Programi qeverisës

2. Shteti social

2.7 Sporti

I. Gjendja e përgjithshme e sportit në Shqipëri

Përveçse aktivitet fizik individual e kolektiv, në ditët e sotme sporti është kthyer edhe në pasion për masat e mëdha të njerëzve. Po kështu, në një botë ku obeziteti dhe izolimi social janë shndërruar në shqetësime serioze, sporti është nevojë elementare për një jetë të shëndetshme. Praktikimi i sporteve mund të të bëjë më të shëndetshëm dhe më të lumtur për shkak të aktivitetit fizik.Marrja me sport kontribuon në zhvillimin e muskujve, koordinimin, shëndetin kardiovaskular dhe përfitime të shumta të tjera që lidhen me parandalimin e sëmundjeve; aktiviteti fizik mund të ndihmojë reduktimin e sëmundjeve kronike, përfshirë sëmundjet kardiovaskulare, diabetin, kancerin, hipertensionin, mbipeshën, depresionin dhe osteoporozën. Të qenët aktiv fizikisht si fëmijë e bën më të predispozuar të vazhdojë të luajë sporte si i rritur, duke promovuar shëndetin e përjetshëm. Në fakt, nuk është vetëm trupi që përfiton nga sportet. Ato kontribuojnë në shëndetin mendor, duke ndihmuar në parandalimin e depresionit dhe rritjen e vetëvlerësimit. Individët që marrin pjesë në ekipe sportive mund të përfitojnë gjithashtu nga aspekti shoqëror, duke zhvilluar miqësi me shokët e ekipit dhe duke u ndier pjesë e një grupi. Fëmijët mund të mësojnë aftësi pozitive të shëndetit mendor, duke përfshirë përgjegjshmërinë, udhëheqjen dhe përkushtimin.

Në përgjithësi numri i fëmijëve që merren me sport në Shqipëri është rritur kohët e fundit. Kjo vjen kryesisht sepse prindërit janë ndërgjegjësuar për përfitimet e sportit në një botë që po bëhet gjithmonë e më shumë virtuale. Në krahun tjetër, mungesa e terreneve sportive dhe e klasave sportive e bën pothuajse të detyrueshëm regjistrimin e fëmijëve në kurse sportive private qoftë edhe për të kaluar kohën. Po ky numër i lartë fëmijësh nuk përkthehet në numër më të lartë sportistësh të regjistruar në ekipe profesioniste. Kjo pasi kur këta fëmijë rriten dhe vihen përballë vështirësive të jetës, si rritje e kostos së jetesës dhe e shpenzimeve për arsim, nuk e kanë më mundësinë të ndjekin sportet me apo pa pagesë. Pra, një studenti që në moshën 18 vjeçare duhet të shpërthejë në sport, mospagesa, apo pagesat që ai merr nga klubi (përjashto futbollin e kategorisë superiore) janë aq të ulëta sa nuk i sigurojnë dot as kostot minimale të jetesës. Duke mos pasur rrugëzgjidhje tjetër, sportistët në formim detyrohen të braktisin sportin për të punuar në çfarëdo lloj pune.

II. Problemet kryesore

Historia e sportit shqiptar krahas vështirësive financiare është e mbushur me plot momente historike. Dikur, sportet e peshëngritjes, mundjes, volejbollit e basketbollit kanë arritur rezultate të paimagjinueshme sot. Kjo ka ndodhur pasi sporti ishte masiv dhe shihej si një rrugë e cila mund të bënte diferencën me profesionet e tjera.

Fatkeqësisht, sporti në Shqipëri prej vitesh po kalon një krizë të thellë në të gjitha aspektet si pasojë e shumë faktorëve që ndërthuren me njëri-tjetrin duke e bërë situatën shumë të rëndë. Investimet shumë të kufizuara nga ana e qeverisë në infrastrukturë, mungesa totale e financave sidomos në sportet e lojërave me dorë apo në sportet individuale, mbajtja e sportit jashtë vëmendjes së politikave zhvilluese dhe më kryesorja mungesa e një ligji të sponsorizimit në sport janë faktorët kryesorë të situatës ku ndodhemi.

Mjaft specialistë kanë lëshuar alarmin për atë që po ndodh në sport sepse të rinjtë gjithmonë e më shumë po largohen nga sporti duke e braktisur atë në mënyrë fatale. Sporti ynë është gjithmonë e më pak konkurrues apo fitues në sporte të veçanta, madje duke humbur terren dhe në ato disiplina ku kemi pasur një lloj tradite dhe kemi lënë gjurmë. Padyshim kriza më e madhe me të cilën ballafaqohet sporti në këtë moment është financimi. Shteti vijon të mbështesë me shifra minimale federatat sportive, fonde këto që nuk mjaftojnë për të mbajtur zyrtarët me paga për të mos përmendur financimin që bëjnë bashkitë me taksat e taksapaguesve shqiptarë që lëshohen si lëmoshë në klubet përkatëse.

Në krahun tjetër, mungesa e terreneve sportive me kushtet e duhura është një gangrenë e cila ka ndikim të madh në zhvillimin e sportit. Dhënia si troje për ndërtimin e pallateve shumëkatëshe e hapësirave dhe fushave sportive, privatizimi i pallateve të sportit, investimet e pakta publike u kanë dhënë fund shumë disiplinave në të cilat shkëlqenim dhe ekipet sportive janë shpërfytyruar në deri në inekzistencë.

Edhe pse qeveria nisi rreth katër vite më parë projektin e klasave sportive, duket se ky program ka pasur një ndikim të kundërt duke reduktuar numrin e ekipeve zinxhirë në lojërat me dorë. Specialistët mendojnë se kjo vjen nga mungesa e pagesave në sportin profesionist dhe mospasja e shembujve. Në vendet e zhvilluara, sportistët elitarë ndiqen si shembuj dhe fëmijët arrijnë të kuptojnë se sakrificat në sport sot, mund të të bëjnë një shembull nesër. Krejt e kundërta ndodh në vendin tonë: kur një i ri (12-15 vjeç) vjen në një ekip zinxhir moshash dhe kupton se lojtarët profesionistë të ekipit paguhen poshtë rrogës minimale (kryesisht 25.000 lekë në muaj), i gjithë pasioni i tij dhe dëshira për të punuar në stërvitje minimizohet. Në vazhdim, kur sportisti arrin moshën 18-19 vjeç dhe do ti duhet të përballet me kostot e jetesës në rritje dhe me shpenzimet për shkollim, do të detyrohet të punojë pasi sporti nuk arrin ti sjellë mjaftueshëm të ardhura. Kjo çon dëm 5-6 vite punë intensive si të lojtarit edhe të trajnerit e klubit.

III. Alternativa e Lëvizjes BASHKË për sportin

Duke qenë se sporti ka përfitime të mëdha në shoqëri dhe në shëndetin publik, ai duhet mbështetur. Lëvizja Bashkë ka në plan një program tejet ambicioz për zhvillimin e sportit dhe masivizimin e tij.

Miratimi i ligjit të sponsorizimeve

Siç e përmendëm më sipër, mungesa e financave është thembra e Akilit e sportit shqiptar sot. Shteti, në pamundësi për të financuar federatat sportive apo klubet me buxhetin e duhur, duhet të lehtësojë mundësinë e financimit nga bizneset. Miratimi i Ligjit të Sponsorizimeve do të bënte të mundur zgjidhjen afatgjatë të këtij problemi. Në këtë rast, një kompani e regjistruar mund të sponsorizojë një klub sportiv me shuma deri në 30% të tatimit mbi fitimin vjetor që ajo paguan, dhe kjo shumë i zbritet kompanisë nga detyrimet që i jepen shtetit.

Ky ligj ka disa vite që aplikohet me sukses në Republikën e Kosovës dhe duket se kjo po sjell frytet e para; masivizimin e sportit dhe arritjet e disa rezultateve shpresëdhënëse në arenën ndërkombëtare. Kjo nuk do të sillte thjesht zhvillim në sport, por do të krijonte hapësira për vende të reja pune për njerëzit më të kualifikuar, do të rriste investimet në infrastrukturë dhe do zgjeronte bazën e atyre që do merreshin me sport.

Investime në infrastrukturën sportive

Në pamje të parë, rikonstruktimi i disa stadiumeve dhe ngritja tek-tuk e ndonjë pallati sporti vënë në dukje një interesim të shtetit për infrastrukturën sportive. Por në fakt, e vërteta është totalisht e kundërta. Shumë pallate sporti, palestra sportive dhe fusha futbolli janë lënë në harresë. Nëse në sportet e tjera është bërë ndonjë investim sa për të “larë gojën”, fushat e futbollit për sportistët e moshave dhe kategorive të ulëta janë zhdukur në favor të pallateve dhe ndërtimeve të cilat sjellin të ardhura për investitorin. Vetëm në Tiranë janë të panumërta fushat sportive të kthyera në beton nga qeveritë e mëparshme. Palestrat që janë rikonstruktuar kanë pasur kosto të frikshme dhe paratë nuk kanë shkuar për zgjidhjen e problematikës, por në fasada dhe teknologji e cila mund të konsiderohet luks për momentin.

Ekipet profesioniste të volejbollit dhe basketbollit dhe ekipet zinxhirë të moshave hasin vështirësi në gjetjen e ambienteve sportive. Pallatet e sportit janë të amortizuara aq sa shpesh herë ndodhin lëndime të sportistëve për shkak të dëmtimit të parketit. Ngrohja me kaldajë e këtyre ambienteve konsiderohet luks dhe shpesh herë në dimër sportistët vuajnë nga kushtet duke u sëmurë. Ekipet zinxhirë nuk sigurojnë dot ambiente për stërvitje dhe pagesat e trajnerëve janë qesharake ndaj në shumë raste fëmijët paguajnë për stërvitje.

Edhe mundja, e cila solli për herë të parë medalje nga dy shtetas rusë të natyralizuar si shqiptarë, ka problematika të theksuara të ambienteve të trajnimit. Nga një vëzhgim i muajve të fundit, ekipet profesioniste të mundjes po kalojnë një situatë të vështirë. Konkretisht, ekipi i Tiranës i bën stërvitjet në një godinë afër një kishe, me një tavan të rënë. Palestra e Durrësit të kthen prapa në mesjetë, e parregulluar, me suva të rënë dhe e pa lyer e me tapet të prishur. E njëjta situatë në Shkodër, ku palestra është vetëm 35 metra katrorë dhe me tapet të çarë ku sportistët rrezikojnë dëmtime; tualet shumë të vogël dhe të parregulluar. Elbasani dhe Korça nuk kanë fare ekip mundjeje. Mungesa e investimeve dhe kushtet e mjerueshme kanë bërë që këto ekipe të zhduken nga qarkullimi.

Lëvizja BASHKË do të investojë në krijimin e kushteve të përshtatshme në palestrat e amortizuara dhe gjithashtu do të tentojë rikuperimin apo shndërrimin e hapësirave të pashfrytëzuara në fusha sportive. Fondet e destinuara do të përdoren me efektshmëri duke mos fryrë kostot me lukse të panevojshme, por duke përdorur me eficiencë buxhetin e dedikuar për këtë infrastrukturë.

Rijetëzimi i klasave sportive

Përpjekjet e fundit të qeverisë për të bashkëpunuar me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) dhe federatat përkatëse të Volejbollit dhe Basketbollit për ngritjen e ekipeve sportive në shkolla dhe masivizimin e sporteve, kanë dështuar.

Në vitin 2022, me një fond total prej 5 milionë eurosh, nisi projekti i sipërpërmendur me objektiv krijim e 700 ekipeve të basketbollit dhe volejbollit me nxënës të shkollave 9-vjeçare në të gjitha bashkitë e vendit. Pretendohet se rreth 10 mijë fëmijë u pajisën me uniforma dhe atlete sportive. Shumica e fondit ka shkuar për këtë zë, çka lë dyshime të forta se paratë kanë përfunduar në xhepat e zyrtarëve me tendera të fryra.

Nga bisedat me specialistët e kontraktuar për të trajnuar fëmijët, u theksua se ata paguheshin me pagesa të ulëta 190 mijë lekë për një vit shkollor, për 90 minuta në ditë, gjashtë ditë në javë (pra 19 mijë lekë në muaj), ndërsa koordinatorët për qarkun (shpesh herë pa asnjë lidhje me sportet dhe të dyshuar për lidhje me partinë në pushtet) merrnin rroga të majme (65 mijë lekë në muaj) për punën që bëjnë.

Sipas tyre, arsyet e dështimit të projektit ishin:

  1. Pagesat shumë të ulëta të specialistëve të trajnimit e cila nuk sillte nxitje për të punuar.
  2. Kërkesa me detyrim për të marrë pjesë jashtë orarit të punës në mbledhje me funksionarë politikë bëri që shumë prej specialistëve të hiqnin dorë nga programi.
  3. Mungesa e materialeve bazë për trajnimin: mungesë e koshave të basketbollit, e rrjetës, piketave apo materialeve të tjera me të cilët specialistët ishin trajnuar paraprakisht.
  4. Mungesa e trajtimit të sportistëve të talentuar që evidentoheshin si premtues për të ardhmen bëri që shumë prej tyre në pamundësi ekonomike ta braktisnin sportin. Duhet pasur parasysh se një nxënës që stërvitet duhet të ushqehet më mirë se të tjerët.

Në përfundim, nuk ka asnjë raport të detajuar si të shpenzimeve dhe të arritjeve për sportet përkatëse për të bërë bilancin. Gjithsesi, ekziston një perceptim i përgjithshëm se numri i fëmijëve që vazhdojnë trajnimin është shumë më i ulët se 10 mijë. Kjo vërtetohet nga zvogëlimi i numrit të ekipeve zinxhir në sportet përkatëse. Ndërkohë që pas 2 vitesh e gjysmë, sportistët e shkollave duhet të ishin transferuar në ekipet zinxhirë të klubeve sportive dhe për pasojë duhet të kishte një rritje në numrin e këtyre të fundit, vitin e fundit është vënë re e kundërta: numri i ekipeve është zvogëluar.

Në fakt, rasti i financimit me shifra tejet të larta i sportit amator vështirë se gjen precedent në vendet e tjera. Është pa mend mbështetja e sportit amator, kur nuk mbështet sportin profesionist. Ideja është se fëmija apo prindi i fëmijës që i ke falur uniformën dhe supozohet se do të trajnohet në shkollë, kur merr vesh se si paguhet sportisti profesionist, dekurajohet, ndaj edhe fëmija e braktis stërvitjen. Logjikisht, duhet mbështetur sporti profesionist, që të luajë rolin e modelit dhe të jete nxitje edhe për fëmijët.

Lëvizja BASHKË ka në programin e saj rijetëzimin e klasave sportive. Për këtë duhen korrigjuar gabimet e qeverive të kaluara. Fillimisht, specialistëve të trajnuar paraprakisht duhet ti sigurohet një pagesë e denjë për punën që kryejnë dhe infrastruktura e nevojshme për trajnim. Ky program shkon në të njëjtën linjë me propozimet e Lëvizjes Bashkë për shkollimin me orar të zgjatur. Presioni për të marrë pjesë në mbledhjet e partisë është totalisht abuzues në një vend demokratik. Më tej, paratë që qeveria aktuale i çon në uniforma me çmime të fryra do të shkojnë për trajtimin minimal ushqimor për nxënësit që ushtrojnë aktivitet fizik dhe do të nxitet lidhja e sportistëve më premtues me ekipet zinxhirë të sporteve të ndryshme.

IV. Implementimi

Lëvizja BASHKË sheh te sporti një fushë e cila mund të ndikojë pozitivisht në shëndetin fizik dhe mendor të fëmijëve dhe tek brezat e ardhshëm. Sporti profesionist duhet të promovohet me pagesa të denja dhe ai amator duhet të masivizohet te fëmijët.

Për zhvillimin e sportit duhen marrë masat e mësipërme:

  1. Miratimi i ligjit të sponsorizimeve duke i ulur deri në 30% të tatimit mbi fitimin kompanive që investojnë në të.
  2. Rehabilitimi dhe ndërtimi i palestrave sportive dhe fushave të futbollit si për ekipet profesioniste dhe të moshave.
  3. Rijetëzimi i klasave sportive në shkolla.
  4. Pagesave dinjitoze dhe ofrimi i kushteve optimale për specialistët që do të punojnë në këto projekte.
  5. Stimulimi me bazë materiale dhe ushqim i sportistëve në shkolla dhe lidhja me ekipet zinxhir.