Programi qeverisës

3. Shteti i së drejtës

3.2 Antikorrupsioni dhe sundimi i ligjit

Lëvizja BASHKË mbështet një ndarje të qartë mes interesave private dhe publike në ushtrimin e pushtetit politik. Ne do të punojmë që shteti të veprojë në mënyrë të paanshme, me një administratë të pavarur nga interesat private, e cila trajton çdo qytetar në mënyrë të barabartë dhe siguron që vendimet të merren për mirëqenien e përbashkët dhe shpërndarjen e drejtë të pasurive dhe burimeve publike.

Ne e shohim korrupsionin jo vetëm si shkelje ligjore, por konsiderojmë korrupsion çdo akt që dëmton parimin e mundësive të barabarta nga ata që kanë besimin për të ushtruar pushtet publik. Çdo keqpërdorim i pushtetit për të favorizuar disa individë ose grupe të caktuara në dëm të drejtësisë është korrupsion.

I. Gjendja dhe problemet

Në Shqipërinë e sotme korrupsioni ka arritur në nivelin e kapjes së shtetit. Oligarkët ekonomikë dhe organizatat kriminale kontrollojnë përditë e më shumë vendimmarrjet publike, duke shpërfytyruar rendin kushtetues demokratik, tjetërsuar parimet e një ekonomie të shëndetshme tregu dhe përvetësuar të mirat publike.

Ligje si ai i arsimit të lartë dhe i investitorëve strategjikë, kontratat koncesionare në shëndetësi dhe ndërtimin e infrastrukturës publike, shkatërrimi për interesa private i porteve të Durrësit dhe Vlorës, lejet e ndërtimit jashtë çdo logjike të shëndoshë urbanistike në Tiranë dhe qytetet bregdetare, skandalet e inceneratorëve të Tiranës, Elbasanit e Fierit, grabitja e burimeve ujore e natyrore të fshatrave anembanë Shqipërisë për interesat private të njerëzve me pushtet ekonomik dhe kriminal janë shembujt më të prekshëm të kapjes së shtetit.

Lëvizja BASHKË vlerëson pozitivisht punën e deritanishme të institucioneve të reja të drejtësisë. Po lufta e gjithanshme ndaj korrupsionit kërkon jo vetëm fuqizimin e mëtejshëm të institucioneve aktuale, por edhe hartimin e ligjeve dhe ngritjen e institucioneve të reja që do të mbështetin aktualet në zhbërjen e kapjes së shtetit dhe çrrënjosjen e korrupsionit në Shqipëri.

II. Alternativa e Lëvizjes BASHKË

Lëvizja BASHKË propozon masa që forcojnë aftësinë e shoqërisë për të parandaluar që ata që janë ngarkuar me pushtet publik të shfrytëzojnë pozitat e tyre për përfitime private.

  • Themelimi i Agjencisë Kombëtare për Integritet dhe Antikorrupsion
    Parandalimi i korrupsionit nuk mund të lihet në dorë të qeverisë, veçanërisht kur qeveria vetë perceptohet gjerësisht si e korruptuar. Kuadri institucional antikorrupsion ka të meta. Besimi te një ministri për të drejtuar këtë agjendë është shqetësues, meqenëse udhëheqja dhe buxheti i saj varen nga qeveria, ndërkohë që veprimtaria e saj diktohet nga agjenda politike e pushtetmbajtësve. Kjo cenon zbatimin e qëndrueshëm dhe të paanshëm të politikave.

    Lëvizja BASHKË propozon themelimin e një agjencie për parandalimin e korrupsionit dhe garantimin e integritetit publik, me një mandat të qartë për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe transparente. Agjencia do të hartojë strategji parandaluese, do të mbikëqyrë zbatimin e politikave antikorrupsion nga institucionet publike, do të sigurojë transparencën në qeverisje dhe do të promovojë një kulturë etike në administratën publike.

    Përveç hartimit të politikave, agjencia do të verifikojë pasuritë e zyrtarëve publikë dhe do të trajtojë konfliktet e mundshme të interesit detyra që tani i përkasin ILDKPKI-së, por që çalojnë në zbatim. Agjencia do të ketë kompetenca rregullatore, mbikëqyrëse, këshilluese dhe sanksionuese. Ajo do të raportojë në Kuvendin e Shqipërisë dhe do të ketë të drejtën të rekomandojë ndryshime ligjore.

    Agjencia do të krijohet në përputhje me parimet e përcaktuara në Konventën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit, duke përmbushur kështu një detyrim të kahershëm për vendin.

    E pajisur me burimet dhe autoritetin e nevojshëm, kjo agjenci do të zhvillojë një luftë të qëndrueshme kundër korrupsionit, duke garantuar integritet dhe përgjegjshmëri në qeverisje.

  • Zhbërja e kapjes së shtetit
    Proceset legjislative dhe vendimmarrëse në Shqipëri shfaqin prova të qarta të kapjes nga interesa politikë dhe korporativë. Kjo është bërë gjithnjë e më e dukshme vitet e fundit përmes praktikave si miratimi i ligjeve të krijuara për t’u shërbyer interesave të ngushta private, ndikimi i paligjshëm i aktorëve privatë mbi vendimet e qeverisë, gjyqësorit dhe administratës publike, si dhe përdorimi i hileve procedurale për të anashkaluar transparencën dhe konsultimin publik.

    Vizioni ynë është i qartë: të përmbysim këtë tendencë duke garantuar integritetin e procesit të ligjvënies. Ne synojmë të forcojmë kuadrin ligjor për hartimin, amendimin dhe miratimin e legjislacionit, në mënyrë që t’u shërbejë qytetarëve dhe jo agjendave të pushtetmbajtësve.

    Transparenca do të jetë një parim thelbësor. Çdo projektligj do të shoqërohet nga një raport mbi “gjurmën legjislative”, i cili do të dokumentojë procesin e hartimit, duke shënuar propozuesit dhe institucionet e përfshira, konsultimet, opinionet e ekspertëve, historikun e amendamenteve dhe ndikimin e grupeve të interesit. Të gjithë ligjvënësit dhe zyrtarët do të deklarojnë pjesëmarrjen e tyre, si dhe do të publikohen emrat e individëve ose aktorëve privatë që përfshihen në hartimin e projektligjeve. Raportet do të jenë të aksesueshme në faqen zyrtare të Kuvendit, duke përfshirë dokumentet përkatëse si versionet e projektligjit, amendamentet dhe propozuesit e tyre, të dhënat nga konsultimet dhe mënyra e votimit të secilit deputet. Do të heqim të drejtën e deputetëve për të propozuar amendamente të pakonsultuara 24 orë përpara votimit të projektligjeve në seanca plenare.

    Konsultimi publik do të ngrihet në një standard të ri. Përmes ndryshimeve ligjore, do të bëjmë të detyrueshëm konsultimin për vendimet e Këshillit të Ministrave dhe do të njohim të drejtën e qytetarëve për t’u ankuar për procesin e konsultimit publik përpara hyrjes në fuqi të aktit ligjor. Për të forcuar mbikëqyrjen e pavarur të konsultimit publik, do të rrisim rolin e Komisionerit për të Drejtën e Informimit, duke i dhënë kompetenca për të vendosur sanksione administrative dhe për të urdhëruar përsëritjen e procesit të konsultimit në rast të shkeljeve. Do të përforcojmë proceset e planifikimit të konsultimit publik, transparencën e procesit, raportimin mbi rezultatet e konsultimit dhe vlerësimin e performancës së institucioneve.

    Kufijtë midis institucioneve publike dhe aktorëve privatë janë të mjegullt. Ne do të propozojmë një ligj për të rregulluar aktivitetet e përfaqësimit etik të interesave. Ky ligj do të garantojë transparencë të plotë në ndërveprimet mes zyrtarëve publikë dhe aktorëve të organizuar privatë përmes krijimit të një regjistri publik të përfaqësuesve të interesave privatë dhe hartimit të një kodi sjelljeje, në mënyrë që vendimet politike të merren hapur, jo pas dyerve të mbyllura. Po ashtu, ligji do të rregullojë në mënyrë transparente aksesin e aktorëve të organizuar privatë në mjediset e institucioneve publike. Agjencia Kombëtare për Integritet dhe Antikorrupsion do të jetë përgjegjëse për zbatimin e ligjit dhe administrimin e regjistrit.

  • Heqja e privilegjeve ligjore

    Për vite me radhë qeveria ka dhënë privilegje ligjore që kanë favorizuar padrejtësisht aleatët e saj dhe interesat e fuqishëm biznesorë në dëm të publikut të gjerë. Këto privilegje kanë krijuar një terren të pabarabartë ekonomik, kanë penguar konkurrencën dhe i kanë mundësuar një pakice të pasurohet dhe të fitojë ndikim, ndërsa qytetarët dhe bizneset e zakonshme përballen me pengesa burokratike.

    Ne jemi të përkushtuar ta çmontojmë këtë sistem favorizimi duke eliminuar privilegjet ligjore në ekonomi dhe shërbimet publike. Lëvizja BASHKË do të shfuqizojë ligjin për investimet strategjike dhe ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik-privat. Nga ana tjetër do të hartojmë mekanizma ligjorë për të rishikuar koncesionet e deritanishme, duke u udhëhequr gjithmonë nga parimet e transparencës, konkurrencës së ndershme dhe trajtimit të barabartë për të gjithë aktorët ekonomikë.

  • Integriteti i procesit zgjedhor

    Partitë politike kanë funksionuar për një kohë të gjatë si entitete të mbyllura, duke operuar jashtë vëmendjes së publikut dhe pa llogaridhënie për veprimet dhe financat e tyre. Reforma zgjedhore shpesh ka kaluar në tregti politike mes partive tradicionale. Perceptimi i publikut, i mbështetur nga raporte të ndryshme, tregon se partitë politike janë ndër aktorët kryesorë që nxisin dhe prodhojnë korrupsion. Prandaj ne synojmë të reformojmë aspekte kyçe të mënyrës se si financohen partitë politike.

    Ne propozojmë një ligj që do të rregullojë financimin e partive politike, duke siguruar transparencë në veprimtaritë e tyre dhe ndaluar çdo financim nga burime të paligjshme.

    Hapësirat ligjore kanë lejuar aktorët politikë të anashkalojnë rregullat, të krijojnë avantazhe të padrejta dhe të fshehin aktivitete të paligjshme. Ligji për financimin e partive politike do të rregullojë kush mund të dhurojë, sa mund të dhurohet dhe në çfarë forme, si dhe mënyrën se si regjistrohen dhe shpenzohen financat. Po ashtu, ligji do të rregullojë financimin personal të fushatave të kandidatëve dhe dhurimet përmes palëve të treta. Dhurimet në para do të duhen të depozitohen në llogaritë bankare të partive politike brenda pak ditësh nga marrja, ndërsa palët e treta do të detyrohen të raportojnë aktivitetet dhe shpenzimet e fushatave për llogari të kandidatëve apo partive politike.

    Përveç kësaj, do të forcojmë kapacitetet e institucioneve shtetërore përgjegjëse për monitorimin e shpenzimeve të partive politike, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore, me një theks të fortë në shqyrtimin e shpenzimeve në rrjetet sociale. Sanksionet aktuale për shkeljet do të rishikohen dhe forcohen në mënyrë që të shkurajojnë keqbërjet.

  • Konflikti i interesit dhe deklarimi i aseteve

    Në këtë kuadër ne do të jemi të vëmendshëm ndaj lëvizjeve të individëve midis shërbimit publik dhe sektorit privat. Situata të tilla të konfliktit të interesit rrisin shqetësimet për atë që quhet kapje e proceseve rregullatore, ku institucionet rregullatore dominohen nga vetë industritë që ato duhet të mbikëqyrin. Për të luftuar këtë, do të zbatojmë periudha të rrepta shkëputjeje (cool-off period) që u ndalojnë individëve të pranojnë pozita specifike në sektorin privat për një periudhë të caktuar pas largimit nga detyra publike.

    Sa u përket deklaratave të pasurive, do të sigurojmë që këto të dhëna të jenë lehtësisht të aksesueshme për publikun, në përputhje me parimet e mbrojtjes së të dhënave të ndjeshme personale. Do të fuqizojmë autoritetin përkatës duke e pajisur me burimet e nevojshme për të verifikuar deklaratat e pasurive dhe do të garantojmë që sanksionet për mosrespektim të jenë domethënëse.

  • Sinjalizuesit

    Denoncimi i praktikave të paligjshme përmes sinjalizimit ka dështuar të arrijë qëllimet e tij, pasi numri i rasteve të raportuara mbetet zhgënjyes. Kjo mangësi ka ardhur nga autocensura e nëpunësve dhe mungesa e thellë e besimit në mekanizmat mbrojtës.

    Ne do të forcojmë ndjeshëm mbrojtjen ligjore dhe masat e konfidencialitetit për sinjalizuesit për të parandaluar çdo ekspozim që mund të rrezikojë sigurinë ose karrierën e tyre. Këto masa mbrojtëse do të përshtaten me realitetin e dinamikës së vendit të punës, duke garantuar që të mos kompromentohen nga praktikat abuzive në terren të zyrtarëve të lartë.

    Do të hartojmë një Kod të Etikës për trajtimin e raporteve të sinjalizuesve. Ky kod do të përcaktojë qartë përgjegjësitë e atyre që marrin dhe menaxhojnë këto raporte. Do të prezantojmë programe trajnimi të dedikuara për zyrtarët përgjegjës për menaxhimin e rasteve të denoncimit në mënyrë që të jenë të pajisur me aftësitë për të trajtuar informacionet e ndjeshme dhe për të mbrojtur të drejtat e sinjalizuesve. Gjithashtu, do të nisim fushata ndërgjegjësimi në shkallë të gjerë për të informuar zyrtarët publikë për të drejtën e sinjalizimit.

  • Dëmet e korrupsionit

    Ne kemi detyrimin moral për të mbështetur ata që janë dëmtuar nga korrupsioni. Do të marrim nisma ligjore për të forcuar rolin e organizatave të shoqërisë civile, gazetarëve dhe qytetarëve në luftën kundër korrupsionit, duke forcuar pozitën e tyre ligjore në çështjet që lidhen me korrupsionin. Këto masa do të sigurojnë që ata të mund të marrin pjesë në mënyrë aktive jo vetëm si denoncues dhe monitorues, por edhe si palë të treta, ekspertë në proceset gjyqësore, si dhe të mbrojnë interesat e komuniteteve duke u legjitimuar si përfaqësues ligjorë në fushat e tyre të ekspertizës.

    Po ashtu, do të ndërtojmë instrumente ligjore që u mundësojnë komuniteteve të prekura të ngrenë padi kolektive dhe të kërkojnë kompensim të dëmeve, veçanërisht në rastet që lidhen me dëmet mjedisore ose abuzimet e mëdha financiare. Këto nisma do t’u japin aktorëve shoqërorë mjetet e nevojshme për të vënë përpara përgjegjësisë autorët e korrupsionit dhe për të siguruar që paditë në interes publik të jenë efektive.

    Përpjekjet frymëzuese të komuniteteve lokale kundër projekteve të mëdha infrastrukturore që kërcënojnë jetesën e tyre, siç janë hidrocentralet, ofrojnë një orientim të mirë për arritjen e këtij qëllimi. Këto grupime qytetare tregojnë fuqinë e veprimit kolektiv dhe theksojnë nevojën për t'u dhënë zë atyre që preken drejtpërdrejt nga korrupsioni dhe abuzimi i sektorit privat.

  • Përpjekja kundër korrupsionit si normë

    Korrupsioni nuk është vetëm çështje lakmie apo përfitimi personal. Ai ndikohet edhe nga normat shoqërore, zakonet dhe mënyra se si njerëzit e perceptojnë sistemin përreth tyre. Deri më tani lufta kundër korrupsionit është përqendruar në forcimin e ligjeve dhe shtimin e kontrolleve, por këto masa nuk kanë arritur të ndryshojnë sjelljet e rrënjosura thellë.

    Ne do të ndjekim një qasje novatore, duke vënë në punë njohuritë nga shkencat e studimit të sjelljes për ta trajtuar korrupsionin edhe si problem shoqëror dhe kulturor. Shumë njerëz përfshihen në praktika korruptive sepse i shohin të tjerët duke bërë të njëjtën gjë ose nuk besojnë se ekzistojnë alternativa të ndershme. Ne do të bashkëpunojmë me ekspertë dhe institucione për të hartuar dhe testuar zgjidhje praktike që ndryshojnë këto modele, duke e bërë korrupsionin më pak të pranueshëm dhe duke nxitur ndershmërinë në jetën e përditshme.

    Si hap të parë do të zbatojmë programe pilot në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë, dy fusha ku korrupsioni prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve. Duke nxitur ndryshimin e sjelljes, synojmë të sjellim ndryshim afatgjatë që shkon përtej burokracisë dhe rregullave.

  • Sektori privat

    Korrupsioni në sektorin privat është neglizhuar në masë të madhe nga qeveria, pavarësisht ndikimit të tij të thellë në ekonomi dhe shoqëri. Ne propozojmë një sërë masash që synojnë të promovojnë transparencën, llogaridhënien, praktikat etike dhe një mjedis sipërmarrjeje më të përgjegjshëm.

    Do të nxisim sektorin privat të vërë në zbatim programe të forta etike dhe integriteti. Këto programe do të promovojnë një kulturë përgjegjshmërie, duke u kërkuar bizneseve të zbatojnë masa kundër korrupsionit, mbrojtje për sinjalizuesit dhe politika për shmangien e konfliktit të interesit.

    Do të përforcojmë auditimet publike dhe do vendosim mbikëqyrje të shtuar mbi kompanitë e mëdha që operojnë në sektorë strategjikë. Këto auditime do të vlerësojnë përputhshmërinë me standardet ligjore dhe etike, duke siguruar që sipërmarrjet e mëdha të kontribuojnë për të mirën publike dhe të mos shfrytëzojnë pozicionet e tyre në treg për përfitime të padrejta. Rezultatet e këtyre auditimeve do të bëhen publike për të nxitur llogaridhënie të shtuar.

    Do të vendosim sanksione të rrepta për profesionistët që mundësojnë praktika korruptive, përfshirë noterët, avokatët, kontabilistët dhe profesionistë të tjerë që lehtësojnë aktivitete të paligjshme. Duke i vënë lehtësuesit e korrupsionit përpara përgjegjësisë, ne do të mbyllim vrimat ligjore që lejojnë përhapjen e korrupsionit në sektorin privat.