Programi qeverisës
2. Shteti social
2.4 Arsimi
Arsimi është drita që një shoqëri të dalë nga marrëdhëniet anakronike për të hyrë në modernitet; është domosdoshmëria për zhvillimin e arsyes kritike, e novacionit teknologjik dhe e ideve emancipuese për kultivimin e rezistencës ndaj padrejtësive sociale; është lokomotiva për zhvillimin social dhe ekonomik të një vendi bazuar te merita.
Që nga periudha e iluminizmit kanë ekzistuar dy qasje në lidhje me konceptimin e asaj që duhet të jetë arsimi dhe kujt duhet t’i përkasë. A është arsimi privilegji i një elite që përgatitet për të qenë klasë sunduese në shoqëri, apo e drejta e çdo qytetari për ta marrë dijen si një e mirë publike, si një vlerë në vetvete që krijon një shoqëri më të mirë?
Çfarë janë nxënësit në raport me dijen dhe me mësuesin? A janë ata vazo të zbrazëta që duhen mbushur nga mësuesi i cili mban në dorë monopolin e dijes, apo ky i fundit është një udhërrëfyes që nxënësit i dëfton shtegun e mundimshëm drejt dijes, në rrugëtimin drejt të cilit ai zbulon me mënyrën e vet pasionin dhe kërshërinë për dijen?
Cili është misioni i arsimit në shoqëri? A duhet të mjaftohet një nxënës apo student me njohuritë teknike që do t’i nevojiten në profesionin që do të bëjë në të ardhmen, apo misioni i arsimit është edhe të edukojë dhe të formojë karakterialisht nxënësin si një qytetar të ndërgjegjshëm, të aftë për të menduar në mënyrë kritike?
Vizioni i Lëvizjes BASHKË, i ngritur ndër shumë vite aktivizmi në botën universitare, e konsideron arsimin një të mirë publike dhe një të drejtë që i takon çdo qytetari; e sheh studentin si një bashkudhëtar në rrugën drejt dijes të cilit i duhet mësuar metoda e kërkimit shkencor; e konsideron shkollën dhe universitetin jo vetëm si burime të dijes teknike, por edhe si tempujt e skalitjes së ndërgjegjes qytetare, e njohjes së etikës dhe edukimit qytetar, duke ndihmuar të rinjtë të kuptojnë rolin e tyre në shoqëri.
Ky vizion është shumë larg gjendjes në të cilën është harruar e braktisur arsimi në Shqipëri. Bashkë do ta ndryshojmë!
I. Gjendja aktuale
Emigrimi masiv i dekadave të fundit dhe braktisja e shkollës nga fëmijët shqiptarë po e zhytin arsimin në një krizë të thellë. Prej vitit 2000 janë mbyllur 42% e shkollave 9-vjeçare në rang vendi, teksa vetëm në dekadën e fundit janë mbyllur 295 (ose 22%) institucione të arsimit të detyrueshëm dhe janë regjistruar 125 mijë nxënës më pak. Në vitin shkollor 2024-25 do të ketë 20 mijë (ose 7.8%) nxënës më pak se një vit më parë. Një projeksion i ngjashëm në rënie të përvitshme (7.4%) vihet re edhe për shkollat e mesme. 6.6% e djemve dhe 5.5% e vajzave nga familje të varfra në zonat urbane e braktisin shkollën, me arsye kryesore pamundësinë e përballimit të shpenzimeve nga familjet e tyre.
Nga ana tjetër, përqendrimi i popullsisë në Tiranë ka evidentuar problemin e kundërt: pamjaftueshmërinë e shkollave 9-vjeçare. Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, 30 shkolla në kryeqytet e zhvillojnë mësimin me dy turne. Edhe pse që prej vitit 2016 kryetari i Bashkisë së Tiranës propozoi vendosjen e një takse të përkohshme për infrastrukturën arsimore taksë që u kushton familjeve të Tiranës 1,800 lekë/vit dhe bizneseve deri në 37,000 lekë/vit vetëm 9 nga 17 shkollat e parashikuara janë ndërtuar përmes Partneritetit Publik Privat (PPP).
Rezultatet e dobëta të nxënësve në sistemin parauniversitar u dëshmuan në testin ndërkombëtar PISA 2022: të rinjtë shqiptarë shënuan rënien më të madhe krahasimisht me rezultatet e viteve të mëparshme në të gjithë historinë e PISA-s. Nga viti 2018 në 2022 Shqipëria pësoi një rënie prej 69 pikësh, e cila është rënia më e fortë nga 80 vendet e testuara. 84% e nxënësve shqiptarë (rezultati më negativ nga të gjitha shtetet e tjera) nuk kaluan Nivelin 3 për të menduarit në mënyrë krijuese dhe aplikimin e tij në kontekste të zgjidhjes së problemave me natyrë shkencore.
Për vitin 2022-23, paga e një mësuesi shqiptar ishte më e ulëta në Evropë, në rreth 7600 euro/vit. Për krahasim, Mali i Zi e ka rreth 12.000 euro/vit, Bosnjë-Hercegovina rreth 9000 euro/vit. Gjithashtu, edhe sipas faktorit të Standardit të Fuqisë Blerëse (PPS), që pasqyron të njëjtën fuqi blerëse nëpër vende të ndryshme, paga e një mësuesi shqiptar renditej e fundit në Evropë. Në korrik të vitit 2024 pagat e mësuesve u rritën nga 8000 deri në 14.000 lekë/muaj sipas kategorive, duke bërë që pagat neto të mësuesve të gjimnazit të luhaten nga 63.000 në 86.000 lekë/muaj. Me gjithë rritjen, pagat e mësuesve shqiptarë mbeten nën pagat e vendeve të rajonit, ndërkohë që qeveria ka vendosur që të ulë me 10.000 lekë/muaj pagat e rreth 6500 mësuesve të ciklit të ulët.
Universitetet publike, gjithashtu, humbasin rreth 3000 studentë në vit duke lënë bosh kuotat e regjistrimit në universitetet kryesore: Universiteti i Tiranës (UT) për vitin 2024-25 plotësoi vetëm 60% të kuotave të lira, Universiteti Politeknik (UPT) vetëm 64% dhe Universiteti Bujqësor (UBT) vetëm 43%. Në universitetet publike janë mbyllur deri tani 24 degë studimi dhe rrezikojnë të mbyllen edhe 15 të tjera. Sipas një projeksioni në bazë të të dhënave aktuale, brenda vitit 2030 në universitetet publike do të studiojnë 41% më pak studentë.
Degët më të kërkuara janë mjekësia, infermieria dhe inxhinieria informatike, të cilat tërheqin studentë me perspektivën për t’u punësuar jashtë vendit. Ndërkohë, dega e mësuesisë dega më e rëndësishme për përgatitjen e mësuesve të cikleve parauniversitare është ndër degët më pak të kërkuara: prej vitit 2019 deri ne vitin 2023 numri i diplomave bachelor në mësuesi ka rënë me 79%.
Financimet në fushën e arsimit kanë ardhur drejt rënies në pesë vitet e fundit. Për vitin 2025 fondet buxhetore për arsimin parashikohen të jenë 55 miliardë lekë, ose sa 7.1% e buxhetit. Ndërkohë, një vit më parë ato zinin 9.7% të buxhetit dhe 11.7% të buxhetit në vitin 2019. E njëjta tendencë vërehet edhe në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), ku fondet për arsimin zënë 2.9% të PBB nga 3.3% që ishin në vitin 2020. Mesatarja e vendeve të BE për arsimin shkon te 5% dhe në rajon luhatet te 4%. Familjet shqiptare detyrohen të kontribuojnë në mënyrë thelbësore në kostot e shkollimit të fëmijëve të tyre nëpër institucionet publike të arsimit, ku rreth 70% e kostove mbulohet nga shteti ndërsa 30% nga familjarët.
II. Problemet kryesore
Problematika më bazike që haset në të gjitha nivelet e arsimit e që lidhet me aspektet më elementare të mësimdhënies, ka të bëjë me mungesën e infrastrukturës së nevojshme. Sipas dëshmive të vetë mësuesve, në shumicën e shkollave të zonave periferike mungojnë kushtet bazë si ndriçimi, sistemi i ngrohjes dhe i ftohjes, uji i rrjedhshëm. Ndërkohë edhe në shkollat dhe gjimnazet e zonave urbane vërehet një mungesë totale e infrastrukturës dhe e pajisjeve laboratorike për fushat e fizikës, kimisë, biologjisë etj., ashtu si edhe e bibliotekave apo e sallave me kompjuterë. Njëkohësisht, mungojnë tërësisht (ose keqfinancohen) muzetë e ndryshëm, që do mund të vizitoheshin edhe nga publiku i gjerë, si për shembull ato të botanikës, paleontologjisë, arkeologjisë, gjeologjisë, astronomisë etj.
Rezultatet e dobëta në testet kombëtare dhe ndërkombëtare lidhen me mënyrën e vjetruar të mësimdhënies dhe me kurrikulat e papërshtatshme. Të mësuarit në mënyrë mekanike dhe shpeshherë përmendësh, e kufizon jashtëzakonisht shumë mendimin krijues të nxënësve. Nga ana tjetër, sipas mësuesve kurrikulat bazohen vetëm në teori dhe jo në praktikë, janë të përkthyera shabllon nga vendet e huaja nga tekste të vitit 2007 dhe nuk u përshtaten kushteve sociale, mentalitetit dhe kontekstit shqiptar.
Në shkollat e Tiranës fëmijët nuk kanë mundësi t’i përdorin mjediset e shkollës për t’u edukuar me orar të zgjatur përmes aktiviteteve të ndryshme jashtëshkollore, siç ndodh në vendet e përparuara të Evropës. Kjo mangësi e infrastrukturës arsimore i shtyn prindërit që të harxhojnë një pjesë jo të vogël të të ardhurave të tyre për t’i dërguar fëmijët në qendra kursesh me pagesë, të cilat në të shumtën e rasteve funksionojnë si vende thjesht të mbajtjes së fëmijëve derisa prindërit të mbarojnë punën. Familjet me më pak të ardhura janë të detyruara t’ua ngarkojnë mbajtjen e fëmijëve pas shkollës gjysheve e gjyshërve, që jo gjithmonë kanë fuqinë fizike t’u përgjigjen nevojave të fëmijëve.
Ç’është edhe më e rëndë, në disa zona të populluara të Tiranës nuk ka fare infrastrukturë arsimore. Për shembull në zonën e Astirit, e cila banohet nga rreth 70.000 qytetarë, nuk ka asnjë çerdhe, kopsht e shkollë publike, duke i shtrënguar prindërit të paguajnë institucione arsimore private ose t’i dërgojnë fëmijët në shkolla publike shumë larg vendbanimit të tyre.
Shkollat e mesme po e humbasin rolin e tyre si hallka arsimore në të cilën nxënësin marrin një formim të përgjithshëm e shumëpërmasor, formohen intelektualisht si qytetarë dhe bëhen të aftë për të zgjedhur fushën e studimit që do të ndjekin në universitet. Profilizimi i hershëm i gjimnazit në degë ngushtësisht shkencore apo shoqërore, ka krijuar një hendek në formimin e përgjithshëm që duhet të marrë nxënësi në këto vite të shkollimit të tij/saj, duke e bërë gjimnazin fort të ngjashëm me shkollat profesionale.
Sa i përket cilësisë së mësimdhënies, infrastrukturës mësimore dhe përgatitjes së maturantëve, vihet re një disbalancë e thellë mes gjimnazeve në periferi dhe atyre në qendrat urbane. Kjo disbalancë, megjithatë, nuk evidentohet në vlerësimin me notë për shkak se pranimi në degët universitare të studimit bëhet vetëm përmes mesatares së gjimnazit. Lidhjet personale, e ndonjëherë edhe ndikimet politike, bëjnë që shumë nota në gjimnaz (sidomos në periferi) të jenë fiktivisht të larta.
Politizimi i institucioneve arsimore është një ndër problematikat qendrore të sistemit. Ky fenomen manifestohet si në emërimin e drejtorëve, ashtu edhe në presionin që i ushtrohet trupës së mësuesve për të bërë fushatë përmes rrjeteve sociale për partinë në pushtet (në janar të këtij viti, 36 institucione arsimore u kallëzuan në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se kishin shpërndarë nga faqet zyrtare postime në mbështetje të fushatës elektorale të ministres së Arsimit). Një praktikë e tillë e ka denigruar figurën e mësuesit në shoqërinë shqiptare, një figurë qendrore në rolin që ka në edukimin e brezave, duke e kthyer atë në një militant partiak ose në një nëpunës që rri kokulur përballë presionit të pushtetit.
Denigrimi i figurës së mësuesit për shkak të presionit politik, i kombinuar me pagat e ulëta, mungesën e infrastrukturës së mësimdhënies, si dhe me trajnimet fiktive që ofrohen për mësuesit e që nuk shërbejnë realisht për aftësimin e tyre dhe avancimin në karrierë, ka bërë që dega e mësuesisë sot të jetë ndër degët më pak të lakmuara nga të rinjtë shqiptarë, duke shkaktuar një situatë emergjence sa i përket edukimit të brezave që do të vijnë. Ekspertët kanë vënë alarmin se niveli i studentëve që zgjedhin mësuesinë është gjithnjë e më i dobët.
Cilësia e teksteve shkollore prej vitesh tashmë është vënë në pikëpyetje nga prindër dhe nga ekspertë të fushës së arsimit. Nuk ekziston një shtëpi botuese e librit shkollor me një bord redaktorësh nga Ministria e Arsimit. Shkollat i përzgjedhin tekstet shkollore që do të përdorin gjatë vitit nga ofertat që vijnë nga subjekte private. Prej shumë kohësh tregu i librit shkollor dominohet nga vetëm dy shtëpi botuese.
Edhe më katastrofike paraqitet situata me arsimin e lartë në vend. Reforma tregtarizuese e miratuar nga qeveria në vitin 2015 ka dështuar katërçipërisht. Në themel të kësaj reforme qëndronte logjika e heqjes së përgjegjësisë nga shteti për financimin e universiteteve publike dhe sigurimi i fondeve të domosdoshme përmes tarifave studentore. Por me tkurrjen e numrit të studentëve, këto të ardhura nuk mund të vijnë përveçse nga komercializimi i mëtejshëm i ambienteve universitare. Trupa pedagogjike po shndërrohet gradualisht në një agjenci marketingu që duhet të tërheqë sa më shumë studentë. Nëse sinqeriteti intelektual dhe ndjenja e qytetarisë i shtyn pedagogët që të jenë kritikë ndaj problematikave të institucionit publik ku ata punojnë, pasiguria financiare e institucionit i detyron ata të mbyllin gojën.
Nuk ekzistojnë më standarde institucionale të vlerësimit objektiv të studentëve duke u bazuar te merita: cedimi i korrektesës akademike nga ana e pedagogëve vjen jo për arsye të përfitimit personal (ndonjëherë edhe për këtë shkak), por për arsye të mbijetesës financiare të institucionit. Nëse studentët i ndërpresin studimet, institucioni publik rrezikon falimentin. E njëjta logjikë e “shtyn” studentin nëpër nivelet e studimit, duke nisur që nga diploma bachelor, në master, e deri në doktoratë. Në një situatë të tillë, pajisen me diploma praktikisht të gjithë studentët që hyjnë në universitet, duke krijuar kaos edhe për punëmarrësit që kërkojnë nivele të caktuara njohurish nga studentët e diplomuar që duan të hyjnë në tregun e punës.
Logjika tregtarizuese e ndjekur nga qeveria ka bërë që kostot e studimit për një student, sidomos në Tiranë, të jenë të papërballueshme. Tarifat e studimit në nivelin master luhaten në disa mijëra euro, duke u krahasuar me tarifat e universiteteve private brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu, kostot e strehimit nëpër kampuset studentore shkojnë nga 5.000 deri në 7.000 lekë të reja në muaj për një krevat. Mungojnë tërësisht sallat e studimit me orar të zgjatur që ofrojnë kushte normale studimi si ngrohja, ndriçimi, interneti; mungojnë bibliotekat universitare që do të ofronin literaturën e duhur studimore vendase dhe sidomos atë të huaj; mungojnë mensat universitare që do të mund të siguronin ushqim cilësor dhe të përballueshëm për studentët; mungojnë laboratorët për plotësimin e njohurive teorike me aplikimin praktik; në shumicën e fakulteteve nuk mund të sigurohet një periudhë stazhi për studentët që pritet të diplomohen; mungon një shtëpi botuese e librit universitar, me një bord redaktorësh, duke bërë që jo rrallëherë pedagogë të caktuar të abuzojnë me tekste të përkthyera keq e që mbajnë emrin e tyre, që shiten në auditorët universitare me çmime marramendëse.
Degradimi i jetës akademike është projektuar edhe te feudalizmi në marrëdhëniet e pushtetit brenda universiteteve publike. Për hir të parimit të vetëqeverisjes, universitetet publike janë kapluar nga klientelizmi që mundëson rizgjedhjen në detyrë të atyre që mbajnë postet drejtuese. Në vitet e fundit ka pasur një seri skandalesh, kryesisht të lidhura me praktikën e plagjiaturës për fitimin e titujve akademikë, por që nuk ka arritur të zgjojë indinjatën e trupës së gjerë akademike, ca nga frika e ca nga konformizmi për hir të karrierës. Ndërkohë, pesha e votës studentore në zgjedhjen e drejtuesve të universiteteve publike është e papërfillshme: vetëm 10%.
Plagjiaturat në botën akademike dhe në rangjet politike drejtuese janë një fenomen i përhapur. Si ministrja aktuale e Arsimit, Ogerta Manastirliu, ashtu dhe paraardhësja e saj, Evis Kushi, janë denoncuar publikisht për plagjiaturë të punimit të doktoratës. Po njësoj edhe rektori aktual i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha. Nuk ekziston një kriter apo procedurë e qartë për kontrollin kundër plagjiaturës të punimeve shkencore me software të posaçëm. Mbrojtja e një punimi shkencor dhe fitimi i gradës Doktor i Shkencave është kthyer në një procedurë formale. Ka një mungesë të theksuar të filtrave sa i përket punës akademike të aspirantëve për këtë gradë, punë e cila nuk këqyret nën lupën kritike të komunitetit akademik. Për më tepër, procedurat për fitimin e titujve akademikë profesor apo profesor i asociuar janë lehtësuar maksimalisht, duke hequr kritere të cilësisë që kanë ekzistuar më parë dhe duke vendosur si kriter shkrimin e një monografie.
Nga ana tjetër, kushtet dhe mundësitë për kryerjen e kërkimit shkencor në Shqipëri janë të mjerueshme. Studentët e shkollës së doktoratës jo vetëm që nuk mbështeten financiarisht nëpërmjet bursave, si në mbarë botën e zhvilluar, por ata duhet të paguajnë edhe një tarifë për regjistrimin në këtë nivel studimi në vlerën 2.000 euro. Fondet e buxhetit të shtetit për kërkimin shkencor kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në nivele qesharake. Infrastruktura laboratorike për kërkimin shkencor është inekzistente. E vetmja mënyrë financimi për kërkuesit e rinj është fitimi i projekteve kërkimore të financuara nga vendet e Bashkimit Evropian, por mungesa e infrastrukturës kërkimore bën që Shqipëria të jetë vendi që aplikon më pak për projektet evropiane të kërkimit shkencor. Ndërsa ligji aktual për kërkimin shkencor ua vështirëson pambarimisht punën kërkuesve të rinj për shkak një vargu procedurash burokratike për lëvrimin e fondeve që vijnë nga BE, ligji i ri që propozohet nga kjo qeveri ka për synim që ta ruajë të njëjtën strukturë burokratike, me dallimin që do ta zhvendosë atë nga universitetet në duart e një konsorciumi me në krye kryeministrin e vendit.
III. Alternativa e Lëvizjes BASHKË
Vizioni i Lëvizjes BASHKË në ndërtimin e një shteti social është një sistem arsimor publik cilësor dhe i përballueshëm nga të gjithë qytetarët. Në këtë vizion, institucionet publike të arsimit duhet të gjejnë te shteti shqiptar themelin tek i cili do të mbështeten. Prandaj çdo hap përpara drejt këtij vizioni do duhet të nisë me rritjen substanciale të financimeve të shtetit për arsimin. Lëvizja BASHKË propozon rritjen nga 2.9% të PBB që është sot, në të paktën 4% të PBB që është edhe mesatarja e vendeve të rajonit. Këto të ardhura do të shërbenin, në radhë të parë, për të plotësuar nevojat infrastrukturore nga të cilat vuajnë institucionet e arsimit në vend, e më tej për të ofruar arsim publik cilësor e të përballueshëm për të gjithë qytetarët.
Sfidat me të cilat përballet arsimi nisin që nga sistemi parauniversitar. Prandaj Lëvizja BASHKË, frymëzuar nga modeli finlandez, për rimëkëmbjen e tij mbështetet në dy shtylla qendrore: reformimi i arsimit parauniversitar nga poshtë dhe rritja e përgatitjes së mësuesve.
Reforma që nis nga baza
Reformimi rrënjësor që i nevojitet sistemit arsimor të ciklit të ulët dhe të mesëm në Shqipëri do të ketë për synim rikonceptimin e themeleve teorike dhe metodologjike të arsimit. Në vizionin e Lëvizjes BASHKË reformimi duhet të nisë nga një cikël i gjerë konsultimesh në të gjitha qytetet e vendit ku do të bëhen bashkë me qindra mësues, prindër, ekspertë të arsimit dhe drejtues lokalë për të diskutuar:
- Nevojat konkrete infrastrukturore, problematikat dhe sfidat me të cilat përballet trupa e mësuesisë në çdo rajon.
- Ndryshimin e qasjes në mësimdhënie që aktualisht përqendrohet te mësimi përmendësh, drejt diskutimit në klasë për të nxitur të menduarit në mënyrë kritike dhe të pavarur të nxënësve.
- Ndryshimin e kurrikulave të studimit duke synuar njëkohësisht arsimimin dhe edukimin e të rinjve si individë të virtytshëm dhe shumëpërmasorë, të motivuar për të ndjekur arsimin e mëtejshëm.
- Diskutimin e vështirësive me të cilat përballen familjet shqiptare për shkollimin e fëmijëve të tyre dhe lehtësimet që duhet të sigurojë pushteti lokal. Përfshirjen e komunitetit të prindërve duke u caktuar një shkallë vendimarrjeje në shkolla.
- Ngritjen e një rrjeti kombëtar komunikimi dhe bashkëpunimi mes shkollave, prindërve, bizneseve dhe OJF-ve.
Përgatitja e mësuesve
Nuk mund të ketë nxënës të përgatitur pa pasur mësues të përgatitur. Njëkohësisht, nuk mund të ketë të rinj shqiptarë të talentuar që zgjedhin të ndjekin degën e mësuesisë pa i rikthyer figurës së mësuesit dinjitetin profesional, konsideratën shoqërore dhe autonominë krijuese në vendin e punës që meriton. Sa më sipër mund të arrihen duke e nisur me:
- Rritjen thelbësore të cilësisë së degës së mësuesisë përmes afrimit të ekspertëve të huaj dhe vendas, që do t’i kushtojnë vëmendje të veçantë trajnimit të mësuesve të rinj që e shohin profesionin edhe si një detyrë morale e sociale. Diploma në mësuesi do duhet të hapë rrugën për studime të mëtejshme dhe avancimin në karrierë në nivelet drejtuese të sistemit arsimor. Tarifat e studimit për këtë degë do të mbulohen 100% nga shteti.
- Mësuesve u duhet dhënë mundësia e zhvillimit profesional përmes përditësimit të vazhdueshëm me zhvillimet e fundit në kërkimin shkencor dhe në teknologji në fushën e tyre të kompetencës. Kjo do të realizohet përmes trajnimit falas të mësuesve.
- Mësuesit duhet të kenë një shkallë të caktuar autonomie për ta përshtatur kurrikulën dhe metodikën e mësimdhënies sipas nevojave specifike të nxënësve dhe kontekstit social. Objektivi i mësuesve është që të inkurajojnë analizën dhe krijimtarinë te nxënësit. Në vend se nxënësit të përqendrohen vetëm te mësimi i teksteve, ata do të angazhohen në projekte praktike duke nxitur të menduarit në mënyrë autonome.
- Shteti duhet të sigurojë kushte të përshtatshme pune për mësuesit dhe infrastrukturën e mësimdhënies, duke nisur nga laboratorët, sallat e kompjuterëve dhe bibliotekat.
- Shteti duhet të sigurojë paga të dinjitetshme jo vetëm përmes rritjes së pagave të mësuesve në nivelet e rajonit në rreth 100.000 lekë/muaj, por edhe përmes një bonusi mirënjohjeje që fitohet me mbështetjen e prindërve, kolegëve dhe drejtuesit të institucionit (por që nuk ndikohet nga notat e nxënësve).
- Forcimi i rolit të sindikatave të mësuesve është mënyra e duhur për të garantuar depolitizimin e shkollave e gjimnazeve, pavarësinë dhe pacenueshmërinë e figurës së mësuesit nga ndikimet e politikës dhe nga padrejtësitë brenda institucionit.
Objektiva të tjera
Ndër objektivat e tjerë për reformimin e sistemit arsimor parauniversitar, përmendim:
- Ndërtimi i shkollave të reja në qendrat urbane
Për shkak të përqendrimit të popullsisë, Tirana ka nevojë emergjente për ndërtimin e 20 shkollave të reja, duke ndërtuar me përparësi shkolla në lagjet në të cilat mungojnë tërësisht. Fondet për ndërtimin e këtyre shkollave do të vijnë nga menaxhimi i ndershëm dhe rigoroz i parave publike dhe politikat tatimore progresiste. Standardi që synohet të arrihet për një mësimdhënie më cilësore është që në çdo klasë të zhvillojnë mësim maksimumi 20 nxënës dhe të ketë nga një mësues ndihmës për çdo dy klasa, materiale të përshtatura dhe trajnime për stafin mbi edukimin gjithëpërfshirës.
- Shkollimi me orar të zgjatur
Shkollat në mbarë Shqipërinë do të shndërrohen në mjedise të edukimit me orar të zgjatur, ku fëmijët do të kenë mundësi që, pas orës së mësimit, t’i përdorin mjediset shkollore për të bërë detyrat, për të punuar në grup dhe për t’u argëtuar në mënyrë të shëndetshme me aktivitete sportive, artistike etj. Qëllimi ynë është që fëmijët të qëndrojnë në shkollë deri në orën 17:00, duke u shkarkuar prindërve barrën financiare e të tjera angari. Pas orës 17:00 mjediset e jashtme të shkollës mund të shërbejnë si qendra komunitare, ku banorët e lagjes mund të përdorin me kujdes dhe nën mbikëqyrje infrastrukturën sportive të shkollave ose kapacitetet e saj për veprimtari kulturore.
- Ushqimi i shëndetshëm në shkolla
Edukimi me orar të zgjatur kërkon që mjediset shkollore t’u sigurojnë fëmijëve ushqim dhe vende të përshtatshme të të ngrënit. Përmes zbatimit të politikës “Nga ferma në shkollë”, ne do t’u mundësojmë nxënësve ushqim të shëndetshëm në shkolla kundrejt një pagese modeste nga familjet. Për fëmijët që vijnë nga familje në kushte varfërie, bashkitë e rretheve do ta sigurojnë falas ushqimin e tyre. Dy masat e fundit kërkojnë një shtim të stafit të shkollave, sidomos të numrit të mësuesve, çka do të kërkonte nxitjen e bashkëpunimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
- Zvogëlimi i hendekut të cilësisë në mësimdhënie mes periferisë dhe qendrës
Kjo arrihet duke vendosur standarde kombëtare për mësimdhënien, duke investuar në infrastrukturë dhe duke ofruar bonuse mujore për mësuesit që pranojnë të punojnë në zona të largëta. Një faktor i rëndësishëm është përdorimi i teknologjisë: përmes platformave online dhe programeve të shkëmbimit mes shkollave, nxënësit e zonave rurale mund të marrin të njëjtën cilësi arsimimi si ata në qytete.
- Themelimi i shtëpisë botuese të librit shkollor
Cilësia e librave shkollorë dhe sigurimi i tyre për nxënësit me kosto të ulët duhet të jetë përgjegjësi e shtetit shqiptar. Shtëpia botuese e librit shkollor do të afrojë ekspertë të fushave të ndryshme shkencore dhe shoqërore për t’u bërë pjesë e bordit redaktues të librave shkollorë, me qëllim që të garantohet cilësia e literaturës së mësimdhënies. Për të nxitur leximin, dy libra jashtëshkollorë do të ofrohen falas për çdo nxënës dhe do të krijohen klubet e leximit në çdo shkollë.
- Provim hyrës për shkollën e lartë
Për t’u përballur me problematikën që lidhet me notat fiktivisht të larta të gjimnazit, pranimi në degët e studimit universitare nuk do të bazohet vetëm te mesatarja e shkollës së mesme, por edhe te një provim i posaçëm pranimi. Provimi hyrës për shkollën e lartë do të testojë në masën 60% njohuritë e përgjithshme të nxënësve dhe pjesa tjetër do varet nga zgjedhja që bën nxënësi mes fushave shkencore apo shoqërore. Vlerësimi në provim, së bashku me mesataren e gjimnazit, do të jenë kriteret për pranimin në universitet.
- Ngritja e zyrave të karrierës
Orientimi i karrierës duhet të jetë pjesë e detyrueshme e aktivitetit shkollor. Të gjithë nxënësit do të marrin një orientim të vazhdueshëm mbi zgjedhjet që i presin në avancimin e tyre në gjimnaz, në shkollat profesionale apo në tregun e punës. Pjesë e aktivitetit do të jenë edhe praktika brendashkollore për nxënësit nga klasa e 7-të deri në të 9-të për të nxitur mes tyre shprehi të punës praktike dhe krijuese.
- Kontrolli mjekësor ndaj nxënësve
Kontrolli mjekësor që do t’u ofrohet nxënësve në çdo shkollë do të jetë falas dy herë në vit për të gjithë nxënësit deri në moshën 18 vjeç dhe do të përfshijë kontrollin e shëndetit dentar, fizik dhe mendor përmes mjekëve, psikologëve dhe punonjësve socialë.
Arsimi i lartë
Prej shumë vitesh ne, aktivistët e Lëvizjes BASHKË, jemi angazhuar jo vetëm në kundërshtimin e reformës privatizuese të Edi Ramës, por edhe për t’i dhënë zë reformës alternative për demokratizimin dhe rritjen e cilësisë së arsimit të lartë në Shqipëri. Reformimi i universitetit duhet të nisë nga poshtë, me bërjen bashkë të universitarëve, studentëve dhe pedagogëve, për të evidentuar nevojat akute të arsimit të lartë sot në vendin tonë. Ky është vizioni ynë:
- Arsim publik falas
Arsimi i lartë cilësor duhet të jetë një e drejtë themelore që gëzohet nga çdo qytetar shqiptar, pavarësisht mundësive financiare. Prandaj hapi i parë drejt këtij vizioni do të jetë ulja progresive e tarifave të studimit në nivelet bachelor dhe master, me synimin afatmesëm të zerimit të tyre. Kjo masë do të shoqërohet me rritjen e shpenzimeve shtetërore për nevojat që kanë sot universitetet publike, duke e hequr barrën financiare nga institucionet e arsimit dhe duke i çliruar pedagogët nga presioni për të siguruar mbijetesën financiare të universitetit duke ceduar në ndershmërinë intelektuale dhe akademike.
- Ngritja dhe forcimi i unioneve studentore
Organizimi studentor, si garantuesi më i mirë i ruajtjes së demokracisë brenda universitetit, nuk do të vazhdojë të monopolizohet brenda Këshillave Studentorë, por institucioni arsimor do të njohë edhe organizimet e pavarura studentore në formën e unioneve. Ato do të jenë zëri i studentëve të vetorganizuar brenda universitetit që ngrihet kundër çdo padrejtësie, abuzimi me rolin e pedagogut apo të drejtuesit të institucionit, abuzimit me orët e mësimit etj.
- Rritja e peshës së votës studentore në 50%
Roli i trupës studentore në vendimmarrjen për zgjedhjen e drejtuesve të institucioneve të arsimit të lartë sot është në nivele të papërfillshme, vetëm 10%. Studentët e diplomuar janë produkte të këtij institucionit publik, rrjedhimisht të interesuar drejtpërdrejt që ai të drejtohet nga njerëz të aftë e të ndershëm. Prandaj propozimi i Lëvizjes BASHKË është që pesha e votës studentore të rritet në 50%.
- Rritja e rolit të Asamblesë së Pedagogëve
Asambleja e Pedagogëve është një organ i cili mbledh bashkë mbarë trupën pedagogjike të një fakulteti apo universiteti për të diskutuar dhe debatuar mbarëvajtjen e institucionit. Edhe pse ligji e njeh si të tillë, ky organ nuk vihet kurrë në lëvizje. Lëvizja BASHKË do të mbështesë rritjen e kompetencave të Asamblesë së Pedagogëve si një lloj parlamenti demokratik ku debatohen dhe miratohen politikat që ndjek institucioni.
- Vendosja e standardeve institucionale
Bota akademike universitare duhet të udhëhiqet nga parimi i meritokracisë. Për realizimin e këtij parimi, universitetet duhet të përcaktojnë standarde institucionale. Ato kanë të bëjnë me: a) vlerësimin objektiv të studentëve nga ana e pedagogëve, ku nota e vendosur do të jetë mund të apelohet dhe të rishqyrtohet nga komisione të posaçme dhe të pavarura, në mënyrë që studenti as të mos mbivlerësohet për hir të njohjeve personale, korruptimit të pedagogut etj., as të mos nënvlerësohet padrejtësisht nga pedagogu; b) luftimin e praktikës së të kopjuarit nëpër auditorët universitarë, si një praktikë që gërryen nga poshtë themelet ku mbështetet parimi i meritokracisë dhe deformon moralisht studentët në rrugën profesionale që do të ndjekin; c) publikimin e leksioneve online, në shembullin e universiteteve më prestigjioze në botë, është mënyra më e mirë për aplikimin e transparencës, ndershmërisë akademike dhe të drejtës për akses në njohuri për mbarë shoqërinë; d) organizimin e anketave studentore të përvitshme mbi vlerësimin që studentët u bëjnë fakulteteve ku studiojnë dhe publikimin e rezultateve të anketave si një mënyrë e drejtë për të orientuar maturantët në zgjedhjen e degës ku do të ndjekin studimet.
- Ngritja e infrastrukturës universitare
Shteti shqiptar, edhe me mbështetjen e projekteve që vijnë nga Bashkimi Evropian, do të investojë në ngritjen e bibliotekave universitare moderne në çdo fakultet, të pajisura me literaturë vendase dhe të huaj, të cilat do të shërbejnë edhe si ambiente studimi me orar të zgjatur. Gjithashtu do të ngrihen laboratorë të certifikuar me të gjitha pajisjet bashkëkohore për qëllime të mësimdhënies dhe të punës kërkimore-shkencore, por që njëkohësisht mund të ofrojnë shërbime për palë të treta kundrejt pagesës. Do të hapen salla kompjuterësh që mund të përdoren nga studentët e të gjitha degëve universitare, me prioritet studentët e teknologjisë së informacionit. Çdo kampus universitar do të pajiset me mensa që ofron ushqim cilësor e të lirë për studentët.
- Themelimi i shtëpisë botuese të librit universitar
Libri universitar është një vlerë e çmuar në komunitetin shkencor të së tashmes dhe për brezat e studiuesve që vijnë më pas. Prandaj ai nuk mund t’i vihet përpara një studenti në auditorët universitarë pa kaluar përmes një recense rigoroze shkencore dhe gjuhësore. Prandaj Lëvizja BASHKË propozon themelimin e shtëpisë botuese të librit universitar, në bordin redaktues të së cilës do të ulen personalitete të botës akademike dhe kulturore vendase dhe të huaj.
- Kontrolli i rreptë i punimeve shkencore
Plagjiatura është vjedhja e punës akademike të dikujt tjetër, është pandershmëri dhe mashtrim. Nuk ka turp më të madh në botën akademike sesa plagjiatura. Pa një kontroll të imët të punës kërkimore-shkencore të çdo kandidati për një gradë apo titull shkencor, delegjitimohet e gjithë ngrehina akademike në vend. Lëvizja BASHKË propozon sanksionimin e qartë në ligj të procedurës për kontrollin e pavarur të punës kërkimore-shkencore, sidomos për rastet e plagjiaturës, si dhe kalimin në filtër të veçantë të të gjitha punimeve dhe publikimeve shkencore të drejtuesve të universiteteve publike të çdo niveli. Njëkohësisht nevojitet rritja e kritereve për fitimin e titujve akademikë.
- Mbështetja financiare dhe lehtësimi burokratik për kërkimit shkencor
Lëvizja BASHKË do të zerojë tarifat për shkollën e doktoratës dhe do të lehtësojë procedurat burokratike për përdorimin e fondeve të projekteve evropiane nga kërkuesit shkencorë, duke ndjekur modelin italian të financimit. Menaxhimi i fondeve për projektet shkencore që vijnë nga BE brenda të cilave do të mund të financohen edhe studimet e doktoratës të kandidatëve të rinj do t’i lihet në dorë grupit të kërkuesve shkencorë që e kanë fituar projektin. Shpenzimet që kryhen në kuadër të çdo projekti do të kontrollohen imtësisht nga administrata financiare e çdo universiteti publik dhe nga komisione të posaçme ministrore.