Programi qeverisës

4. Pjesëmarrja demokratike

4.5 Media

Rregullimi i mediave prioritet për garantimin e një shoqërie demokratike

Për Lëvizjen BASHKË, mediat janë institucione të rëndësisë së parë sepse me gjithë problemet që kanë, prodhojnë informacion autentik, kanë numër të lartë të punësimit të gazetarëve, janë të rregulluara me ligj dhe normativa më të buta, kanë detyrime të njohura publikisht. Rëndësia e tyre vjen edhe sepse komunitetet e profesionistëve identifikohen rreth tyre dhe ende ekziston një marrëdhënie e vlerësimit të reputacionit të tyre nga ana e publikut. Po ashtu pavarësisht se kemi një ekosistem të çrregulluar të informacionit, mediat janë sisteme reference të rëndësishme, tregu i informimit mbizotërohet prej tyre, si dhe ato ndërtojnë agjenda afatgjatë, formojnë opinionin publik, ushtrojnë diskrecion editorial dhe mbajnë përgjegjësi për çka shkruajnë e publikojnë.

Lëvizja BASHKË u drejtohet në radhë të parë mediave sepse ato janë ente të regjistruara juridikisht, kanë privilegjin e frekuencave publike dhe kanë përgjegjësi ligjore për të garantuar interesin publik.

Media e lirë dhe e pavarur është veçanërisht e rëndësishme kur kemi më shumë se një ide, por me kushtin që ato të kenë shanse të barabarta që të manifestohen përpara publikut, përndryshe idetë më të ekspozuara janë dhe ato që mund të marrin më tepër legjitimitet të pamerituar.

Demokratizimi i mediave nga ana e pronësisë, vendimmarrjes, transparencës ndaj publikut dhe modeleve ekonomike konkurrente krijon mundësinë që mediat të jenë shumë më afër interesave të qytetarit dhe të mos sjellin asimetri në informacion, pabarazi, që prodhojnë në vijim marrëdhënie mbivendosëse pushteti dhe manipulimi mes atyre që e kanë këtë informacion dhe qytetarëve të thjeshtë të privuar nga informacioni i plotë dhe cilësor.

Ne besojmë se mediat në thelb janë institucione që prodhojnë informacion, përmbajtje, kulturë, që ushqejnë opinionin publik me ide e qëndrime, krijojnë mundësi për përfaqësimin e interesave lokale e komunitare dhe rentabiliteti i tyre ekonomik është dhe çështje me rëndësi publike. Eksperiencat më të mira evropiane i shohin institucionet e pavarura publike shumë aktive në mbështetjen e mediave me subvencione, me mbrojtje të diversitetit të ideve dhe pavarësisë editoriale brenda dhe jashtë institucionit të mediave, përfaqësimin e lokaliteteve në arenën publike dhe ruajtjen e të gjithë mediumeve pa privilegjuar ato më rishtaret, dhe krijimin e kushteve të tregut për konkurrence të ndershme.

Forcimi i mediave e ruan informacionin nga presioni i forcave të jashtme që kërkojnë që punën e gazetarit, kontributin editorial ta kthejë në koka lajmi për gjenerim klikimesh, duke dobësuar rezistencën ndaj forcave ekstraktive të platformave digjitale, të cilat mediave u marrin reklamën, audiencën, informacionin dhe në fund pronësinë intelektuale bashkë me reputacionin.

Ne vlerësojmë se mediat si institucione kompozohen nga interesa të ndryshme e jo rrallë kontradiktore mes pronësisë dhe profesionistëve të fushës e qytetarit. Për të garantuar mirëfunksionimin e tyre, legjislacioni do duhet të ndjekë modelin evropian i cili në të njëjtin korpus ligjor mëton të garantojë transparencën e plotë të pronësisë së medias, pavarësinë editoriale të gazetarit dhe një mjedis sa më plural e përfaqësues ku gjenden ndjeshmëritë dhe interesat e qytetarëve, pavarësisht përkatësisë.

Pse kapja e mediave?

Në një shoqëri ku ka liri shprehjeje dhe ku mediat janë tërësisht disfunksionale, termi censurë nuk ka asnjë kuptim të përdoret. Kapja e mediave është përcaktimi më i saktë për atë që po ndodh në Shqipëri ku të gjithë flasin e megjithatë e vërteta mbytet.

Kapja e mediave nuk vjen kryesisht dhe vetëm prej pushtetit politik. Kapja e mediave prej oligarkisë ekonomike është shumë më e përhapur dhe shpërfytyruese se kapja prej pushtetit. Pushtetarët politikë edhe mund të ndërrojnë për shkak të dinamikave politike, por pronarët e mediave qëndrojnë aty, pavarësisht se cili është në pushtet. Pushtetarët votohen, ndërsa njerëzit e pasur nuk votëbesohen. Ata që nuk kontrollohen dot me votë, kemi arsye më shumë për t`i kontrolluar me ligje të drejta dhe me institucione të pavarura në interes të publikut.

Për Lëvizjen BASHKË të luftosh kundër kapjes së mediave do të thotë, në radhë të parë, të mos lësh që të krijohen kushtet që një e gjë e tillë të ndodhë. Sepse liria e mediave është një fenomen gjithmonë e më kompleks në një mjedis mediatik gjithmonë e më të zgjeruar ndërmedial dhe përtejmedial; sepse mediat mund të kapen edhe nëpërmjet resurseve publike prej shtetit dhe nëpërmjet pronësisë private, por edhe në mjedisin digjital, pasi gjejmë qindra operatorë pa asnjë rentabilitet që çrregullojnë tërësisht mjedisin e informimit; sepse kemi raste plot në vende autokratike ku liria formale e medias bashkëjeton pa asnjë problem me ndikimin shumë të fortë politik mbi median dhe nuk ka nevojë që të kryejë censurë të drejtpërdrejtë; sepse nëse themi që media me informimin që i garanton shoqërisë nuk arrin të rregullojë aktivitetin ekonomik dhe politik të një shoqërie, moskryerja e këtij funksioni thelbësor nga ana mediave ndodh vetëm kur media është krejtësisht disfunksionale, pra e kapur; sepse media mund të kapet nga aktorë përtej censurës së drejtpërdrejtë të politikës; sepse nuk është e vërtetë që aty ku ka më shumë media, ku të gjithë kanë mundësi të flasin, mjedisi informativ është medoemos dhe më i shëndetshmi. Në mjedisin e informimit në Shqipëri, ka me qindra burime informimi, por kjo nuk ka garantuar cilësi informacioni dhe publik më të informuar, ku nuk ka asnjë hierarki faktesh, organizim agjende, dhe qarkullim të ideve; sepse lindja e aktorëve digjitalë në vende si Shqipëria ka ndodhur pak a shumë në të njëjtën kohë me mediat tradicionale, dhe jo në kontradiktë me modelin e tejkaluar ekonomik, ndaj dhe mjedisi digjital jo medoemos është dhe mjedisi i lirisë si antagonistja e kapjes së mediave.

Sipas studimit të qendrës Open Data Albania, afro 80 për qind e mediave televizive shqiptare të konsoliduara janë prona të pesë familjeve, bashkëpronësi midis familjarëve dhe një grupi prej 27 individëve zotërues të mediave televizive kryesore, 84% e kapitalit mediatik zotërohet nga individë, konkretisht rreth 3.5 miliardë lekë, ndërsa subjektet juridike zotërojnë 670 milion lekë, rreth 16% e totalit, shumica e tyre janë familjarë të afërt dhe pasardhës me të njëjtin mbiemër.

Në vitin 2016, Gjykata Kushtetuese vendosi të shfuqizojë pikën 3 të nenit 62 në Ligjin për Mediat Audiovizive 97/2013. Ky nen ndalonte çdo person fizik ose juridik që të kishte më shumë se 40% të kapitalit të përgjithshëm të shoqërisë aksionare, që zotëron një licencë kombëtare për transmetimet audio apo audiovizive. Tanimë, sipas ligjit shqiptar, një individ apo familje mund të ketë 100% të pronësisë dhe kapitalit pa asnjë limit.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, televizionet gjenerojnë 72% të të ardhurave të aktivitetit të publikimeve dhe prodhimeve të programeve. Të gjithë sektorët e tjerë si internet apo rrjetet sociale duket se janë infrastruktura ndihmëse, zgjatuese të një industrie që bërthamën e ka te mediat tradicionale.

Sipas të dhënave nga Idra Media, katër pronarët kryesorë të mediave në Shqipëri zotërojnë diku te 86% të audiencës. Sipas të dhënave të Autoritetit të Mediave, vetëm televizione analoge janë 45. Nëse tregu është kaq i përqendruar në pak aktorë, në pak televizione, në pak individë dhe me dominim të 4/5 televizioneve, me përqendrim të plotë të tregut të reklamës dhe volumit tregtar vetëm në pak televizione, pyetja që shtrohet është: Pse duhen kaq shumë operatorë. Me se mbijetojnë? Arrijnë të informojnë, të prodhojnë përmbajtje, të shpërndajnë kulturë apo t’u japin zë lokaliteteve?

Sipas të dhënave të Unionit të Mediave, në Shqipëri numërohen më së paku 753 portale. Vlerësohet se ka rreth 900 media digjitale vendase në internet në Shqipëri, shpesh të referuara në vend si portale lajmesh. Po sipas Unionit të Gazetarëve, në këto media online punojnë mbi 1700 persona. Megjithatë, shumica e mediave online, me pak përjashtime, nuk kanë burime financiare, kanë redaksi të vogla dhe struktura të dobëta editoriale me një ose dy gazetarë. Kur dihet se mbi 70% e tregut është e përqendruar te televizionet dhe fuqia e reklamës sa vjen e dobësohet, me cila burime financiare mbijetojnë kjo mori mediash digjitale, cili është qëllimi dhe funksioni i tyre?

Për të kuptuar raportin mes parasë dhe mediave, do të shohim që në formë progresive nuk është paraja e gjeneruar nga aktiviteti mediatik që është shtrirë për të hapur terrene të reja të investimit në sektorin e medias apo komunikimit, por pronarët e medias me anë të ndikimit të tyre dhe aksesit në burime shtetërore, koncesione janë shtrirë në biznese të tjera të cilat garantojnë dhe mbijetesën e medias. Qëndrueshmëria financiare varet gjithmonë e më shumë nga sektorë përtej medias, të cilët e kapin median dhe e kthejnë në një zgjatim të interesave përtej saj.

Sipas Open Data Albania, 27 aksionerë dhe zotërues të bizneseve televizive janë ndërkohë aksionerë në 11 deri në 39 biznese të tjerë, në shumë raste të lidhura me fondet publike dhe me qeverinë. “Në total, nga 10 biznese mediatike janë përfituar 10 kontrata apo marrëveshje PPP/koncesione, është fituar një status investitori strategjik, si dhe 3 vendime të Këshillit të Ministrave janë enkas si pjesë e programit Shqipëria 1 Euro. Fitimet që këto biznese nxjerrin nga ky sektori mediatik, nga prodhimi mediatik apo nga audienca përmes mënyrave të ndryshme, janë fare pak krahasuar me fitimin apo me kapitalin, me performancën ekonomike që këta individë kanë në bizneset e tjera.

Sipas studimit të BIRN dhe Regjistrit Global të Medias të vitit 2023, të gjitha grupet mediatike, më saktë 98,34% e medias audiovizive në Shqipëri, kanë biznese të tjera, të cilat marrin para nga qeveria nëpërmjet kontratave, koncesioneve, ose kanë lidhje me grupime politike shqiptare. Ndërsa disa media të njohura marrin subvencione për prodhim programesh televizive dhe koncesione në fusha të tjera të rregulluara nga shteti. Subvencionet dhe kontratat qeveritare nuk kufizohen vetëm në media, por shtrihen edhe në bizneset jomediatike të pronarëve, duke ndërthurur më tej interesat ekonomike me vendimet editoriale.

Sipas BIRN që ka studiuar nivelin e pluralizmit në media, shumica e këtyre pronarëve me ndikim kanë interesa të lidhura në fusha biznesi të rregulluara mirë, si ndërtimi, prokurimet publike, lojërat e fatit, arsimi i lartë fitimprurës dhe bankat.

Në pamje të parë, tregu i mbingarkuar i medias në Shqipëri duket i larmishëm dhe pluralist, por nëse depërtohet dhe interpretohen më thellë të dhënat konstatohet lehtë se tregu i medias nga pikëpamja e strukturës së tregut dhe formave të pronësisë është tërësisht i deformuar dhe i kapur. Mjafton të shihet se sa është niveli i reklamës, hapësira e transmetimit të përmbytur me debate politike, e gjithë prodhimtaria e përqendruar në pak duar dhe gjithmonë drejt sheshimit të shpenzimeve me kahe nga ulja e tyre. Ndaj ne nuk mund të gjykojmë mbi atë që shohim në media nëse ka liri shprehjeje apo jo, por nëse ka diversitet, ka forma alternative distribucione, ka forma të pavarura të financimit, ka njësi alternative të prodhimit dhe mbi të gjitha në kokë nuk ka përqendrim të lartë të pronësisë dhe ka forma alternative të krijimit të vlerës financiare në të gjitha kanalet e mundshme në formë të integruar.

Efekt i kapjes së mediave janë edhe kushtet e punës së punonjësve të medias, në radhë të parë të gazetarëve. Shumë gazetarë janë nën presionin e punëdhënësve të tyre për të mos e kërkuar dhe publikuar të vërtetën e plotë. Po ashtu, një pjesë e gazetarëve shfrytëzohen si punëtorë të cilëve nuk u paguhen sigurimet shoqërore ose marrin ende një pjesë të pagës në të zezë, duke mos gëzuar të drejtat që Kodi i Punës ua njeh të gjithë punonjësve.

Lëvizja BASHKË zotohet që nëpërmjet ndërhyrjeve legjislative dhe forcimit të institucioneve të pavarura të luftojë kontrollin e oligarkisë ekonomike dhe pushtetit politik mbi mediat, të fuqizojë punën dhe organizatat profesionale të gazetarëve, t’i pavarësojë mediat nga çdo kushtëzim që shkon përtej etikës së gazetarit, kërkimit të së vërtetës dhe interesit publik.

Ligj i ri që garanton lirinë e medias në një mjedis inter-medial

Liria e medias është e lidhur pazgjidhshmërisht me sistemin ekonomik dhe politik të një shteti. Ndaj është edhe detyrë e institucioneve publike që të garantojnë pluralizmin dhe pavarësinë e tyre, të ushqejnë me gjithë burimet e mundshme gazetarinë cilësore, por dhe të përgjigjen për çdo kërcënim që shfaqet nga platformat e reja dhe komunikimi digjital kur ato e cenojnë këtë liri.

Liria e medias në kuptimin politik nuk ka lidhje thjesht me mediat, por me gjithë mjedisin që garanton që në sferën publike publiku të ketë mundësi në çdo moment të aksesojë informacion cilësor dhe të besueshëm. Në kuptimin e garantimin të interesit publik dhe respektimit të të drejtave të njeriut, roli i institucioneve publike është jetik.

Lëvizja BASHKË e sheh me prioritet lirinë e medias, duke marrë në konsideratë të gjithë kompleksitetin e saj, por më vëmendje të veçantë ato komponentë që e bëjnë prodhimin dhe qarkullimin e lirë të informacionit cilësor nga brenda dhe përtej mediave.

Korpusi juridik që i përgjigjet më mirë këtyre nevojave në plan lokal, por dhe përtejlokal është “European Media Freedom Act” (EMFA), që bashkë me korpuse si tjera si DSA dhe DMA më shumë se vënë nën fre mediat apo platformat, nuk i lënë ato të veprojnë si sfera të shkëputura nga interesi i gjerë shoqëror. European Media Freedom Act jep mundësinë që dhe shtete të vogla si Shqipëria pa kapacitete për të bërë betejë industriale me platforma globale, mund të forcojë mjedisin mediatik si kundërpesha ndaj çdo forme të ushtrimit të lirisë së shprehjes përtej interesit publik, duke i ngritur politikat mbi mediat në nivel institucional, duke e prekur tregun në nivel strukturor dhe në ekonomiksin e logjikës së ndërtimit të përmbajtjeve, duke i dhënë akses cilësor medias ndaj publikut por dhe publikut te mediat dhe duke garantuar shumësinë e zërave si një prej standardeve më të rëndësishme të lirisë së shprehjes.

Për të arritur këto objektiva ky korpus normativ ka parashikuar garanci normative dhe penalitete për: të mbrojtur mediat dhe lirinë e fjalës nga ndërhyrjet në vendimet editoriale, fuqizimin financiar dhe të lirisë së medias publike, disiplinimin e reklamës dhe financimeve qeveritare në tregun e medias, transparencën e plotë të pronësisë mbi mediat, mbrojtjen e tregut nga monopolet dhe marrëveshjet tregtare përqendruese, shpërndarjen e burimeve sipas peshës reale të audiencës në një sistem transparent dhe mbështetje e posaçme për mediat me karakter të veçantë, si edhe shtrirjen e normativës rregulluese dhe në hapësirës online.

Për të arritur këtë fleksibilitet ndërmedial, mediat nuk quhen më thjesht “media” në kuptimin tradicional, por “shërbime mediatike”, pikërisht për ta zgjeruar interesin ndaj përmbajtjeve mediatike kudo ku ato gjenden, qoftë si programe, apo publikime me vulë editoriale, por edhe për të zgjeruar fushën e veprimit të politikave rregullatore në të gjithë mjediset ku operojnë këto shërbime mediatike, dhe në platformat online, po ashtu në larminë e statuseve të reja profesionale që pasurojnë këtë hapësirë.

Lëvizja BASHKË mbështet frymën rregullatore dhe jo ndërhyrjet ekzekutive me pasojë prishjen e ekuilibrave në tregun e mediave dhe në sferën publike. Për ta bërë të mundur këtë kërkohet një korpus i ri ligjor sepse ligji ekzistues nuk rregullon asnjë nga parametrat e lartpërmendur.

Më konkretisht ne angazhohemi që me anë të një korpusi të ri ligjor të konsultuar më gjithë aktorët në tregun e mediave dhe në hapësirën civile:

Transparenca e pronësisë mbi median

Të ndërtojmë bazën normative që pronësia mbi mediat të jetë krejtësisht transparente, të identifikohet përfituesi final në mënyrë që për çdo operacion tregtar të shmangen konfliktet e mundshme të interesit

Të hartojmë bazën ligjore që pronësia e medias mos të përqendrohet në masën 100% në duart e një familjeje, por pronësia të diversifikohet të aktorë të tjerë dhe format e pronësisë apo qarkullimit të kapitalit të pasurohen. Bilancet e mediave duhen ndarë qartë nga bilancet e bizneseve të tjera, zërat e investimeve dhe të prodhimit të jenë të dallueshme nga pagat dhe format e tjera të përfitimit, raportimi i bilanceve të jetë sa më i detajuar në mënyrë që të shmangen falimente të mundshme në tregun e mediave që kanë pasoja jo të vogla. Megjithëse ekziston një vendim i Gjykatës Kushtetuese që ka hequr kufizimet e pronësisë, ne besojmë se një korpus i ri ligjor i ndërtuar me argumente dhe fakte për kontekstin problematik të operimit të mediave në Shqipëri, do ta përafrojë legjislacionin shqiptar me vendet e BE që e kanë në fuqi një normativë të tillë.

Një hap juridik i rëndësishëm që do te vinte para përgjegjësisë publike tendencat përqendruese, përvetësuese dhe kapëse në tregun e medias, është ngritja e një databaze kombëtare shoqëruar nga një normativë e detyrueshme nën përgjegjësinë e Autoritetit Rregullator për transparencën e plotë të pronësisë mbi mediat: jo vetëm emrat e pronarëve, po edhe cili është përfituesi i fundmë, ku janë të shtrira kapitalet e tij në media apo jashtë medias, cilat janë të ardhurat që merr nga shteti për aktivitetin mediatik, për të shmangur çdo synim për kapjen e mediave dhe konflikte të mundshme interesi të fshehura.

Përtej detyrimeve ligjore për deklarimin e pronarëve fundorë, përfitues në tregun mediave, me ligjin e ri të mediave Lëvizja BASHKË synon edhe të identifikojë praktikat falimentare në treg, të cilat pasurojnë një ose dy operatorë dhe dëmtojnë tregun në tërësi. Praktika falimentare nuk do të konsiderohen vetëm ato të bilanceve, por dhe ato praktika që deformojnë strukturën e tregut, ndalojnë hyrjen e aktorëve të rinj, nuk lejojnë diversifikimin e aktorëve, blindojnë pozitat e më të fortëve në kurriz të më të dobtëve në treg, shkatërrojnë kushtet e konkurrencës, pra dobësojnë rolin e mediave në ndërtimin e opinionit publik.

Diversifikimi i tregut të medias

Lëvizja BASHKË konsideron se përtej ligjit tregtar, edhe ligji i ri i medias duhet të përfshijë normativë që nuk lejon kushtet e privilegjuara në treg, përqendrimin e tregut në pak duar, nuk lejon kompani me pronësi ngushtësisht familjare që të ketë në pronësi më shumë se një media, analoge ose digjitale, nuk lejon që para nga biznese të tjera familjare të kanalizohen në media, që operacione tregtare mbi një vlerë të caktuar të qëmtohen paraprakisht. Garantuesi për respektimin e kësaj normative është Autoriteti i Mediave me një strukturë më demokratike dhe të pasuruar me burime njerëzore.

Nëpërmjet ligjit të medias, Lëvizja BASHKË angazhohet që të krijojë kushtet për diversifikimin e tregut me aktorë të rishtarë, të krijojë mundësi për forma pronësie alternative si Trustet apo Fondacione, të krijojë mundësinë lindjes së operatorëve të rinj digjitalë me audienca të shënjestruara, që kanë vullnetin të kërkojnë modele alternative biznesi si p.sh. me anë të nënshkrimeve, apo kontributeve të drejtpërdrejta të qytetarëve. Angazhohemi po ashtu të lehtësojmë oportunitetet për mediat lokale që mbulojnë zona gjeografike të larmishme si alternativë e modelit gjeneralist, si edhe merret angazhim që për mediat më në vështirësi, ato në krizë për shkak të ndryshimeve të fuqishme si media e shkruar, shteti, në bazë kriteresh të konsultuara dhe transparente, t`i ndihmojë me mbështetje financiare me qëllim për garantimin e lirisë dhe pluralizmit të zërave në tregun e mediave në Shqipëri.

Shpërndarja e fondeve publike

Prezenca e shtetit dhe alokimi i fondeve publike në formë mbështetjeje apo kontraktuale kërkon një rregullim dhe monitorim të rreptë për të moslejuar që shteti apo segmente të shtetit të ushtrojnë ndikim të paligjshëm mbi mediat dhe lirinë e tyre. Lëvizja BASHKË e sheh shtetin si aktor aktiv në mbështetje të aktorëve më vulnerabël në treg, si mediat lokale, shtypi i shkruar, media të vogla të pavarura, operatorë OTT, por kjo duhet bërë në një formë krejtësisht transparente duke ngritur një strukturë të pavarur për implementimin dhe monitorimin e procesit. Do të trajtohen me prioritet ato media që janë kritike, që janë më të ekspozuara ndaj praktikave falimentare të strukturës së tregut. Shteti nuk mund të shpërndajë para për reklamë pa iu referuar peshës së tregut të aktorë të certifikuar nga një sistem i besueshëm i matjes së audiencës dhe prioriteteve që vendos për garantimin e lirisë dhe pluralizmit në treg. Mbështetja financiare duhet bërë e konsultuar, e planifikuar, me aplikime dhe parametra të matjes së performancës për rezultatet e arritura.

Sistemi i unifikuar i matjes së audiencës

Lëvizja BASHKË sheh si të domosdoshme instalimin e një sistemi kombëtar të matjes së audiencës i ofruar nga një kompani serioze ndërkombëtare e gjithëpranuar nga aktorët në treg. Ky sistem për princip do të ndiqet sipas parimit të vetërregullimit nga aktorët në treg, por me disa detyrime ligjore të sanksionuara në ligjin për shërbimet mediatike që kanë të bëjnë me aksesin publik tek të dhënat, me aksesin e mediave për të marrë të dhëna sipas dëshirës dhe pa pagesë, të garantuara nga Autoriteti Rregullator. Autoriteti Rregullator angazhohet po ashtu që të vërë në kushte dialogu të gjithë aktorët në treg për të menaxhuar në formë sa më përfshirëse. Tregu nuk mund të funksionojë me praktika tregtare të jotransparente, abuzive dhe që nuk reflektojnë peshën reale të aktorëve në treg. Të dhënat e audiencës, përtej interesit tregtar, Lëvizja BASHKË i konsideron të një rëndësie të veçantë për të ditur shijet e audiencës, prirjet kulturore, receptivitetin ndaj ofertës në treg, si edhe peshën reale të operatorit publik ndaj aktorëve të tjerë në treg. Pa shkelur mbi sekretin tregtar të operatorit, të dhënat e audiencës konsiderohen si pasuri intelektuale dhe një e mirë ekonomike që duhet të përfshijë dhe aktorët e platformave online për të prodhuar në fund një sistem të integruar dhe të krahasueshëm.

Marrëdhënia me platformat

Lëvizja BASHKË niset prej parimit që problematikat, kërcënimet ndaj lirisë së medias dhe mundësisë së prodhimit dhe qarkullimit të lirë të informimit dhe informacionit nuk kanë kufizime fizike, gjeografike, por mbi të gjitha teknologjike se ku ato manifestohen. Ndaj kërkesat dhe rregullat që vlejnë për rregullimin e hapësirës së informimit në tregun e mediave, në dimensionet kryesore janë të vlefshme edhe në platformat online të qarkullimit të videove, por sidomos te platformat e mëdha që sistemin evropian të rregullimit njihen me akronimin e VLOP (Very Large Online Platforms), të cilat dhe në Shqipëri si kudo tjetër kanë gllabëruar audiencë, reklamë dhe të mira financiare pa pasur asnjë rregullim në aktivitetin e tyre. Është emergjente që përtej legjislacionit shqiptar të ndërtohen raporte institucionale me anë të Autoritetit Rregullator Lokal, i cili monitorin dhe zbatimin e legjislacionit dhe normativës rregulluese për tregun e mediave dhe në mjedisin online.

Duke e njohur realitetin industrial dhe fuqinë novatore të këtyre platformave, ato nuk mund të operojnë sikur nuk ekzistojnë në Shqipëri duke krijuar disbalanca të fuqishme në tregun e medias për shkak të pabarazisë së trajtimit të aktorëve para ligjit. Pavarësisht se ato nuk janë të licensuara në kornizën juridike të Republikës së Shqipërisë, normativa që rregullon prodhimin dhe shpërndarjen e përmbajtjeve, sidomos me karakter informativ, duhet të jetë njëlloj e aplikueshme edhe për to. Hapi i parë është regjistrimi i operatorëve mediatikë më kredencialet e tyre në këto platforma, ngritja e një infrastrukture komunikimi zyrtar dhe përcaktimi i qartë i rregullave se si këto platforma mund të sillen me përmbajtjen që vjen nga mediat.
Asnjë përmbajtje e mediave nuk mund të hiqet pa një deklaratë të justifikuar për arsyet e konsiderimit si të papërshtatshme me termat rregullatorë të platformave dhe duke u dhënë mediave mundësinë e ankimimit përpara se masa të ekzekutohet. Ne besojmë se kjo do të garantojë lirinë e mediave, e cila mund të cenohet nga këto platforma që për konsideratën tonë në disa drejtime ato ushtrojnë editori njëlloj si mediat. Ato nuk mund të përjashtohen nga rregullimi pavarësisht specifikës. Përtej rasteve konkrete, ne besojmë se ky është një proces shumë më i ndërlikuar, që kërkon një dialog dhe marrëdhënie të përhershme mes Autoritetit Rregullator dhe platformave me qëllimin që interesat e mediave të jenë të përfaqësuara, ku të shihen në formë konsultative praktikat e moderimit të përmbajtjeve të këtyre platformave, si edhe diversiteti i zërave të jetë i mbrojtur e i garantuar dhe në këto hapësira, ku mund të zbatohet dhe parimet e vetërregullimit me të tretë, sidomos kur vjen fjala te përdoruesit e thjeshtë që janë të ekspozuar ndaj censurës dhe mekanizmave më të fshehtë algoritmikë që janë të përafrueshëm më aktivitet editorial.

Reforma e operatorit publik

Lëvizja BASHKË e konsideron urgjente një reformë të thellë në administrimi e tregut të mediave, tregut në tërësi dhe medias publike. Duke ndjekur kahun e reformave në Evropë me korpusin EMFA, Lëvizja BASHKË ka për objektiv që media publike të shkëputet krejtësisht nga Kuvendi, Bordi i saj Menaxhimit të kompozohet dhe zgjidhet prej një Këshilli të Posaçëm që miraton me shumicë të cilësuar anëtarët dhe drejtorin dhe paralelisht në përputhje me normativën evropiane propozojnë ngritjen e një Instituti për Median Publike që monitoron rreptësisht performancën programore dhe financiare të medias publike, ndërkohë që ky institut të mund të propozojë dhe ndryshime në modelet e menaxhimit. Media publike do të konsiderohet jo vetëm një kanal apo kanale mediatike, por dhe një gjenerator i financimit të prodhimit të përmbajtjes dhe gazetarisë me interes publik duke krijuar mundësi financimi dhe për projekte e propozime nga jashtë. Përbërja e stafeve drejtuese dhe menaxheriale duhet plotësuar me kandidatura me karrierë të dallueshme në tregun e medias dhe me integritet të padiskutueshëm. Këto institucione të reja themelohen me Ligjin e Medias në Kuvendin e Shqipërisë dhe e shkëpusin përfundimisht median publike nga absurdi i kontrollit politik nga dypartitizmi. Kjo reformë do të krijojë mundësi të reja, por edhe vështirësi për të legjitimuar modelin aktual të financimit, ku ne propozojmë dhe forma financimi me taksë të posaçme për produkte që lidhen me teknologjinë e medias, me synimin për ta zbutur barrën financiare arbitrare ndaj xhepit të qytetarëve të cilën nuk marrin mbrapsht investimin që bëjnë në median publike.

Edhe Autoriteti Rregullator i Mediave ka vend të reformohet thellësisht. Në pamundësi për të shkëputur nga Kuvendi për shkak të funksionit dhe misionit të tij, konsiderojmë se modeli dypartiak i tanishëm është krejtësisht i papërshtatshëm dhe kundër interesit publik. Ndaj propozojmë që përbërja e aktorëve të përfshirë në vendimmarrjen dhe drejtimin e institucionit të pasurohet, ku shoqëria civile dhe universiteti apo komuniteti i aktorëve në treg të jenë pjesë e një kompozimi më të gjerë në numër, por më përfaqësues. Duke ruajtur balancat e prezencës dhe me një sistem votimi të cilësuar, është e mundur që vendimmarrjet të jenë më demokratike e më përfshirëse. Autoriteti Rregullator mund të bëhet një institucion krejtësisht i transformuar, i zgjeruar në staf dhe në detyrat e reja të shtuara të sanksionuara në ligjin për median, ku gjithmonë e më shumë do të jetë hallka e ndërmjetme mes shtetit dhe aktorëve në treg, qofshin vendas apo të huaj.