shumë se qytetarët e vendeve të rajonit dhe BE-së.
Mangësitë në manualet e çmimeve të ndërtimit
Për tetë vjet, 2015-2023, në Shqipëri nuk ka pasur përditësim të Manualit të Çmimeve të Ndërtimit. Kjo mungesë përditësimi ka mundësuar abuzime me deklarimin e shpenzimeve, por edhe me vetë çmimet e realizimit të punimeve dhe cilësinë e tyre. Nga ana tjetër, sot nuk ka Manuale Projektimi e Zbatimi të përditësuara në Shqipëri, por detyrohemi të huazojmë Kode të Huaja projektimi.
Ligji i investimeve strategjike
Aktualisht janë dhënë afërsisht 60 leje për investime strategjike dhe këto kryesisht në sektorin e turizmit. Këtyre investimeve strategjike shteti u ka dhënë afërsisht 580 ha tokë (5.8mln m2). Por pak syresh kanë të bëjnë me investime mirëfilli strategjike pasi pjesa më e madhe janë kryesisht komplekse vilash të cilat janë shitur pas ndërtimit të tyre dhe të vetmit përfitues kanë qenë ata që kanë ndërtuar.
Kushtet e punës të të punësuarve në sektorin e ndërtimit.
Kushtet e punës në sektorin e ndërtimit, veçanërisht për punëtorët specialistët e ndërtimit, janë skandaloze. Sipas të dhënave të Inspektoratit të Punës, numri i aksidenteve vjen në rritje gradualisht. Duhet theksuar që këto vlera nuk janë të sakta pasi një pjesë e madhe e aksidenteve në kantiere nuk deklarohen, por punëtorët dërgohen në spitale private pikërisht për të evituar deklarimin e aksidenteve.
Figura 10: (Burimi të dhënave INSTAT)
Pjesa më e madhe e këtyre aksidenteve kanë ndodhur në sektorin e ndërtimit.
Gjithashtu duhet theksuar se edhe profesionistët që punojnë në këtë sektor nuk janë kushtet më optimale të punës, pasi në shumicën e rasteve detyrohen të mbingarkohen dhe orët shtesë nuk u njihen sipas kërkesave të Kodit të Punës.
III. Alternativa e Lëvizjes BASHKË
Lufta ndaj qarkullimit të parave te pista që hyjnë nëpërmjet tregut të ndërtimit
Vitet e fundit dyshimi i futjes në treg e parave të pista duke shfrytëzuar sektorin e ndërtimit, sidomos në pjesën e ndërtimeve rezidenciale, është bërë gjithnjë e më i madh. Kjo praktikë ka sjellë jo vetëm rritjen artificiale të çmimit të banesave, por edhe forcimin fiktiv të lekut, duke dëmtuar ekonominë prodhuese dhe eksportet. Masat që propozojmë për të luftuar këtë fenomen janë si më poshtë:
Veting i të gjitha subjekteve ndërtuese në Shqipëri, të administratorëve/pronarëve të tyre si dhe investitorëve.
Vetingu do të mundësonte kontrollin e ligjshmërisë së vënies së pasurisë së këtyre subjekteve/ individëve. Në rast shkeljesh të rënda të ligjit (përfshirjes në aktivitet të krimit të organizuar), pasuritë e këtyre subjekteve do të konfiskoheshin për interesin publik dhe do të shkonin për strehim social.
Ndalim i marrëdhënieve të kleringut në sektorin e ndërtimit mes investitorëve dhe nënkontraktorëve.
Marrëdhënia e kleringut mes palëve në sektorin e ndërtimit ka tre efekte kryesore negative në ekonomi. Nuk lejon qarkullimin e plotë të parave për punë të realizuar duke ulur në këtë mënyrë nivelin e taksimit të investitorëve dhe nënkontraktorëve. E dyta, u jep dorë të gjithëve të fillojnë një ndërtim rezidencial edhe pa pasur të ardhura sepse pagesa e punimeve fillestare në një pjesë të madhe të saj do të mbulohet nga marrëdhënia e kleringut. E treta dhe më e rëndësishmja, duke vendosur çmime arbitrare/ fiktive kleringu, mundësia e qarkullimit të parave të pista dhe evazionit fiskal është shumë e madhe. Duke ndaluar marrëdhëniet e kleringut në ndërtim synohet të pastrohet sektori i ndërtimit nga abuzuesit dhe më gjerë pastrimi i ekonomisë nga qarkullimi i parave i të pista.
Eliminimi i monopolizimit të sektorit të ndërtimit
Sot sektori i ndërtimit është kapur në duart e një grupi të vogël kompanish ndërtimi të cilat kanë krijuar rrjetën e vet të lidhjeve dhe kontakteve për realizimin e punëve të caktuara, ku është e pamundur të hyjnë subjekte të reja me kapital të vogël. Përmes luftës ndaj pastrimit të parave, nxitjes së konkurrencës së ndershme dhe politikave të ndershme fiskale që ua lehtësojnë barrën fiskale grupeve të vogla të punëtorëve që kryejnë pjesë të punës në këtë sektor, Lëvizja BASHKË do ta çlirojë sektorin e ndërtimin nga monopoli i oligarkëve.
Lufta ndaj abuzimit me fondet publike
Abuzimi me fondet publike ka favorizuar subjekte ndërtuese dhe mbikëqyrëse punimesh nga njëra anë dhe ka dëmtuar shtetin dhe qytetarët nga ana tjetër. Objektet kryesore ndërtimore që realizohen sot me fonde publike janë rrugët dhe autostradat. Më të pakta janë investimet që realizohen në rrjetet inxhinierike (ujësjellës, kanalizime, ndriçim etj.). Dy janë arsyet kryesore që kanë mundësuar këto abuzime. E para është mungesa e kontrollit serioz të organeve dhe individëve që kanë qenë të përfshirë në procesin e kontrollit dhe përfshirja e tyre në skemën e abuzimit. E dyta është mungesa dhe hapësira që ka lënë vetë sektori i ndërtimit dhe MIE në realizimin e punimeve ndërtimore për objektet publike.
Për të luftuar abuzimin që bëhet me fondet publike dhe për të ndëshkuar abuzimin me fondet publike në sektorin e ndërtimit propozojmë të merren masat e mëposhtme:
Veting i të gjitha projekteve të realizuara me fonde publike dhe, në rastet ku vërehen abuzime, edhe të të gjithë aktorëve pjesëmarrës.
Propozojmë që radha e projekteve që do të kalojnë në veting të diktohet nga vlera e projektit. Në rastet ku do të vërehen abuzime me fondet e projekti, do të kontrollohen të gjithë aktorët që kanë qenë pjesë e projektit.
Përditësimi në mënyrë periodike i manualeve të çmimeve të ndërtimit.
Përditësimi i vetëm në dhjetë vitet e fundit është fokusuar kryesisht në aspektin ekonomik të zërave të punës ekzistues në manual duke shtuar shumë pak zëra të rinj në manual në krahasim me ato që nevojiten. Kjo mungesë e zërave të punës në manual dhe mungesa e përditësimit të çmimeve lënë të hapur një derë të madhe për abuzime në dy mënyra. E para, duke lëvizur me sasitë e punimeve, por kjo gjatë procesit të vetingut është lehtësisht e kontrollueshme sepse pjesa më e madhe e punimeve të kryera janë aty dhe sasitë mund të kontrollohen edhe tani. E dyta, duke manovruar me çmimet e punimeve që duhen kryer, por nuk janë parashikuar në situacion. Në mungesë të një manuali çmimesh të përditësuar, përcaktimi i çmimit mbetet në dorë të kompanisë zbatuese të punimeve e cila duhet të bëjë një analizë çmimi për këtë punim dhe në duart e mbikëqyrësit dhe entit që ka tenderuar projektin. Hapësira për marrëveshje nën dorë është e mjaftueshme për të pasur dakordësi në abuzim. Duke pasur një manual çmimesh të përditësuar rregullisht, si në çmime dhe tipologji punimesh, kjo hapësirë do të reduktohet sepse për çdo punim shtesë të paparashikuar në projekt do të kemi gati zërin e punës në manual.
Pasi të jetë hartuar manuali bazë që të përfshijë të gjitha punimet ndërtimore, çmimet në të do të përditësohen në një interval 1-vjeçar duke qenë gjithmonë sa më afër realitetit të tregut.
Qasje publike në manualet e çmimeve të ndërtimit
Ndryshe nga manualet e çmimeve të ndërtimit të vitit 2015 të cilat shkarkoheshin kollaj në format Excel, manualet e vitit 2023 gjenden vetëm në E-Albania dhe janë të aksesueshëm vetëm nga subjekte të pajisura me NIPT. Kjo gjë e bën të vështirë përdorimin e tyre nga persona që duan të bëjnë studime të ndryshme dhe nga ata që dyshojnë që në një projekt të caktuar ka pasur abuzime si gjatë fazës së projektimit, por dhe asaj të zbatimit. Gjithashtu lënia e manualeve të çmimeve të ndërtimit të aksesueshme do t’u krijonte lehtësira edhe qytetarëve që mendojnë të kryejnë riparime të vogla në shtëpi për të krijuar një ide se sa mund të shkojnë përafërsisht kostot e punimeve.
Standardizimi aty ku është e mundur i detajeve teknike për veprat publike kryesisht atyre të infrastrukturës
Kjo është një praktikë e përdorur në shumë vende të BE veçanërisht në Spanjë dhe në vendet Skandinave. Në qoftë se u referohemi rrugëve, detajet kryesore që diktojnë paketën e shtresave rrugore janë tipi i rrugës, bazamenti, sizmiciteti i zonës dhe ngarkesa e mjeteve që parashikohen të kalojnë në të. Duke standardizuar për aq sa të jetë e mundur paketën e shtresave rrugore në varësi të tipit të rrugës, bazamentit dhe ngarkesave që parashikohen të kalojnë në to, do të kemi të paktën tre përfitime kryesore.
Do të ishte një lehtësi e madhe për kompanitë që merren me projektim.
Më e rëndësishmja, kompanitë që duan të abuzojnë me punimet e nëntokës, ku është më e lehtë të abuzosh, do ta kishin thuajse të pamundur pasi do të ishin të detyruara të përdornin një paketë të caktuar shtresash. Në këtë mënyrë, përgjegjësia e drejtpërdrejtë do të binte mbi institucionet përgjegjëse për cilësinë e punimeve.
Përmirësimi i ndjeshëm i cilësisë së punimeve rrugore.
I njëjti parim mund të përdoret edhe për veprat e tjera infrastrukturore si ujësjellës, kanalizime etj.
Rritja e investimit në infrastrukturë
Sot në Shqipëri kemi një rrjet infrastrukturor të pamjaftueshëm edhe në rang kombëtar, edhe në zonat e mbipopulluara. Sot kemi akoma fshatra të lidhura me qytetin më të afërt me rrugë cakulli ose zhavorri, dhe ato në gjendje të mjerueshme, duke sjellë zbrazjen e tyre. Kemi zona urbane të mbipopulluara pa sisteme infrastrukturore funksionale, me trafik të mbirënduar, ujëra që marrin rrugët në rast shirash, mungesë korsish funksionale për emergjenca etj. Sot jemi vendi që konsumojmë më pak energji elektrike nga sa prodhojmë dhe prapëseprapë importojmë më shumë nga ajo që eksportojmë. Sot kërkojmë me të drejtë nga hotelet dhe bizneset që të trajtojnë ujërat e ndotura përpara se t’i shkarkojnë në dete apo lumenj, por nga ana tjetër thuajse të gjitha qytetet e fshatrat e Shqipërisë i shkarkojnë ujërat e ndotura pa u trajtuar. Për të dalë nga ky realitet absurd do të duhet kohë, por nëpërmjet ndërhyrjeve me investime të caktuara situata do të mund të normalizohej pak nga pak.
Ndalimi i ndërtimeve industriale në zonat e mbipopulluara dhe rikonceptimi i rrjetit inxhinierik infrastrukturor në këto zona
Duke ndaluar ndërtimet rezidenciale në zonat e mbipopulluara dhe lejimin e tyre vetëm në zonat me përqendrim normal të popullsisë, do të kemi mundësi të studiojmë të gjitha defektet infrastrukturore në zonat e mbipopulluara. Të fokusohemi te zgjidhjet e problemeve të trafikut e ndotjes që vijnë prej tij. Të zgjidhet problem i mungesës së dedikuar të emergjencave dhe të transportit publik. Të zgjidhet problemi i furnizimit me ujë 24 orë për këto zona pa pasur nevojë për depozita individuale. Të zgjidhen problemet e lidhura me kanalizimet e ujërave të ndotura dhe të shiut.
Ndërtimi i korsive të dedikuara FUNKSIONALE për emergjencat dhe për transportin urban në të gjitha qytetet kryesore.
Sot në Shqipëri ekzistojnë de jure korsi të dedikuara emergjencash dhe të transportin publik, por shumë pak prej tyre janë realisht funksionale. Pasja e një korsie të dedikuar funksionale për emergjencat dhe transportin urban do të ndikonte pozitivisht në disa aspekte të jetës së banorëve të zonës: a. Shpejtësi më e madhe veprimi e shërbimeve të emergjencave. b. Efektivitet më i madh i shërbimit të transportit publik i cili do të çonte në rritje të numrit të qytetarëve që zgjedhin transportin publik përpara makinave personale. Kjo gjë do të sillte me vete uljen e trafikut dhe uljen e ndotjes së ajrit në këto qytete dhe përmirësim të standardeve të jetesës.
Lidhja e të gjitha fshatrave me qendrën urbane më të afërt me rrugë të asfaltuar sipas standardeve me të paktën një korsi, dhe me hapësirë të mjaftueshme shkëmbimi të automjeteve.
Sot në Shqipëri ka ende fshatra të palidhura me qytetet më të afërta me rrugë automobilistike sipas kërkesave minimale. Vazhdojnë të përdoren rrugë të shtruara në rastin më të mirë me zhavorr e cakull duke vështirësuar shumë lidhjen e këtyre fshatrave me qytetet. Realizimi i një lidhjeje, ndonëse si fillim me kushte minimale, mes fshatrave të palidhura me qytetet do të mundësonte një lehtësi të madhe për banorët. Duke pasur të sigurt lidhjen me qytetin, banorët nuk do të ishin më të detyruar të zbraznin fshatrat, por do të kultivonin produktet vendase dhe falë sistemit rrugor të kishin më të aksesueshëm tregun për të shitur këto produkte.
Lidhja e Tiranës me sistem hekurudhor modern me sa më shumë qytete/fshatra të Shqipërisë dhe vende kufitare
Rrjeti aktual hekurudhor i Shqipërisë është tejet i ngushtë dhe i amortizuar. Mes qyteteve dhe fshatrave të vendit është thuajse e pamundur të udhëtosh me tren, çka sjell pasoja të rënda për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm dhe mjedisin. Intensiteti i lidhjeve të brendshme hekurudhore do të nxiste zhvillimin e qëndrueshëm, lëvizjen e shpejtë dhe të sigurt të qytetarëve dhe do të kontribuonte ndjeshëm në reduktimin e ndotjes së mjedisit.
Nga ana tjetër, vendi ynë nuk është i lidhur me rrjet hekurudhor me asnjë nga vendet e rajonit. Lidhja e saj me rrjet hekurudhor me vendet kufitare të rajonit do të sillte përfitime si për qytetarët, por dhe për ekonominë. Gjithashtu do të kishte impakt pozitiv dhe në turizëm pasi turistët nga vendet kufitare do të kishin një alternativë tjetër transporti më ekonomike për të vizituar Shqipërinë. Kjo e fundit do të sillte më shumë gjallëri nëpër zonat ku do të kalojë hekurudha pasi edhe zona që tani kanë aktivitet të vogël turistik do të mund ta zhvillojnë atë në përmasa të ndryshme. Po ashtu qytetarët, përveç uljes së çmimeve të produkteve të importit, do të kishin një opsion tjetër më ekonomik për të udhëtuar drejt vendeve fqinje.
Investime të programuara në infrastrukturën nëntokësore të furnizimit me ujë, kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave
Ndërmarrjet rajonale të ujësjellës-kanalizimeve kanë kapacitet njerëzor dhe financiar vetëm për mirëmbajtjen e sistemeve të kanalizime dhe furnizimit me ujë. Investimet kryesore në këtë sektor realizohen nëpërmjet kredive dhe granteve të siguruara nga institucione bankare të huaja; në një masë më të vogël nga shteti dhe akoma më të vogël nga Bashkia. Meqenëse investimet kryesore në këto sisteme kryhen nëpërmjet kredive nga institucione bankare të huaja dhe kthimi mbrapsht i këtyre parave do të jetë me interes, kjo do të rëndojë kryesisht mbi qytetarët. Nga ana tjetër sot vetëm gjashtë qytete mbulohen plotësisht 24 orë me furnizim me ujë dhe vetëm tre prej tyre kanë të përfshirë edhe fshatrat në këtë mbulim. Për më tepër cilësia e ujit që u ofrohet qytetarëve nuk është e duhura, duke i shtyrë qytetarët që përveç faturës së ujit, të blejnë ujë të pijshëm të ambalazhuar në tregun privat.
Sot në Shqipëri sistemi kryesor i kanalizimeve është sistem i kombinuar që grumbullon si ujërat e ndotura dhe ato të shiut. Kjo çon në disfunksion të rrjetit në periudha shirash dhe shkaktohen përmbytje. Në zona të caktuara nuk ka fare rrjet kanalizimesh dhe shkarkimet e ujërave të ndotura bëhen drejtpërdrejt në lumenj ose përdoren gropat septike. Të treja rastet shkaktojnë ndotje dhe kushte anormale të jetës së qytetarëve.
Ndaj duke u nisur nga sa më sipër për këtë pike propozohen marrja e masave të mëposhtme:
Themelimi i fabrikave publike të prodhimit dhe ambalazhimit të ujit për tregtim
Kjo masë ka për qëllim kryesor tregtimin e burimit tonë kryesor në raport me vendet e tjera. Të ardhurat e përfituara nga kjo tregti do të shërbejnë në radhë të parë për pagesën e kredive të marra aktualisht dhe të mos kemi rritje të vazhdueshme të çmimit të ujit. Futja e faktorit publik në tregun vendas do të çonte në ulje çmimeve të produkteve të tjera të ujit të ambalazhuar duke ulur koston e ujit të blerë për konsum nga qytetarët.
Rritja e numrit të kampionëve të marrë për testime laboratorike për cilësinë e ujit dhe ushtrimi i kontrolleve të rrepta si gjatë marrjes së mostrave si gjatë testimeve për ujin e rrjetit dhe për ujin e ambalazhuar
Jo pak herë ka ndodhur që uji i rrjetit në rubinet vjen me ngjyrë ose ka erë. Madje ka ndodhur që uji i ambalazhuar kur hapej vinte erë. Për të evituar këto situata që rrezikojnë shëndetin e qytetarëve kërkohen masa si të mësipërmet, shoqëruar me një strategji të komunikimi publik për ditët dhe rastet kur uji i rubinetit ose i ambalazhuar do të jetë i papërdorshëm dhe i dëmshëm për banorët.
Realizimi i një studimi në rang kombëtar me qëllim evidentimin e zonave problematike, arsyet e problemeve në rrjetet e furnizimit me ujë, kanalizimeve të ujërave të ndotura dhe atyre të shiut dhe mundësinë reale të trajtimit të ujërave të ndotur
Nëpërmjet realizimit të këtij studimi do të kemi mundësinë për të vlerësuar situatën reale, kostot e ndërhyrjeve për përmirësimin e saj dhe prioritizimin e ndërhyrjeve.
Investime në infrastrukturën e prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike
Sektori i prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike sot ka shumë probleme. Sipas të dhënave nga viti 2015 deri në vitin 2023 sasia e energjisë elektrike që prodhohet nga HEC publike në krahasim me ato private ka ardhur gjithmonë në rënie, me një diference totale në fund të vitit 2023 prej 17% në favor të HEC private. Me gjithë shtimin e HEC private nëpërmjet koncesioneve, sot Shqipëria është shtet që më shumë importon sesa eksporton energji elektrike. Ka një diferencë totale prej afërsisht 7.5 milionë MWh përgjatë periudhës 2015-2023 në favor të importit. Ndonëse sasia e humbjeve në rrjetin shpërndarës ka ardhur duke u zvogëluar, ajo mbetet ende e lartë. Në vitin 2023 ka qenë gati 20%. Për t’u theksuar është dhe fakti i mungesës së prodhimit të energjisë elektrike nga burime të tjera alternative si dielli dhe era. Vetëm në vitin 2023 sasia e energjisë elektrike të prodhuar nga këto dy burime arriti në 1%. Nga sa më sipër, për të përmirësuar sektorin e prodhimit të energjisë elektrike propozojmë:
Rritja dhe përqendrimi i investimeve në rrjetin shpërndarës të energjisë elektrike
Të dhënat e viteve të fundit tregojnë qartë që në Shqipëri sasia e energjisë elektrike të prodhuar është më e lartë se ajo e kërkuar. Duke fokusuar investimet në përmirësimin e rrjetit shpërndarës së energjisë elektrike, do të bëhet e mundur arritja e furnizimit me energji elektrike pothuajse tërësisht vendase duke zvogëluar ndjeshëm sasinë e energjisë elektrike të importuar.
Investime në prodhimin e energjisë elektrike nëpërmjet burimeve të tjera natyrore të rinovueshme (era, dielli), me punime që kanë si përfitues shtetin
Duke investuar në burime të tjera natyrore të rinovueshme veçanërisht diellin (panele fotovoltaike), do të kemi mundësi që në periudhat e thata të verës një pjesë e mungesës së energjisë elektrike të prodhuar nga HEC të zëvendësohet nga energjia elektrike e prodhuar nga panelet fotovoltaike.
Ndalimi i ndërtimit me shumicë të HEC-eve të vogla
Praktika e ndërtimit të HEC-eve të vogla për prodhim të vogël energjie elektrike është provuar që nuk është efektive në termat e furnizimit me energji elektrike. Pothuajse të gjitha vendet e rajonit e kanë ndaluar tashmë si praktikë pasi nuk sjell asnjë përfitim real për shoqërinë, por vetëm për investitorin privat. Sot Shqipëria është vendi i parë në rajon për numër HEC-esh të vogla që janë në shfrytëzim ose priten të vihen në shfrytëzim.
Ndërtimi i digës së Skavicës me kusht që përfitues dhe shfrytëzues të jetë shteti shqiptar dhe jo kompani koncesionare
Ndërtimi i digës së Skavicës do të rriste kapacitetin e kaskadës së Drinit dhe njëkohësisht vetë diga do të shërbente si rregullator për kaskadën duke bërë të mundur ruajtjen e vëllimeve të caktuara të ujit për periudhat e thata.
Kontratat dhe koncesionet PPP
Kontratat dhe koncesionet PPP kanë prodhuar vetëm rritje kostosh për shoqërinë dhe shtetin, ndërsa përfituesit kryesorë mbeten oligarkët. Lëvizja BASHKË propozon:
1-Ndalimin e dhënies së projekteve infrastrukturore me PPP
2-Kontrollin e gjithë dokumentacionit që nga momenti i tenderimit duke vazhduar me fazën e ndërtimit dhe të shfrytëzimit për të gjitha kontratat që janë dhënë tashmë me PPP. Në rastet ku do të vihet re shkelje e kontratës ose abuzim me procedurat, do të bëhet prishje e njëanshme e marrëveshjes dhe kompania koncesionare do të duhet të dëmshpërblejë shtetin shqiptar.
Ligji i Investimeve Strategjike
Ligji i investimeve strategjike nuk ka prodhuar asgjë strategjike, por vetëm pasurimin e oligarkëve “strategjikë”. Ndaj Lëvizja BASHKË propozon:
Abrogimin e ligjit të investimeve strategjike.
Rishikimin e procedurave të zbatuara për dhënien e statusit të investitorit strategjik për të gjitha subjektet e deritanishme fituese.
Përmirësimi i kushteve të punës të stafit të përfshirë në sektorin e ndërtimit
Sot mbi 100,000 vetë janë të punësuar si punëtorë zbatimi, inxhinierë, arkitektë, ekonomistë e juristë në sektorin e ndërtimit. Kushtet e punës për ata që punojnë në kantier, stafin që punon në zyrë dhe për profesionistët e lirë nuk janë nga më të mirat.
E nisim me punëtorët e zbatimit. Ndonëse pagat ditore janë rritur vitet e fundit, punëtorët nuk paguhen për ditët që nuk punojnë jo për faj të tyre, por për shkak të dinamikave të kantierit. Rastet në të cilat punojnë jashtë orarit janë të shumta dhe në shumicën e tyre jo vetëm që nuk marrin pagesë sipas Kodit të Punës për orët shtesë, por nuk paguhen fare. Kushtet e sigurisë në punë dhe shpeshherë të higjienës në vendet ku punojnë janë skandaloze.
Vazhdojmë me stafin teknik që punon në kantier dhe në zyrë, për të cilët orët jashtë orarit nuk paguhen gjithmonë dhe janë të mbingarkuar në punë sepse kompanitë kërkojnë të punojnë me staf më pak se ai i nevojshmi për të mos harxhuar. Nuk duhen harruar as mënyrat e pagesës, ku një pjesë e pagës jepet në bankë, kurse tjetra në dorë.
Së fundmi, nëpërmjet projektligjeve për krijimin të Urdhrit të Inxhinierit dhe Urdhrit të Inxhinierit Hidroteknik, të iniciuara nga deputetë të qeverisë dhe që ka gjetur mbështetjen e një numri shumë të vogël inxhinierësh, po synohet monopolizimi i tregut të punës së inxhinierëve. Treg ky i rregulluar prej vitesh me ligj.
Për përmirësimin e kushteve të punës në këtë sektor, propozojmë:
Hartimi e një VKM që të vendosë numrin minimal të stafit teknik në zyrë dhe në kantier, të përcaktuar nga xhiroja vjetore e kompanisë. Në rastin e kantiereve të shtrira në sipërfaqe të madhe, përveç xhiros vjetore të kompanisë duhet të jetë kriter edhe shtrirja e objektit.
Nëpërmjet kësaj ndërhyrjeje synohet të evitohet mbingarkesa e stafit teknik të punësuar në këtë sektor.
Hartimin e një VKM të veçantë për punëtorët e zbatimit për të përmirësuar kushtet e punës, ku të specifikohet që punëtori të paguhet me 80% të pagës ditore kur puna ndalet jo për shkak të tij, por prej dinamikës së punës në kantier.
Meqenëse paga mujore e punëtorëve të zbatimit nuk është, nëpërmjet kësaj ndërhyrjeje synohet kompensimi i punëtorëve të ndërtimit kur nuk mund të punojnë për shkak të dinamikave të kantierit, si dhe lehtësimi i punës së tyre në periudhën më të nxehtë të vitit kur temperaturat kalojnë 40 gradë.
VKM që specifikon në kërkesat e domosdoshme për hartimin dhe miratimin e procesverbalit të ngritjes së kantierit, lidhjen me ujë të pijshëm dhe tualetet për punëtorët.
Nëpërmjet kësaj ndërhyrjeje synohet që punëtorëve të ndërtimit t’u sigurohen të paktën kushtet minimale që në momentin e fillimit të punës.
Kundërshtimi ose eventualisht anulimi i projektligjit për krijimin e Urdhrit të Inxhinierit dhe të Inxhinierit Hidroteknik
Përveç kontradiktave që mbart në vete, ky projektligj monopolizon strukturën e dhënies së licencave në një grup të vogël inxhinierësh. Procesi i licencimit të inxhinierëve sot është funksional. MIE kërkon të dalë mbi Universitetin Politeknik të Tiranës dhe universitete të tjera të cilët kanë diplomuar dhe dhënë titullin Inxhinier afro 14,000 inxhinierëve që sot janë në treg, duke u kërkuar testim periodik të njohurive. Vështirëson procesin e hyrjes në tregun e punës së inxhinierëve të rinj pasi kërkon një periudhë praktike 3-vjeçare, krahasuar me 3-mujorin që ofron shkolla.
IV. Konkretizimi
Më poshtë po paraqesim mënyrën si do të konkretizohen propozimet e mësipërme:
Hartimi i ligjit për vetingun e të gjitha subjekteve ndërtuese në Shqipëri, si për ato subjekte që operojnë në sektorin privat nëpërmjet ndërtimit të objekteve rezidenciale, ashtu edhe për ato subjekte që operojnë kryesisht në kontrata për punë publike.
Hartimi dhe miratimi i ligjit që ndalon marrëdhëniet e kleringut në sektorin e ndërtimit.
Riorganizim i departamenteve në MIE duke shtuar një departament që do të merret me përditësimin e Manualeve të Çmimeve të Ndërtimit.
Ndalimi i dhënies së lejeve të ndërtimit për hidrocentrale të vogla.
Nxitja e kompanive për të investuar në prodhimin e energjisë së rinovueshme prej diellit dhe erës.
Ndalimi i dhënies së punimeve me PPP.
Abrogimi i ligjit të investimeve strategjike.
Përditësimi i Kodit të Punës duke pasur parasysh gjithë problematikat ekzistuese për të punësuarit në sektorin e ndërtimit.
Ndryshimi i përmbajtjes minimale për miratimin e provesverbalit të ngritjes së kantierit me ligj
Realizimi i të paktën tri projekteve të mëdha të nevojshme për përmirësimin e sektorit të ndërtimit dhe infrastrukturës inxhinierike:
Projekt për standardizimin e elementëve të ndryshëm inxhinierikë me fokus te ndërtimet publike.
Projekt studimor për mundësinë e lidhjes së Tiranës me rrjet hekurudhor me sa më shumë qytete vendase dhe shtete kufitare dhe lidhjen e fshatrave të palidhur me qytetin më të afërt me rrugë të asfaltuar.
Projekt për ngritjen e ndërmarrjeve publike të marrjes dhe ambalazhimit të ujit për ta tregtuar me jashtë.
V. Kostot financiare
Buxheti total i Republikës së Shqipërisë për vitin 2024 ishte 735.9 miliardë lekë
Buxheti për infrastrukturën dhe energjinë: 52.7 miliardë lekë = 0.07 (7%)
89% shpenzime kapitale (mbështetje direkte)
11% shpenzime korrente (për administratën)
Lëvizja BASHKË planifikon një rritje të përshkallëzuar të buxhetit deri në 10% në vitin e katërt sipas shkallës së mëposhtme:
Viti 1 7.5% : 0.075 x 735.9 miliardë lekë = 55.2 miliardë lekë
Viti 2 8.0% : 0.08 x 735.9 miliardë lekë = 58.9 miliardë lekë
Viti 3 9.0% : 0.09 x 735.9 miliardë lekë = 66.2 miliardë lekë
Viti 4 10% : 0.1 x 735.9 miliardë lekë = 73.6 miliardë lekë
Deri në vitin e katërt raporti i shpenzimeve kapitale me ato të administratës do të shkojnë në raportin e mëposhtëm:
95% shpenzime kapitale (mbështetje direkte).
5% shpenzime korrente (për administratën).