Programi qeverisës
4. Pjesëmarrja demokratike
4.8 Integrimi ne Bashkimin Europian
Shqipëria përket në Bashkimin Evropian. Vendi ynë ka ndarë historinë me kombet e tjera të Evropës dhe ka kontribuar në momentet më vendimtare të saj. Sot Shqipëria meriton të jetë pjesë e projektit më të madh dhe ambicioz të Evropës dhe t’u bashkohet përpjekjeve për të sjellë mirëqenie në kontinent dhe për t’u përballur me sfidat e përbashkëta të kohës.
Megjithatë, mangësitë në sundimin e ligjit, dobësitë e institucioneve demokratike, kapja e shtetit dhe përhapja e ekonomisë informale po e vonojnë përparimin e vendit në procesin e anëtarësimit.
Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian nuk është thjesht një detyrë e qeverisë, por një përpjekje kombëtare e gjithanshme që duhet të përfshijë dhe të angazhojë të gjithë shoqërinë.
Ne zotohemi që do ta qasim procesin e anëtarësimit në BE si një objektiv strategjik kombëtar, duke dedikuar çdo burim të nevojshëm për të përshpejtuar realizimin e tij me meritë dhe për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve tanë. Përmes propozimeve tona, synojmë të shndërrojmë procesin e anëtarësimit në BE nga një ushtrim burokratik në një strategji dinamike dhe të përvetësuar, që mobilizon të gjithë vendin në rrugën drejt BE-së.
Alternativa e Lëvizjes BASHKË
Negociatat e anëtarësimit
Përmbushja e kritereve për anëtarësim po ecën me një ritëm të ngadaltë. Kjo pasqyrohet qartë në raportet vjetore të Komisionit Evropian, të cilat theksojnë se në 26 nga 33 kapituj të negociatave (78%) vendi ynë ka përgatitje mesatare ose nën mesatare. Po ashtu, politizimi dhe nepotizmi në administratën publike e bëjnë të pamjaftueshme përgatitjen për të menaxhuar kërkesat teknike dhe strategjike të procesit të anëtarësimit. Strukturat përgjegjëse për integrimin në BE vuajnë nga mungesa e ekspertizës dhe efikasitetit, duke e penguar shfrytëzimin e mundësive që ofrojnë fondet dhe ndihmat e BE-së. Vullneti politik duhet të shoqërohet patjetër me një përgatitje teknike të fortë dhe, nëse këto mangësi nuk adresohen, Shqipëria rrezikon të vonojë edhe më tej anëtarësimin.
Lëvizja BASHKË do të përshpejtojë dhe prioritizojë përmbushjen e kushteve të kapitujve të negociatave dhe harmonizimin e legjislacionit shqiptar me acquis-in e BE-së. Kështu, do të garantojmë që progresi vjetor në përmbushjen e kushteve të anëtarësimit të rritet dhe reformat të mos vonohen.
Ne do të investojmë në krijimin e një administrate publike të kualifikuar përmes rekrutimeve të targetuara dhe programeve të trajnimit të vazhdueshëm në mënyrë që administrata të jetë e përgatitur për të përballuar kërkesat komplekse të procesit të anëtarësimit në BE.
Do të operacionalizojmë mekanizma konsultimi të mirëfilltë për të garantuar një rol më të madh dhe më aktiv për aktorët joshtetërorë në formësimin dhe avancimin e agjendës së anëtarësimit. Do të prezantojmë masa më të forta transparence dhe llogaridhënieje që do të përfshijnë raportime periodike nga grupet e punës për anëtarësimin si përpara Kuvendit, ashtu edhe për publikun.
Do të forcojmë kapacitetet institucionale në nivel qendror dhe lokal me qëllim përfitimin nga fondet e parashikuara nga instrumentet financiarë të BE-së për vendet që janë pjesë e procesit të anëtarësimit.
Do të angazhohemi në zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe përgatitjen e institucioneve vendase për të operuar gradualisht në strukturat dhe platformat e Bashkimit Evropian.
Nismat rajonale
Ne do ta trajtojmë bashkëpunimin rajonal jo si një skenë për gjeste simbolike, por si një mundësi për angazhim të sinqertë dhe ndjekje rigoroze të çështjeve. Angazhimi ynë është të shndërrojmë platformat rajonale në hapësira ku nismat ndiqen në mënyrë kolektive, me mekanizma të qartë llogaridhënieje në mënyrë që marrëveshjet të sjellin progres të vërtetë. Për të arritur këtë, ne:
- Do të bashkëpunojmë dhe përgatisim aktorët ekonomikë vendas për të siguruar që projektet e konvergjencës ekonomike rajonale të mos kenë pasoja të padëshiruara për industritë kombëtare apo bizneset lokale. Qëllimi ynë është të promovojmë integrimin e bizneseve vendase në tregjet rajonale dhe ato të BE-së dhe nxisim rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse që përfiton të gjitha sektorët e ekonomisë, veçanërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Synimi ynë është që të fuqizojmë profesionistët dhe sipërmarrjet vendase që të shfrytëzojnë mundësitë për lëvizje të lirë brenda rajonit.
- Do të thellojmë përfshirjen e vendit në proceset rajonale duke zgjeruar fushën e bashkëpunimit për të adresuar çështje kritike si qeverisja, sundimi i ligjit dhe reformat demokratike, gjithmonë duke mbajtur të angazhuar BE-në në kapacitet koordinues dhe mbështetës. Trajtimi i barabartë dhe i drejtë mes shteteve të rajonit, duke nisur nga njohja e shtetësisë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës nga Serbia, do të jetë parim udhërrëfyes i angazhimit të Shqipërisë në rajon.
- Do të përshpejtojmë zbatimin e objektivave strategjike si Agjenda e Gjelbër dhe Agjenda Digjitale. Duke i përputhur këto përpjekje me prioritetet e BE-së, ne do të pozicionojmë Shqipërinë për të adresuar sfidat globale të ngutshme.
Evropianizimi
Proceset formale të integrimit në BE dhe platformat e bashkëpunimit rajonal duhet të shoqërohen nga një përpjekje më e gjerë evropianizimi, e cila përgatit qytetarët, profesionistët, studentët, bizneset dhe shoqërinë në tërësi për reformat dhe transformimet e thella që do të prekin pothuajse çdo aspekt të jetës publike. Kjo qasje është thelbësore për të shmangur një "tronditje vlerash" pasi Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së dhe në mënyrë që tranzicioni të jetë i qetë, gjithëpërfshirës dhe i mirëkuptuar. Për këtë propozojmë nismat e mëposhtme:
- Bashkëpunim i shtuar me universitetet dhe institucionet akademike për të zhvilluar programe të reja dhe moderne të fokusuara në çështjet e integrimit evropian për të nxitur një kuptim më të thellë të vlerave, sistemeve dhe praktikave evropiane. Kjo do të përfshijë krijimin e programeve të reja të shkëmbimit me universitetet e BE-së. Përmes kësaj synojmë të formojmë një brez studentësh dhe profesionistësh të mirëpërgatitur për sfidat dhe mundësitë që sjell anëtarësimi në BE.
- Ne do të kemi një fokus më të madh në forcimin e programeve të arsimit, shkencës, kërkimit dhe kulturës ndërmjet Shqipërisë, rajonit dhe vendeve anëtare të BE-së. Këto nisma do të nxisin shkëmbimin e njohurive, ideve dhe përvojave kulturore, duke ndihmuar në integrimin e Shqipërisë në strukturën intelektuale dhe kulturore të Evropës.
- Do të hartojmë dhe zbatojmë fushata të fokusuara të informimit dhe ndërgjegjësimit, të përshtatura për segmente të ndryshme të shoqërisë. Këto fushata do të shpjegojnë në mënyrë të qartë ndryshimet komplekse që Shqipëria do të kalojë gjatë procesit të integrimit në BE, duke ofruar një perspektivë të plotë mbi përfitimet, sfidat dhe përshtatjet që duhen bërë. Në këtë mënyrë, qytetarët do të jenë më të informuar dhe më të angazhuar dhe askush nuk do të mbetet mbrapa në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Përmes këtyre veprimeve, ne synojmë të kultivojmë një identitet evropian të përqafuar nga të gjitha sektorët e shoqërisë, duke siguruar që procesi i integrimit të mos jetë vetëm një projekt politik ose administrativ, por edhe një transformim shoqëror dhe kulturor i përbashkët që fuqizon të gjithë kombin.