Programi qeverisës
4. Pjesëmarrja demokratike
4.7 Politika e jashtme dhe diaspora
Lëvizja BASHKË angazhohet për një politikë të jashtme aktive dhe transformuese, që mbështet interesat kombëtare shqiptare dhe kontribuon në zbatimin e të drejtës ndërkombëtare, barazinë e solidaritetin mes popujve dhe të drejtën e tyre për vetëvendosje. Lëvizja BASHKË do të mbështesë fuqimisht pacenueshmërinë e kufijve të Republikës së Kosovës dhe njohjen e plotë ndërkombëtare të shtetësisë së Kosovës, duke kontribuuar kësisoj në stabilitetin rajonal dhe zbatimin e parimeve të së drejtës ndërkombëtare. Ne do të përshpejtojmë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe do të forcojmë lidhjet me SHBA dhe partnerët e tjerë strategjikë të Shqipërisë.
I. Marrëdhëniet ndërkombëtare
Integrimi në Bashkimin Evropian
Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është një prioritet strategjik i Lëvizjes Bashkë që pasqyron aspiratat tona mbarëshoqërore. Shqipëria është pjesë e pandashme e Evropës, me një identitet dhe histori që lidhet ngushtë me kontinentin tonë. Për ne, integrimi në Bashkimin Evropian nuk është thjesht një proces formal, por edhe përparim shoqëror drejt materializimit të vlerave më të mira të kulturës evropiane. Lufta ndaj korrupsionit, fuqizimi i institucioneve të pavarura, demokratizimi i sistemit politik, respektimi i plotë i të drejtave të njeriut, reformat përparimtare në ekonomi dhe konsolidimi i shtetit social janë sa qëllime në vetvete në emancipimin e shoqërisë shqiptare, aq edhe afruese të objektivit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në qeverisjen e Lëvizjes BASHKË Shqipëria do të bëhet së shpejti anëtare e denjë dhe e barabartë e Bashkimit Evropian, jo si koncesion gjeopolitik, por si shembull i një shoqërie që arrin me meritë të jetësojë parimet më të mira të qenies shtet anëtar i Bashkimit Evropian.
SHBA dhe aktorët e tjerë ndërkombëtarë
Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një komponent i rëndësishëm i politikës së jashtme të Lëvizjes Bashkë, veçanërisht për forcimin e sigurisë dhe shtetit të së drejtës. Ne vlerësojmë kontributin historik të SHBA veçanërisht në rinjohjen e shtetësisë së Shqipërisë (1920) dhe në çlirimin e Kosovës.
Shqipëria do të fuqizojë marrëdhëniet strategjike me të tjerë partnerë historikë të vendit tonë. Po ashtu do të nxisim marrëdhëniet ekonomike e tregtare, në raporte reciprociteti, me çdo vend të botës që respekton parimet e të drejtës ndërkombëtare dhe njeh interesat kombëtare vitale të Shqipërisë.
Një politikë e jashtme dinjitoze, duke nxitur respektimin e të drejtave të njeriut dhe paqen mes popujve, do të mundësojë që Shqipëria të forcojë pozitat e saj në skenën globale.
Mbrojtja dhe siguria
Lëvizja BASHKË do të angazhohet për forcimin e mbrojtjes dhe sigurisë se Shqipërisë përmes modernizimit të forcave të armatosura dhe përgatitjes së strukturave specifike të sigurisë. Ne do të investojmë në përmirësimin e pajisjeve dhe teknologjive të avancuara për forcat speciale dhe njësitë e mbrojtjes, duke rritur kapacitetin e inteligjencës për të identifikuar dhe parandaluar kërcënimet. Rritja e bashkëpunimit me aleatët e NATO-s dhe forcimi i sigurisë kibernetike do të jenë prioritete kryesore, duke siguruar mbështetje të nevojshme për mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe të dhënave të ndjeshme. Gjithashtu, do të promovojmë një qasje gjithëpërfshirëse që angazhon qytetarët në mbrojtjen e sigurisë kombëtare, duke forcuar kështu stabilitetin dhe sigurinë e vendit në mënyrë efektive.
II. Kosova dhe shqiptarët e rajonit
Lëvizja BASHKË do të mbështesë shqiptarët në rajon dhe do të angazhohet për të zgjidhur problemet e shqiptarëve kudo ku jetojnë në trojet e tyre në Ballkan.
Marrëdhëniet me Kosovën
Shqipëria do të luaj një rol aktiv në kërkimin e njohjes së shtetit të Kosovës nga të gjitha shtetet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Lëvizja BASHKË do të angazhohet për një koordinim të ngushtë të politikës së jashtme të Shqipërisë me atë të Kosovës, duke krijuar një platformë të përbashkët për të promovuar interesa dhe objektiva të përbashkëta në arenën ndërkombëtare. Ne do të punojmë për të koordinuar politikat dhe strategjitë në lidhje me çështjet rajonale dhe globale, duke fuqizuar zërin e përbashkët të dy vendeve në organizata ndërkombëtare.
Lëvizja BASHKË do të angazhohet për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Ne besojmë se rritja imediate e fuqisë mbrojtëse të Kosovës ka përparësi në këtë marrëdhënie dhe është element kyç për sigurinë kombëtare dhe stabilitetin në rajonin e Ballkani. Prandaj, si vend i NATO-s, ne do të angazhohemi për t’i dhënë një prioritet të veçantë bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes për të kontribuar në rritjen e kapaciteteve ushtarake të Kosovës.
Lëvizja BASHKË është e përkushtuar për të eliminuar çdo barrierë tregtare dhe fizike mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ne synojmë të krijojmë një hapësirë ekonomike të integruar, ku lëvizja e forcës punëtore, kapitalit dhe mallrave është tërësisht e lirë. Ky angazhim për një hapësirë ekonomike dhe sociale pa kufij do të ndihmojë në forcimin e lidhjeve dhe zhvillimin e një tregu të përbashkët; gjë që promovon rritjen e dyanshme ekonomike dhe mundësitë për qytetarët e të dyja vendeve, por edhe shtron rrugën e një bashkëpunimi më të gjerë rajonal.
Lëvizja BASHKË angazhohet për të lehtësuar sa më shumë procedurat e fitimit të shtetësisë së Republikës së Shqipërisë për qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët e vendeve të tjera të rajonit që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri.
Njohja dhe fuqizimi i shtetësisë së Kosovës, nga njëra anë, dhe integrimi reciprok i shpejtë ekonomik e social midis Shqipërisë dhe Kosovës, do ta bëjë më të afërt realizimin e aspiratës kombëtare shqiptare për bashkim.
Shqiptarët e vendeve të tjera në Ballkan
Lëvizja BASHKË do të angazhohet për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut (duke fuqizuar veçanërisht karakterin shtetformues kushtetues të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut), Mal të Zi dhe Serbi, duke kërkuar përmirësimin e kushteve sociale, ekonomike dhe kulturore të shqiptarëve. Ne do të punojmë për të siguruar përfaqësim të drejtë dhe të barabartë në institucionet shtetërore dhe për të mbështetur iniciativat që promovojnë integrimin dhe zhvillimin e këtij komuniteti. Një vëmendje e veçantë do t’u kushtohet shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilët përbëjnë komunitetit shqiptar më të diskriminuar në Ballkan. Shqipëria duhet të ngrejë zërin kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe do të çojë përpara politikat e sigurimit dhe avancimit të të drejtave kombëtare, sociale dhe ekonomike të shqiptarëve që jetojnë në Serbi.
Po ashtu, Lëvizja BASHKË do të angazhohet për të mbështetur komunitetin çam në kërkesat e tyre për njohjen e të drejtave të tyre nga Republika e Greqisë. Një hap i rëndësishëm në këtë rrugëtim është heqja e ligjit të luftës nga ana e Republikës së Greqisë, e cila ende sot pengon njohjen e të drejtave të shqiptarëve në Greqi. Nga ana tjetër, Republika e Shqipërisë do ta promovojë bashkëjetesën midis shqiptarëve dhe minoritetit grek në Shqipëri si model të marrëdhënieve që shteti grek duhet të ketë me shqiptarët e Greqisë në tërësi dhe komunitetin çam në veçanti.
III. Diaspora dhe problemet e emigracionit
Një përqindje e madhe e shqiptarëve jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, duke përfaqësuar një nga përqindjet më të larta të diasporës në raport me popullsinë e brendshme në nivel global. Ky fakt thekson rëndësinë e jashtëzakonshme që ka diaspora për zhvillimin ekonomik, kulturor dhe politik të vendit tonë. Lëvizja BASHKË e konsideron diasporën si një faktor kyç për përparimin politik, ekonomik e social të Shqipërisë. Ne do të angazhohemi për të forcuar lidhjet me bashkatdhetarët tanë jashtë vendit, duke hartuar politika që mbështesin njohjen e plotë të të drejtave të tyre në vendet ku jetojnë dhe përfshirjen e tyre aktive në jetën politike, ekonomike dhe sociale të Shqipërisë.
Lëvizja BASHKË do të promovojë politikat që mbështesin pjesëmarrjen aktive të shqiptarëve në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore të vendeve pritëse, duke ndihmuar në ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe të përfaqësimit dinjitoz. Përmes organizatave dhe rrjeteve të fuqizuara të diasporës, synojmë të krijojmë një platformë që do të përforcojë ndikimin e tyre në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të shqiptarëve, si dhe në promovimin e vlerave dhe kulturës sonë kombëtare në skenën ndërkombëtare.
Lëvizja BASHKË angazhohet për krijimin e një platforme novatore dhe të sigurt për regjistrimin dhe vetëdeklarimin e shqiptarëve në botë. Kjo platformë do të ofrojë një qasje të avancuar dhe të lehtë për përdorim, duke lejuar shqiptarët që të regjistrohen dhe të identifikohen në mënyrë të sigurt dhe transparente. Përdorimi i teknologjisë bashkëkohore do të garantonte mbrojtjen e të dhënave personale, duke krijuar një mjedis besueshëm për ata që dëshirojnë të lidhen me vendin e tyre të origjinës. Kjo nismë do të forcojë lidhjet me diasporën dhe do të ndihmojë në krijimin e një pasqyre të qartë mbi nevojat dhe aspiratat e shqiptarëve jashtë vendit, duke mundësuar zhvillimin e politikave dhe shërbimeve të orientuara drejt mbështetjes së tyre.
Lëvizja BASHKË thekson rëndësinë e investimeve nga diaspora si një faktor kyç për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Themelimi i një banke zhvillimore do të ketë si një prej objektivave të saj edhe thithjen e fondeve nga diaspora, të cilat do të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit. Në këtë kuadër të integrimit ekonomik, do të merren edhe masa të lehtësimit të procesit të marrjes së shtetësisë shqiptare për diasporën e vjetër shqiptare në Itali, Greqi, SHBA, Turqi, Ukrainë, Kroaci etj.
Lëvizja BASHKË angazhohet për krijimin e një programi ku profesionistë shqiptarë në diasporë ofrojnë mbështetje për rininë shqiptare që jeton në Shqipëri, duke lidhur profesionistë nga fusha të ndryshme si biznesi, shkenca, arti dhe teknologjia me të rinjtë që kërkojnë ndihmë në zhvillimin e aftësive të tyre; programi do të përfshijë trajnime praktike, workshop-e dhe mundësi për praktika profesionale në kompani të njohura, duke krijuar një hapësirë bashkëpunimi që inkurajon të rinjtë të ndjekin ambiciet e tyre dhe të kontribuojnë në zhvillimin e vendit.
Lëvizja BASHKË do të angazhohet për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe në diasporë përmes financimit të hapjes së shkollave shqipe në qytetet me prani të rëndësishme të shqiptarëve nëpër botë. Po do të mbështesim krijimin e kurseve gjuhësore dhe kulturore online për çdo shqiptar të diasporës kudo ku jeton. Përmes bashkëpunimit me organizatat lokale dhe qendrat kulturore, do të nxisim përfshirjen e gjeneratave të reja në aktivitete që forcojnë lidhjet me gjuhën dhe kulturën shqipe. Gjithashtu, do të zhvillojmë programe që lehtësojnë përdorimin e gjuhës shqipe në jetën e përditshme të emigrantëve, duke mbajtur të gjallë trashëgiminë tonë kombëtare dhe kulturore.
Lëvizja BASHKË angazhohet për përmirësimin e ndjeshëm të shërbimeve konsullore për emigrantët shqiptarë. Ne do të fokusohemi në krijimin e platformave online për aplikime dhe dokumente, duke eliminuar nevojën për takime fizike të panevojshme dhe duke shpejtuar përpunimin e kërkesave për rinovimin e dokumenteve, bashkimin familjar dhe shërbime të tjera të domosdoshme. Ne do të rrisim kapacitetet profesionale dhe trajnimin e stafit konsullor dhe do të përfshijmë studentë që kanë studiuar në vendet ku jetojnë si pjesë të stafit të ambasadave dhe konsullatave.
Lëvizja BASHKË do të zbatojë një program amnistie fiskale për të ardhurat e emigrantëve shqiptarë deri në shumën 100,000 Euro, duke pamundësuar kësisoj praktikat e pastrimit të parave të krimit të organizuar. Ky program ka për qëllim të adresojë realitetin e emigrantëve shqiptarë që për shkak të kushteve të vështira ekonomike në vendet ku jetojnë, shpesh janë të detyruar të punojnë në sektorin informal për të kursyer para. Amnistia do të ofrojë një mundësi të rëndësishme për të lehtësuar transferimin e të ardhurave dhe kapitalit në Shqipëri.
Lëvizja BASHKË do të angazhohet që shteti shqiptar të luajë një rol aktiv në mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve që kanë vendosur të jetojnë në vendet ku kanë emigruar. Ne do të punojmë për të siguruar mbështetje ligjore dhe mbrojtje nga diskriminimi për emigrantët tanë. Shteti shqiptar do të jetë një partner i fuqishëm për të garantuar akses në shërbime publike, njohjen e të drejtave sociale dhe ekonomike, dhe për të siguruar që emigrantët të kenë mundësi të ruajnë lidhjet e tyre me Shqipërinë, ndërsa ndërtojnë jetën e tyre jashtë vendit dhe që të kenë asistencën e nevojshme nga shteti shqiptar në rastet ku nevojitet.
Lëvizja BASHKË angazhohet për krijimin e një Agjencie për Mbrojtjen e Punëtorëve Emigrantë, e cila do të funksionojë pranë ambasadave dhe konsullatave shqiptare. Kjo agjenci do të monitorojë kushtet e punës së emigrantëve, të ofrojë asistencë ligjore për legalizimin e punës, si dhe mbështetje për emigrantët shqiptarë që përballen me shfrytëzim, padrejtësi apo pasiguri në vendet ku jetojnë. Ajo do të krijojë një mekanizëm raportimi të sigurt për punëtorët dhe do të bashkëpunojë me institucionet vendase për të garantuar respektimin e të drejtave të tyre. Nga ana tjetër, Agjencia do të nxisë pjesëmarrjen e punëtorëve emigrantë në sindikatat vendase.
Lëvizja BASHKË do të angazhohet për të mbështetur bashkimin familjar të emigrantëve duke ofruar asistencë dhe informacion për ata që dëshirojnë të marrin anëtarë të familjes së tyre në vendin ku jetojnë. Kjo do të përfshijë krijimin e një platforme që ofron udhëzime të qarta mbi procedurat ligjore dhe administrative, si dhe ndihmë në përgatitjen e dokumenteve të nevojshme për aplikimet. Ne do të bashkëpunojmë me ambasadat dhe konsullatat shqiptare për të lehtësuar këto procese dhe për të siguruar që emigrantët të kenë mbështetje të vazhdueshme gjatë gjithë rrugës.
Lëvizja BASHKË e konsideron rikthimin e të rinjve, punëtorëve dhe profesionistëve në Shqipëri një prioritet thelbësor, duke i ftuar ata të bashkohen në një mision për të transformuar shoqërinë shqiptare. Ne do të ofrojmë mundësi që i frymëzojnë të rinjtë të kontribuojnë me energjinë dhe idetë e tyre, duke u angazhuar në projekte që ndihmojnë në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë. Prandaj do të hartohen projekte të veçanta që synojnë përfshirjen e ekspertëve dhe profesionistëve shqiptarë nga diaspora, që ata jo vetëm të kontribuojnë ne zhvillimin e Shqipërisë, por edhe të krijojmë lehtësi për kthimin e rinisë në Shqipëri. Më gjerësisht, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik i vendit tonë, themelimi i një shteti të së drejtës e demokratik, si dhe përmirësimi i ndjeshëm i shërbimeve publike do të shërbejnë si magnet për të tërhequr gjithnjë e më shumë të rinj, punëtorë e profesionistë drejt Shqipërisë.
Lëvizja BASHKË do të angazhohet për hartimin e marrëveshjeve me shtete ku kanë emigruar shumë shqiptarë për të marrë kompensime financiare dhe institucionale për kostot e larta që ka mbajtur deri më sot shteti shqiptar nga largimi i forcave punëtore fizike dhe intelektuale nga vendi ynë, të cilat kanë kontribuuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe social të vendeve të tjera.
Lëvizja BASHKË synon të nënshkruajë sa më parë marrëveshje të njohjes së sigurimeve shoqërore me të gjitha shtetet ku jetojnë dhe punojnë shqiptarët, duke kontribuuar kësisoj në sigurimin e pensioneve dinjitoze për të gjithë punonjësit.