Programi qeverisës
1. Shteti zhvillimor
1.2 Bujqësia
I. Gjendja e përgjithshme
Sipërfaqja e përgjithshme e territorit të Shqipërisë është 28,748 km². Pyjet konsiderohen si një ndër burimet kryesore natyrore, që mbulojnë 41.6% të sipërfaqes së përgjithshme. Rreth 24% është tokë bujqësore dhe 16% kullota dhe livadhe të përhershme. Shqipëria është gjithashtu e pasur me burime ujore me një vijë bregdetare prej 476 km, ku zhvillohen aktivitetet e peshkimit.
Shqipëria ka një popullsi totale prej 2,402,113 banorësh (INSTAT 2024). Popullsia rurale llogaritet në 964,791 banorë (2019). Përqindja e popullsisë rurale ka rënë vazhdimisht nga 42,57% në vitin 2015 në 38,89% në vitin 2019, e shkaktuar nga emigrimi dhe përgjithësisht nivelet më të ulëta të lindjeve. Nuk u gjetën statistika të popullsisë rurale në vitin 2023.
Zhvillimi ekonomik në zonat rurale karakterizohet nga mbizotërimi i sektorit ekonomik nga bujqësia. Kontributi i bujqësisë në totalin e vlerës së shtuar bruto të ekonomisë (VSHB) është rreth 22% ndaj VSHB-së kombëtare. Në Ballkanin Perëndimor shohim se Maqedonia e Veriut e ka vetëm 8% impaktin e bujqësisë në ekonomi dhe Serbia rreth 10%. Ndërkohë, Bashkimi Evropian e ka shumë herë më të ulët, rreth 1.5-2%. Fakti që pesha e saj është kaq e rëndësishme tregon prapambetje të thellë të sektorëve të tjerë të ekonomisë. Në vitin 2023, 32.3% e forcës totale të fuqisë punëtore ishte në bujqësi, pylltari dhe peshkim, me një rënie totale prej mbi 13% gjatë dekadës së fundit, kryesisht për shkak të migrimit. Gjithsesi, ka dyshime të forta se këto të dhëna nuk paraqesin realitetin. Për më tepër do të flitet në seksionin 3.5.3. Shërbimi Statistikor.
Prodhimi bujqësor dominohet nga fermat e vogla dhe fermat familjare. Rreth 85% e fermave klasifikohen si të vogla dhe kryesisht prodhojnë për vetëkonsum. Madhësia mesatare e pandryshuar prej 1.2 ha, e kombinuar me fragmentimin dhe të drejtën e paqartë të pronës janë sfidat kryesore për rritjen dhe konkurrencën e sektorit të bujqësisë. Megjithatë, pronarët e vegjël luajnë rol kritik për sigurimin e ushqimit të popullsisë shqiptare, si dhe për uljen e varfërisë në zonat rurale, por janë të integruar në mënyrë të pamjaftueshme në zinxhirët e shkurtër të furnizimit. Vështirësitë strukturore të trashëguara të fermave, mungesa e mbështetjes së duhur nga instancat publike dhe korrupsioni i lartë në fondet e destinuara për fermerët kanë bërë që ky sektor të jetë i zhytur në prapambetje në tre dekadat e fundit.
II. Problemet kryesore të sektorit: Bujqësia në pikiatë
Struktura e rritjes ekonomike në vitin 2023 tregoi rënie të theksuar të prodhimit në vend dhe sidomos bujqësisë, sektorit më të madh në ekonomi. Të dhënat zyrtare të INSTAT referuan se bujqësia shënoi rënie me 0.68% në vitin 2023 (figura_). Kjo është rënia më e fortë e regjistruar që nga viti 1997.

Tendenca rënëse e ritmeve të rritjes filloi që nga viti 2013. Në dhjetë vitet e fundit bujqësia është rritur mesatarisht 1%, teksa rezultati është dobësuar tre vitet e fundit për t’u kthyer negativ më 2023. Nga viti 2007 deri në 2010 bujqësia është rritur mesatarisht 3.7% në vit (grafiku 2).

Të dhëna më të detajuara tregojnë se rënia më e madhe ka ndodhur në sektorin e blegtorisë dhe në mbylljen e fermave të vogla, ngastrave për vetëkonsum.
Pakësimi i popullsisë në fshat nga emigracioni i brendshëm dhe i jashtëm, në njërën anë, dhe mungesa e subvencioneve shtetërore, në tjetrën,e kanë përkeqësuar klimën në sektor. Në vitin 2022 numri i krerëve në blegtori shënoi rënie vjetore me rreth 13%, ndërsa gjatë dekadës krerët u përgjysmuan. Prodhuesit dhe blegtorët pohojnë se kostot në zinxhirin e blegtorisë dhe bujqësisë janë më të larta nga çmimi i lartë i inputeve për shkak se shteti ynë nuk e subvencionon sektorin, ndërkohë që në rajon subvencionet janë disafish më të larta, dhe se mekanizimi i bujqësisë është shumë i ulët duke rritur kostot dhe ulur rendimentin.
Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria ka nivelin më të lartë të të punësuarve në bujqësi se çdo vend tjetër. Sipas të dhënave nga institutet e statistikave, në vend janë mbi 32% e të punësuarve në këtë sektor, krahasuar me 19% në Bosnjë Hercegovinë e Serbi, 16.4% në Maqedoninë e Veriut dhe vetëm 7.6% në Malin e Zi. Nga ana tjetër, pjesa më e madhe e fermerëve në Shqipëri janë informalë. Nëse paligjshmëria është fjala që kemi dëgjuar më shpesh këto vite, shifrat e sektorit të bujqësisë janë më të frikshmet. Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në vend janë mbi 355 mijë ferma bujqësore, ndërsa vetëm 61 mijë prej tyre janë formalizuar. Pra më shumë se 85 për qind e fermerëve nuk identifikohen me anë të një NIPT-i.
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, paga mesatare në aktivitetin “Bujqësi, silvikulturë dhe peshkim” ishte 350 euro në shtator 2022, më e ulëta nga të gjithë aktivitetet e tjera.
Në vendet e rajonit, të punësuarit në bujqësi paguhen dyfish, me përjashtim të Kosovës, që është nën nivelin tonë (të dhënat për Kosovën janë të disponueshme deri në fund të vitit 2021). Rekordin e mban Mali i Zi, me 817 euro në muaj, por edhe në Serbi e Bosnjë, të ardhurat i kalojnë 700 euro në muaj.
Maqedonia e Veriut ka rritur me shpejtësi pagat në bujqësi dy vitet e fundit, duke e çuar në rreth 620 euro në muaj, nga 485 euro në shtator 2019, sipas të dhënave nga Zyra e Statistikave Shtetërore të Maqedonisë së Veriut.
III. Propozimet për modernizimin e sektorit bujqësor
Nisur nga fakti se sektori bujqësor jep më shumë në PBB në krahasim me vendet e rajonit e BE dhe merr shumë më pak nga buxheti sesa këto vende, Lëvizja BASHKË e ka shpallur sektorin bujqësor një prioritet zhvillimor. Për ta shpëtuar bujqësinë nga kriza ku është futur dhe për modernizimin e saj duhen ndërmarrë një sërë masash. Më poshtë gjenden propozimet e Lëvizjes Bashkë këtë qëllim.
Pronësia e tokës
Pronësia e tokës do të jetë një ndër pikat kryesore të programit për modernizimin e bujqësisë, pasi moszgjidhja e kësaj problematike do të sillte dështimin e cilësdo politikë për zhvillimin e bujqësisë dhe zhvillimit rural.
Problematika të mëdha lindën me zbatimin e Ligjit 7501. Veç copëzimit dhe uljes së rendimentit, pajisja me certifikatë pronësie të tokës bujqësore ka qenë një sfidë e jashtëzakonshme e cila nuk është zgjidhur edhe sot, 34 vite më pas. Aktualisht rezulton se vetëm 40% e parcelave të tokës janë të regjistruara me Aktin e Marrjes së Tokës në Përdorim (AMTP) dhe vetëm një pjesë shumë e vogël e pronarëve të tyre kanë marrë certifikatën përfundimtare të pronësisë (tapinë).
Ligji 7501 nuk u pranua nga e gjithë popullsia. Rreth 25% e saj, kryesisht qarqet e Dibrës dhe Kukësit, e mohuan tërësisht reformën duke u kthyer tek e drejta zakonore, pra te trashëgimia. Këto toka bujqësore janë ende të panjohura ligjërisht, ndaj pronarët faktikë të tyre nuk zotërojnë një akt pronësie. Kjo sjell mungesën e mundësisë së lënies me qira, të shitjes apo edhe të aplikimit për subvencione.
Duke u nisur se banorët mes tyre e marrin për të mirëqenë këtë ndarje dhe nuk ka konflikte mes tyre, Lëvizja BASHKË do të propozojë pajisjen me certifikata pronësie sipas ndarjes së dakordësuar në bazë të trashëgimisë së këtyre tokave. Kurse një pjesë e mirë e qarqeve Tiranë, Elbasan dhe Durrës tentuan të bëjnë një ndarje të përzier: morën tokat për frymë sipas ligjit, por te vendndodhjet ku ishin familjet e gjyshërve të tyre.
Kryesisht, qarqet e Fierit, Beratit dhe të jugut të Shqipërisë e pranuan ndarjen e re të tokës dhe pavarësisht problemeve dhe mosmarrëveshjeve, një pjesë e mirë e parcelave janë regjistruar me AMTP. Përjashtim bëjnë fshatrat e Himarës, të cilët kanë problematikë të ngjashme me veriun e Shqipërisë pasi disa prej tyre kërkuan të ktheheshin tek e drejta e trashëgimisë.
Edhe në rastet kur pronarët janë të pajisur me AMTP, krijohen problematika në regjistrimin e këtyre tokave te trashëgimtarët pasi pronari ka ndërruar jetë. Edhe pse kanë hapur dëshminë e trashëgimisë, institucioni i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), për shkak të zvarritjeve burokratike u kërkon qytetarëve të paguajnë penalitete prej 25 lekë dita për çdo ditë vonesë nëse prona nuk regjistrohet brenda 30 ditëve nga çelja e trashëgimisë. Veçanërisht kur fëmijët kanë emigruar prej vitesh dhe nuk kanë arritur të mbyllin procedurën e kalimit të pronës në emrin e tyre, ky penalitet përkthehet në shuma të konsiderueshme.
Lëvizja BASHKË do të ngrejë një strukturë për verifikimin e këtyre AMTP-ve dhe do të marrë nisma për t’i stimuluar pronarët që ta përfundojnë procesin e regjistrimit të pronësisë së tokës bujqësore. Gjithashtu do të revokohen/anulohen të gjitha penalitetet e shkaktuara nga burokracitë e sipërpërmendura. Në këtë mënyrë do të nxiten investimet në bujqësi dhe fermerët do të mund të aplikojnë dhe të përfitojnë nga subvencionet.
Formimi i Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor
Në kushtet specifike të bujqësisë sonë, me afro 350 mijë fermerë, shërbimet e kërkimit dhe këshillimit bujqësor e kanë mjaft të vështirë të operojnë me efektivitet. Ndonëse kuadri ligjor për kooperimin ekziston, shërbimet reale ndaj fermerëve të interesuar çalojnë ndjeshëm. Ndonëse numri total i SHBB-ve duket tepër optimist, rreth 100 të tilla, me shumë mundësi vetëm një numër shumë i vogël funksionojnë vërtet si të tilla.
Ekonomia bujqësore, ashtu si edhe në fusha të tjera të ekonomisë, ka si forcë dinamike të saj bashkëpunimin. Bashkëpunimi synon të plotësojë nevojat e përbashkëta të anëtarëve. Fermerët bashkëpunojnë kur krijojnë bindjen se kapaciteti individual nuk është i mjaftueshëm në arritjen e objektivave fitimprurëse dhe kur ky bashkëpunim rezulton në përfitime të prekshme për të gjithë. Bashkëpunimi mund të jetë efektiv vetëm nëse aspektet e reciprocitetit dhe transparencës kuptohen dhe pranohen me ndërgjegje.
SHBB-të në BE përfaqësojnë mbi 50% të ofertës për inpute bujqësore dhe mbi 60% të ofertës së grumbullimit, përpunimit dhe marketingut të produkteve bujqësore.
Llojet e SHBB-ve:
- SHBB Furnizuese: furnizojnë anëtarët me inpute për prodhimin bujqësor si fara, plehra kimikë, pesticide-insekticide, karburant, shërbimet e makinerive etj.
- SHBB Marketingu: qëllimi kryesor është të ndihmojë fermerët të shesin produktet e tyre. Realizojnë procesin e përpunimit, paketimit, shpërndarjes dhe shitjen e produkteve bujqësore duke siguruar tregje më të mëdha dhe rritur fitimet.
- SHBB Shërbimesh: ofrojnë shërbime si transporti, grumbullimi dhe ruajtja dhe asistencë teknike.
- SHBB Kreditimi: ofrojnë shërbime financuese/kreditimi për fermerët si dhënie kredie me interes të ulët për fermerët duke i ndihmuar për procesin e prodhimit dhe për investimet e ardhshme.
- SHBB Makinerish: ndihmojnë fermerët në përdorimin e makinerive të shtrenjta duke reduktuar kostot individuale dhe duke siguruar një përdorim më të mirë të resurseve/burimeve.
Problemet e SHBB-ve
Ngritja e SHBB-ve në vendin tonë ka hasur në probleme të ndryshme si:
- Probleme të natyrës ekonomike si mungesa e investimeve në kapitalin shoqëror nga ana e vetë anëtarëve, mungesë grantesh nga qeveria apo nga institucionet e tjera dhe nga normat e larta të interesit nga bankat.
- Probleme të natyrës sipërmarrëse nga mungesa e formimit profesional të drejtuesve të SHBB-ve, mungesa e diversifikimit të produkteve dhe shërbimeve në SHBB-të ekzistuese (p.sh. zgjerimi i shërbimeve si konsulencë, përpunim, marketing etj.) dhe nga mungesa e daljes në treg me një produkt të tyrin, pra marka dhe certifikimi i produktit.
- Probleme të natyrës shoqërore si mosbesimi në modelin e SHBB dhe mosbesimi i anëtarëve kundrejt drejtuesit të SHBB.
- Probleme të natyrës institucionale si mungesa e mbështetjes teknike nga shteti dhe mungesa e formimit në çështje që lidhen me ngritjen dhe funksionimin e SHBB-ve.
- Një ndër pengesat e formimit të SHBB-ve është kuadri ligjor i mangët dhe politikat fiskale të pafavorshme. Aktualisht, tatimi mbi fitimin për SHBB-të është 5%, kurse fermerët e veçuar me xhiro deri në 10 milionë lekë në vit e kanë 0%. Kjo dukuri çon në konkluzionin se politikat fiskale në fuqi nuk e nxisin bashkëpunimin, përkundrazi e pengojnë atë.
Fakti se që prej vitit 2015, numri i SHBB-ve nuk është rritur tregon se procesi i kooperimit ka mbetur në vend. Kjo ngecje, mund të shpjegohet pjesërisht me frikën për pagesat e tatimit mbi fitimin që SHBB-të janë të detyruara të paguajnë pas regjistrimit. Ndaj rekomandohet aplikimi i masave mbështetëse si politikat fiskale, grante e kredi të zbutura, lehtësira në qasjen e shërbimeve dhe programeve publike etj. Gjithashtu, puna e këshilluesve bujqësor për nxitjen e fermerëve për të kooperuar çalon ndjeshëm, ndaj fushata ndërgjegjësimi për nxitjen e kooperimit në bujqësi duhet të jenë të shpeshta dhe më produktive.
Përfitimet Reale në Vendin Tonë nga Formimi i SHBB-ve
Formimi dhe rritja e SHBB-ve ka përfitime të shumta për fermerët pjesëmarrës.
- Mundëson integrimin vertikal të fermerëve në zinxhirin agro-ushqimor; përfshirja e hallkave të ndryshme të prodhimit, përpunimit dhe tregtimit të produkteve bujqësore brenda një organizate të vetme.
- Optimizon faktorët e prodhimit në saje të përmirësimit të teknologjive bujqësore.
- Mundëson dhe realizon studime tregu dhe rrjedhimisht planifikim të mbjelljeve.
- Sjell sigurimin e sasisë dhe cilësisë së duhur të produkteve që kërkon konsumatori duke evituar shitjen e tyre nën kosto dhe rrezikun e hedhjes së tyre si rezultat i mbingopjes së tregut apo i blerjes me çmim shumë të ulët nga grumbulluesit.
Për të reduktuar problemet e mbingopjes dhe urisë së tregut, rekomandohet ngritja e Agjencive Rajonale të Marketingut, të cilat janë funksionale në BE. Këto agjenci këshillojnë dhe, kur është e nevojshme, përcaktojnë se cilat kultura duhet të mbjellin, sa duhet të mbjellin dhe kur duhet ta nxjerrin produktin në treg, në mënyrë që të kapin vlerën më të lartë të tregtimit. Nëse fermerët nuk bashkëpunojnë, edhe efektiviteti i këtyre agjencive do të jetë i ulët duke pasur parasysh numrin e madh të fermave dhe sipërfaqen e tyre shumë të vogël.
Aktualisht, fermerët tanë realizojnë vetëm prodhimin dhe rrallë herë shitjen në tregje të produkteve bujqësore, ndërsa inputet, ruajtja dhe përpunimi, shitja me shumicë e pakice janë të përqendruara në duart e të tretëve (grosistëve), të cilët marrin pjesën më të madhe të fitimit dhe fermeri nuk shpërblehet për punën e bërë.
SHBB-të e kanë fuqinë që të reduktojnë hallkën e ndërmjetësit, pra aty ku shkon vlera më e madhe e produkteve. Nëse fermerët bashkëpunojnë, ata përqendrojnë në duart e tyre hallka të tjera të zinxhirit agro-ushqimor, përfshirë edhe tregtimin deri te konsumatori apo shitësi me pakicë. Në këtë mënyrë, vlera e shtuar e produktit bujqësor do të shkojë për vetë fermerin.
Krijimi dhe funksionimi i SHBB-ve sjell edhe përfitime të tjera si:
- Rritje e sigurisë ushqimore dhe e gjurmueshmërisë
- Nxitje të punësimit dhe ulje të shkallës së informalitetit në zonat rurale. Fermerët shqiptarë deklarohen si të vetëpunësuar në fermat e tyre dhe nuk deklarojnë shitjet. SHBB-të bëjnë të ligjshëm aktivitetin prodhues, duke i hapur rrugë edhe tregtimit të produkteve si brenda dhe jashtë vendit.
- Rritje në ndikimin e politikave qeveritare dhe në aspektet legjislativo-administrative për të vendosur në favor të tyre.
- Rritje e cilësisë së jetesës, frenim i emigrimit të të rinjve, ruajtjen e mjedisit etj.
Rekomandime për funksionimin e SHBB-ve
Në mënyrë që numri i SHBB-ve të rritet dhe ato të funksionojnë në mënyrë efektive, rekomandohet:
- Ngritja e kapaciteteve të ndryshme publike për:
- Të ndihmuar fermerët për krijimin, regjistrimin dhe menaxhimin e SHBB-ve.
- Të ndihmuar në aplikimet për mbështetje nga qeveria apo nga donatorët.
- Përgatitjen e planeve të biznesit.
- Të lehtësuar qasjen e fermerëve në pajisje, infrastrukturë etj.
- Nevoja për stimuj fiskalë dhe ngritja e SHBB-ve të suksesshme (model) për të shërbyer si shembull.
- Kreditimi dhe sigurimi i prodhimit.
- Nxjerrja e akteve nënligjore për rregullimin e funksionimit të SHBB-ve.
Rregullimi i pikave të grumbullimit
Gjatë vitit 2024, por edhe më parë, kanë ndodhur protesta masive nga ana e fermerëve pothuajse në të gjithë vendin. Blegtorët në Tepelenë, fermerët e perimeve në Roskovec, Fier e Berat, fermerët e Korçës etj., kanë protestuar kryesisht për çmimin e ulët të vendosur nga pikat e grumbullimit për të blerë produktet e tyre. Për më tepër, shteti e përkeqëson këtë situatë duke vendosur një hendek të madh në aplikimin e TVSH-së. Kur fermeri shet produktin e tij te grumbulluesi, nuk paguan TVSH; kurse kur produkti del nga pika e grumbullimit aplikohet një TVSH prej 20%, duke detyruar këtë të fundit të rrisë çmimin me 20% vetëm për të barazuar çmimin.
Fermerët dorëzojnë prodhimin e tyre te pika e grumbullimit. Zakonisht grumbulluesit kur marrin prodhimin te fermerët, nuk paracaktojnë çmimin e blerjes së produktit. Pasi marrin prodhimin, grumbulluesit e magazinojnë duke bërë ambalazhimin për eksport jashtë vendit apo edhe shitje për tregjet brenda vendit. Pasi gjejnë treg, grumbulluesit njoftojnë fermerët për çmimin me të cilin do të blejnë prodhimin që e kanë grumbulluar disa ditë më herët. Në këtë rast, fermerët janë të pasigurt për përfitimet e tyre, ata kanë dorëzuar produktin pa pasur asnjë ide se sa do ta shesin, pasi çmimi do të caktohet nga grumbulluesi. Kjo është një anomali ekonomike pasi në fakt është rast i rrallë në një ekonomi tregu, ku çmimin e vendos blerësi dhe jo shitësi. Kjo situatë është denoncuar nga vetë fermerët, të cilët kanë kërkuar miratimin e bursës e njëkohësisht caktimin e një çmimi dysheme për prodhime bujqësore të caktuara, çmime të cilat nuk bien nën koston e prodhimit.
Ndërkohë që tonelata të tëra me prodhime si qumështi, qepë, patate dhe frutat e perime të ndryshme kanë përfunduar në kanal, shteti ka bërë rolin e spektatorit, pasi Ministria e Bujqësisë është justifikuar me mosndërhyrjen në treg për shkak të ekonomisë së lirë. Po ndryshe nga sa pretendon Ministria, Bashkimi Evropian ka përcaktuar rregulla të qarta, madje edhe me ndërhyrje në treg në momente që vërehen anomali me çmimet. Në rregulloren e Këshillit të Bashkimit Evropian për organizimin e përbashkët të tregjeve agro-bujqësore, përcaktohet se shteti mund të ndërhyjë me vendosjen e çmimeve referencë në mënyrë që fermerët të mos dëmtohen. Në këtë mënyrë shmanget edhe fiksimi i çmimeve dhe rastet e monopolit në rajone të caktuara.
Në rregulloren e Bashkimit Evropian për tregjet ka edhe praktika të tjera funksionale për të ndihmuar fermerët. Një prej tyre është grumbullimi i prodhimeve bujqësore dhe ruajtja e tyre në ambiente frigoriferike pa pagesë deri në gjetjen e tregut. Në një rast tjetër Bashkimi Evropian ndërhyn në treg, duke mbledhur prodhimet bujqësore dhe blegtorale të fermerëve, të cilat kanë mbetur stok, dhe më pas i shpërndan ato për grupet në nevojë apo institucionet, si: shkolla, kopshte, çerdhe, spitale, qendra sociale etj. Në këtë mënyrë vendet anëtare të BE jo vetëm ndihmojnë fermerët të mos dështojnë në shitjen e prodhimeve të tyre, por njëkohësisht evitojnë prokurimet publike për blerje ushqimesh për institucionet publike.
Në Shqipëri kjo zgjidhje do të ishte shumë eficiente pasi do të shmangeshin prokurimet e fryra për blerje ushqimesh për institucionet publike, e njëkohësisht fermerët nuk do të ankoheshin për mungesë tregu.
Lëvizja BASHKË do të propozojë masat e sipërpërmendura dhe barazimin e TVSH-së si në hyrje dhe në dalje për të zgjidhur në një periudhë afatshkurtër problemet e fermerëve me pikat e grumbullimit. Në synimin afatgjatë, vetëm ngritja e SHBB-ve do të mund të zgjidhë njëherë e përgjithmonë problemin e mbajtjes së pjesës dërrmuese të fitimit nga grumbulluesit.
Subvencionimi i sektorit bujqësor
Garantimi i sigurisë ushqimore (Food Security_) në Shqipëri është thelbësor për të ushqyer popullatën me nivelin e kalorive që kërkohen dhe me ushqime cilësore. Sipas të dhënave më të fundit në raportin “Gjendja e Sigurisë Ushqimore dhe Ushqyerjes në Botë në 2022” të publikuar nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara, 1 në 3 shqiptarë vuan nga pasiguria ushqimore për shkak të mungesës së të ardhurave. Ndaj për të pasur çmime më të përballueshme për këtë grup popullate duhet që prodhimi bujqësor vendas të rrisë rendimentin dhe të subvencionohet për të ulur çmimet.
Një ndër qëllimet kryesore të subvencioneve në bujqësi është sigurimi i një standardi të drejtë jetese për komunitetin rural duke rritur fitimet individuale të fermerëve, pasi të ardhurat mesatare të banorëve të zonave rurale mbeten dukshëm nën të ardhurat mesatare të pjesës tjetër të popullsisë.
Subvencionimi i sektorit bujqësor në vendin tonë është padyshim më i ulëti në rajon. Pavarësisht se kontribuon me rreth 20% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), bujqësia merr vetëm 1.9% të buxhetit. Vendet fqinje, pavarësisht peshës disa herë më të vogël në PBB, alokojnë nga buxheti përqindje më të larta se vendi ynë (3-5%). Për më tepër, buxheti i bujqësisë në vendin tonë shkon kryesisht për administratën (55%) dhe vetëm 45% si mbështetje direkte. Shtete si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia e subvencionojnë shumë më tepër fermerin e tyre në formë direkte. Në këto shtete 70-80% e buxhetit të bujqësisë shkon si pagesa direkte dhe vetëm 20% për administratën. Kjo bën që konkurrenca nga këto shtete të jetë e ashpër dhe produkti shqiptar të dalë në treg me një kosto më të lartë. Bujqësia është sektori më i madh në vend, por dy vitet e fundit në rënie po zgjojnë sërish kanalet e importit, teksa eksportet kanë mbetur në vendnumëro. Aktualisht rreth 70% e produkteve bujqësore në tezga dhe supermarkete vijnë nga importi, duke konkurruar në çmime edhe ato pak fermerë vendas që tentojnë të prodhojnë për treg.
Situata në sektor pritet të përkeqësohet më tej këtë vit pasi buxheti i shtetit dha më pak financim, teksa mbështetja e BE nga fondet IPARD mbetet e bllokuar. Në buxhetin 2024 sektori i bujqësisë mori 9.6% më pak financime se plani i 2023. Fondet totale për Ministrinë e Bujqësisë ishin planifikuar të jenë 14,1 miliardë lekë më 2024, nga 15,6 miliardë lekë më 2023. Por pas rishikimit të buxhetit këto fonde u shkurtuan akoma, duke shkuar në 13.9 miliardë lekë. Shkurtimet më të mëdha i ka marrë mbështetja ndaj fermerit dhe zhvillimit rural, ku nga 10 miliardë lekë të dhëna një vit më parë, do të jepen vetëm 6.8 miliardë lekë në 2024, pra 32% më pak. Ndaj edhe situata në këtë sektor jetik pritet të keqësohet edhe më tej. Rrjedhimisht, duhet ndërhyrë urgjentisht me një plan masash për shpëtimin e sektorit të bujqësisë dhe modernizimin e tij.
Sektori i blegtorisë është ai që e ka vuajtur më tepër këtë problem. Me heqjen e përjashtimit të TVSH, duke rikthyer edhe një herë nivelin 20%, situata e blegtorëve u përkeqësua më tej. Çmimi i qumështit në fermë aktualisht është 40% deri në 60% më i lartë se në BE dhe rajon. Në Shqipëri vitin e kaluar blegtorët që kishin mbi 10 krerë lopë morën nga 98 euro për kokë me dy këste. Ndërsa në Serbi, pas grevës së blegtorëve vitin e kaluar, subvencioni për një lopë qumështi është 365 euro dhe për çdo litër blegtori merr mbrapsht 0.16 cent. Kjo diferencë në çmime po i orienton fabrikat shqiptare drejt importit të qumështit nga jashtë, çka do të thotë se është një presion i shumëfishtë për blegtorët që tashmë vuajnë nga kostot e larta të lëndës së parë.
E njëjta panoramë ndodh edhe në bujqësi, ku përgjithësisht fermerët shqiptarë subvencionohen shumë herë më pak se kolegët e tyre në rajon. Nëse krahasojmë Shqipërinë me Kosovën, do të shohim se edhe këtu diferencat janë të mëdha. Kosova subvencionon gjithsej 28 nënsektorë dhe kultura bujqësore, kurse Shqipëria vetëm tetë. Në vendin tonë është zhdukur mbështetja për grurin, misrin, perimet dhe dru-frutorët e fushës (subvencionohen vetëm serrat), kurse në Kosovë subvencionet variojnë nga 304 euro/ha për drithërat si misri elbi, thekra dhe tërshëra, 504 euro për hektar për dru-frutorët, 554 euro/ha për perimet në fushë të hapur dhe 614 euro/ha për grurin. Një e metë e madhe e subvencioneve në Shqipëri është se në përgjithësi subvencionet jepen vetëm për sipërfaqe të tokës së mbjellë sipas një kulture të caktuar, por jo për prodhimin direkt. Subvencionimi i prodhimit për sasi dhe cilësi malli jo vetëm do sillte të ardhura më të larta për fermerin, por gjithashtu do nxiste të fiskalizimin e tij.
Kërkimi shkencor në bujqësi dhe problematikat e tij në Shqipëri
Zhvillimi bujqësor i çdo vendi është ngushtësisht i lidhur me shkallën e kërkimit shkencor në bujqësi. Vendet më të zhvilluara i dedikojnë një përqindje të lartë të buxhetit kësaj fushe.
Misioni i kërkimit bujqësor është rritja e efikasitetit dhe cilësisë së prodhimit bujqësor duke mundësuar të ardhura më të larta dhe jetesë të mirë për fermerin, por njëkohësisht duke marrë parasysh kufizimet ekologjike dhe sociale.
Ndër efektet e kërkimit shkencor në bujqësi mund të rendisim:
- Investim shoqëror: sjell përfitime të mëdha publike dhe ekonomike me norma vjetore të kthimit 40%-60% duke rritur kryesisht produktivitetin.
- Rritja e konkurrencës: sektori bujqësor bëhet më i aftë të shesë produktet jashtë vendit, ose të prodhojë zëvendësues për produktet e importit.
- Siguria ushqimore: me rritjen e produktivitetit dhe qëndrueshmërisë, përmirësohet edhe eficienca dhe cilësia në procesin e përpunimit dhe shpërndarjes.
Për më tepër, kërkimi shkencor në bujqësi është i domosdoshëm për përmirësimin e cilësisë së produkteve, uljen e kostos së prodhimit, prodhimin e produkteve unike karakteristike, shtimin e vlerës së lëndës së parë, përdorimin e teknologjive që shtojnë vlerën e produktit, reduktimin e dëmtimeve mjedisore etj.
Problemet dhe sfidat e kërkimit bujqësor në Shqipëri
Në vendin tonë, sfida kryesore për Shërbimin Këshillimor mbetet përmirësimi dhe shtimi i kapaciteteve të këshillimit bujqësor publik dhe privat për të rritur aftësinë absorbuese të fondeve në dispozicion për mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimit rural, skemat kombëtare, fondet IPARD, fondin e garancisë për kreditim, projekte etj.
Ndër pikat kryesore të problematikave mund të përmenden:
- Orientim i dobët për veprimtari kërkimore.
- Financim shumë i kufizuar.
- Nxitje të kufizuara për të aplikuar për fonde kërkimore për shkak të shërbimeve të dobëta mbështetëse.
- Rezultate të kufizuara kërkimi.
- Nivel i ulët i botimeve. (Vetëm ¼ e botimeve citohen në revistat me faktor impakti (impact factor)).
Në vendet në tranzicion mbetet sfidë qasja në teknologjitë moderne, transferimi i tyre dhe procesi i ngritjes së kapaciteteve për zgjidhjen e problemeve. Përgjithësisht fermerët adaptojnë përkohësisht teknologjitë kur u ofrohen stimuj, por zbehen ose ndalojnë së praktikuari kur stimujt hiqen.
Për të minimizuar këtë problem, këshillohet që në vendet në tranzicion trendi i Shërbimit Këshillimor të jetë i drejtuar nga kërkesa dhe i orientuar nga tregu.
Shërbimi Këshillimor i drejtuar nga kërkesa:
- Të krijojë mekanizma për inputet e prodhuesve;
- T’u përgjigjet kërkesave të prodhuesve dhe të modifikojë programet sipas reagimit të tyre.
- Të krijojë mekanizma financiarë dhe jofinanciarë që e bëjnë kërkesën më efektive, p.sh. fonde për shërbime këshilluese, kuponë, identifikimin e kërkesave nga organizatat e fermerëve etj.
Shërbimi Këshillimor i orientuar nga tregu:
- Të identifikojë nevojat e konsumatorit/prodhimit në treg;
- Të lidhet me palët e interesuara të sektorit privat kompanitë e marketingut etj.;
- Të bëjë të mundur kontraktimin e fermerëve të vegjël për shitjet e garantuara të produkteve
Institucionet e kërkimit shkencor
Menaxhimi i kërkimit në bujqësi përfshin vendime me pasoja shkencore, sociale dhe politike. Çdo vend përcakton prioritetet e kërkimit bujqësor bazuar në shumë faktorë kompleks, ndaj edhe kërkohet rishikimi periodik i njësive kërkimore dhe që ato të bëhen pjesë integrale e menaxhimit të kërkimit bujqësor.
Në reformën e vitit 2006, pjesa më e madhe e institucioneve kërkimore kaloi nën varësinë e Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT), por ky i fundit nuk arriti të kryente kërkim të mirëfilltë shkencor për shkak të mungesës së një buxheti të alokuar për kërkimin, si edhe të problemeve infrastrukturore e logjistike.
Për transferimin e praktikave bujqësore u krijuan Qendrat e Transferimit të Teknologjive Bujqësore (QTTB), të cilat nuk kryejnë kërkim shkencor, por vetëm shërbim këshillimor dhe transferimin e teknologjisë në fushën që mbulon dikasteri. Fillimisht QTTB-të luajtën një rol aktiv për sa i përket transferimit të teknologjive, duke çuar në rritjen e konkurrueshmërisë. Ato u përfshinë në përgatitjen dhe zbatimin e disa prej programeve të Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit (MBU) që lidhen me skemat e mbjelljes së ullinjve, ujitjen dhe kullimin, skemat e mbështetjes së bujqësisë, sigurinë ushqimore, konsolidimin e tokës etj. Por pas një ecurie pozitive në vitet e para, roli i QTTB-ve u zbeh vit pas viti derisa ato nuk e kryejnë dot misionin që u është ngarkuar dhe duket sikur kanë dalë jashtë funksionit. Në këto kushte, QTTB-të kanë nevojë për përmirësime të mëtejshme si:
- Orientimi i qartë i tyre drejt nevojave të tregut dhe përcaktimi i prioriteteve të kërkimit dhe transferimit të teknologjive në bashkëpunim me UBT, organizatat e fermerëve, agrobiznesit, strukturat lokale, donatorët etj.
- Rishikimi i statusit dhe mekanizmave të financimit që lejojnë fleksibilitet në:
- Implementimin e projekteve;
- Përfshirjen në projekte të përbashkëta me departamentet e universiteteve dhe aktorëve të tjerë;
- Aplikimin e incentivave mbi bazën e performancës, ngarkesës dhe rezultateve për çdo ekspert të përfshirë në projekt;
- Rritja e kapacitetit demonstrues të rezultateve dhe testimit të teknologjive të reja.
- Përcaktimi i rolit të QTTB-ve dhe hartimi i programeve afatgjata në punën përzgjedhëse të materialit mbjellës autokton dhe skemat e prodhimit të hallkave të larta, veçanërisht për produkte tipike dhe me vlerë të lartë ekonomike, produkte organike etj.
- Mbështetja logjistike me pajisje laboratorike, makineri bujqësore, kompjuterë, teknologji informacioni etj.
- Përcaktimi i instrumenteve dhe zbatimi i procedurave të vlerësimit të ndikimit.
Një ndër problematikat më të theksuara të QTTB-ve është mos parashikimi i ndikimit financiar të një projekti, ndaj edhe trajnimet e stafit në këtë aspekt duhet të jetë prioritet absolut.
Duhet theksuar se profili i QTTB-ve duhet të ecë fort në rrugën e konsolidimit si qendra model të demonstrimit të teknologjive të reja në bujqësi e blegtori.
Trendi i sotshëm i një bujqësie moderne është krijimi i Shërbimeve Këshillimore Rurale, të cilat janë një urë lidhëse midis kërkimit, edukimit dhe fermerëve. Lëvizja BASHKË do të synojë ngritjen e këtyre strukturave duke marrë shembull nga vende me bujqësi shumë të zhvilluar si Spanja, Itali dhe Franca. Në krahun tjetër, një koordinim më efikas midis UBT dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit do të jetë kyç për hartimin e një strategjie afatgjatë për nxjerrjen nga metodat primitive dhe modernizimin e sektorit bujqësor.
Në kushtet e vendit tonë çdo kërkim i aplikuar duhet të rezultojë në formën e paketave teknologjike të thjeshta, të qarta, të asimilueshme, shoqëruar këto me udhëzime dhe ilustrime praktike.
Hapat që duhen ndjekur për transferimin e këtyre paketave tek Shërbimi i Këshillimit Bujqësor:
- Qasja “Trajnuesi i Trajnuesve”; përçimi i informacionit mbi paketat nga ekspertët që i kanë hartuar tek ekspertët e rinj pranë agjencive të këshillimit.
- Zbatimi në ferma model i këtyre paketave.
- Në rast suksesi, transferimi në masë të gjerë.
Shërbimi Statistikor
Statistikat e bujqësisë luajnë një rol thelbësor në zhvillimin e një vendi, pasi qeveria bazohet në këto të dhëna për formulimin e programeve dhe politikave të caktuara për zhvillimin e sektorit bujqësor. Ato japin një informacion të detajuar mbi aktivitetet bujqësore në Shqipëri, për sipërfaqen e mbjellë, sipërfaqen prodhuese, sipërfaqe të vjelë, prodhimin, numrin e rrënjëve të drufrutorëve gjithsej dhe në prodhim, si dhe rendimentin sipas kulturave bujqësore. Gjithashtu japin informacion mbi produktet organike të certifikuara, mjetet mekanike të përdoruara dhe ujitjen e tokës.
Të dhënat e sektorit bujqësor ngrenë hije të forta dyshime për shifra të ekzagjeruara, sidomos te të dhënat makro. P.sh. fakti se sektori bujqësor kontribuon me rreth 18.5% të PBB duket e pabesueshme kur e krahason me vendet e rajonit pasi vlera totale (në USD për efekte krahasimi) është disa herë më e lartë se e vendeve fqinje, madje më e lartë se Bullgaria, Sllovenia e Kroacia që janë pjesë e BE-së. Grafiku i mëposhtëm na jep një panoramë më të saktë mbi këtë çështje:

Meqenëse bujqësia zë rreth 18.5% te Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në Shqipëri, sipas të dhënave në Worldmeter, PBB e Shqipërisë në vitin 2022 ishte 18,882,095,518 USD.
Pra kontributi i bujqësisë për Shqipërinë është:
18,882,095,518 x 0.185 = 3.493 miliardë USD.
Siç shihet, e vetmja e renditur sipër nesh në rajon është Serbia me një vlerë rreth 3.81 miliardë USD. Bullgaria, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Sllovenia, Kosova dhe Mali i Zi renditen poshtë nesh. Por perceptimi është krejt tjetër. Ndaj edhe duhet kryer një studim i vërtetë dhe serioz mbi rolin e bujqësisë në ekonominë shqiptare.
Nga ana tjetër, shërbimi statistikor është mjaft i lidhur dhe i ndërvarur nga Shërbimi i Këshillimit Bujqësor. Këshillimi Bujqësor nuk duhet të ngarkohet plotësisht me detyrat e mbledhjes së statistikave, pasi këto zënë një përqindje mjaft të madhe të kohës së këshilluesit dhe cenojnë ndjeshëm detyrën kryesore të tij. Duke e ngarkuar këshilluesin bujqësor me të dhëna statistikore, as këto të fundit nuk do jenë të sakta e as këshilluesi nuk do të ketë kohën e mjaftueshme për t’iu dedikuar këshillimit të fermerëve.
Ndihma në inpute, makineri dhe infrastrukturë
Ndër problematikat më të mëdha që fermerët shqiptarë hasin janë çmimet e larta të inputeve bujqësore, mekanizimi shumë i dobët dhe mangësi në mungesën e infrastrukturës ujitëse dhe kulluese. Pavarësisht se sistemi i kaluar la si trashëgimi uzina kur prodhoheshin fertilizantë kimikë, preparate për luftimin e sëmundjeve, qindra rezervuare për vaditje, vepra të mëdha të kanaleve vaditëse dhe kulluese, fatkeqësisht këto vepra nuk u mirëmbajtën dhe shumë prej tyre dolën jashtë funksionit.
Inputet Bujqësore
Përpara ndryshimeve rrënjësore që pësoi vendi ynë me rrëzimin e regjimit diktatorial, ishin në funksionim dy fabrika të mëdha të prodhimit të plehrave kimikë; Azotiku i Fierit dhe Superfosfati i Laçit. Këto fabrika mbulonin nevojën e fermave dhe kooperativave për plehra kimikë. Me daljen e tyre jashtë funksionit, këto preparate importohen nga vende të tjera duke sjellë kështu një rritje të lartë të kostos. Për më tepër, jo pak herë firmat e tregtimit të inputeve bujqësore janë akuzuar për fiksimin të çmimit në situatë monopoli apo edhe për cilësi të dobët të tyre. Shpeshherë në treg gjen edhe preparate kimike të ndaluara si nga ligjet e BE edhe nga ato të vendit tonë. Kjo rrit rrezikun për sigurinë ushqimore të popullsisë, por edhe vështirësi në eksport, pasi rezultatet e dala nga analizat laboratorike nuk janë të përshtatshme për eksport. Këshillimi bujqësor është shumë i dobët për preparatet e ndaluara, ndaj edhe fermerët nuk janë të informuar për to, duke i aplikuar shpesh herë pa vetëdije (sidomos te produktet për eksport). Në krahun tjetër, inspektorët përgjegjës për kontrollin e pikave të shitjes së preparateve kimike korruptohen nga pronarët e këtyre të fundit apo nuk ndërhyjnë për shkak të lidhjeve të forta të tyre me pushtetin.
Një tjetër problem është mungesa e farave me prodhimtari të lartë. Pas ndryshimit të sistemit, institucionet kërkimore e kishin thuajse të pamundur të rivalizonin me kompanitë private për shërbimin e farave të gjeneracionit të lartë. Kjo solli pothuajse shkrirjen e këtij shërbimi nga shteti. Sot fermerët në mungesë të farës vendase i drejtohen kompanive të inputeve duke blerë jo pak herë farëra hibride (që nuk prodhojnë më vitin e dytë), apo farëra të cilësisë së ulët.
Në të dyja rastet, kur shteti nuk e ofron dot shërbim e duhur, duhet patjetër të kontrollojë tregun për të evituar rastet e sipërpërmendura; si të fiksimit të çmimeve dhe të kontrollit të cilësisë. Ndër politikat që Lëvizja BASHKË propozon për zgjidhjen e kësaj pengese janë:
- Kontrolli i tregut nga abuzimet me çmimet dhe me cilësinë.
- Nxitja e krijimit të SHBB-ve të inputeve bujqësore nga vetë fermerët
- Nxitje e kompanive për ndërtimin e fabrikave të prodhimit të inputeve bujqësore në vend (nëse është e leverdishme).
Mekanizimi i bujqësisë
Mekanizimi i bujqësisë është një faktor që e mbështet rritjen e rendimentit të punës nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër është mjeti më universal efikas për zbatimin e kërkesave agroteknike shkencore. Të dy këta faktorë të bashkërenditur bëjnë të mundshme që në të njëjtën kohë të ndikojnë në rritjen e rendimentit dhe cilësisë së prodhimeve bujqësore dhe në uljen e kostos prodhuese. Në Shqipëri ka pak më shumë se 23 mijë makineri bujqësore për rreth 350 mijë ferma bujqësore (0.05 traktorë për fermë). Shqipëria renditet në vendet me një mekanikë më të ulët bujqësore në rajon. Për krahasim, në Serbi janë të regjistruara 631 mijë ferma bujqësore që zotërojnë rreth 403 mijë traktorë me dy akse (0.7 traktorë për fermë). Në Maqedoni ka rreth 171 mijë ferma, me 0.5 traktorë për fermë. Pra investimet në mekanikë bujqësore janë një domosdoshmëri për zhvillimin dhe rritjen e konkurrueshmërisë së bujqësisë shqiptare.
Situata përkeqësohet kur edhe këto pak traktorë shpërndahen në mënyrë të padrejtë te funksionarët e partisë në pushtet, duke lënë kështu në mëshirë të fatit me qindra bujq.
Lëvizja BASHKË propozon ndihmën me subvencione direkte për blerjen e makinerive bujqësore, dhe gjithashtu do të nxisë krijimin e Parqeve Mekanike në formën e SHBB-ve nga vetë fermerët.
Infrastruktura vaditëse dhe kulluese
Si ujitja dhe kullimi kanë një ndikim të veçantë dhe të drejtpërdrejtë në prodhimin bujqësor. Ujitja e bimëve është vërtetuar se sjell një rritje eksponenciale të rendimentit. Në krahun tjetër, një infrastrukturë kulluese eficiente mund të shpëtojë sipërfaqe të tëra nga përmbytjet dhe për pasojë nga humbja e prodhimit bujqësor.
Siç u përmend më lart, vendi ynë trashëgoi nga sistemi i kaluar një numër të konsiderueshëm veprash ujore. Të gjitha këto vepra do të duhet të studiohen dhe të rehabilitohen aty ku është e mundur dhe e efektshme ekonomikisht. Rehabilitimi i digave të rezervuarëve duhet të kryhet me urgjencë në tokat me prodhimtari të lartë. Kanalet e kullimit duhet të pastrohen dhe rehabilitohen. Në të njëjtën kohë, për parandalimin e përmbytjeve duhen ndërmarrë masa komplementare si: frenimi i shpyllëzimit dhe pyllëzimi i tokave për mbrojtjen nga erozioni, ndalimi i gërryerjes së lumenjve për përfitim inertesh, rehabilitimi dhe ndërtimi i argjinaturave mbrojtëse, futja në funksion të plotë e hidrovorëve etj.
Një problematikë tjetër është edhe menaxhimi i veprave ujore të cilat u transferuan në vitin 2015 nga administrimi i Ministrisë së Bujqësisë te Bordet Rajonale të Kullimit. Funksionet dhe detyrat kryesore të këtyre të fundit (Bordeve Rajonale të Kullimit Lezhë, Durrës, Fier dhe Korçë) janë reduktuar dhe lidhen kryesisht me shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e kanaleve kryesore kulluese, hidrovorët, kanalet kryesorë të rreth 22 skemave të mëdha ujitëse, përfshirë edhe 7 rezervuarë të mëdhenj dhe veprat e mbrojtjes nga përmbytjet (argjinatura lumore dhe detare si dhe kanalet e ujërave të larta), ndërsa pjesa tjetër e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit i është transferuar në pronësi 61 bashkive. Ky mish-mash sjell burokraci të mëdha te menaxhimi i burimeve ujore, pasi shpesh herë problemet e hasura kërkojnë ndërhyrje si nga pushteti lokal edhe nga Bordet Rajonale të Kullimit.
Tjetër problematikë është përdorimi i ujit të rezervuarëve nga HEC-et; uji kalon fillimisht në HEC, i cili e shfrytëzon ujin për energji duke sjellë edhe rënien e nivelit të tij në rezervuar. Këto HEC-e de jure* kanë kufizime për përdorimin e ujit në periudhë (p.sh. nuk lejohet gjatë thatësirave në verë) dhe në sasi, por de facto* këto rregulla nuk zbatohen.
Lëvizja BASHKË do të propozojë kalimin e të gjithë infrastrukturës vaditëse nën një institucion si Bordi Kombëtar i Kullimit dhe Vaditjes për të zgjidhur ngërçet që lindin nga burokracitë dhe paqartësia se cili institucion duhet të ndërhyjë për zgjidhjen e problemit. Në krahun tjetër, duhet rritur patjetër sipërfaqja e vaditshme. Metodat moderne të ujitjes, të cilat maksimizojnë efektin e ujitjes dhe kursejnë ujin duhen subvencionuar nga shteti.
Sektori i industrisë agro-përpunuese
Inxhinieria agro-ushqimore është një hallkë shumë e rëndësishme e zinxhirit vertikal të sektorit bujqësor. Industria e agro-përpunimit të ushqimeve, edhe pse ka potencial për t’u zhvilluar më tej, sidomos në prodhimet bujqësore, kishte një vlerë prodhimi prej 559 milionë euro në vitin 2020, dhe duke marrë në konsideratë ritmet e rritjes ekonomike të vitit 2021 me 8.5%, vlera e prodhimit i ka kaluar të 600 milionë eurot në një vit. Nga viti 2015 deri në 2020, vlera e prodhimit në agro-industri është rritur me 21.6%, ndërkohë që numri i punonjësve zyrtarisht është rritur me vetëm 9%. Të dhënat zyrtare tregojnë se produktiviteti në këtë degë të bujqësisë është rritur më shumë se numri i punonjësve. I gjithë sektori i agro-industrisë punëson rreth 13 mijë punonjës me rritje të numrit me 4.4% në katër vitet e fundit.
Industria agro-ushimore zë rreth 4% të PBB-së, por pjesa më e madhe e saj dominohet nga prodhimi i bukës, një produkt jetik për shqiptarët që ende gjen konsum masiv. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Bujqësisë, në vitin 2020, numëroheshin gjithsej mbi 2400 biznese, por 56% e tyre operojnë në prodhimin e bukës. Ndërsa 12.7% e subjekteve operojnë në prodhimin dhe përpunimin e qumështit dhe produkteve të tij dhe në sektorin e prodhimit të vajit operojnë 7.7% e ndërmarrjeve. Ndërmarrjet agro-ushqimore janë të përqendruara kryesisht në Tiranë (31%), Fier (12%) dhe në Durrës (10%). Numri më i lartë i të punësuarve në industrinë agro-ushqimore ishte në Tiranë (34.8%), e ndjekur nga Durrësi (14.6%) dhe Elbasani (9.5%).
Megjithëse kjo industri ka bërë hapa përpara, nuk është realizuar siç duhet lidhja e saj me prodhimin në fushë. Siç dihet, rrethet më prodhuese në bujqësi janë Fieri, Lushnja, Berati dhe Korça, por shpërndarja e ndërmarrjeve të përpunimit është më e madhe në Tiranë, Fier e Durrës. Shpeshherë fermerët detyrohen të hedhin produktin në kanal pasi nuk kanë mundësi për ta magazinuar apo përpunuar atë për shkak të mungesës së dhomave frigoriferike dhe fabrikave të përpunimit, ose sepse këto të fundit (rasti i blegtorëve të qumështit) ja u marrin me një çmim shumë të ulët.
Në këtë rast, lind nevoja e shoqërimit të zonave produktive me ndërmarrje moderne të përpunimit të produkteve bujqësore. Mund të merren plot shembuj: ngritja e fabrikave të salcës për të shfrytëzuar tepricën e domateve, ngritja e fabrikave të marinadave dhe turshive për perimet, ngritja e fabrikave të ullirit të tavolinës të cilat ndryshe nga ato të vajit të ullirit janë fare të pakta, ngritja e pikave të tharjes së qepës, hudhrës etj.
Lëvizja BASHKË do të nxisë ndërtimin e ndërmarrjeve agro-ushqimore aty ku mungojnë dhe do të rregullojë tregun e shit-blerjes së produkteve ushqimore me ngritjen e bursës së këtyre produkteve, apo krijimin e portaleve për tregtimin me shumicë të tyre. Në këtë mënyrë, ndërmarrjet që abuzojnë me çmimin do të kenë konkurrencë të lartë dhe do të duhet të japin një çmim më të denjë për produktet bujqësore. Me rëndësi të veçantë, do të trajtohet ngritja e industrisë agro-përpunuese në formën e SHBB-ve nga vetë fermerët. Në këtë mënyrë, do të rritet vlera e shtuar e produktit dhe do të sigurohet një cilësi dhe siguri më e lartë e ushqimeve. Në fokus do të jetë edhe certifikimi si i ndërmarrjeve dhe i fermave me standardet e BE-së dhe do të kenë prioritet prodhimi i produkteve organike.
E gjitha kjo do të shoqërohet me një marketing agresiv të ndihmuar nga shteti shqiptar për hapjen e tregjeve të reja. Marketingu dhe shitja e produkteve bujqësore brenda dhe jashtë vendit është po aq jetik sa rritja e prodhimit pasi pa siguruar tregun e shitjes, produktet do të ngelin stok. Shembujt më të mirë vijnë nga Italia dhe Spanja, të cilat kanë punuar fort me emërtimet (markat) e mbrojtura dhe me produktet e mbrojtura të origjinës.
Sigurimi i prodhimit bujqësor
Fermerët në të gjithë Shqipërinë janë shumë të prekur nga ndikimi i kushteve klimatike. Thatësirat e stërzgjatura dhe rrebeshet e breshrit kanë efekte shumë negative në kulturat bujqësore, duke ulur ndjeshëm prodhimin dhe rritur dëmin ekonomik. Fatkeqësisht, fenomene të tilla kanë qenë të shpeshta dhe ndërhyrja e shtetit ka qenë thuajse minimale, për të mos thënë inekzistente.
Lëvizja BASHKË ka në programin e saj zhvillimin e një programi sigurimi të prodhimit bujqësor në shkallë vendi për të mbështetur fermerët në uljen e rrezikut ndaj faktorëve klimatikë (përmbytjeve, thatësirës, breshrit, ngricës) dhe për të mbrojtur investimet e tyre. Fillimisht do të prezantohet një program pilot për një grup kulturash bujqësore, e më pas do të shtrihet në të gjitha kulturat e tjera. Siguracioni do të mbulojë humbjet, prej së cilës, në vitet e para deri në konsolidimin e programit, 50% do ta paguajë shteti dhe 50% kompania siguruese. Shembulli për t’u ndjekur është Kosova, ku kjo praktikë po zbatohet me efikasitet.
IV. Implementimi
Ashtu siç u shtjellua më sipër, sektori bujqësor po bën regres dhe problemet janë të shumta; duke filluar që nga pronësia e tokës, parcelat e vogla për familje, infrastruktura e dobët kulluese dhe vaditëse, mospasja e një strategjie për mbjelljen e kulturave bujqësore në zona të caktuara, mosmbështetja e duhur e blegtorëve dhe fermerëve me subvencione, këshillimi i dobët nga ana e këshilluesve të institucioneve shtetërore, përthithja e ulët dhe abuzimet me fondet IPARD, fiksimi i çmimeve nga pikat e grumbullimit, mekanizimi i ulët, mungesa e industrisë përpunuese afër zonave me prodhim të lartë bujqësor, sigurimi i prodhimit etj.
- Lëvizja BASHKË do ta konsiderojë bujqësinë si një sektor strategjik i cili duhet mbështetur me të gjitha forcat dhe buxheti i dedikuar duhet të shkojë rreth 5%, me një dedikim 70-80% për mbështetje direkte në formën e subvencioneve për të arritur vendet e rajonit.
- Pronësia e tokës; rreth 60% e fermerëve shqiptarë nuk zotërojnë certifikatë pronësie, ndaj pronësia e tokës do të jetë një ndër pikat kryesore, pasi moszgjidhja e kësaj problematike do të sillte dështimin e cilësdo politikë për zhvillimin e bujqësisë dhe zhvillimit rural.
- Do të ngrihet një grup pune për nxitjen e kooperimit të fermerëve dhe formimin e SHBB-ve, e cila do të zgjidhte problematikën e parcelave të vogla familjare. Do të ngrihet një projekt pilot, me ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj për plotësimin e kuadrit ligjor dhe këshilluesish për fermerët. Politikat fiskale duhet të nxisin kooperimin duke e çuar në zero tatimin mbi fitimin dhe për të subvencionuar më fort fermerët që bashkëpunojnë sesa fermerët individualë për të formuar në një rajon prodhues disa forma SHBB si: SHBB grumbulluesish, SHBB përpunuesish dhe marketingu, SHBB inputesh dhe SHBB për mekanikën bujqësore. Vetëm me bindjen e fermerëve se bashkëpunimi do të rrisë prodhimtarinë dhe të ardhurat, mund të ketë sukses politika e bashkëpunimit.
- Do të ushtrohet një kontroll i fortë në Pikat e Grumbullimit për të minimizuar abuzimet. Fermerëve do t’u mundësohen dhoma frigoriferike me çmim të ulët dhe prodhimet e tyre do të blihen nga institucionet shtetërore. Do të barazohet TVSH si në hyrje (shitje nga fermeri) dhe në shitje nga grumbulluesi.
- Do të ngrihet Bordi Kombëtar i Kullimit dhe Vaditjes duke marrë nën përgjegjësi këto sisteme. Do të investohet në riparimin e digave të rezervuarëve dhe pastrimin e tyre, në ngritjen e argjinaturave të lumenjve për të evituar përmbytjet, në pastrimin dhe riparimin e kanaleve kulluese dhe vaditëse.
- Do të investohet fort në stafin e këshilluesve bujqësorë, ku këshilluesit duhet të trajnohen mbi programet e skemës kombëtare dhe fondet IPARD për të këshilluar fermerët sesi të aplikojnë dhe veçanërisht në planet e biznesit dhe impaktin financiar. Trendi i këshillimit do të jetë i drejtuar nga kërkesa dhe i orientuar nga tregu. Do të krijohen manualë praktikë për t’iu shpërndarë fermerëve dhe agro-përpunuesve për teknologjitë, standardet dhe planifikimin e investimeve. Do të nxitet bashkëpunimi midis UBT dhe QTTB-ve për të nxitur kërkimin shkencor dhe aplikimin e teknikave dhe teknologjive të reja në ferma. Më tej, do të përcaktohet një hartë e produkteve bujqësore, ku sipas cilësisë së tokës dhe klimës do të rekomandohen dhe subvencionohen më tepër vetëm një/disa lloje kulturash bujqësore.
- Do të nxitet krijimi i një fabrike inputesh bujqësore, e cila do të siguronte plehra kimikë dhe preparate kimike të cilësisë së lartë, në përputhje me rregulloren e BE-së dhe me çmime më të ulëta se ato të importit. Kjo do të evitonte edhe situatën e monopolit të shitjes së këtyre preparateve jetike për bujqësinë.
- Sigurimi i prodhimit nga fatkeqësitë natyrore si përmbytjet, breshëri dhe thatësirat e tejzgjatura.
- Ndërhyrja e shtetit në sigurimin e kontratave të produkteve bujqësore për SHBB-të. Nxitja me subvencione dhe këshillim e bujqësisë organike dhe e certifikimeve me Praktikat e Mira Bujqësore (GAP), HACCP etj., për eksportet jashtë vendit e sidomos në BE.
V. Kostot financiare
Buxheti total i Republikës së Shqipërisë për vitin 2024 është 735.9 miliardë lekë
Buxheti aktual për bujqësinë: 14.8 miliardë lekë = 0.02 (2%)
48% shpenzime kapitale (mbështetje direkte)
52% shpenzime korrente (për administratën)
Lëvizja BASHKË planifikon një rritje të përshkallëzuar të buxhetit deri në 5% në vitin e katërt sipas shkallës së mëposhtme:
Viti 1 2.5% : 0.025 x 735.9 miliardë lekë = 18.4 miliardë lekë
Viti 2 3.0% : 0.03 x 735.9 miliardë lekë = 22.1 miliardë lekë
Viti 3 4.0% : 0.04 x 735.9 miliardë lekë = 29.4 miliardë lekë
Viti 4 5.0% : 0.05 x 735.9 miliardë lekë = 36.8 miliardë lekë
Deri në vitin e katërt raporti i mbështetjes direkte për fermerin me shpenzimet për administratën do të shkojnë në raportin e mëposhtëm:
70% shpenzime kapitale (mbështetje direkte).
30% shpenzime korrente (për administratën).