Programi qeverisës

4. Pjesëmarrja demokratike

4.4 Kultura

Politikat e neoliberalizimit të skajshëm, privatizimeve dhe zbrazjes së vendit prej elementeve më vitale të saj e kanë prekur edhe më dukshëm kulturën dhe artin në aftësinë transcendentale që ka për të shprehur jo vetëm nevojat, por edhe aspiratat humane të një shoqërie.

Sikurse potencialet rinore të qytetarëve tanë, të cilët u largohen qoshkut prindëror për t’u mëvetësuar, nuk kanë arritur dot të materializojnë ankthet dhe nevojat tona materiale, edhe kultura e industria kreative (e quajtur kështu për hir të incentivëve ekonomikë në vende të përparuara) nuk kanë arritur dot të dalin prej arkaizmave, shitjes së imazhit shqiptar sipas modelit kolonial që projektohet mbi popujt e vegjël dhe korrupsionit me tregtimin e idesë si mall i çfarëdoshëm.

Ky manifest vjen si nevojë e materializimit të ideve më të shëndosha e demokratike të shoqërisë të cilës aspirojmë t’u japim jetë, pa zhbërë vlera dhe kultura për hir të anihilimit të së shkuarës. Përkundrazi, ne mendojmë se Shqipërinë nuk duhet ta bëjë askush nga e para, e as se historia fillon nga subjekte politike apo individë. Nëse kërkojmë thellë në rrënjët e shoqërisë tonë, do ta gjejmë klithmën e katastrofës dhe aty mandej do të ndërtojmë melodinë e shekullit tonë, të së tashmes që nuk e kemi jetuar dot sot.

I. Gjendja dhe problemet e jetës kulturore

Ashtu sikurse vizioni i qeverisë aktuale shkon për pastrimin e parave të krimit të organizuar dhe oligarkisë vendase, edhe investimi për organizime kulturore afatgjata mungon. Përdorimi i vendit si autostradë e kapitalit të dyshimtë vendas e ndërkombëtar, hapësirë fizike e ëndrrave koloniale të qeverive të ekstremit të djathtë fqinj dhe strehë e ngrohtë e spekulimit për hir të fitimeve marramendëse, e bën edhe artin e kulturën mekanizëm në funksion të kamuflimit sa më të kuruar estetik të këtij mekanizmi. I gjithë potenciali artistik e kulturor shpenzohet për performancë me datë skadence, dhe e jo për emancipim e vlerë kulturore të qëndrueshme si dhe për të krijuar strategji me një pikëmbërritje të caktuar.

Shqipëria gjendet pa një Ministri të Kulturës, e cila është shkrirë në atë që quhet Ministria Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Në paaftësinë për të krijuar ekonomi në vend të tregtimit të gjithçkaje, ra në grackë edhe kultura, duke u lidhur edhe në portofol me dy sektorë të tjerë. Një nga aktet e fundit që bëri ministria e shkrirë tashmë ishte shkurtimi i buxhetit publik për disa sektorë të kulturës, siç për shembull me 25% i buxhetit për Teatrin Kombëtar. Galeria Kombëtare e Arteve vazhdon të jetë e mbyllur edhe pse faza e rikonstruktimit ka përfunduar. Po ashtu gjendemi pa akses në Muzeun Kombëtar, i cili është parashikuar të marrë plot 4 vite për rinkonstruktim. Në kinematografi nuk kemi të regjistruar asnjë prodhim filmik për më se një vit, ndërsa Qendra Kombëtare e Kinematografisë nuk regjistron asnjë raportim publik prej vitesh.

Të tjera monumente të kulturës, nga të gjitha kategoritë me vlerë të arkeologjike ofrohen me tarifa të cilat nuk reflektojnë cilësinë e mirëmbajtjes së këtyre objekteve, numrin e ekspeditave thelluese apo rigjeneruese të cilat nuk kanë financim të mjaftueshëm prej shtetit. Aktualisht gjendemi përballë dhënies me koncesion të Parkut Arkeologjik të Butrintit te disa struktura të cilat quhen fondacione të posaçme, të cilat de facto janë mekanizma ndërmjetësues për dhënien me koncesion të këtyre monumenteve kulturore, ku i vetmi qëllim është të gjenerohet një marzh fitimi maksimal, dhe jo promovimi, studimi apo mirëmbajtja e tyre.

Ligji nuk parashikon asgjë për trajtimin e studentëve të Universitetit të Arteve apo nxënësve të liceve artistikë për punë të vazhdueshme kreative, salla apo bashkësi studentore për ushtrimin dhe promovimin pasuniversitar. Gjithashtu informimi publik mbi kuadrin ligjor të kulturës, transparencën dhe aktivitetet e përditshme është vetëm formal.

Industria kreative është e përfshirë nga një masë e madhe punësimi në kushte prekariati. Nuk ka asnjë emërtim ligjor apo politikë që të rregullojë marrëdhënien dhe problematikat që lindin në marrëdhënien midis punëtorëve të artit dhe prodhuesve të industrisë. Nuk ka tavane pagesash, oraresh apo kufiri turnesh. Pronësia intelektuale rregullohet shpeshherë pa kontrata të rregullta dhe përcaktime mbi afatet e pagesave. Një pjesë e artistëve dhe prodhuesve aderojnë në bashkësi kolektive të cilat nuk e kanë funksionin emancipues apo kritik ndaj gjendjes së artit e kulturës në Shqipëri, por presin lëmoshën e pakët të qeverisë për të zhvilluar aktivitet. Këto grupime e shoqata gjithashtu nuk i janë nënshtruar ndonjë procesi transparent mbi demokracinë e brendshme dhe zhvendosjeve hierarkike brenda strukturave. Reflektohet politika e favoreve gjithashtu në përfaqësimin ndërkombëtar të artistëve tanë me vepra mbi Shqipërinë ekzotike. Ka raste të dokumentuara ku artistët marrin pjesë pa garë në festivale ndërkombëtare arti, me lidhjet e shkurtra në propagandën e pushtetit abuziv që gëzojmë.

Në vend ka pamjaftueshmëri të ambienteve për ushtrimin dhe shfaqjen e veprave artistike në publik, dhe gjithashtu mungesë investimi në sallat ekzistuese, të cilat janë drejt amortizimit. Mungon një kinematekë publike, me arkiv dhe rrjet sallash. Mungojnë orkestra publike, salla muzikore dhe ambiente regjistrimi. Si pasojë e zbrazjes së territorit, shumica e aktivitetit të përhershëm kulturor është e përqendruar në kryeqytet dhe dy ose tre qytete të tjera të cilat kanë mbajtur gjallë njëfarë jete urbane kulturore. Mosha mesatare në trupat e baletit, teatër dhe kinema është tepër e lartë. Repertorët me vlerë teatrale nuk botohen prej vitesh, si vlerë e trashëgimisë kulturore. Salla e Bibliotekës Kombëtare është e aksesueshme vetëm për lexim në arkivat e mangëta digjitale. Duhet përmendur këtu përmbytja disa herë e ambienteve të Bibliotekës, me dëme të paraportuara në materiale të cilat kanë pasur kopje unike.

II. Alternativa e Lëvizjes BASHKË

Lëvizja BASHKË do të hartojë politika progresive e mbështetëse për sektorin kulturor, për ta rritur incentivën prodhuese të artit dhe kulturës në mënyrë të matshme dhe cilësore, duke kontribuuar kësisoj në emancipimin e marrëdhënieve shoqërore.

Më konkretisht zotohemi për këto politika kulturore:

  • Rikthimi i Ministrisë së Kulturës dhe Inovacionit, si institucion me portofol të veçuar.
  • Do të çojmë përpara ligjin për Statusin e Artistit, me anë të të cilit artistëve të të gjitha disiplinave u njihen kontributet e punës, vjetërsia dhe do të rregullohet pensionimi për ata që ndërpresin jetën aktive artistike. Statusi do të rregullojë edhe gjendjen ligjore të profesioneve të lira në fushën e artit dhe kulturës, marrëdhënien midis bashkimeve profesionale të punëtorëve të artit dhe asosacioneve të prodhuesve.
  • Është i nevojshëm krijimi i një Fondi Kulturor, institucion në varësi të Ministrisë së Kulturës dhe Inovacionit, që menaxhon fondet publike të cilat janë të parashikuara për prodhimin artistik-kulturor, investimet e teknologjive digjitale dhe fushatave të studim-thellimit dhe ruajtjes së monumenteve të kulturës si dhe të trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale (siç specifikohet në konventën e UNESCO-s). Fondi do të ketë prioritet zhvillimin dhe gjenerimin e planeve financiare dhe gjenerimit të të ardhurave për llogari të Ministrisë së Kulturës, lidhjen dhe bashkëpunimin me aktorë ndërkombëtarë dhe sigurimin e financimit publik ose jo për artistët vendas, aktivitetet kulturore dhe monumentet e kulturës. Fondi siguron dhe shpërndan edhe financime publike për institucionet arsimore të të gjitha niveleve për krijimin e praktikave artistike, këshillimin e karrierës artistike, zhvillimin e trajnimeve mbi praktikat artistike dhe sigurimin e aksesit në festivale, ekspozita dhe evente artistike botërore.
  • Do të nxitet krijimi i bashkimeve profesionale të artistëve, punëtorëve të artit dhe prodhuesve, së bashku me nxitjen e të gjithë aktorëve për të marrë pjesë në programe edukuese rreth sigurisë në punë, shëndetit mendor brenda ambientit të punës dhe të drejtave në punë.
  • Do të vendoset një fond mbështetjeje për të gjitha subjektet prodhuese dhe institucionet kulturore të cilat punësojnë me kohë të plotë ose të pjesshme studentë të Universitetit të Arteve dhe artistë të rinj. Krijimi i një programi profesional për trajnimin e punëtorëve të artit.
  • Rivitalizimi i trupave të Teatrit Kombëtar, Teatrit të Kukullave, TKOB dhe APKV (Ansamblit Popullor të Këngëve dhe Valleve), Cirkut Kombëtar dhe ulja e moshës mesatare aktive. Artistët e këtyre trupave do të përfshihen në rrjetin e punësimit më vonë si mësimdhënës dhe menaxhues programesh artistike në lidhje me artet përkatëse. Trajnimet pedagogjike për artistët do të ofrohen pa pagesë nga institucionet arsimore publike.
  • Krijimi i trupave artistike dhe orkestrave studentore për studentët e Universitetit të Arteve, si dhe sigurimi i terrenit të mjaftueshëm për zhvillimin e koncerteve, pjesëmarrje nëpër konkurse dhe festivale.
  • Do të krijohet një sistem kombëtar i edukimit muzikor, ku përmes përfshirjes të profesionistëve të niveleve të larta do të ofrojë mundësi të barabarta për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë.
  • Strategji për promovimin e muzikës në shkolla: Përfshirja e mësimit të një instrumenti tradicional ose klasik do të jetë pjesë e kurrikulave në çdo shkollë, ku prindërve nuk do t’ju duhet të paguajnë tarifa shtesë te privati. Në këtë mënyrë do të nxisim aftësitë mendore, përqendruese dhe do të zhvillojnë kujtesën që në vogëli dhe fëmijët do të kenë mundësi të fitojnë dije artistike, të kultivojnë gustot dhe të kenë njohuri si teorike dhe praktike mbi një instrument.
  • Ngritja e një baze të dhënashpër artistët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit: Hartimi i një baze të dhënash kombëtare për artistët shqiptarë, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, mund të ketë një ndikim të thellë në zhvillimin e sektorit të artit në Shqipëri. Krijimi i një platforme online ku artistë freelance në Shqipëri apo diasporë të vetëregjistrohen dhe të kenë akses në marrjen e informacioneve si dhe dërgimin e materialeve që lidhen me punën dhe karrierën e tyre. Kjo strukturë do të shërbejë kontaktin, njohjen e kontributit në formë të prekshme me mundësi promovimi për të ardhmen dhe do të shërbejë për zhvillimin e jetës artistike e kulturore, si dhe rritjen e standardeve.
  • Fond i posaçëm për artet performative: Krijimi i një fondi të posaçëm për artistët në disiplinat e arteve performative, si teatrit, teatrit të kukullave, baletit, cirkut, muzikës dhe arteve të ndryshme alternative. Ky fond do të shërbejë për të mbështetur performancat artistike, me qëllim nxitjen e prodhimit të produkteve të denja për të konkurruar skenat botërore. Të vetëdijshëm për vështirësitë infrastrukturore dhe interesit të dobët, sërish nuk do të dorëzohemi për të zhvilluar performanca artistike në të gjithë vendin dhe të shpërndajë vlerat artistike kudo.
  • Ngritja e infrastrukturës artistike në Shqipëri: Ndërtimi i dy sallave të reja koncertesh në Tiranë dhe rrethe. Specifikisht për orkestrën simfonike të Radio Televizionit Shqiptar si dhe për Orkestrën Filarmonike Shqiptare.Ngritja e infrastrukturës muzikore në Shqipëri është një investim në të ardhmen kulturore të vendit. Ky është një hap i guximshëm dhe i domosdoshëm që kërkon investime serioze. Këto mjedise nuk do të shërbejnë vetëm për koncerte muzikore, por edhe për teatro dhe do të keni si parim multifunksionalitetin duke krijuar dhe studio të cilat shërbejnë për ushtrimin individual të artistëve. Këto investime do të ofrojnë një shtëpi të përhershme për artistët, do të përmirësojnë cilësinë e interpretimeve dhe do të kontribuojnë në krijimin e një audience më të gjerë. Ndërtimi i mjediseve modeste me akses publik ku mund të regjistrohet muzika apo dhe të bëhen përpunime të ndryshme me qëllim afrimin e të rinjve drejt arteve dhe nxitjen e krijimit të një produkti artistik të pëlqyeshëm.
    • Implementimi i ligjit të veçantë për pronësinë intelektuale artistike dhe pronësisë intelektuale në rrjetin digjital. Kontrolli dhe ngushtimi i diferencës midis vlerës së gjeneruar nga platformat digjitale dhe pagesave të punës intelektuale në këto platforma.
    • Të kthehen në administrim publik të gjitha objektet të cilat mbajnë titullin “Monument Kulture” dhe janë të pabanuara, dhe të bëhet i mundur rivitalizimi, restaurimi dhe aksesi pa pagesë për fëmijët, studentët, pensionistët dhe personat që përfitojnë ndihmë ekonomike në të gjitha muzetë dhe objekte të tjera të trashëgimisë kulturore. Të njëjtat të drejta do të gëzohen edhe në salla performative si kinema, teatër, opera dhe balet etj.
    • Vendosja e lehtësive fiskale për hapësirat komerciale të cilat organizojnë evente artistike të tilla si ekspozita, koncerte, promovojnë trashëgiminë kulturore si materiale dhe jomateriale etj. Kategorizimi si hapësirë muzikore e këtyre subjekteve do të subvencionohet në bazë të një raporti vjetor dhe dokumentimi të aktiviteteve të tilla.
    • Krijimi i një fondi të letërsisë artistike. Ky fond do të ketë për qëllim nxitjen e krijimtarisë letrare. Përfituesit e këtij fondi do të përzgjidhen nga një juri profesioniste, me integritet dhe eksperiencë në fushën e letrave.
    • Rishikimi i ligjit për kinematografinë dhe reformimi i tij, bashkë me rritje të buxhetit vjetor për prodhimin kinematografik. Shqipëria ka kapacitete dhe talente të cilat presin për mbështetjen e duhur për të prodhuar filma që i flasin shoqërisë e kohës tonë. Me rritjen e buxhetit do të rishikohet roli edhe organizimi i brendshëm i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, për të shkuar me parimin e demokratizimit të institucioneve në varësi publike.
    • Krijimi i Kinematekës Kombëtare me një infrastrukturë sallash kinemaje të përhapura në të gjithë vendin dhe arkiv të zgjeruar, të cilës i bashkëngjitet Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit. Rrjeti infrastrukturor do të sigurojë organizimin e festivaleve kombëtare dhe ndërkombëtare të filmit në të gjitha zhanret e tij.
    • Do të ndërtohet një rrjet infrastrukturor me objekte publike të ushtrimit dhe ekspozimit të artit kontemporan dhe të gjitha nënndarjeve të tij për punë artistike, salla ekspozitash, rezidenca artistike vjetore e sezonale.
    • Do të rivitalizohet Teatri Kombëtar dhe rishikohen kushtet teknike dhe projekti i ndërtimit të godinës së Teatrit Kombëtar. Po ashtu do të krijohen laboratorë të shkrimit të dramës, të cilat do të udhëhiqen prej estetëve dhe dramaturgëve bashkëkohorë, me qëllim nxitjen e krijimit të dramës shqipe dhe risjelljen e saj në vëmendje të skenës shqiptare. Do të sigurohet botimi i dramës shqipe klasike e bashkëkohore në kolanë në mënyrë periodike.
    • Do të realizohet digjitalizimi i plotë i materialit të Bibliotekës Kombëtare dhe rifunksionalizimi i këtij institucioni në shkallë kombëtare, me salla publike moderne në të gjitha bashkitë dhe njësitë administrative në vend.
  • Artizanati: Ky sektor do të marrë trajtim të veçantë prej buxhetit dhe vëmendjes praktike nga Ministria e Kulturës dhe Inovacionit. Do t’u sigurohet artizanëve lënda e parë me çmim të ulët, si dhe do t’iu ofrohet mundësia e zhvillimit të aktiviteteve në prona publike pa pagesë. Në këto kushte do të zhvillojnë zejen e tyre duke qenë në ndërveprim me zejtarët e tjerë, për të krijuar kështu mundësinë e transmetimit të traditës te më të rinjtë, për të zhvilluar laboratorë artizanati për fëmijët, nxënësit, turistët dhe të gjithë të interesuarit. Kësisoj do të krijohet koncepti i një pazari artizanati bashkëkohor, ndërvepërues e i hapur. Do të përfshihet në buxhetin publik dhe do të ofrohen programe të dedikuara për ushtrimin dhe zhvillimin e praktikave artizanale, si dhe do të ndërtohet infrastrukturë për ushtrimin e artizanatit dhe sigurohet tregu i nevojshëm për këtë.
  • Do të themelohet institucioni i Komisionerit për punën artistike/kulturore të lirë, që monitoron kushtet e punës dhe sigurimin e kontratave të dinjitetshme për punën freelance. Kjo do të përfshihet si pikë e dedikuar pasi industria kreative është një nga sektorët me numrin më të lartë të punëtorisë së lirë.