Programi qeverisës
4. Pjesëmarrja Demokratike
4.1 Demokratizimi politik
Politika është arti i menaxhimit të konflikteve shoqërore që burojnë nga nevoja për bashkekzistencë në komunitet në kushtet e një konflikti të vazhdueshëm interesash për shkak të raportit të pamjaftueshëm mes burimeve dhe nevojave; është përpjekja e vazhdueshme për koordinim mes këtyre interesave përmes normave, institucioneve dhe praktikave që konfliktet të mos degradojnë në përplasje të dhunshme mes grupeve shoqërore. Këto norma, institucione dhe praktika kontestohen vazhdimisht, qoftë në aspektin subjektiv nga agjentët politikë në kërkim të një ekuilibri më të favorshëm për ta, ashtu edhe në rrafshin objektiv nga ndryshimet teknologjike, ekonomike, shoqërore dhe politike. Sistemi politik është kësisoj gjithmonë në një proces ekuilibri dinamik, që duhet riprodhuar vazhdimisht në kushte të reja, me agjentë që ndryshojnë në natyrë, përmes proceseve të shumta.
I. Elementët e politikës
Inputet
Agjentët politike mund të jenë individualë ose kolektivë. Dominimi i qasjes neoliberale, me origjinë metodologjike te rryma neoklasike në teorinë ekonomike, ka sjellë edhe mes studiuesve dhe praktikanteve të politikës theksin tek agjenti individual si një qenie racionale që zgjedh sjelljen më dobiprurëse në aspektin vetjak. Kjo qasje – që është lehtësisht e kontestueshme në rrafshin teorik qoftë për kompleksitetin e sistemit politik ku individi duhet të orientohet, qoftë për ndikimin e jashtëm të agjentëve të tjerë ose kushteve mbi sjelljen e individit – në planin praktik gjithmonë ka favorizuar interesat e forta shoqërore në dëm të shtresave të gjera shoqërore. Ndaj edhe politika e shtresave të gjera është shënjuar nga format kolektive të veprimit, qofshin ato organizata formale apo informale, bashkime me natyrë bashkëkohore apo tradicionale. Të karakterizuara nga eficienca e tyre, bashkësitë politike bashkëkohore kryejnë rolin ndërmjetësues të përfaqësimit në formën e partive politike, shoqatave të bashkuara rreth një interesi të caktuar apo lëvizjeve shoqërore. Këto organizata përfaqësojnë dasitë strukturore shoqërore, ekonomike e ideologjike, si dhe interesat përkatëse. Interesat gjithashtu mund të artikulohen në mënyrë individuale si dhe kolektive, përmes kanaleve informale dhe formale. Edhe procesi i përbashkimit dhe paraqitjes së këtyre interesave mund të jetë individual dhe i veçantë, në formën e kooptimit ose klientelizmit, ose kolektiv dhe i përgjithshëm në formën e programeve politike ose kërkesave me interes sektorial.
Politikëbërja
Institucionet politike kanë funksionin sistemor të konvertimit të interesave të paraqitura nga agjentët politikë në politika publike të mbështetura nga autoriteti shtrëngues. Ky autoritet është i ndarë si horizontalisht: në pushtet qendror dhe vendor, si dhe funksionalisht: në legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor.
Produkti politik
Politikat publike që përfaqësojnë produktin e procesit politikëbërës mund të ndahen në rregullative, që synojnë disiplinimin e sjelljes se subjekteve në bazë të një sistemi caktuar normativ; përthithëse dhe shpërndarëse, që synojnë grumbullimin e të mirave materiale dhe shërbimeve nga shoqëria dhe shpërndarjen e tyre në bazë të kritereve politike; si dhe ideologjike, përmes formimit të një kulture politike të caktuar që ndikon në masë të madhe sjelljen e agjentëve politikë.
II. Kriza e legjitimitetit demokratik në Shqipëri
Në Shqipërinë bashkëkohore agjenti politik është kryesisht individual, siç e tregojnë edhe statistikat e shumta të anëtarësisë në kolektivitete të natyrës politike. Përveç mungesës historike kulturës veprimit kolektiv, në këtë aspekt luan rol edhe tëhuajësimi theksuar dhe zhgënjimi nga tranzicioni. Sistemi partiak gjithashtu e apelon agjentin kryesisht në rrafshin individual. Ndaj ndryshimi bazik duhet të vijë nga fuqizimi i agjentëve kolektivë. Qasja individuale duket si në aspektin e artikulimit interesave politike, kryesisht në trajtë informale, ashtu edhe në fazën e agregimit përmes kooptimit në rrjetet klienteliste partive tradicionale. Roli përfaqësues i partive tradicionale është i karakterizuar nga natyra e tyre thellësisht primitive, karakteri patrimonial dhe praktika klienteliste. Si të tilla, këto organizma janë kthyer lehtësisht në mjete për kapjen e shtetit nga interesa të veçanta në dëm të interesave kolektive. Ndaj nevojitet një reformim i thellë i sistemit partiak që duhet të synojë modernizimin e tij dhe kthimin në ndërmjetës dhe agregues të interesave të përgjithshme. Kjo mund të realizohet vetëm përmes një mobilizimi të gjerë politik shoqëror në formën e zhvillimit si në numër ashtu dhe në cilësi qoftë të shoqatave të interesave sektoriale, ashtu edhe të kulturës pjesëmarrëse në lëvizje shoqërore mbi çështje caktuara për interes publik.
Institucionet politikëbërëse kanë gjithashtu probleme të theksuara. Këto burojnë si nga kapja e tyre prej interesave të veçanta në dëm të atyre të përgjithshme, ashtu edhe nga mungesa historike e kulturës institucionale. Pushteti legjislativ është tredhur duke u kthyer në një veprues me karakter noterial nga një ekzekutiv i karakterizuar nga patrimonializmi i theksuar dhe kapja nga interesa veçanta ekonomike. Aparati burokratik është kthyer në një magazinë klienteliste në shërbim të këtyre interesave, me pasojë ineficiencën e tij dhe karakterin grabitqar në dëm të shoqërisë. Sistemi gjyqësor ende nuk ka dalë nga degradimi korruptiv dhe ineficienca karakteristike. Ndaj nevojitet një riforcim i legjislativit, një çlirim i ekzekutivit nga kapja si dhe një politikë administrative që të theksoje eficiencën, meritokracinë dhe shërbimin publik. Në sistemin gjyqësor duhet mbështetur reforma e drejtësisë dhe çdo politikë antikorrupsion. Por funksionimi i institucioneve politikëbërëse mund të jete funksional vetëm në saje të një mobilizimi vazhdueshëm politik shoqëror, hallka e vetme historikisht e provuar që nuk lejon degradimin e tyre në mjete në shërbim të pakicës së fuqishme ekonomikisht në dëm të shumicës së qytetarëve.
Dobësitë e theksuara tek agjentët politikë, artikulimi interesave dhe agregimi i tyre, si dhe problemet e institucioneve politikëbërëse shpërfaqen për pasojë te politikat publike. Në aspektin rregullator këto dallohen për rolin e tyre në funksion të interesave veçanta, ku rregullat ose bëhen në shërbim të këtyre interesave, ose nuk zbatohen kur bien në kundërshtim me to. Në aspektin e përthithjes dhe shpërndarjes gjithashtu interesat e veçanta favorizohen në kurriz të atyre të përgjithshme, ku barra fiskale e shtetit bie mbi masën e madhe popullsisë, ndërsa përfituesit e shpenzimeve publike janë vetëm një pakicë. Në rrafshin ideologjik tehuajësimi dhe fetishizmi luajnë një rol me rëndësi në pamundësinë e agjencisë politike emancipuese të qytetarëve duke ndikuar në riprodhimin e një sistemi politik disfunksional dhe grabitqar. Ndaj me reformimin e aktorëve politikë dhe procesit politikëbërës duhen synuar politika publike që përfaqësojnë interesat e shumicës si në aspektin rregullator, ashtu edhe në atë rishpërndarës e ideologjik.
III. Demokratizimi i sistemit politik
Lëvizja BASHKË e konsideron me rëndësi të jashtëzakonshme reformimin demokratik të sistemit politik në Shqipëri. Ky demokratizim kërkon angazhimin e shoqërisë, iniciativat qytetare dhe organizimin e shtresave shoqërore sipas vendit të punës, profesionit, vendbanimit dhe botëkuptimeve. Masat konkrete demokratizuese janë si vijon:
- Reformim i krejt kuadrit ligjor që prek pjesëmarrjen politike, duke fuqizuar aspektet e demokracisë pjesëmarrëse. Ka rëndësi parësore jetësimi i të drejtës për të mbajtur referendume kombëtare dhe lokale afirmative. Për referendumet kombëtare, numri i nënshkruesve duhet të ulet në 30,000 qytetarë.
- Lehtësim i organizimeve dhe iniciativave që kryejnë rolin e ndërmjetësit politik dhe kontribuojnë në modernizimin e partive politike. Kjo mund të realizohet, ndër të tjera, përmes lehtësimit të iniciativave ligjore të qytetarëve duke ulur në 10,000 numrin e nënshkruesve dhe vendosur në 6 muaj afatin kohor të detyrueshëm të shqyrtimit të projektligjit nga Kuvendi i Shqipërisë.
- Hartimi një strategjie mbi modernizimin e agjentëve politike dhe tejkalimin e strukturave patrimoniale.
- Shtim përmes procedurave ligjore të rëndësisë së shoqatave që paraqesin interesa sektoriale, sidomos të sindikatave të punëtorëve, dhe integrimi i tyre në proceset politike sidomos në fazat e artikulimit interesave dhe agregimit të tyre.
- Masa që synojnë rikthimin e parimit kushtetues të parësisë se legjislativit mbi ekzekutivin.
- Reformim i administratës publike me theks meritokracinë dhe eficiencën, dobësimin e praktikave klienteliste dhe korruptive.
- Mbështetje për vazhdimin dhe intensifikimin e reformës në sistemin gjyqësor.
- Zotim për politika rregullatore të drejta, efikase dhe në shërbim të shumicës.
- Politika fiskale dhe rishpërndarjeje progresive që synojnë drejtësinë shoqërore dhe aspiratat zhvillimore.
- Promovim i një kulture politike moderne, demokratike, pjesëmarrëse, institucionale dhe solidare.