Programi qeverisës
3. Shteti i së drejtës
3.1 Sistemi i drejtësisë
Drejtësia sociale i referohet konceptit të krijimit të një shoqërie ku të gjithë individët kanë të drejta, mundësi dhe akses të barabartë në burime, pavarësisht nga faktorë të tillë si raca, gjinia, mosha, pozita socio-ekonomike, feja ose karakteristika të tjera. Drejtësia sociale kërkon të adresojë dhe korrigjojë pabarazitë dhe padrejtësitë sistematike që i pengojnë njerëzit të arrijnë potencialin e tyre të plotë.
Një nga parimet kryesore të drejtësisë sociale është respektimi i të drejtave dhe llogaridhënia. Avancimi dhe përkrahja e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut duhet të shoqërohet me mbajtjen e individëve, organizatave, si private ashtu dhe publike përgjegjëse në rastet kur nuk arrijnë të nxisin respektimin dhe avancimin e të drejtave dhe të drejtësisë sociale.
Në këtë kuadër, gjykatat luajnë një rol të pazëvendësueshëm, pasi ato sigurojnë zbatimin dhe interpretimin e ligjeve, garantojnë të drejtat e individëve dhe zgjidhin konfliktet ndërmjet palëve të ndryshme. Pushteti gjyqësor përbën parakushtin e sigurisë juridike dhe gëzimit dhe cenimit të të drejtave, në bazë të një procesi të rregullt ligjor. Gjykatat janë organet kompetente që, nëpërmjet një procesi të drejtë e publik, gjykojnë faktet e veprimet që konsiderohen se kanë shkelur interesa të ligjshme të qytetarit ose të subjekteve të tjera dhe mbi bazën e tij japin drejtësi. Sistemi i drejtësisë në Shqipëri në përgjithësi dhe gjykatat në veçanti kanë njohur problematika të shumta, të cilave Shqipëria ka tashmë disa vite që po u bënë ballë, me dëshirën për të pasur një drejtësi të pavarur dhe me identitet të fortë.
Parimet dhe alternativa e Lëvizjes BASHKË për sistemin e drejtësisë
1. Pavarësia
Në përditshmërinë e saj, qytetarët shqiptarë dëshmojnë mënyrat direkte ose indirekte me anë të të cilave funksionarë të lartë qeverisës ose të varur prej tyre, ushtrojnë presion mbi eksponentë të drejtësisë. Kësisoj ligji dhe i gjithë sistemi i gjyqësorit shndërrohet në një mjet ekstrapolitik, ku vënia e drejtësisë ka kaluar në plan të dytë.
Lëvizja BASHKË i dënon rëndë këto norma sjelljesh që kanë kapluar institucionet tona. Vizioni ynë është ai respektimit të parimit kushtetues të ndarjes së pushtetit. Po ashtu, ne e konsiderojmë si bazament bashkëpunimin me institucionet e drejtësisë, duke pasuruar akoma dhe më tej kuadrin ligjor dhe krijuar kushtet optimale, sa në prizëm politik, ku përfshijmë mospërdorimin e influencës në proceset gjyqësore, aq edhe në prizëm administrativ. Thënë këtë, Lëvizja BASHKË, duke njohur arritjet e deritanishme të institucioneve të reja të drejtësisë, shpreh mbështetjen e plotë për fuqizimin e sistemit të drejtësisë në përputhje me aspiratat e popullit shqiptar për drejtësi.
2. Rritja e aksesueshmërisë dhe eficiencës në gjykim
Sot qytetari shqiptar ballafaqohet me një sistem me normë nën standard të likuidimit të çështjes dhe eficiencës ekonomike gjyqësore dhe me mungesën e hapësirave për t’iu drejtuar gjykatave si pasojë e hartës së re të gjyqësorit.
Reduktimi i gjykatave, duke e ofruar si shërbim publik në mënyrë aq të koncentruar në 13 rrethe gjyqësore (gjykata të shkallës së parë), 6 Apelit, 6 Administrative të Shkallës së Parë dhe vetëm një për Apel Administrativ, ka ndikuar drejtpërsëdrejti në rritjen e kostove të qytetarëve të cilët jetojnë në zona të largëta dhe ka bërë pothuajse të pamundur aksesin në drejtësi.
Propozimet e bëra nga Grupi i Punës për Hartën e Re Gjyqësore pranë KLGJ më 2021 reflektojnë pjesërisht vlerësimin e kritereve dhe objektivave të domosdoshëm, duke mos reflektuar një vlerësim të njëjtë të secilit prej tyre, por të fragmentarizuar. Si rrjedhojë e kësaj metodologjie të përdorur nga grupi i punës dhe uljes drastike të numrit të gjykatave, krijohen premisa serioze për cenimin e aksesit në drejtësi.
Lëvizja BASHKË propozon rishikimin e Hartës Gjyqësore. Sipas Ligjit nr. 98/2016 (neni 13), harta gjyqësore rishihet çdo pesë vjet ose kur në funksionimin e saj nuk respektohen më parashikimet e nenit 14 dhe 15. Duke u bazuar në nenin 13, K.L.GJ dhe Ministria e Drejtësisë propozojnë një strukturim të ri për gjyqësorin, ku pasi konsultohen me institucione të tjera, si K.L.P, Prokurorinë e Përgjithshëm dhe Ministrinë e Financave, e depozitojnë pranë Këshillit të Ministrave, për miratim. Përveçse me institucionet e lartpërmendura, Lëvizja BASHKË do të ftojë për konsultim edhe grupet e interesit me qëllim ngritjen e një sistemi sa më gjithëpërfshirës. Të gjitha fazat e konsultimit do të karakterizohen nga transparenca.
Një tjetër propozim është vazhdimi i logjikës së reformimit pjesor të Kodit të Procedurës Civile, duke riparë përbërjen e trupit gjykues në raport me natyrën e çështjes dhe llojin e objektit të mosmarrëveshjes. Kjo sugjerohet dhe nga akti i majit të 2024, përpiluar nga një grup ekspertësh pranë K.L.GJ-së, titulluar «Strategjia kombëtare e uljes së numrit të çështjeve të prapambetura në gjykata». Ndërhyrja në fjalë bazohet në rolin që ne do të kemi në Kuvend si ligjvënës.
Duke u bazuar tek i njëjti dokument, ndërhyrja e ekzekutivit qëndron dhe në financimin e bashkëpunimin për automatizimin e proceseve të ndryshme. Pra duke ndërtuar një sistem kompjuterik për regjistrimin e çështjeve, dokumenteve tip për çështje me natyrë të përshpejtuar dhe jo komplekse etj. I gjithë ky automatizim do të ndikonte në aksesueshmëri dhe respektimin e afateve ligjore. Financimi do të shkojë edhe në ngritjen e një sistemi ku procesi gjyqësor mund të zhvillohet në hapësirën online, siç është praktika tashmë dhe e vendeve perëndimore.
Po ashtu, një nevojë tjetër për sistemin gjyqësor është edhe mirëkualifikimi i ndihmësve gjyqësorë. Për këtë pozicion mund të zhvillohen politika nxitëse, që të rritet numri i tyre si personel asistues dhe të zotërojnë mjaftueshëm kapacitete që të lehtësojnë gjyqtarët në kryerjen e veprimeve të ndryshme procedurale, në funksion të administrimit të drejtësisë, për çdo çështje individuale.
Lëvizja BASHKË propozon edhe ndërhyrje në organikën e gjyqësorit, duke zbatuar një nga alternativa e mëposhtme:
I. Për procedurat e shqyrtimit të padive për shuma të vogla, nëse gjykata e çmon të nevojshme që palët të jenë të pranishme, të organizojë një seancë në rrethin gjyqësor më të afërt me palët; ose
II. Të krijohet degë e çdo Gjykate të Juridiksionit të Përgjithshëm në rrethet gjyqësore që ato përfaqësojnë për të gjykuar vetëm këto lloj padish.
Të gjitha këto masa do të kontribuojnë në rritjen e cilësisë së gjyqësorit, duke plotësuar të gjitha kriteret e një sistemi të aksesueshëm dhe që mbron në mënyrë të pavarur të drejtat dhe interesat legjitime që për qytetarët janë ende aktuale.
3. Profilizimi i gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm
Ne shohim nevojën për të profilizuar më shumë sistemin e Gjykatave të Juridiksionit të Përgjithshëm. Lëvizja BASHKË, e shqetësuar për nivelin e drejtësisë sociale në Shqipëri, është e mendimit se në këto gjykata duhet të krijohet një seksion i veçantë (ose dhomë) që të shqyrtojë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e punës. Një seksion i tillë do të krijonte një profil gjyqtari të aftë për të gjykuar çështjet e marrëdhënieve të punës të cilat, përveç zbatimit të saktë të normës ligjore, kërkojnë edhe një analizë më të thelluar të fakteve dhe rrethanave, të cilat në një ambient pune përmbajnë një kompleksitet shumë të madh, që shpeshherë mund të rezultojë gabimisht në dëm të punëtorëve ose punonjësve në përgjithësi.
Lëvizja BASHKË nuk është kundër as krijimit të dhomave paragjyqësore të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve mes punonjësve dhe punëdhënësve, por këto modele mund të funksionojnë vetëm në vende ose rrethana ku sindikatat ose, në përgjithësi, përfaqësitë e punonjësve kanë peshë në jetën sociale. Kjo është e nevojshme për shkak se këto dhoma kanë gjithmonë një përbërje të përzier.
4. Prioritet për çështjet administrative mbi kontributet shoqërore dhe pensionet
Një nga problematikat që përndjek edhe sot e kësaj dite shoqërinë shqiptare është njohja e viteve të punës dhe kontributeve shoqërore të derdhura në skemën e pensioneve. Përgjatë viteve punëmarrësit shqiptarë janë ndeshur me institucione të papërgjegjshme, në rastin më të mirë, dhe kryekëput të korruptuara, në rastin më të keq, të cilat kanë pamundësuar njohjen e viteve të plota të punës, duke i detyruar t’u drejtohen gjykatave, me gjithë vonesat e pajustifikueshme në rastin e të moshuarve.
Lëvizja BASHKË e sheh të udhës që të gjithë qytetarët të cilët kanë probleme me njohjen e viteve të punës dhe kontributeve në skemën e pensioneve të ndihmohen, duke ngritur zyra të posaçme pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore, të cilat do të luajnë një rol orientues mbi dokumentacionet që qytetarët duhet të depozitojnë si dhe me ç’veprime administrative duhet t’i shoqërojnë.
Përveç kësaj ndihme, Lëvizja BASHKË do të advokojë për krijimin e një korridori prioriteti që të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me skemën e pensioneve dhe I.S.SH. t’u jepet zgjidhje brenda një afati të arsyeshëm. Ky propozim vjen si pasojë e gjendjes anormale që pensionistët shqiptarë jetojnë dita-ditës. Ne besojmë te drejtësia sociale, subjektet të së cilës duhet të jenë dhe ata të cilët kanë kontribuar çdo ditë të jetës së tyre, që vendi ynë të jetë sado më i mirë.
Shqipëria duhet të jetë një shtet ku zhvillimi ka konture të qarta të drejtësisë sociale, kryefjala e së cilit është respektimi i të drejtave e lirive themelore të qytetarëve dhe qëllimi përfundimtar nuk është abuzimi me ta, por krijimi i kushteve më optimale për mirëqenie dhe barazi.