Programi qeverisës
2. Shteti social
2.2 Kujdesi social
Shqipëria mbetet një prej vendeve më të varfra të Evropës. Varfëria është e shtrirë dhe e thellë, duke privuar një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë nga mundësitë ekonomike dhe gëzimi i plotë i të drejtave civile e politike.
Problemet dhe shkaqet e tyre
A. Varfëria dhe ndihma ekonomike
Në vendin tonë 30% e popullsisë jeton me 6.85 dollarë (e më pak) në ditë, krahasuar me 2% të kësaj shifre në vendet e Bashkimit Evropian. Sipas të dhënave nga Anketa e Buxhetit të Njësive Ekonomike familjare, shpenzimet mesatare të një familjeje prej 3.7 personash janë 88,367 lekë. Çka do të thotë se niveli mesatar i shpenzimeve ditore për një person është 796 lekë. Edhe në treguesit e tjerë të varfërisë Shqipëria lëngon. Për shembull, në vendin tonë numri i qytetarëve që jetojnë nën kufirin e rrezikut për të qenë të varfër është 576.316. Qytetarët thellësisht të privuar materialisht kriter që mat mungesat e katër nga nëntë kategoritë e privimit material përbëjnë 33.2% të shoqërisë, kurse qytetarët thellësisht të privuar nga ana materiale dhe sociale ku përfshihen shtatë mungesa nga 13 kategori të privimit material përbëjnë 37% të shoqërisë. Nëse përdoren kriteret më të përparuara të rrezikut për të qenë të varfër ose përjashtimit social (të përcaktuara sipas objektivave të BE 2030: privimi i thellë material, rreziku për të qenë i varfër dhe intensiteti shumë i ulët i punësimit), atëherë shifra arrin në nivelin tejet shqetësues të 44.5%.
Ky nivel varfërie ka shkaqe të thella, që nisin me modelin e keqzhvillimit të deritanishëm, i cili sjell papunësi dhe popullsi ekonomikisht joaktive, intensitet shumë të ulët punësimi, mungesë të investimeve në sektorët produktivë, nivel të ulët të produktivitetit të punës, korrupsion të thellë e kapje të shtetit dhe pamjaftueshmëri të politikave të mbështetjes sociale.
Një nga treguesit e pamjaftueshmërisë së politikave sociale është modeli dhe niveli i ndihmës ekonomike që institucionet e sotme publike japin për më të varfrit. Niveli maksimal i ndihmës ekonomike për familjet në Shqipëri ku përfshihen familjet me dy të rritur dhe tre fëmijë është 5760 lekë. Pra 1152 lekë në muaj (ose 38,4 lekë në ditë) për frymë njeriu. Në këto kushte varfërie ekstreme jetojnë 56,528 familje në Shqipëri.
Politikat e integrimit në punë të anëtarëve në moshë pune të kësaj kategorie shoqërore kanë mbetur në letër. Shumë pak syresh janë të integruar në programet e punës publike dhe thuajse nuk ekzistojnë të punësuar të kësaj kategorie në kompanitë që fitojnë prokurime publike. Sikundër ka një hendek të madh midis pretendimeve të qeverisë për kurse të arsimimit dhe kualifikimit profesional dhe përfshirjes së të varfërve nga familjet me ndihmë ekonomike në këto programe.
Niveli shumë i lartë i informalitetit në punë, nga njëra anë, rrit artificialisht numrin e familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike (sipas legjislacionit në fuqi), duke reduktuar nivelin mesatar të ndihmës ekonomike. Po në një këndvështrim tjetër, çka vihet në dukje edhe nga institucionet ndërkombëtare që studiojnë politikat sociale në vende si Shqipëria, logjika e sotme e politikave të ndihmës ekonomike përjashton nga kjo ndihmë familjet ku një prej të rriturve është i punësuar. Kjo e nxit edhe më shumë informalitetin në punë pasi të punësuarit janë të interesuar të fshehin faktin që punojnë. Alternativa e Lëvizjes BASHKË, e mbështetur në modelin e minimumit jetik, kërkon që mbështetja ekonomike e familjeve të lidhet me nivelin e të ardhurave të mjaftueshme për të jetuar. Kësisoj kjo mbështetje mund të vazhdojë edhe nëse një ose më shumë anëtarë të familjes janë në marrëdhënie pune, por familja në tërësi ka një nivel të ardhurash më të ulëta se minimumi jetik i llogaritur në bazë të anëtarëve të familjes.
B. Papunësia dhe nxitja e punësimit
Shqipëria e viteve të fundit vazhdon të ketë një shkallë të lartë papunësie, midis 10% dhe 11%. Pavarësisht se nga vendi ynë largohen çdo vit rreth 50,000 qytetarë, shkalla e papunësisë mbetet e pandryshueshme, çka tregon për shkaqet e thella strukturore të papunësisë në Shqipëri. Turizmi mbetet një sektor me punësim të përkohshëm dhe pasiguri në të ardhura. Përveç Tiranës dhe disa qyteteve bregdetare (gjatë verës), anekënd Shqipërisë është e vështirë të gjesh investime produktive dhe gjallëri ekonomike, çka shoqërohet me papunësi të gjatë dhe shkurajim për të kërkuar punë.
Papunësia e gjatë dhe shkurajimi për të kërkuar punë tregohet dhe nga numri tejet i kufizuar i qytetarëve që përfitojnë nga pagesa e përkohshme e papunësisë. Në tremujorin e vitit 2022 numri i përfituesve të pagesës së papunësisë ishte vetëm 2587 vetë, ndërkohë që pagesa mujore e papunësisë ishte mjaft më poshtë nivelit të minimumit jetik, 16,330 lekë. Raporti ndër vite midis pagesës së papunësisë dhe pagës mesatare në Shqipëri mbetet mjaft i ulët, 37%. Vende të rajonit si Serbia e kanë këtë raport 57%. Vendet me politika të zhvilluara sociale si Suedia e kanë këtë raport 80% të pagës për shtatë muajt e parë, kurse më vonë përfitimi arrin në 70% të pagës.
Nga ana tjetër, legjislacioni për nxitjen e punësimit mbetet në letër dhe i mungojnë mekanizmat institucionalë dhe vullneti politik për t’u zbatuar. Sipas ligjit të nxitjes së punësimit (2019), firmave që përfitojnë fonde publike (kryesisht me pronarë oligarkë) u kërkohet që të punësojnë një numër të caktuar të papunësh të regjistruar si të tillë në zyrat vendore, përndryshe do të gjobiteshin. Gjithsesi ky parim mbetet në letër dhe të papunët afatgjatë dhe grupet e veçanta vazhdojnë të mbeten jashtë vëmendjes së shtetit dhe përfitimeve nga politikat sociale. E njëjta gjë vlen edhe për kurset e formimit profesional të cilat, edhe kur funksionojnë, më së shumti përgatitin punëtorë për emigracion.
Mbështetja e mirëfilltë e të papunëve për të jetuar denjësisht disa muaj pasi kanë humbur vendin e punës do t’u mundësonte atyre të kërkonin me më shumë vëmendje punë të përshtatshme për kualifikimin e tyre dhe të mos binin menjëherë në dëshpërimin e papunësisë permanente. Po ashtu do t’u mundësonte më shumë kohë për të kryer kurse profesionale, të cilat duhet të jenë të lidhura me zhvillimin ekonomik të vendbanimeve të tyre dhe projektet zhvillimore të nxitura prej institucioneve publike.
C. Personat me aftësi të kufizuara
Personat me aftësi të kufizuara janë shtresa shoqërore që vuan më së shumti nga politikat e mangëta mbështetëse të institucioneve publike. Sipas të dhënave zyrtare, numri i përgjithshëm i personave me aftësi të kufizuara, ku përfshihen edhe invalidët e punës, ishte 163,298 në vitin 2023. Diskriminimi i kësaj shtrese shoqërore vihet re edhe në mundësinë për t’u arsimuar. 31.9% është përqindja e personave me aftësi të kufizuar që kanë përfunduar arsimin e mesëm ose të lartë, krahasuar me 56.6% për pjesën tjetër të popullsisë. Nëse marrim në konsideratë vetëm arsimin e lartë, hendeku është edhe më i dukshëm: 6.1% mes personave me aftësi të kufizuara përkundër 21.2% i pjesës tjetër të popullsisë.
Një nga pengesat më të mëdha që ndeshin personat me aftësi të kufizuara është niveli tejet i ulët i mbështetjes ekonomike që marrin nga shteti. Kjo pagesë është rreth 14,500 lekë në muaj (150% e pensionit social), ku futen edhe personat në familje që u shërbejnë personave me aftësi të kufizuara, dukshëm nën nivelin e minimumit jetik që zakonisht llogaritet për qytetarë që nuk kanë të njëjtin nivel vështirësish si bashkëqytetarët e tyre me aftësi të kufizuara. Edhe më e rëndë është gjendja e fëmijëve me aftësi të kufizuara, të cilët vetëm për trajtimin me terapi në institucionet private u duhen rreth 365 euro në muaj, shumë më pak nga niveli i mbështetjes ekonomike që u jep shteti.
Nga ana tjetër, shteti shqiptar nuk ka të dhëna për numrin e personave me aftësi të kufizuara që janë në marrëdhënie pune. Vendet e zhvilluara, si ato të OECD, llogarisin se përqindja e punësimit të personave me aftësi të kufizuara është pak mbi 40%, ndërsa për pjesën tjetër të popullsisë arrin në 75%. Në Shqipëri, me gjasë, niveli i punësimit të personave me aftësi të kufizuara është mjaft më i ulët, por shteti ynë nuk mban statistika për këtë pjesë të rëndësishme të shoqërisë.
Pavarësisht se kuadri ligjor parashikon mbështetje të veçanta për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, këto politika kanë mbetur në letër. Sipërmarrjet e mëdha private nuk i përmbushin detyrimet e tyre ligjore për të siguruar punë për këta qytetarë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për një pjesë të konsiderueshme të institucioneve publike. Fondi Social i Punësimit nuk është vënë ende në zbatim. Po ashtu nuk funksionojnë politikat më të gjera të nxitjes së punësimit mes personave me aftësi të kufizuara. Sipas statistikave zyrtare të viteve të fundit, numri i personave me aftësi të kufizuara që regjistrohen si punëkërkues të papunë ishte 542 (viti 2019), ndërsa personat me aftësi të kufizuara që janë bërë pjesë e programeve të nxitjes së punësimit ishte 111 (në të njëjtin vit). Kjo tregon se personat me aftësi të kufizuara nuk kanë shpresë se përmes legjislacionit dhe institucioneve të mbështetjes sociale do të mund të gjejnë punë të përshtatshme për ta.
Nga ana tjetër, për disa kategori të personave me aftësi të kufizuara, si për shembull të verbrit, kuadri ligjor kërkon që të ndërtohen dy qendra pushimi në bregdet dhe në mal për të pushuar këta qytetarë. Afërmendsh diçka e tillë nuk është zbatuar kurrkund. Madje në Shqipëri mungon thuajse tërësisht infrastruktura rrugore që të verbrit të mund të lëvizin në mënyrë autonome.
Po ashtu kuadri ligjor parashikon që shteti t’u mbulojë të sëmurëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë kostot financiare të materialeve të veçanta higjieno-sanitare. Kjo mbështetje financiare aktualisht është e pamjaftueshme për të mbuluar shpenzimet reale. Po ashtu vetë institucionet publike pranojnë se kanë dështuar politikat e tyre të sigurimit të ortezave dhe protezave për personat me aftësi të kufizuara, duke pamundësuar lehtësimin e lëvizshmërisë së tyre.
Ç’është edhe më e rëndë, institucionet publike nuk sigurojnë ende standardet e mjaftueshme për lehtësinë e lëvizjes dhe aksesit të personave me aftësi të kufizuara. Sipas të dhënave zyrtare, vetëm 34% e objekteve në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes sociale kanë infrastrukturë që u ofron akses personave me aftësi të kufizuara. Po ashtu vetëm 42% e shkollave janë të pajisura me rampë që mundëson lëvizjen e personave me aftësi të kufizuara.
Një tjetër problem është shpërfillja e problemeve të personave që vuajnë nga diabeti. Për shembull mungon një regjistër i personave me diabet, ndërkohë që këtyre qytetarëve u mungon mbështetja financiare për blerjen e fishave. Edhe për këta qytetarë mungojnë politikat e nxitjes reale të punësimit. Po ashtu nuk zbatohet modeli bio-psiko-social, për të vlerësuar ndikimin e diabetit, jo vetëm në aspektin mjekësor, por edhe në atë social dhe psikologjik.
Ç’është edhe më problematike, ndryshimet pozitive që hasen herë pas here në legjislacion apo strategji, që vijnë si rezultat i nënshkrimit të konventave ndërkombëtare për mbështetjen e personave me aftësi të kufizuara, nuk janë shoqëruar me ngritjen e strukturave mbikëqyrëse të zbatueshmërisë së tyre. Kësisoj të gjitha arritjet mbeten në letër, ndërkohë që personat me aftësi të kufizuara nuk gëzojnë shumicën e të drejtave që u takojnë me ligj.
D. Komuniteti rom dhe egjiptian
Ndër komunitetet më të margjinalizuara dhe të diskriminuara në Shqipëri janë romët dhe egjiptianët. Për shkak të varfërisë së thellë, këto komunitete janë ndër përfituesit kryesorë (rreth 11,000 qytetarë) të ndihmës (së pamjaftueshme) ekonomike. Një pengesë e madhe në përfitimin e kësaj ndihme nga të gjithë nevojtarët është fakti që një pjesë e anëtarëve të komunitetit rom dhe egjiptian kanë probleme me dokumentacionin ligjor dhe, në kushtet e analfabetizmit, e kanë të pamundur të plotësojnë pa asistencën e duhur formularët e aplikimit për ndihmë ekonomike. Mungesa e dokumenteve dhe regjistrimit (edhe si shtetas në disa raste) e pengon një pjesë të anëtarëve të këtij komuniteti edhe nga gëzimi i të drejtave të tjera ligjore. Problemet me dokumentet dhe regjistrimin e pronave ka bërë që ky komunitet të jetë veçanërisht i ekspozuar ndaj shpronësimeve dhe dëbimeve, kur u është hapur rruga ndërtimit të kullave apo veprave infrastrukturore, duke mos garantuar për asnjë rast të drejtën e strehimit dhe sigurinë e pronës.
Veçanërisht të vështira janë kushtet e jetesës së anëtarëve të komunitetit rom. Vetë Plani Kombëtar i Veprimit për Barazi, Përfshirje dhe Pjesëmarrjen e Romëve dhe Egjiptianëve në Republikën e Shqipërisë (2021-2025) na thotë se “84% e komunitetit Rom kanë akses në elektricitet dhe 50% e anëtarëve të minoritetit Rom kanë akses në ujin e pishëm në banesat e tyre krahasuar me shifrën 89% që i takon fqinjëve jo-Romë”
Diskriminimi social del në pah edhe në arsim. Sipas të dhënave zyrtare, ka 31% më pak fëmijë të komunitetit rom që ndjekin arsimin parashkollor krahasuar me pjesën e tjetër të shoqërisë. Po aq problematike është edhe ndjekja e arsimit të detyrueshëm, ku vetëm 31% e fëmijëve të komunitetit rom ndjek shkollën, krahasuar me 66% të pjesës tjetër të shoqërisë.
Problemet e thella në arsimim të përgjithshëm e profesional dhe diskriminimi social kanë sjellë një nivel mjaft të ulët të punësimit formal të qytetarëve romë, sidomos të të rinjve. Për shembull, mes 18-24-vjeçarëve, vetëm 22% e të rinjve romë janë në punë, ndjekin shkollën ose një trajnim. Kjo shifër është 58% për pjesën tjetër të shoqërisë. Qytetarët romë janë jo vetëm pak të përfshirë në tregun formal të punës, ku edhe aty për ta zakonisht paracaktohen punët më pak të paguara, por njëkohësisht kryejnë punë të vështira dhe të paqëndrueshme si ajo e riciklimit të mbetjeve.
Deri më sot planet dhe strategjitë qeveritare kanë plotësuar shumë pak nga nevojat e vërteta të komunitetit rom dhe egjiptian, duke riprodhuar varfërinë dhe segregimin social.
Alternativa ekonomike dhe sociale
Baza e mbështetjes financiare për të varfrit dhe shtresat e margjinalizuara do të jetë njohja dhe vendosja me ligj e minimumit jetik i cili, sipas llogaritjeve të derisotme, duhet të jetë 21,168 lekë (të reja). Vendosja e nivelit të minimumit jetik do të rrisë nivelin e ndihmës ekonomike për familjet në nevojë. Niveli i ndihmës ekonomike për familje do të llogaritet në bazë të numrit të anëtarëve, të ardhurave të tyre dhe masës së mbështetjes shtesë të nevojshme në mënyrë që e gjithë familja të jetojë mbi këtë nivel të ardhurash. Minimumi jetik do të rriste edhe pagesën e papunësisë. Po, ç’është më e rëndësishmja, kjo masë mbështetjeje do të ndikonte pozitivisht mbështetjen ekonomike dhe pensionet për personat me aftësi të kufizuara, por edhe për kujdestarët e tyre. Fatkeqësisht, minimumi jetik nuk përmendet askund në Strategjinë Kombëtare të Mbrojtjes Sociale 2024-2030 të hartuar nga qeveria aktuale.
Lëvizja BASHKË do të çojë përpara politika të forta të nxitjes së punësimit, duke synuar integrimin në tregun e punës jo vetëm të të papunëve dhe personave ekonomikisht joaktivë në moshë pune, por edhe një numri të konsiderueshëm të personave me aftësi të kufizuara. Përveç nxitjes së kualifikimit të vazhdueshëm, edhe me shpërblim financiar, Lëvizja BASHKË do të përmirësojë standardet e ligjit të nxitjes së punësimit dhe do të vërë në fuqi të plotë fondin social të punësimit. Çdo kompani e madhe që nuk punëson një person me aftësi të kufizuar dhe grupet e tjera të margjinalizuara, do të paguajë në fondin social të punësimit pagën mesatare që do t’i paguante një punëtori të tillë. Po ashtu do të përmirësohet punësimi i personave me aftësi të kufizuara në administratën publike.
Lëvizja BASHKË do të përmirësojë ndjeshëm investimet në infrastrukturën fizike për të lehtësuar lëvizjen autonome të personave me aftësi të kufizuara përmes rampave, aksesit në ndërtesa, transportin publik, semaforë akustikë etj. Do të rrisim ndjeshëm gjithashtu sasinë dhe cilësinë e karrocave, ortezave dhe protezave për të lehtësuar lëvizjen e bashkëqytetarëve tanë, si dhe do të subvencionohen plotësisht nevojat e qytetarëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë me materiale higjieno-sanitare.
Një kujdes i veçantë do të tregohet për fëmijët me aftësi të kufizuara, duke rritur masën e mbështetjes financiare për ta dhe përmirësuar ndjeshëm rolin edukativ dhe shëndetësor të institucioneve publike.
Kujdes në rritje do të ketë edhe për qytetarët me diabet, duke subvencionuar fishat për ta dhe përmirësuar ndjeshëm kujdesin spitalor. Do të sigurohet falas arteriografia e syrit me kontrast dhe do të përmirësohen shërbimet dietologjike në spitalet rajonale. Po ashtu do të vendoset regjistri kombëtar i personave me diabet dhe do të mundësohet vlerësimi bio-psiko-social i tyre.
Masa të veçanta do të merren për integrimin në shkollë dhe punë të anëtarëve të komunitetit rom dhe egjiptian. Pjesë e përparësive për këtë komunitet do të jetë siguria e tyre juridike, duke regjistruar dhe pajisur me dokumente të gjithë qytetarët dhe, ç’është më e rëndësishmja, duke njohur juridikisht pronën faktike të anëtarëve të këtij komuniteti. Nga ana tjetër, përmirësimi i shërbimeve të strehimit social dhe ndërhyrjet përmirësuese të strehëve aktuale do të përftojnë kushte më dinjitoze jetese për anëtarët e këtij komuniteti.
Nuk do të lihet pas dore edhe themelimi i institucioneve mbikëqyrëse brenda Ministrisë së rithemeluar të Punës dhe Çështjeve Sociale, të cilat do të kenë për detyrë të kontrollojnë zbatimin e legjislacionit social dhe jetësimit të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara dhe shtresave të margjinalizuara.