Programi qeverisës
4. Pjesëmarrja demokratike
4.2 Puna
Në çdo epokë dhe shoqëri puna është aktiviteti më i rëndësishëm shoqëror. Prej punës fizike dhe mendore, individuale e kolektive, lind çdo produkt dhe e mirë shoqërore. Në këtë kuptim, procesi i shndërrimit të punës fizike e mendore në produkt është tejet i rëndësishëm dhe kërkon rregullim e mbrojtje ligjore.
Sipas statistikave, raporteve të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare dhe vëzhgimeve të drejtpërdrejta në terren, puna në vendin tonë mbetet një aktivitet i karakterizuar nga informaliteti i lartë, pagat e ulëta, vdekjet dhe aksidentet e shpeshta, mungesa e organizimit sindikal, produktiviteti i ulët, mungesa e krahut të punës të kualifikuar, hendeku gjinor në paga etj. Kjo gjendje e vështirë e bën çështjen e punës një emergjencë kombëtare që kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Së pari, puna duhet të jetë një aktivitet i sigurt, ku respektohen të drejtat në punë, dhe i cili të mundësojë të ardhura të mjaftueshme për të bërë një jetë të dinjitetshme. E dyta, puna duhet të jetë një aktivitet që e rrit ndjeshëm pasurinë tonë kombëtare dhe mirëqenien individuale e të përgjithshme, e për ta bërë këtë është e nevojshme të kemi një larmi aktivitetesh ekonomike, përparim teknologjik dhe punëtorë të kualifikuar. Lëvizja Bashkë, përmes programit të saj të punës, synon pikërisht realizimin e këtyre pikave.
I. Gjendja e përgjithshme
Zyrtarisht në Shqipëri janë 1,327,042 të punësuar (të punësuar me pagë, të vetëpunësuar, punëtorë pa pagë në sipërmarrjet familjare etj.), dhe 158,801 të papunë. Popullsia jo-ekonomikisht aktive, pra qytetarë që nuk klasifikohen as te të punësuarit as te të papunët, vlerësohet të jetë 832,674 vetë, dhe ekonomikisht aktive rezulton të jetë 1,485,843 vetë. Për vitin 2023 24.3 % e popullsisë që i përket grupmoshës 15-64 vjeç është jo-ekonomikisht aktive.
Sipas statistikave, në Shqipëri, numri i të punësuarve me pagë është 650,167. Nga të punësuarit, vetëm 55% e tyre marrin rrogë mujore, pra janë në skemën e sigurimeve, çka na bën një vend me informalitet të lartë në punë e në paga. Pjesa tjetër prej 393,603 vetësh konsiderohen “të vetëpunësuar” dhe 283,272 si “të punësuar pa pagesë në biznes familjar”, ku përfshihet thuajse e gjithë popullsia në zonat rurale dhe një pjesë e madhe syresh janë gra.
Sipas statistikave të punësimit, bujqësia mbetet punëdhënësi më i madh në vend me 32.3% të totalit të të punësuarve; sektori prodhimit punëson 11.2%; sektori i tregtisë dhe shërbimeve punëson 29.1%; ndërtimi punëson 7.6%; industria punëson 2.2% të totalit; dhe administrata publike kontribuon me 17.6% të totalit, nga 12.2% që ishte në vitin 2022. Shteti mbetet punëdhënësi i tretë më i madh pas bujqësisë dhe shërbimeve të tregut.

Papunësia
Sipas INSTAT Shqipëria ka rreth 158.801 të papunë. Në tremujorin e katërt 2023 shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri ishte 10,7%. Shkalla e papunësisë për grupmoshën 15-24 vjeç është 25,6 %. Krahasuar me vitin paraardhës, papunësia për këtë grupmoshë u rrit me 0,7 pikë përqindje. Për moshën 15-65 vjeç ajo është 22%; për moshën 15-29 vjeç është 22,0 %.
Personat e papunë, sipas INSTAT-it, prej një viti a më shumë, përbëjnë 71,2 % të të papunëve gjithsej. Krahasuar me vitin e mëparshëm, pesha që zënë të papunët afatgjatë në papunësinë gjithsej është rritur me 4,3 pikë përqindje. Niveli i papunësisë është më i theksuar te personat me arsimim më të ulët, gratë, banorët në zonat rurale dhe qytete të vogla dhe ndër shtresat e tjera vulnerabël të popullsisë duke ndikuar në një masë edhe më të madhe në nivelin e varfërisë së tyre.
Sipas të dhënave, rezulton së në Tr.1 2024 janë të regjistruar pranë Zyrave të Punësimit 75,486 punëkërkues të papunë. Mes tyre 18,239 janë të rinj të moshës 16-29 vjeç. Nga punëkërkuesit e papunë, 27,088 prej tyre janë me ndihmë ekonomike dhe 3,290 përfitojnë pagesën e papunësisë. Ndërsa më shumë se gjysma e tyre nuk marrin asnjë ndihmë nga shteti.
Produktiviteti i punës
Sipas të dhënave nga Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), Prodhimi i Brendshëm Bruto për orë pune në Shqipëri për vitin 2023 vlerësohet në 16.5 dollarë. Krahasuar me vitin 2022 ka një rritje me 5.8%. Megjithatë hendeku me vendet fqinjë të rajonit mbetet i konsiderueshëm. Mes vendeve të rajonit, Shqipëria paraprihet nga Serbia që e ka 20.6 dollarë, Bosnje Hercegovina 21.5 dollarë, Maqedonia e Veriut 22.7 dollarë dhe Mali i Zi 25.8 dollarë. Vetëm pak vende të Evropës Lindore, si Moldavia apo Ukraina, kanë produktivitet të punës më të ulët se Shqipëria. Të dhënat (World Development Indicators Database, 2022) tregojnë se gjatë dekadës së fundit niveli mesatar i produktivitetit të ekonomisë shqiptare, i matur në dollarë konstantë (pariteti i fuqisë blerëse) si kontribut në PBB i çdo personi të punësuar, në vitin 2012 ishte sa 31.2% e mesatares së BE, dhe në 2021 arriti në 34.7%.
Në raportin e tij për Shqipërinë, Fondi Monetar Ndërkombëtar thekson se informaliteti i lartë dhe i përhapur, dobësitë në qeverisje dhe në sundimin e ligjit, pabarazia gjinore në pjesëmarrjen në forcën punëtore dhe inaktiviteti i të rinjve janë disa pengesa të mëdha në rritjen e produktivitetit. Nëse shtojmë këtu edhe emigrimin e punëtorëve të kualifikuar dhe plakjen e shpejtë e popullsisë, gjendja është tejet alarmuese për të tashmen e të ardhmen.
Siguria në punë
Shqipëria ka një nivel tejet të ulët të sigurisë në punë. Një prej shkaqeve të kësaj pasigurie ka të bëjë me institucionet që kanë për detyrë të mbikëqyrin respektimin e kushteve të sigurisë në punë. Kësisoj, numri i inspektorëve të punës të Shqipëri është 94 vetë. Kemi 1 inspektor në 10.000 të punësuar (më pak se Maqedonia e Veriut 1.7), dhe 1 inspektor për 1200 sipërmarrje. Kjo mangësi në inspektorë evidentohet edhe në raportin vjetor të punës nga ISHPSHSH, ku theksohet se burimet njerëzore dhe financiare për inspektimin janë të kufizuara për të përmbushur efektivisht objektivat e përcaktuara. Sipas raportit të vitit 2023, Inspektorati i Punës ka inspektuar 9,938 subjekte private e shtetërore dhe 216,594 punëtorë. Në 2023 janë bërë 800 denoncime ose ankesa, mes të cilat mospagesa e orëve të prapambetura zë vendin kryesor, pastaj vijnë cenimi i marrëdhënieve të punës, heqjet nga puna, mosnjoftim të aksidenteve në punë e me radhë.
Nga inspektimet rezulton se informaliteti përbën 32.4% të shkeljeve totale të dispozitave ligjore të legjislacionit të punës. Punësimi informal, sipas ISHPSHSH, ka pësuar një rritje nga viti në vit (1092 ishte në 2021, 1965 në vitin 2023), dhe përqindjen më të lartë të informalitetit sipas inspektimeve e ka ndërtimi dhe pas tij vjen tregtia. Siguria dhe shëndeti në punë përbëjnë 30.8% të shkeljeve totale të dispozitave ligjore të legjislacionit të punës. Kushtet e Punës përbëjnë 24% të shkeljeve totale të dispozitave ligjore të legjislacionit të punës. Nga inspektimet, 1.2% e punëmarrësve janë evidentuar të punojnë pa kontrata individuale pune, 2,502 punëmarrës.
Duke marrë në konsideratë disfunksionalitetin, korrupsionin dhe nepotizmin e lartë që karakterizon institucionet shtetërore që merren me respektimin e të drejtave në punë, niveli i shkeljes së të drejtave në punë duhet menduar mjaft më i lartë se shifrat zyrtare.
Një shqetësim i madh janë dhe vdekjet në punë. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, numri i vdekjeve në punë është rritur ndjeshëm viteve të fundit. Sipas ISHP, gjatë periudhës 2028-2023, kanë humbur jetën në punë 194 punëtorë. Nëse në BE 1 në 1000 aksidente në punë është me pasojë vdekjen, në Shqipëri 1 në 6 aksidente në punë rezulton me humbjen e jetës së punëtorit. Në një raport të Organizatës Botërore të Shëndetësisë të vitit 2021, Shqipëria kishte 6.6-7.7 vdekje në punë për 100 mijë banorë, gjë që përbënte një nga nivelet më të larta në Evropë. Për vitin 2023, sipas statistikave zyrtare, kemi 168 aksidente në punë, mes të cilave 30 me pasojë vdekjen. Prej këtyre, shumica e aksidenteve dhe vdekjeve në punë janë në ndërtim, pastaj vijnë ndërmarrjet prodhuese dhe minierat. Ndërkohë, për vitin 2024 numrin më të lartë të vdekjeve e ka sektori i ndërtimit, ku vetëm në 9 muajt e parë të 2024-s kanë vdekur 14 punëtorë.
Orët shtesë
Sipas një analize mbi orët e punës, rritja e sektorit të shërbimeve dhe punës informale, dy aspekte të ekonomisë së globalizuar, janë shkaku më i madh i orareve më të gjata të punës. Në rastet e ekonomisë informale, që në vendet në zhvillim (ku bën pjesë dhe Shqipëria) jep afro gjysmën e vendeve të punës, rreth 30% e burrave punojë mbi 49 orë në javë.
Shqipëria renditet e dyta në Evropë për orët e gjata të punës ndonëse bën pjesë te vendet me pagat më të ulëta. Orët mesatare javore të punës në Shqipëri për 2023 ishin 43.7 orë. Ndërkohë në Evropë mesatarja ishte 36.1 orë në javë. Administrata publike shqiptare punon 3.7 orë më pak se mesatarja e të punësuarve në sektorë të tjerë. Në sektorin e tregtisë, hotelerisë, restoranteve, transportit e komunikacionit oraret priren të jenë të gjata. Në Shqipëri, sipas ISHPSHSH, 10.2% e sipërmarrjeve bëjnë kërkesë për autorizim për të kryer punë në orë shtesë. Por nëse llogarisim numrin e atyre që nuk bëjnë kërkesë por gjithsesi bëjnë orë shtesë (nga bisedat me punëtorët), ky nivel është shumë më i lartë.
Informaliteti
Sipas një analize të revistës Monitor, punësimit informal në vendin tonë është ndër më të lartit në rajon dhe Evropë. Nga kjo analizë del që për vitin 2023 pesha në PBB e arkëtimeve nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore është 6.2%. Për vendet e rajonit, të ardhurat e arkëtuara nga tatimi i punës zënë 10% të PBB-së, ndërsa mesatarja e BE-së është 14.1%. Pra shihet qartë që arkëtimi nga taksat e punës është më ulëti se vendet e rajonit dhe BE-së.
Jo shumë vite më parë Organizata Botërore e Punës (ILO) kishte pohuar se informaliteti në Shqipëri vlerësohej të ishte rreth 56.7% e të punësuarve (përfshirë bujqësinë).Nëse kryqëzojmë të dhënat që na vijnë nga studimi i Tregut të Punës 2023 nga INSTATI dhe studimit mbi pensionet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, niveli i informalitetit në punë në Shqipëri arrin në 44.4%. Me gjasë, niveli real i informalitetit është rreth 50%. Punësimi informal ishte më i lartë në sektorë të ekonomisë si bujqësia, ndërtimi, shërbimet e ushqimit dhe të akomodimit, si dhe te të rinjtë e punëtorët me kualifikim të ulët. Sektori i ndërtimit, po sipas ILO-s, vlerësohet me një nga nivelet më të larta të informalitetit në punësim dhe paga. Informaliteti në këtë sektor arrin në 60%. Pagat në ndërtim vijojnë të jenë më të ulëta se paga reale dhe se ajo mesatare, megjithëse pranohet nga të gjithë se kjo është një punë e mirëpaguar.
Sipas një sondazhi të organizuar nga revista Monitor, arsyet kryesore se përse ka informalitet, qytetarët e pyetur rendisin: mungesën e përfitimeve në formë shërbimesh nga ana e shtetit përkundrejt pagesës së kontributeve të sigurimeve dhe tatimeve; shërbimi shëndetësor ofrohet kundrejt pagesës dhe për rrjedhojë nuk ka leverdi në pagesën e sigurimeve; pensionet e ulëta nuk i nxisin ata që të kontribuojnë në pagesën e sigurimeve. Një tjetër arsye se përse informaliteti është në rritje ka të bëjë me konkurrencën e padrejtë nga bizneset informale dhe ato që favorizohen nga administrata shtetëror. Kjo i shtynë shumë biznese të tjera drejt informalitetit duke e futur të gjithë sipërmarrjen në një rreth vicioz.
Mbikualifikimi/mospërputhja e aftësive
Sipas ETF-së (European Training Foundation), në Shqipëri të paktën një në pesë të diplomuar nga arsimi i lartë ka një vend pune që kërkon nivel më të ulët të kualifikimeve formale. Incidenca e mospërputhjes së aftësive për të diplomuarit në arsimin e mesëm është më e ulët se ajo e të diplomuarve nga arsimi i lartë. Në vitet e shkuara rreth 2/3 e të rinjve të diplomuar nga arsimi i lartë ishin të punësuar në pozicione pune që kërkonin nivel më të ulët kualifikimi. Sipas ekspertëve, sfidat e mungesës apo mospërputhjes së aftësive, me shumë gjasa, janë rezultat i sasisë, cilësisë apo rëndësisë së pamjaftueshme të ofertës së arsimit dhe formimit. Pjesëmarrja e ulët në të nxënit gjatë gjithë jetës është identifikuar edhe nga anketa për arsimin e të rriturve, e zhvilluar nga INSTAT-i në vitin 2017.
Paga
Paga minimale zyrtare në Shqipëri është 40.000 lekë. Paga mesatare bruto për një të punësuar me pagë në Shqipëri ishte 77.669 lekë në fund të muajit shtator të 2024. Gjatë vitit 2024, rezulton se 25% e të punësuarve paguhen nën pagën minimale zyrtare, dhe 20 % marrin një pagë 40.001- 50.000 lekë. Pra 45% e të punësuarve paguhen nën 50,000 lekë bruto në muaj. Ndërkohë, 9.4% marrin 50.001- 60.000 lekë, dhe 26.8% marrin 60.001-95.000 lekë dhe i përkasin kryesisht punonjësve të administratës. Dhe vetëm 7% marrin 95.001-120.000 lekë dhe 8.9% marrin mbi 120.000 lekë.
Paga minimale në Shqipëri është me e ulëta në Evropë dhe rajon. Në euro paga minimale është rreth 400 euro (kjo edhe falë ndryshimit drastik të kursit të këmbimit). Mali i Zi e ka 532 euro, Serbia 544 euro, pra 35% më të lartë. Pavarësisht se vendi ynë e ka pagën minimale në vlerë nominale (jo reale) më të lartë se Maqedonia e Veriut (360 euro), ne sërish mund të blejmë më pak se në MV për shkak të çmimeve të shtrenjta. Edhe për sa i përket pagës mesatare Shqipëria është e fundit në rajon, me 749 euro; Maqedonia e Veriut 985 euro, Mali i Zi 1,042 euro, Bosnje Hercegovina 1,084 euro, Serbia 1200 euro.
Sipas INSTAT, hendeku gjinor në paga është 6,2 %. Pra burrat kanë një pagë mesatare mujore bruto 6,2 % më të lartë se gratë. Më poshtë gjeni të detajuar sa është paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë sipas grup aktiviteteve ekonomike dhe gjinisë:

Në disa sektorë që kanë barrën më të madhe të punësimit dhe janë strategjikë për ekonominë tonë, paga është më e ulët se ajo mesatare. Në tremujorin e fundit të 2023 paga në bujqësi ishte sa 65% e pagës mesatare. Në ndërtim, si pasojë e informalitetit në paga, kemi paga që janë 22% më të ulëta se ajo mesatare. Industria ka pagë 14% më të ulët se ajo mesatare. Edhe tregtia, transporti dhe shërbimet kanë paga që janë 19% më të ulëta se ajo mesatare. E kundërta ndodh me aktivitetet financiare që kanë paga 98% më të larta se mesatarja.
II. Problemet kryesore
Sipas raporteve zyrtare, plakja e popullsisë dhe lëvizjet migratore kanë ulur rritjen e fuqisë punëtore në vend. Kategoritë e personave që vendosin të emigrojnë jashtë vendit kanë ndryshuar në vite duke krijuar mungesë në tregun e punës për profesione të veçanta që janë edhe më të kërkuara në tregjet e huaja.
- Përpos emigrimit, edhe migrimi nga zonat rurale dhe qytetet më të vogla drejt zonave kryesore urbane është një fenomen që ka problemet dhe të mirat e veta.
- Paga minimale dhe ajo mesatare janë më të ulëtat në Evropë dhe rajon.
- Mungesa e krahut të punës të specializuar dhe të paspecializuar. Kjo ka bërë që numri i të huajve që vijnë për të punuar në Shqipëri të jetë në rritje nga viti në vit. Për vitin 2022, për shembull, kanë qenë 8,305 shtetas të huaj (ose 3,271 më shumë se një vit më parë), ndërsa për 2023 janë 9,825 punëtorë të huaj. Megjithatë ky numër mbetet sërish i ulët për të përmbushur nevojat e tregut të punës. Madje shumë prej tyre raportohet se largohen nga vendi ynë për shkak të pagave të ulëta.
- Papunësia e lartë, sidomos mes të rinjve (për grupmoshën 15-24 vjeç është 25,6 %, dhe sa vjen dhe rritet), qytetarëve me arsim të ulët, grave, banorëve të zonave rurale dhe shtresat e tjera vulnerabël.
- Nënpunësimi. Sipas raporteve, në vitin 2019 rreth 2/3 e të rinjve të diplomuar me arsim të lartë ishin të punësuar në pozicione pune, të cilat kërkonin nivel më të ulët kualifikimi.
- Mospërputhja e ofertës dhe kërkesës për punë është e gjithanshme. Numri i ofertave për punë është 52% e numrit të punëkërkuesve të papunë të regjistruar në të gjitha zyrat e punës. Në rajonet Tiranë dhe Fier kjo shifër shkon përkatësisht 86% dhe 62%.
- Popullsia në moshë pune ka një nivel të ulët aftësish. Sipas Anketës së Forcave të Punës (AFP) të vitit 2021, 41.6% e forcave të punës dhe 48.3% e popullsisë në moshë pune në Shqipëri është me arsim bazë (8-/9-vjeçar) ose më të ulët. Një tjetër problem është mungesa e aftësive të kërkuara në tregun e punës.
- Numri i ulët i inspektorëve për ndërmarrje dhe numri i ulët i inspektimeve. Për vitin 2023 nga 209,590 ndërmarrje aktive, vetëm 9,938 ndërmarrje janë inspektuar.
- Mbi 60% e shkeljeve përbëhen nga informaliteti dhe mungesa e sigurisë e shëndetit në punë.
- Rritje e punësimit informal me 9.2% në 2023. Në vitin 2021 rezultonte se vetëm 47.9% e të punësuarve (ose 0.6 nga 1.25 milionë) janë të punësuar me pagë (norma mesatare për vendet e Ballkanit Perëndimor ishte 73%).
- Sipas OBSH-së, Shqipëria në 2021 kishte 6.6-7.7 vdekje në punë për 100 mijë banorë, një nga nivelet më të larta evropiane.
- Numri i lartë i vdekjeve në sektorin e ndërtimit. Në nëntë muaj të 2024 kanë vdekur 14 punëtorë në këtë sektor.
- Orët e gjata të punës: Në shumë raste janë dhe arsyeja e aksidenteve dhe vdekjeve në punë.
- Nga 75,486 punëkërkues të papunë rezulton se 62% e tyre, ose 46,849 të papunë, nuk marrin asnjë ndihmë financiare nga shteti.
- Niveli i pagesës së papunësisë është i vendosur në shkallën 50% të pagës minimale, të paguara përgjatë 3 deri në 12 muajve. Praktika rajonale e lidh nivelin e pagesës me nivelin e pagës gjatë punësimit, e cila ka një nivel zëvendësimi prej 50-90%.
- Sipas të dhënave nga ILO-s, Prodhimi i Brendshëm Bruto për orë pune në Shqipëri për 2023 vlerësohej në 16.5 dollarë ndërkombëtarë. Ky tregues është rritur me 5.8% krahasuar me vitin 2022, por hendeku me vendet fqinjë të rajonit ngelet i konsiderueshëm. Sipas analizës së OECD mbi konkurrencën në Ballkanin Perëndimor të vitit 2024, niveli i produktivitetit në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor është sa 36% e vendeve të BE-së. Për vendin tonë kjo përqindje është më e ulët. Kufizimi detyrues ndaj rritjes së fortë ekonomike në Shqipëri është mungesa e “dijes produktive” (productive know-how), domethënë e njohurive dhe aftësive që kërkohen për të prodhuar mallra dhe shërbime komplekse. Në sektorin e bujqësisë, pylltarisë dhe peshkimit, sipas të dhënave, produktiviteti i forcës punëtore është shumë i ulët. Ky sektor prodhon 18.6% të PBB-së dhe angazhon 34.93% të popullsisë, çka nënkupton që angazhimi i 1% të popullsisë përkthehet në kontribut për PBB-në vetëm në 0.53%. Sipas të dhënave, 21.4% e PBB-së është kontribut nga sektori i industrisë ku përfshihet po ashtu 21.4% e forcës punonjëse. Kjo tregon që kontributi në këtë rast është 1 me 1, pra 1% e forcës punëtore kontribuon në 1% të PBB-së. Për shkak të investimeve të ulëta në teknologji dhe faktorëve të tjerë kontributi i sektorit të industrisë, duke konsideruar pjesën e punonjësve që punojnë për zhvillim të këtij sektori, është relativisht i ulët për Shqipërinë në krahasim me të gjitha vendet e tjera. Raporti i kontributit në PBB nga 1% e pjesës së forcës punëtore mund të jetë edhe më i lartë për shkak të nivelit të lartë të informalitetit që ka pikërisht sektori i ndërtimit. Kontributi i sektorit të shërbimeve në ekonominë shqiptare është në nivelin 47.35% të PBB-së. Niveli i punëtorëve të angazhuar në këtë sektor rezulton që në Shqipëri është 44%. 1% të forcës punëtore në sektorin e shërbimeve përkthehet në më shumë se 1% kontribut në ekonominë shqiptare. Sipas raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë 2023, konkurrueshmëria e Shqipërisë pengohet nga nivelet relativisht të ulëta të njohurive sipërmarrëse dhe teknologjike, nga nevojat e paplotësuara për investime në kapitalin njerëzor dhe fizik, shpenzimet e vazhdueshme të ulëta për kërkim shkencor dhe zhvillim dhe, gjithnjë e më shumë, nga mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar.
- Mungesa e organizimit sindikal dhe vështirësitë në organizimin e punëtorëve.
- Heqjet arbitrare e të padrejta nga puna.
- Moszbatimi i Kodit të Punës, kontratave individuale të punës dhe legjislacionit të punës.
- Hendeku gjinor në paga në të gjitha profesionet. Në pjesën e parë të vitit 2023 paga mesatare për burrat ishte 72,681 lekë, ndërsa për gratë 68,183 lekë. Për disa profesione është dhe 25,6 %. Sipas FMN-së, në vendin tonë ka një hendek gjinor edhe në pjesëmarrjen në tregun e punës. Pjesëmarrja e burrave është 13% më e lartë se e grave. Në vitin 2022 vetëm 66.7% e grave merrnin pjesë në tregun e punës. Dhe ky hendek lidhet me gratë që kanë arsim fillor ose të mesëm.
III. Alternativa e Lëvizjes BASHKË
- Themelimi i Ministrisë së Punës dhe fuqizimi i kapaciteteve të saj do t’i vendosë të drejtat e punëtorëve, sigurinë në punë dhe kualifikimin e forcës punëtore si përparësi ekonomike e sociale të zhvillimit të qëndrueshëm të Shqipërisë.
- Riorganizim meritokratik i Inspektoratit Shtetëror të Punës, rritje e numrit të inspektorëve në 2 për 10.000 të punësuar dhe shtim i inspektimeve rastësore, sidomos në sektorët me rrezik të lartë si ndërtimi dhe minierat.
- Luftë ndaj informalitetit duke rritur inspektimet dhe duke shtuar masën e gjobave nga ana e Inspektoratit të Punës dhe Tatimeve. Luftë informalitetit duke luftuar korrupsionin në administratën shtetërore dhe në biznese. Lëvizja BASHKË do të çojë përpara edhe politika mbështetëse për bizneset e vogla dhe të vetëpunësuarit që të formalizojnë marrëdhëniet e punës. Faktor shtesë i formalizimit të marrëdhënieve të punës në bujqësi do të jetë nxitja e krijimit të Shoqërive të Bashkuara Bujqësore.
- Ndryshim i Kodit Penal për rastet e vdekjeve në punë, duke ashpërsuar ndëshkimet në rastet e vdekjeve në punë dhe nxitur hetimin e plotë të përgjegjësive për vdekjet në punë.
- Rritje e pagës minimale në 60,000 lekë, duke shkurajuar kësisoj emigrimin e forcës punëtore, investimet në teknologji dhe organizimin modern të punës, duke kontribuuar kësisoj edhe në rritjen e produktivitetit të punës.
- Rritje e pagesës së papunësisë, nga 50% e pagës minimale që është sot, do të shkojë në 80% të pagës minimale.
- Ulje e hendekut gjinor në paga dhe në pjesëmarrjen në tregun e punës deri në barazi gjinore. Rritja e pjesëmarrjes së grave në punë do ta rriste nivelin e PBB me 5%, sipas FMN-së. Mbyllja e hendekut në pagave, orëve të punuara dhe dallimeve profesionale do të çonte gjithashtu në rritje të nivelit të PBB-së me 10%. Kjo do të arrihet nëpërmjet politikave të nxitjes së punësimit, edukimit, trajnimeve, e mbi të gjitha nëpërmjet rritjes së pagës minimale.
- Realizim i politikave të rritjes së produktivitetit nëpërmjet arsimit dhe formimit profesional. Mbështetje dhe nxitje të sipërmarrjeve për t’i trajnuar punëtorët vazhdimisht. Po ashtu mbështetje ndaj sipërmarrjeve prodhuese për të rritur kapacitetet e tyre teknologjike. Nga ana tjetër, rritja e pagës minimale, ulja e orëve të punës, barazia gjinore në paga dhe në pjesëmarrjen në tregun e punës, janë të tjerë faktorë që do ta rrisin produktivitetin në punë.
- Përmirësimi i Kodit të Punës:
- Do të sanksionohet në ligj rikthimi i punëtorëve të hequr padrejtësisht nga puna në rast vendimi pozitiv nga gjykata, ashtu siç parashikohet në rastin e nëpunësit civil. Nëse punëtori nuk do të rikthehet, do të marrë si dëmshpërblim 15 paga mujore. Nga ana tjetër, vënia e pengesave ligjore ndaj heqjes së padrejtë nga puna ndihmon në rritjen e produktivitetit sepse ul koston që ka punësimi i punëtorëve të rinj pa eksperiencë, trajnimi i tyre e ambientimi me punën.
- Në rast të shkeljes së Kodit të Punës, ligjeve apo kontratës së punës, shpalljen e grevës, përpos sindikatës, mund ta bëjnë dhe vetë punëtorët. Greva do të jetë e ligjshme nëse votojnë pro saj 50% plus 1 e punëtorëve të pranishëm në votim, në kushtet e sigurisë së plotë të mbledhjes, diskutimit dhe vendimmarrjes nga ana e punëtorëve.
- Do të ulet nga 20 në 10 numri i punëtorëve që duhen për themelimin e sindikatës (duke parë numrin e lartë të ndërmarrjeve të vogla e të mesme).
- Do të ashpërsohen masat ndaj punëdhënësve që do të shkelin të drejtat ligjore të punëtorëve për t’u organizuar në sindikatë.
- Do të njihet e drejta e punëtorëve besimtarë që të shkëputen përkohësisht nga vendi i punës për të kryer rituale të rëndësishme fetare, kur këto të fundit zhvillohen në ditë pune (si p.sh. e premtja për besimtarët myslimanë apo për besimtarët e krishterë e diela, kur kjo ditë është ditë pune.)
- Politika mbështetëse, ndërgjegjësuese për organizimin e punëtorëve në sindikata, federata e konfederata pune, dhe për miratimin e kontratave kolektive të punës.
- Në afatgjatë do të propozohet futja në Kodin e Punës të Këshillave të Punëtorëve në sipërmarrjet e mesme dhe të mëdha, bazuar në modelin gjerman të bashkëmenaxhimit. Këto organizma do të jenë thelbësorë në vendosjen e një ekuilibri mes interesave të sipërmarrjeve dhe interesave të punëtorëve. Ndryshe nga sindikatat, këta këshilla do të përfaqësojnë të gjithë punëtorët e një fabrike ose vendi pune, pavarësisht pjesëmarrjes ose jo të tyre në një sindikatë. Këshillat zgjidhen nga të gjithë punëtorët e një sipërmarrjeje. Sipërmarrja është e detyruar të konsultojë Këshillin për çështjet e rëndësishme si: a) heqjet nga puna dhe marrjet në punë; b) orët e punës dhe pushimet vjetore; c) Shëndeti i punëtorëve dhe kushtet e sigurisë në punë. Këshilli ka për funksion përfaqësimin e interesave të punëtorëve përballë sipërmarrjes; si dhe ndërmjetësimin mes punëtorëve dhe drejtuesve të sipërmarrjes në mënyrë që të parandalohen dhe të zgjidhen konfliktet e brendshme.
- Miratimi i Statusit të Minatorit sipas kërkesave të mëposhtme të vetë minatorëve dhe ish-minatorëve të organizuar:
Sigurimi i jetës për minatorët
- Në raste aksidentesh me pasojë vdekjen:
- 6 milion lekë dëmshpërblim familjarëve (sipas VKM-së Nr.1109, datë 30.07.2008) për të gjithë minatorët që vdesin në vendin e punës;
- Pension familjar në masën 100% të pagës;
- Bursa studimi universitar për fëmijët.
- Në raste aksidentesh me pasojë pamundësinë për punë:
- Dëmshpërblim për pasojat fizike të shkaktuara (humbje gjymtyrësh, etj.);
- Mbulim i plotë i shpenzimeve mjekësore;
- Pension i parakohshëm i plotë në masën 100% të pagës;
- Bursa studimi universitar për fëmijët.
- Në raste aksidentesh me rikthim në punë:
- Dëmshpërblim për pasojat fizike të shkaktuara (humbje gjymtyrësh, etj.);
- Pagë e plotë deri në rifillimin e punës;
- Mbulim i plotë i shpenzimeve mjekësore.
Rritja e pagave dhe përfitimeve të tjera për minatorët
- Paga minimale e minatorëve të mos jetë më e ulët se 235% e pagës minimale zyrtare (llogaritur sot, 94’000 lekë);
- Pagesë për vështirësi dhe vjetërsi në punë;
- Pagë të 13-të;
- Kontrata të rregullta pune për çdo punëtor të këtij sektori;
- Sigurim nga papunësia:
Në rast të humbjes së vendit të punës, pagesë 100% të pagës minimale zyrtare në muaj (aktualisht 40’000 lekë), deri në 5 vite, e përshkallëzuar sipas viteve të punës në nëntokë dhe gjithsej:
Punë në nëntokë Punë gjithsej Pagesë papunësie 6 vite 12 vite 5 vite 5 vite 10 vite 4 vite 4 vite 8 vite 3 vite 3 vite 6 vite 2 vite 2 vite 4 vite 1 vit - Përparësi në punësim e strehim prej institucioneve shtetërore.
- Rritje të pagave të punëtorëve në miniera në sipërfaqe, në raport me pagat e nëntokës të kërkuara në këtë peticion;
- Indeksim i përvitshëm i shumave të mësipërme me inflacionin.
Rritja e pensioneve për minatorët
- Mosha e pensionit të plotë, vjetërsia e punës në nëntokë dhe vjetërsia e punës gjithsej, të jenë si më poshtë:
- Mosha e pensionit, e përshkallëzuar, të jetë 53-55 vjeç;
- Vjetërsia e punës në miniera në nëntokë, e përshkallëzuar, të jetë 10-11 vite;
- Vjetërsia e punës në miniera në nëntokë të jetë 25 vjet.
Punë në nëntokë Punë gjithsej Mosha e pensionit të plotë 11 vite 25 vite 53 vjeç 10.5 vite 25 vite 54 vjeç 10 vite 25 vite 55 vjeç - Masa e pensionit të jetë e plotë që në momentin e daljes në pension, duke përfshirë edhe trajtimin financiar suplementar;
- Pensioni minimal për minatorët, të mos jetë më i ulët se 135% e pagës minimale zyrtare (llogaritur sot, 54’000 lekë);
- Të ketë shtesë të pensionit të plotë, 1% për çdo vit pune në nëntokë mbi 11 vite;
- Ndryshimet në masën e pensioneve, të kërkuara sipas këtij peticioni, të reflektohen edhe në pensionet e ish-minatorëve (pensionistët aktualë);
- Indeksim i përvitshëm i shumave të mësipërme me inflacionin.
Garantimi i kujdesit shëndetësor të veçantë për minatorët dhe ish-minatorët
- Pavion i specializuar spitalor për sëmundjet profesionale;
- Kontroll i plotë shëndetësor të paktën 2 herë në vit;
- Kurim falas, brenda dhe jashtë vendit, për sëmundjet profesionale;
- Barna 100% të rimburshueshme.