Programi qeverisës

2. Shteti social

2.3 Shëndetësia

E drejta për kujdes shëndetësor është një nga parimet themelore të shtetit social dhe një prej arritjeve më të mëdha të njerëzimit. I konsideruar deri vonë si një e mirë që mund t’u sigurohej me cilësi vetëm atyre që kishin mundësi të paguanin, kujdesi shëndetësor ka bërë hapa të jashtëzakonshëm në vendet e zhvilluara. Në Shqipërinë e dekadave të fundit, fatkeqësisht, pavarësisht frymës kushtetuese të objektivave socialë që flasin për standardin më të lartë shëndetësor, kujdesi shëndetësor konsiderohet si një mall i çfarëdoshëm, për “konsumin” cilësor të të cilit qytetarët duhet të paguajnë mbi dorë dhe nën dorë gjithnjë e më shtrenjtë.

Lëvizja BASHKË frymëzohet nga arritjet më të rëndësishme të sistemit shëndetësor publik në vendet e zhvilluara dhe sociale të Evropës, sidomos prej parimeve themeltare të Shërbimit Shëndetësor Kombëtar (NHS) në Mbretërinë e Bashkuar, në Statutin e të cilit që prej vitit 1948 shkruhet se sistemi shëndetësor duhet “të plotësojë nevojat e gjithkujt, të jetë falas në pikën e përfitimit dhe duhet të bazohet në nevojën mjekësore dhe jo në aftësinë e qytetarit për të paguar.”

I. Gjendja dhe problemet e sistemit shëndetësor në Shqipëri

Nga pikëpamja e rregullimit ligjor dhe institucional, sistemi shëndetësor në Shqipëri ngërthen parimet e mbulimit pjesërisht universal të qytetarëve dhe të kontributeve të sigurimeve shëndetësore nga të punësuarit. Kjo ndërthurje parimesh reflektohet edhe në modelin e financimit, ku një pjesë e kostos së shërbimeve shëndetësore në institucionet publike mbulohet drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit, kurse pjesa tjetër vjen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Pavarësisht dy burimeve të financimit, niveli i përgjithshëm i financimit publik të kujdesit shëndetësor është mjaft më i ulët se nevojat e shoqërisë dhe akoma më i ulët nëse krahasohemi me vendet e zhvilluara ose me vendet e tjera të rajonit. Në vitin 2024 Shqipëria harxhoi 3.42% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për shëndetësinë, e cila është shumë e ulët krahasuar me vendet e zhvilluara të OECD (8.8% të PBB që përpara pandemisë). Edhe vendet e rajonit kanë një nivel shpenzimesh për shëndetësinë mbi dyfishin e Shqipërisë. Një nga shkaqet e këtij niveli tejet të ulët të shpenzimeve për shëndetësinë vjen nga informaliteti në punë, ku rreth gjysmës së forcës punëtore në Shqipëri nuk u paguhen as sigurimet shoqërore, as sigurimet shëndetësore. Këto të fundit zënë vetëm 23% të buxhetit që shpenzohet për shëndetësinë publike.

Sipas Open Data Albania, një punonjës me pagë mesatare paguan detyrime të sigurimeve shëndetësore dhe taksa që shkojnë për shëndetësinë publike 3600 lekë në muaj, por merr në këmbim shpenzime publike për shëndetësinë vetëm 2300 lekë, shenjë kjo e një padrejtësie sociale.

Grafik qe tregon qe paguhet e njejta sasi lekesh per te gjitha llojet e pagave
Figura 21: (Burimi: Open Data Albania)

Pavarësisht nivelit të ulët të financimit publik të shëndetësisë, qeveria aktuale ka zgjedhur që një pjesë të rëndësishme të buxhetit ta shpërdorojë në katër koncesione korruptive. Kostoja për buxhetin e këtyre koncesioneve (sterilizimi, hemodializa, kontrolli mjekësor bazë dhe shërbimet laboratorike) për vitin 2023 arriti në 5.3 miliardë lekë, ose 9.3% të Fondeve të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor. Sipas studimeve kritike, edhe në vendet me shërbim shëndetësor dhe institucione mbikëqyrëse shumë më të forta se Shqipëria (p.sh. Mbretëria e Bashkuar), versioni i PPP në shëndetësi rezulton më i shtrenjtë (+2% deri në +3.75%) se mënyrat normale të financimit publik të shërbimeve shëndetësore. Po ashtu partneri privat në këto koncesione ka pozitë shumëvjeçare monopoli dhe kontrata nuk mund të rinegociohet pavarësisht problemeve që mund të dalin në zbatimin e saj.

Në investimet publike, përveç koncesioneve, mbizotërojnë shpenzimet në infrastrukturë. 85% e investimeve publike për kujdesin shëndetësor parësor dhe 56% e investimeve për kujdesin shëndetësor dytësor shkojnë për ndërtim dhe rikonstruktim godinash, duke lënë pas dore investimet në aparatura moderne dhe të mjaftueshme ekzaminuese. Niveli tejet i ulët i këtyre të fundit, prishjet e shpeshta dhe abuzimet nga punonjës të papërgjegjshëm kanë sjellë radhë të gjata në spitalet publike, çka i shtyn pacientët të kërkojnë shpëtim në spitalet tejet të shtrenjta private.

Kohët e fundit qeveria po synon të zbatojë një model të ri të financimit publik të shëndetësisë. Ky model do ta thellojë praktikën e koncesioneve, ku buxheti i shtetit blen shërbime shëndetësore afatgjata nga sipërmarrjet private. Edhe më skandaloz pritet të jetë financimi i drejtpërdrejtë i spitaleve fitimprurëse private, sipas modelit famëkeq “paraja ndjek pacientin”, çka do të sillte shkatërrimin përfundimtar të spitaleve publike. Sipas këtij modeli, të zbatuar në disa vende të tjera, do të krijoheshin dy nivele spitalesh: (i) spitale publike që do të ofronin shërbim bazik të një cilësie të ulët për qytetarët që nuk kanë mundësi të paguajnë dhe (ii) spitale private ku qytetarët me të ardhura më të larta do të merrnin shërbim cilësor. E ashtuquajtura autonomi spitalore do të sjellë pasigurinë financiare të spitaleve publike, do t’i nxiste spitalet të mbitrajtonin të sëmurët dhe t’i mbanin sa më gjatë të shtruar për të përfituar sa më shumë fonde publike dhe do të legalizonte korrupsionin e punonjësve të shëndetësisë, duke u mundësuar të merrnin pagesa të drejtpërdrejta nga pacientët kur t’u ofronin atyre shërbim shëndetësore jashtë (!) orarit të punës brenda mjediseve të spitaleve publike.

Pagesat nga xhepi dhe barnat

Për shkak të korrupsionit, financimit të pamjaftueshëm të shëndetësisë publike dhe abuzimeve të shumanshme, qytetarët shqiptarë duhet të paguajnë nga xhepi për kujdesin shëndetësor më shumë se shoqëritë e tjera evropiane. Shëndetësia falas mbetet një parullë propagandistike, pa lidhje me pagesat reale dhe gjendjen ekonomike të shoqërisë shqiptare. Sipas të dhënave të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, pagesat nga xhepi mbulojnë 59.7% të shpenzimeve shëndetësore të qytetarëve shqiptarë. Sipas një tjetër metodologjie, që nuk konsideron si shpenzime nga xhepi pagesën e sigurimeve shëndetësore, pagesat nga xhepi të qytetarëve shqiptarë llogariten nga 40% deri në 44% të shpenzimeve shëndetësore. Në të gjitha rrethanat, shifra të tilla janë mjaft më të larta se ato që paguajnë qytetarët e vendeve mjaft më të begata të OECD, ku pagesat nga xhepi sillen rreth 20%. Në vendet më të zhvilluara, si p.sh. në Francë apo në Holandë niveli i pagesave nga xhepi është 10%.

Për shkak të nivelit tejet të lartë të punëtorëve të pasiguruar dhe të papunëve, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë duhet të paguajë edhe formalisht për analizat diagnostike, kujdesin e specializuar dhe barnat mjekësore. Po të shtojmë edhe koston e korrupsionit dhe disfuksionalitetit të spitaleve publike, barra bëhet edhe më e rëndë. Edhe të siguruarit duhet të bashkëpaguajnë 50% të barnave me recetë ambulatore. Bashkëpagesat janë të pashmangshme edhe për personat që jetojnë në kushte varfërie (nuk ka përjashtime për familjet me ndihmë ekonomike) dhe për të sëmurët kronikë.

Në këtë kontekst, pjesa më e madhe e pagesave nga xhepi vjen prej blerjes së ilaçeve. Për shembull në vitin 2022 qytetarët shqiptarë paguan nga xhepi 61% të çmimit të barnave të importuara. Pavarësisht nevojave në rritje të një popullsie në plakje të vazhdueshme për shkak të emigrimit masiv dhe uljes së lindshmërive, nga 4067 ilaçe të përdorshme zyrtarisht në Shqipëri vetëm rreth 30% e tyre përfshihen në listën e barnave të rimbursueshme për kategori sociale si pensionistët. Ky problem është mjaft më i rëndë në trajtimin e sëmundjeve kancerogjene. Për shembull, sipas statistikave të IQVIA-s, në listën e barnave të rimbursueshme të onkologjisë janë vetëm 3 barna nga 46 të mundshme.

Në listën e barnave të rimbursueshme shumë rrallë gjen barna cilësore të prodhuara në vitet e fundit. Muajt e fundit barnat e prodhuara në vendet e zhvilluara perëndimore janë zëvendësuar në listën e rimbursueshme nga barna më të lira të prodhuara në Turqi. Ligji aktual për barnat dhe shërbimin farmaceutik rrit riskun për falsifikime të barnave të importuara paralelisht si dhe importin e barnave të pasigurta. Gjithashtu duhet theksuar se mungesa e strukturave monitoruese efektive të farmako-vigjilencës vështirëson vlerësimin e sigurisë së barnave të importuara.

Gjatë viteve të fundit janë ulur relativisht edhe shpenzimet buxhetore për rimbursimin e barnave. Sipas revistës Monitor, në vitin 2013 shpenzimet për rimbursimin e barnave ishin sa 2,1% e shpenzimeve totale buxhetore. Në vitin 2024 ky raport u përkeqësua në vetëm 1,6%.Edhe këto shifra tregojnë për neglizhencën qeveritare ndaj shëndetësisë publike.

Nga ana tjetër, mungesa e një pjese të barnave në spitalet publike i shtrëngon mjekët që të mos i respektojnë gjithmonë protokollet e trajtimit mjekësor.

Infrastruktura spitalore

Gjendja e infrastrukturës shëndetësore është gjithashtu përplot me probleme. Nëse marrin në konsideratë numrin e shtretërve në spitale për 100,000 banorë, Shqipëria ka 340 shtretër të tillë. Vendet e Bashkimit Evropian kanë 516 shtretër për të njëjtin numër banorësh. Ky hendek është edhe më problematik nëse mendojmë se popullsia e Shqipërisë bie me dhjetëra mijëra banorë çdo vit për shkak të emigracionit.

Nga ana tjetër, mungojnë në masë të konsiderueshme aparaturat moderne mjekësore në spitalet publike. Sipas organizatës RAD-AID International, “Shqipëria ka boshllëqe të mëdha të diagnostifikimin sipas imazherisë dhe skanimit për shkak të aparaturave të pamjaftueshme dhe trajnimit të paplotë të personelit mjekësor. Në të gjithë vendin ka rreth 30 radiologë... Spitali Nënë Tereza, i cili trajton 90% të rasteve të kancerit, është i vetmi spital publik që siguron terapi radiologjike.” Gjendja është edhe më e rëndë se ç’tregojnë statistikat. Për shkak të numrit të pamjaftueshëm dhe mbingarkimit të aparaturave ekzaminuese dhe korrupsionit të një pjese të personelit mjekësor, aparaturat ekzaminuese dëmtohen shpesh, ose të paktën deklarohen të tilla. Çka i detyron pacientët me sëmundje të rënda të shkojnë drejt spitaleve fitimprurëse dhe të shtrenjta private.

Mangësi të mëdha ka edhe shërbimi i transportit të shpejtë të të sëmurëve drejt urgjencave. Aktualisht ka vetëm një helikopter, në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, që mund të përdoret për transport të sëmurësh vetëm ditën. Nga ana tjetër, vihet re një degradim i autoambulancave si për sa u përket mjeteve, ashtu edhe medikamenteve që mbajnë me vete. Problemet në mirëmbajtjen e autoambulancave dhe mungesa e koordinimit midis autoriteteve qendrore dhe lokale sjell vonesa dhe mangësi në ofrimin e shërbimit të urgjencës kombëtare, veçanërisht në zonat rurale. Ka mangësi të rëndësishme edhe në autoambulancat ndërspitalore, ku nuk kryhet sipas modaliteteve të veçanta transporti i pacientëve që kanë nevojë për kujdes intensiv, foshnjave (mungojnë tërësisht autoambulancat neonatale) dhe fëmijëve.

Personeli mjekësor

Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve për numër popullsie në të gjithë Evropën. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në vendin tonë ka 18.8 mjekë për 10,000 banorë. Për krahasim, vendet e BE kanë 41 mjekë për 10,000 banorë. Edhe vende të rajonit si Serbia kanë thuajse dyfishin e mjekëve për të njëjtin numër banorësh krahasuar me Shqipërinë: 36.7.

Arsyeja kryesore e kësaj gjendjeje të patolerueshme është emigrimi masiv i mjekëve, sidomos në moshë të re, nga Shqipëria. Sipas studimeve, mbi 1000 mjekë të diplomuar në Shqipëri janë larguar nga vendi gjatë viteve të fundit. Po ashtu, ekspertët e fushës (Gëdeshi, King) tregojnë se pas anketave me personelin mjekësor që punon sot në Shqipëri, 40% e tyre duan të largohen nga Shqipëria. Kjo përqindje është më e lartë te mjekët në moshë të re dhe, midis tyre, ka një dëshirë më të madhe për t’u larguar mes mjekëve që paguhen më pak.

Arsyeja kryesore që i shtyn mjekët drejt largimit janë pagat ende të ulëta të personelit mjekësor në Shqipëri. Për shembull, paga bruto e një mjeku specialist në Gjermani (ku synojnë të emigrojnë pjesa më e madhe e mjekëve shqiptarë) është 7.4 herë më e lartë se paga bruto e kolegut të tij që punon në Shqipëri. Nga ana tjetër, edhe raporti i pagave të mjekëve me pagën mesatare është më i favorshëm në vendet e zhvilluara. Paga bruto e një mjeku specialist në Shqipëri është 2.3 herë më e lartë se paga mesatare bruto. Në Gjermani ky raport është 3.1.

I njëjti problem është edhe me mjekët e përgjithshëm dhe infermierët. Paga mesatare e një mjeku të përgjithshëm në Shqipëri është 5.3 herë më e ulët se në Francë. Edhe krahasuar me pagën mesatare bruto në Francë, mjekët e përgjithshëm paguhen 2.1 herë më shumë se paga mesatare bruto e atij vendi. Në Shqipëri paga bruto e mjekëve të përgjithshëm është 1.7 herë më e lartë se paga mesatare bruto në ekonominë e vendit. Po të marrim pagën mesatare të infermierëve, këta të fundit paguhen 3.4 herë më pak se në një vend të zhvilluar si Gjermania.

Në vendet e rajonit spikatin për paga dinjitoze vende si Rumania, Mali i Zi, Sllovenia dhe Kroacia, të cilat mund të merren si objektiva të një politike të re pagash dhe shërbimi mjekësor për vendin tonë.

Plotësimi i nevojave shëndetësore

Për shkak të problemeve të mëdha infrastrukturore dhe korrupsionit, kujdesi shëndetësor që marrin qytetarët në Shqipëri lë shumë për të dëshiruar. Një nga treguesit e cilësisë së kujdesit shëndetësor është numri i vizitave mjekësore që kryen mesatarisht një qytetar gjatë një viti. Sipas të dhënave zyrtare, në Shqipëri qytetari ka mesatarisht 3 kontakte me mjekët në vit. Në vendet e zhvilluara të OECD kjo shifër është 6. Për shkak të varfërisë (pamundësi për të paguar taksën e korrupsionit) dhe numrit të pamjaftueshëm të mjekëve, qytetarët u drejtohen farmacistëve si konsulentë mjekësorë. Në raste të tjera i referohen mjekësisë popullore. Ndërkohë që nuk janë të pakta rastet ku qytetari në nevojë u dorëzohet sharlatanëve.

Nga ana tjetër, shërbimi dentar në Shqipëri është thuajse tërësisht i pambuluar nga institucionet publike. Kostot e larta të kurimit të dhëmbëve bëjnë që shumë qytetarë, sidomos më të varfrit, të kenë një shëndet dentar të degraduar.

Cilësia e shërbimit shëndetësor në Shqipëri del në pah edhe prej numrit të qytetarëve që raportojnë se nuk arrijnë dot t’i plotësojnë nevojat e tyre për kujdes shëndetësor. Në anketat e fundit të realizuara në Shqipëri, mbi 20% e qytetarëve janë përgjigjur se nuk kanë arritur dot t’i plotësojnë nevojat e tyre për kujdes shëndetësor. Për krahasim, në vendet e zhvilluara të OECD numri i qytetarëve që raportojnë nevoja të paplotësuara është 2.3%.

II. Alternativa e Lëvizjes BASHKË

Lëvizja BASHKË synon ta shndërrojë kujdesin shëndetësor nga një mall gjithnjë e më të papërballueshëm në një të drejtë themelore të njeriut, e cila duhet të gëzohet në nivelin më të lartë të mundshëm të cilësisë nga të gjithë qytetarët. Për pasojë, kujdesi shëndetësor në të gjitha nivelet do të përfshijë të gjithë qytetarët (parimi i universalitetit), pa lënë pas dore as ata që nuk janë të përfshirë në skemën e detyrueshme të pagesës së sigurimeve shëndetësore.

Parandalimi i sëmundjeve

Rëndësi parësore ka parandalimi i sëmundjeve dhe nxitja e një jete sa më të shëndetshme nga qytetarët, duke mundësuar, ndër të tjera, edhe reduktimin e kostove që mban shoqëria për mbajtjen në këmbë të një sistemi shëndetësor cilësor dhe gjithëpërfshirës. Në këtë kuadër është e rëndësishme që zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm të ndërthuret me mbrojtjen e mjedisit dhe reduktimin e ndotjes. Nuk duhet harruar se mijëra qytetarë vdesin çdo vit vetëm në Tiranë nga sëmundjet e shkaktuara nga ndotja e ajrit. Ky problem ndihet edhe në rrafsh global, duke pasur, ndër të tjera, edhe një kosto ekonomike prej 1% të PBB global në terma të kujdesit shëndetësor, produktit bujqësor dhe ditëve të munguara të punës. Nga ana tjetër, duke marrë shembullin e vendeve të përparuara të Evropës, Lëvizja BASHKË do të vendosë një taksë sheqeri (për produkte që përmbajnë më shumë se 8 gramë sheqer), e cila do të ketë për qëllim të kufizojë konsumin e produkteve të pashëndetshme për qytetarët.

Rritja dhe ribalancimi i shpenzimeve për shëndetësinë

Objektivi i Lëvizjes BASHKË është që niveli i shpenzimeve për shëndetësinë të arrijë në 6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke iu afruar kësisoj mesatares së shpenzimeve për shëndetësinë të vendeve të rajonit. Rritja e shpenzimeve për shëndetësinë publike do të mundësohet nga lufta e paepur ndaj korrupsionit (shih më poshtë qëndrimin ndaj koncesioneve!) dhe shpërdorimeve, por edhe duke nxitur formalizimin e marrëdhënieve të punës dhe pagesën e sigurimeve shëndetësore.

Në këtë kuadër do të hetohen me imtësi dhe anulohen sa më parë të jetë e mundshme koncesionet korruptive në shëndetësi. Qëllimi është kursimi dhe fuqizimi i institucioneve shëndetësore publike të cilat, me cilësi dhe transparencë, do të japin shërbimet mjekësore që deri më sot i kanë dhënë kontraktorët korruptues privatë.

Rrjedhojë e fuqizimit të institucioneve shëndetësore publike është edhe zmbrapsja e politikave privatizuese financiare aktuale, të cilat synojnë të rrisin llojet dhe nivelin e financimit nga buxheti i shtetit për sipërmarrjet shëndetësore private.

Nga ana tjetër zotohemi për një ribalancim të shpenzimeve buxhetore. Investimet e deritanishme janë përqendruar kryesisht në infrastrukturë dhe rikonstruksionet e objekteve, por mjaft më pak në pajisje mjekësore dhe teknologji të reja që përmirësojnë drejtpërdrejt cilësinë e kujdesit shëndetësor. Për të zgjidhur këtë, nevojitet një ribalancim i buxhetit, duke rritur ndjeshëm fondet për pajisje mjekësore, inovacion teknologjik dhe përmirësimin e shërbimeve që u përgjigjen nevojave të qytetarëve.

Barna cilësore dhe të përballueshme

Rritja e rëndësishme e buxhetit për shëndetësinë do të ketë si një prej objektivave të saj mbulimin sa më të madh të nevojave shoqërore me barna cilësore dhe të përballueshme. Në këtë kuadër do të shtohet ndjeshëm numri i barnave cilësore të rimbursueshme (të prodhuara në vende dhe kompani me reputacion global), duke u dhënë përparësi sëmundjeve onkologjike. Në listën e rimbursueshme do të futen edhe ilaçet me përdorim akut. Në kategoritë sociale që do të përfitojnë falas barna do të futen edhe përfituesit e ndihmës ekonomike, grupet e margjinalizuara, të gjithë personat me aftësi të kufizuara, si dhe pacientët me sëmundje të rënda.

Do të ulen gjithashtu në 30% bashkëpagesat për qytetarët me të ardhura të mesme e të ulëta që paguajnë sigurimet shëndetësore. Masa mbështetëse në bashkëpagesa do të ketë edhe për ata qytetarë të cilët nuk janë të përfshirë në skemën e pagesës së sigurimeve shëndetësore. Përqindje të ulët bashkëpagesash do të kenë gjithashtu pacientët që vuajnë nga sëmundje kronike, e cila do të ndryshojë në varësi të rëndësisë së barit thelbësor ose opsional.

Nga ana tjetër, Lëvizja BASHKË do të mundësojë fuqizimin e kontrolleve laboratorike dhe të farmako-vigjilencës, duke i dhënë përparësi importimit të barnave patentë të prodhuara në vendet e Bashkimit Evropian.

Pagat dhe kushtet e punës së personelit mjekësor

Emergjenca kombëtare e largimit të mjekëve dhe infermierëve mund të përballohet vetëm përmes shtimit të numrit të mjekëve e infermierëve, rritjes serioze të pagave të punonjësve të mjekësisë dhe përmirësimit të kushteve të punës së tyre.

Shqipëria ka nevojë t’u afrohet standardeve të vendeve të tjera për sa i përket numrit të mjekëve dhe infermierëve në raport me popullsinë. Kjo mund të arrihet jo vetëm me shtimin e kuotave në Universitetin Mjekësor të Tiranës, por edhe përmes rritjes së numrit të mjekëve në institucionet shëndetësore publike. Po mbi të gjitha duhet frenuar emigrimi masiv i mjekëve dhe infermierëve, duke përmirësuar kushtet e punës së tyre. Një nga masat që do të merren është pagesa e stazhit 1-vjeçar për studentët e mjekësisë. Po ashtu do të vendoset drejtësi në kriteret me anë të të cilave zgjidhen specializantët dhe bëhet shpërndarja territoriale e mjekëve. Merita dhe korrektesa në ushtrimin e profesionit do të jenë kriteret e vetme të specializimit dhe punësimit të mjekëve.

Rritja e numrit të mjekëve dhe infermierëve do t’u mundësojë punonjësve të shëndetësisë të kenë një barrë më të përballueshme të punës në orar dhe intensitet.

Duke marrë shembujt më të mirë të vendeve të Evropës dhe të rajonit, Lëvizja BASHKË zotohet që të përmirësojë raportet midis pagave të mjekëve dhe infermierëve dhe pagës mesatare në vend. 3:1 për mjekët specialistë, 2.2:1 për mjekët e përgjithshëm dhe 1.5:1 për infermierët. Propozojmë që paga bruto e mjekut specialist të jetë 225,342 lekë në muaj; paga mujore e mjekut të përgjithshëm të jetë 165,250 lekë; paga e infermierit të jetë 112,671 lekë në muaj.

Përmirësimi i ndjeshëm i kritereve të rekrutimit, i kushteve të punës dhe i pagave të mjekëve dhe infermierëve do të shoqërohet me rritjen e kërkesës së llogarisë për kujdes cilësor dhe të përkushtuar ndaj pacientëve, duke luftuar pa asnjë kompromis korrupsionin dhe abuzimet me pacientët.

Nga ana tjetër është e nevojshme mbështetja financiare publike për studiuesit e mjekësisë, duke nisur nga doktorantët të cilët detyrohen ta mbajnë vetë barrën financiare të studimeve të tyre. Po ashtu Lëvizja BASHKË do të shtojë numrin dhe do të vendosë rregulla të forta meritokratike për specializantët e mjekësisë, duke nxitur njëkohësisht rritjen e përgjegjësisë nga ana e profesorëve që drejtojnë specializantët.

Përgjegjësia dhe pjesëmarrja

Sistemi shëndetësor në Shqipëri ka nevojë për një reformim të thellë të mënyrës së qeverisjes së institucioneve shëndetësore dhe një ndryshim të fortë të etikës dhe përgjegjësisë përpara qytetarëve. Burokracia e korruptuar dhe klienteliste që administron sot spitalet publike duhet të zëvendësohet nga trupa administrativë që reflektojnë frymën e qeverisjes në rrjet. Specialistët e administrimit dhe njohurive mjekësore duhet të ndërtojnë marrëdhënie bashkëvendimmarrëse dhe konsultative me përfaqësues të shoqërisë, duke nisur nga ata që e pësojnë më shumë: pacientët. Një vend të rëndësishëm në bashkëvendimmarrje, monitorim dhe vlerësim duhet të zënë edhe përfaqësuesit e institucioneve të tjera të pavarura dhe autonome, duke nisur nga universitetet dhe vazhduar me përfaqësuesit e organizmave sociale që lidhen me shëndetin, mjedisin, mbrojtjen e konsumatorit, të drejtat e njeriut etj. Po aq e rëndësishme është ngritja e mekanizmave të mbledhjes së shqetësimeve, monitorimit dhe vlerësimit nga familjarët e pacientëve.

Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë do të fuqizojë ndërveprimin me institucionet e tjera publike, si për shembull Ministria e Mjedisit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, pushteti vendor etj., për të parandaluar sëmundjet dhe përmirësuar shërbimet shëndetësore.

Politikat për shëndetin mendor

Lëvizja BASHKË njeh rëndësinë gjithnjë e më të madhe të problemeve të shëndetit mendor. Në këtë fushë synojmë integrimin e programeve të promovimit dhe parandalimit të problemeve të shëndetit mendor, duke filluar me vizitat në shtëpi dhe në qendrat ambulatore të kujdesit të nënës dhe fëmijës, si dhe duke hartuar programe të dedikuara për promovimin e shëndetit mendor pozitiv të fëmijëve dhe adoleshentëve në shkolla. Nga ana tjetër, do të përfshihen shërbime të dedikuara për shëndetin mendor në universitete dhe vende pune, si dhe rifuqizimi i rolit të mjekut të familjes në këtë fushë. Një tjetër masë do të jetë ngritja e qendrave te specializuara për hartimin e politikave, zhvillimin e studimeve kërkimore si dhe monitorimi për shërbimet e shëndetit mendor. Po ashtu do të mundësohet ristrukturimi i shërbimit psikiatrik drejt rehabilitimit të pacientit dhe përfshirja e tij në shoqëri përtej thjesht trajtimit medikamentoz. Koncepti i spitalit psikiatrik si burg duhet t’i lërë vendin shërbimeve të specializuara për shëndetin mendor.

Lëvizja BASHKË propozon gjithashtu shtimin e Qendrave Komunitare të Shëndetit Mendor, duke mundësuar një shpërndarje më të ekuilibruar gjeografike. Po ashtu duhet të krijohen kushtet që mjekët që t’i ndjekin pacientët e tyre në spitalet ku shtrohen. Është e domosdoshme njëherazi edhe rekrutimi i mjekëve psikiatër të specializuar për trajtimin e problemeve të fëmijëve dhe adoleshentëve.