Programi qeverisës

4. Pjesëmarrja demokratike

4.3 Barazia Gjinore

Lëvizja Bashkë qëndron fuqishëm në mbrojtje të të drejtave të njeriut, duke i parë ato si themelin e një shoqërie të drejtë dhe të barabartë. Ne besojmë se liria, dinjiteti dhe barazia nuk janë thjesht parime abstrakte, por vlera konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së çdokujt. Të drejtat e njeriut janë thelbësore për funksionimin e një shoqërie demokratike sepse sigurojnë që secili individ të ketë mundësi të barabarta për të jetuar me dinjitet, për të marrë pjesë në jetën publike dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Aty ku shkelet barazia dhe liria, lindin padrejtësitë dhe pabarazitë, duke dobësuar kohezionin social dhe besimin tek institucionet.

Pabarazitë nuk kufizohen vetëm në aspektin social dhe ekonomik, por prekin edhe përkatësitë identitare. Në një shoqëri demokratike dhe të drejtë, askush nuk duhet të përjashtohet apo të diskriminohet për shkak të gjinisë, etnisë, besimit fetar, përkatësisë krahinore, orientimit seksual etj. Megjithatë, realiteti tregon se shumë individë dhe komunitete përballen me diskriminim sistematik dhe pengesa serioze për qasjen në shërbime thelbësore si arsimi, shëndetësia, strehimi, punësimi etj.

I. Gjendja dhe problemet

Shqipëria ka bërë pjesërisht përparime në fushën e barazisë gjinore përmes përmirësimeve në legjislacion për kuotat gjinore dhe përmes pjesëmarrjes së lartë të grave në pozita drejtuese, ku një numër i konsiderueshëm i ministreve dhe kryeparlamentares janë gra. Megjithatë kjo pjesëmarrje e dukshme e grave në pushtet nuk mjafton për të thënë se Shqipëria ka arritur barazi të vërtetë gjinore. Ky fenomen mund të konsiderohet si një shembull i feminizmit performativ ku pjesëmarrja e grave përdoret "për sy e faqe" për të projektuar një imazh progresiv, ndërsa pabarazitë strukturore dhe sfidat e mëdha me të cilat përballen shumica e grave në vend mbeten të paadresuara.

Fenomeni i martesave të hershme për vajzat është një aspekt shqetësues. Në vitin 2022, përqindja e vajzave të martuara në moshën 18-19 vjeç është dukshëm më e lartë (6,1% dhe 4,7%) krahasuar me djemtë (nën 1%). Kjo tregon se vajzat janë të prekura në mënyrë shpërpjesëtimore nga normat sociale që i shtyjnë të hyjnë në martesë në një moshë kur ende janë në fazën e adoleshencës ose të rinisë së hershme.

Kjo ndarje nuk është thjesht një çështje kulturore, por ka pasoja të rënda ekonomike dhe sociale. Martesat e hershme dhe përqendrimi në detyrat familjare kufizojnë mundësitë e grave dhe vajzave për të arritur pavarësi financiare, për të ndjekur arsim të lartë ose për të zhvilluar karrierën. Nga ana tjetër, kjo përforcon ciklin e varfërisë dhe pabarazisë, duke i lënë gratë të varura ekonomikisht nga partnerët ose familjet e tyre.

Gratë përbëjnë 50,5 % të popullsisë. 100 vajza të lindura, lindin 107 djem dhe ky raport është më i lartë se raporti natyral, i cili është 105 dhe nëse tejkalohet gjinia natyrale dëshmon për praktikën e abortit përzgjedhës, që vazhdon të shkaktojë një çekuilibër në raportin e djemve ndaj vajzave të lindura çdo vit. Në vitin 2022 në Shqipëri u regjistruan 4.199 aborte, me një raport prej 170 aborte për 1.000 lindje të gjalla. Shumica e tyre (83,9%) ishin spontane, ndërsa grupmosha më e prekur ishte 20-34 vjeç, periudha më riprodhuese për gratë.

Vihet re se gratë me arsim më të ulët kryejnë më shumë aborte (29,4% me arsim 9-vjeçar kundrejt 24,6% me arsim të lartë), çka tregon se mungesa e informacionit dhe edukimit seksual mund të ndikojë në vendimmarrjen riprodhuese. Po ashtu, 71,6% e aborteve janë kryer nga gra të martuara, duke sugjeruar se faktorët ekonomikë dhe socialë, si vështirësitë financiare apo mungesa e mbështetjes për gratë në familje, mund të ndikojnë në këtë zgjedhje. Përvoja e një aborti mund të sjellë pasoja psikologjike afatgjata, si depresioni, ankthi apo ndjenja e fajit, të cilat rëndojnë kryesisht mbi gruan, ndërsa burrat shpesh mbeten jashtë kësaj përvoje, si pasojë e normave shoqërore që i largojnë nga përgjegjësitë riprodhuese. Këto të dhëna tregojnë nevojën për politika të mirëfillta të planifikimit familjar, akses më të madh në kontracepsion dhe edukim seksual për të dyja gjinitë, si dhe mbështetje psikologjike për gratë që përjetojnë abortin.

Në vitin akademik 2022-23, pjesëmarrja në sistemin arsimor në Shqipëri tregoi diferenca gjinore në nivele të ndryshme. Në arsimin parashkollor janë të regjistruar 84,3% e djemve dhe 81,5% e vajzave, ndërsa në arsimin e detyrueshëm, përqindja ishte 96,9% për djemtë dhe 90,4% për vajzat. Arsimi i mesëm gjithashtu kishte më shumë djem (95,7%) sesa vajza (90,2%). Por në arsimin e lartë raporti përmbyset, me 74,7% vajza dhe 51,5% djem të regjistruar. Kjo tendencë pasqyrohet edhe në diplomimet, ku në vitin akademik 2021-22 gratë përbënin 66,3% të të diplomuarve në arsimin e lartë, veçanërisht në fushat e arsimit (80,4%), arteve dhe shkencave humane (80,1%) dhe shkencave sociale (78,8%). Në të kundërt, burrat dominonin në fushat e inxhinierisë (62,9%), teknologjisë së informacionit (58,2%) dhe shërbimeve (64,8%). Pabarazitë në fushat e zgjedhura tregojnë ndikimin e stereotipave gjinorë mbi karrierën. Prania e lartë e grave në mësuesi reflekton tendencën e vazhdueshme të feminizimit të profesioneve arsimore, ndërsa burrat mbeten të privilegjuar në sektorë strategjikë si inxhinieria dhe teknologjia, ku pagat janë më të larta dhe perspektivat më të favorshme. Kjo nuk është thjesht zgjedhje individuale, por pasojë e strukturave patriarkale që projektojnë role gjinore edhe në tregun e punës, duke i kufizuar gratë në profesione me më pak fuqi ekonomike.

Për grupmoshat më të vjetra, dallimet janë akoma më të theksuara. Në vitin 2022, 73% e grave mbi 65 vjeç kishin vetëm arsim bazë, krahasuar me 53,9% të burrave; vetëm 5,7% e grave kishin arsim të lartë kundrejt 13,1% të burrave. Situata ndryshon te të rinjtë 25-39 vjeç, ku gratë me arsim të lartë (43,8%) tejkalojnë ndjeshëm burrat (29,8%). Po ashtu, gratë përbëjnë shumicën e stafit mësimor në arsimin 9-vjeçar (77,4%) dhe atë të mesëm (69,8%), ndërsa në arsimin e lartë kanë përfaqësim të mirë si doktorë (62,1%) dhe profesorë (45,8%).

Këto të dhëna tregojnë se ndonëse vajzat përballen me sfida në arsimin parauniversitar, ato janë përgjithësisht më të përparuara se djemtë në këtë aspekt. Ama këto arritje nuk reflektohen detyrimisht në integrimin e tregut të punës.

Të dhënat mbi punësimin dhe papunësinë në Shqipëri tregojnë një pabarazi të theksuar gjinore, e cila reflekton jo vetëm ndarjen tradicionale të punës mes grave dhe burrave, por edhe mënyrën se si tregu i punës riprodhon dhe përforcon këto pabarazi. Shkalla e punësimit është më e ulët për gratë (58,9 %) krahasuar me burrat (71,3 %), një tregues i qartë i barrierave strukturore që kufizojnë aksesin e grave në tregun e punës. Këto pengesa përfshijnë ngarkesën e madhe të punës së papaguar në sferën familjare, diskriminimin në punësim dhe mungesën e politikave të mbështetjes sociale, si çerdhet apo lejet prindërore të barabarta.

Një nga aspektet më problematike është pjesa e konsiderueshme e grave që punojnë pa pagesë në bizneset familjare (23,5 %), një normë shumë më e lartë se ajo e burrave (13,2 %). Kjo tregon për një formë të shfrytëzimit ekonomik të grave, të cilat përfshihen në punë prodhuese, por pa të drejta të plota ekonomike dhe pa asnjë garanci për pavarësinë e tyre financiare. Ndërkohë, burrat dominojnë në vetëpunësim (33,1 % krahasuar me 20,4 % të grave), çka lidhet me një akses më të madh të tyre në burimet financiare dhe në tokë, duke forcuar epërsinë e tyre në pronësi dhe kontroll ekonomik.

Edhe pse shkalla e papunësisë është e ngjashme mes burrave dhe grave (10,9 % për burrat dhe 11,7 % për gratë), dallimi real qëndron në faktin se gratë përballen me më shumë vështirësi për t’u riintegruar në tregun e punës. Gratë përfaqësojnë shumicën e pjesëmarrësve në programet e formimit profesional dhe të nxitjes së punësimit, çka tregon se atyre u duhet të kalojnë nëpër më shumë filtra për të gjetur punë, kurse burrat kanë më shumë rrjete informale që i ndihmojnë në punësim.

Numri i grave punëkërkuese të papuna rritet me moshën, ndërsa për burrat ndodh e kundërta. Kjo është një pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së politikave të mirëfillta për të mbështetur gratë pas periudhave të papunësisë së detyruar nga përgjegjësitë familjare. Për më tepër, fakti që rreth gjysma e punëkërkuesve të papunë të regjistruar kanë arsim 8/9-vjeçar tregon se pabarazitë gjinore ndërlidhen ngushtë me pabarazitë klasore, duke e bërë edhe më të vështirë për gratë e shtresave të varfra të arrijnë pavarësinë ekonomike.

Ndarja e pabarabartë e punës shtëpiake, e cila bie kryesisht mbi gratë, është një fenomen i theksuar që reflekton ndikimin e stereotipave gjinorë dhe ndarjes tradicionale të punëve sipas gjinisë. 16,9% e grave janë të papuna ose jashtë tregut të punës për shkak të përmbushjes së detyrave shtëpiake, ndërsa kjo arsye përbën vetëm 0,8% të rasteve të inaktivitetit te burrat. Një grua në Shqipëri harxhon mesatarisht 25 vjet për punë të papaguar në shtëpi gjatë gjithë jetës së saj.

Kjo ndarje e punës jo vetëm që thekson pabarazitë gjinore, por edhe rrit pabarazitë sociale dhe ekonomike, duke kufizuar mundësitë e grave për t’u zhvilluar në karrierë dhe për t'u përfshirë në tregun e punës.

Puna e kujdesit të papaguar, e cila bie kryesisht mbi gratë, nuk llogaritet në PBB, pavarësisht se studime të ndryshme sugjerojnë se, nëse do të monetizohej, kjo punë do të përbënte rreth 30-40% të PBB-së në shumë vende. Megjithatë ky indikator makroekonomik nuk merr parasysh vlerën e punës riprodhuese dhe kontributin e saj në zhvillimin e shoqërisë dhe mirëqenien e përgjithshme. Prandaj është e nevojshme të krijohen grupe studimore që të përdorin indekse si HDI (Indeksi i Zhvillimit Njerëzor) dhe GII (Indeksi i Pabarazisë Gjinore) për të analizuar në mënyrë gjithëpërfshirëse ndikimin e punës së papaguar në dimensione të ndryshme ekonomike dhe sociale. Këto indekse mund të na ndihmojnë të kuptojmë më thellë pabarazitë gjinore dhe të hartojmë politika që synojnë një shpërndarje më të drejtë të punës shtëpiake dhe të kujdesit, si dhe një pjesëmarrje më të madhe të grave në tregun e punës. Kjo do të kontribuojë jo vetëm në rritjen e barazisë gjinore, por edhe në përmirësimin e mirëqenies ekonomike dhe sociale të shoqërisë në tërësi.

Bazuar në raportin e INSTAT-it për 2023 mbi treguesin e rrezikut për të qenë të varfër ose për të rënë në varfëri, vajzat dhe gratë paraqesin një rrezik më të lartë të varfërisë ose përjashtimit social krahasuar me burrat. Kjo vërehet në të gjitha kategoritë përcaktuese të rrezikut për të qenë të varfër ose për përjashtimin social.
Gratë nuk janë të vetmet viktima të patriarkalizmit. Të dhënat mbi vetëvrasjet e burrave dhe grave në Shqipëri mund të analizohen duke theksuar rolin e strukturave patriarkale dhe normave gjinore që ndikojnë në shëndetin mendor dhe emocional të individëve. Fakti që 69,1% e vetëvrasjeve janë kryer nga burra, ndërsa vetëm 30,9% nga gra, tregon një ndarje të theksuar gjinore që reflekton më shumë se thjesht një ndryshim numerik. Kjo ndarje është rrënjosur në normat sociale që i detyrojnë burrat të ndiejnë presion për të qenë "të fortë", të mos shprehin dobësi dhe të mos kërkojnë ndihmë për problemet e tyre mendore dhe emocionale. Në një shoqëri ku maskuliniteti tradicional shoqërohet me ide si pavarësia emocionale, kontrolli dhe ndjenja e dominancës, burrat janë të detyruar të shtypin emocionet e tyre dhe të mos kërkojnë ndihmë profesionale. Ky toksicitet krijon një mjedis ku burrat ndihen të detyruar të përballin problemet e tyre në mënyrë të izoluar, duke rritur rrezikun e krizave mendore dhe vetëvrasjeve. Nga ana tjetër, gratë, megjithëse përballen me presione të tjera sociale dhe ekonomike, kanë më shumë mundësi të shprehin emocionet e tyre dhe të kërkojnë ndihmë, pjesërisht për shkak të pranimit më të gjerë social të “dobësisë emocionale” te to.

Megjithatë, rritja e vetëvrasjeve tek gratë me 15,7% është një tregues shqetësues që nuk duhet të injorohet. Kjo rritje mund të lidhet me rritjen e presioneve sociale dhe ekonomike që gratë përballin në shoqërinë moderne, si pabarazia në tregun e punës, ngarkesa e punës së papaguar në shtëpi dhe dhuna gjinore. Për shumë gra, këto presione mund të jenë të padurueshme, veçanërisht në një kontekst ku mbështetja sociale dhe shërbimet e shëndetit mendor janë të kufizuara.

Dhuna ndaj grave dhe vajzave në Shqipëri është një fenomen që thekson pabarazitë e thella gjinore dhe fuqizimin e strukturave patriarkale që ende mbizotërojnë në shoqërinë shqiptare. Ky problem ka rrënjë të thella në shoqërinë tonë, ku institucionet dhe normat sociale u japin privilegje dhe kontroll burrave, duke bërë që gratë të jenë viktima të dhunës sistematike, qofshin ato në familje, në lidhje me partnerët intimë ose nga individë të tjerë.

Në vitin 2022, janë regjistruar 13.650 persona të dëmtuar nga veprat penale, prej të cilëve 4.200 janë gra, që përbëjnë rreth 30,8% të totalit. Vajzat e dëmtuara nga krimet seksuale përbëjnë 23,1% të totalit.

Dhuna nga partneri intim është një nga format më të shpeshta të dhunës. 52,9% e grave pohojnë se kanë përjetuar të paktën një herë dhunë gjatë jetës së tyre dhe 36,6% prej tyre pohojnë se aktualisht janë duke përjetuar dhunë. Forma më e zakonshme e dhunës në familje nga partneri intim është kontrolli shtrëngues, pasuar nga dhuna psikologjike, dhuna fizike dhe/ose ajo seksuale.

Rastet më të shpeshta të dhunës ndodhin gjatë vitit të parë deri në vitin e tretë të martesës. Ushtruesit e dhunës në familje janë kryesisht individë me arsim 9-vjeçar (47,9%) dhe arsim të mesëm (30,0%). Grupi i personave që kanë përjetuar më shpesh dhunë janë ata që kanë moshën nga 45-54 vjeç dhe 55-64 vjeç. Të gjitha format e dhunës ndodhin më rrallë në grupmoshën 18-24 vjeç.

Në lidhje me dhunën nga jopartneri, 18,2% e grave të moshës 18-74 vjeç kanë përjetuar ndonjëherë dhe 2,4% aktualisht një ose më shumë lloje dhune fizike dhe/ose seksuale nga dikush që nuk është partneri i tyre. Gratë kishin më shumë mundësi të përjetonin dhunë fizike nga jopartneri (17,3% ndonjëherë, 2,3% aktualisht) sesa dhunë seksuale nga jopartneri (1,3% ndonjëherë, 0,1% aktualisht).

Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë vitit 2022, 70,2% e viktimave të dhunës në familje dhe 81,8% e viktimave të dhunës seksuale kanë qenë gra. Për më tepër, Observatori Shqiptar i Femicidit, që u krijua brenda strukturës së Avokatit të Popullit, publikoi një raport që tregon se 32 gra janë vrarë në Shqipëri gjatë periudhës 2021-2023, ku 90% e vrasjeve janë kryer nga partneri intim ose anëtarët e familjes. Ky raport tregon gjithashtu se 24 raste janë klasifikuar si femicide, që janë vrasje të grave për shkak të gjinisë së tyre. Afërsisht 60% e rasteve të femicidit kanë ndodhur në banesën e viktimës.

Po ashtu, 17 gra shqiptare, brenda dhe jashtë vendit, si emigrante, janë vrarë në vitin 2024 nga partnerët e tyre, ish-partnerët ose bijtë e tyre.

6,5% e pjesëtarëve të komunitetit ku gratë e dhunuara jetojnë, besojnë se dhuna në familje duhet toleruar për të mbajtur familjen të bashkuar. Dhuna fizike që përjetojnë gratë në familje shihet kryesisht si faj i pjesshëm i tyre dhe bërja publike e përjetimit të dhunës jashtë rrethit familjar konsiderohet si një turp.
Bazuar në raportet e Avokatit të Popullit, auditimet e KLSH-së dhe studime të ndryshme të organizatave të shoqërisë civile dhe UN Women, konsiderohen si probleme më imediate në lidhje me dhunën gjinore:

  • Mungesa e një strategjie të qartë dhe të vazhdueshme nga strukturat e Policisë së Shtetit për trajtimin e dhunës ndaj grave dhe personave të dhunuar për shkak të orientimit seksual, identitetit gjinor dhe atij etnik si dhe dhunës në familje.
  • Moszbatimi i një qasjeje të bazuar në risk, mungesa e fushatave parandaluese dhe e trajnimeve të dedikuara për punonjësit e policisë në zonat me risk të lartë, pengon identifikimin, raportimin dhe ndjekjen efektive të rasteve të dhunës ndaj grave dhe personave të dhunuar për shkak të orientimit seksual, identitetit gjinor.
  • Mungesa e mbulimit të plotë policor në zonat e largëta dobëson reagimin institucional, duke lënë viktimat pa mbrojtje adekuate dhe duke lejuar që dhunuesit të mos mbajnë përgjegjësi ligjore.
  • Mungesa e një plani buxhetimi të qartë dhe analitik për fushatat sensibilizuese dhe ndërgjegjësuese për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe personave të dhunuar për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor.
  • Mungesa e konsolidimit të buxheteve për barazinë gjinore në institucionet qendrore.
  • Baza ligjore nuk parashikon ndërhyrjen e shërbimit psikologjik në fazën fillestare të raportimit, duke lënë viktimat pa mbështetjen e nevojshme për të përballuar traumat. Punonjësit e policisë dhe strukturat vendore nuk janë të trajnuar për të identifikuar problemet e shëndetit mendor te dhunuesit apo viktimat, çka ndikon në saktësinë e vlerësimit të riskut.
  • Mungesa e asistencës psikologjike gjatë deklarimeve mund të ndikojë negativisht në cilësinë e dëshmive, duke vështirësuar ndjekjen ligjore të rasteve. Trauma e viktimave ndikon në kujtesën dhe gatishmërinë e tyre për të raportuar dhunën, duke i lënë të ekspozuar ndaj ritraumatizimit dhe frikës nga sistemi.
  • Në Shqipëri ende nuk ka asnjë shërbim të ngritur për strehimin/rehabilitimin e dhunuesit në momentin kur urdhërohet largimi i menjëhershëm nga banesa.
  • Mungesa e infrastrukturës së nevojshme për trajtimin e rasteve të dhunës në familje nuk ka siguruar trajtimin me respekt dhe dinjitet të viktimave, si dhe ruajtjen e konfidencialitetit dhe mbrojtjen e të dhënave të tyre personale.
  • Megjithëse numri i rasteve të dhunës në marrëdhëniet familjare arrin në rreth 5,000 raste në vit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Shërbimi Social Shtetëror nuk disponojnë ende një vlerësim të kapaciteteve akomoduese në rang kombëtar. Kapacitetet shtetërore për akomodimin e viktimave janë shumë të limituara, me rreth 32 shtretër në qendrat rezidenciale dhe 30 shtretër emergjence në qendrat multifunksionale, të cilat ofrojnë akomodim edhe për problematika të tjera.

Shumë nga problemet që lidhen me papunësinë, pabarazinë në paga, diskriminimin në punë, ndihmat sociale, arsimin dhe shëndetësinë, të cilat janë kyçe për ndryshimin e gjendjes së gruas në Shqipëri, trajtohen në kapitujt përkatës të programit.

Lëvizja Bashkë beson se shumë nga problemet e pabarazive identitare dhe seksuale janë të natyrës strukturore, të cilat mund të zgjidhen vetëm përmes ndryshimit të modelit të zhvillimit ekonomik dhe ndërtimit të një shteti të fortë social. Pavarësisht kësaj, jemi të vetëdijshëm se një shoqëri patriarkale nuk ndryshon sa hap e mbyll sytë, ndaj është e nevojshme të ketë një vëmendje të shtuar ndaj çështjeve që prekin gratë si të tilla.

II. Alternativa e Lëvizjes BASHKË

  • Forcimi i legjislacionit dhe i institucioneve kundër dhunës me bazë gjinore e seksuale, duke nisur nga pajisja e policisë me oficerë të trajnuar posaçërisht për të menaxhuar këto raste.
  • Lëvizja Bashkë propozon që në sistemin e Gjykatave të Juridiksionit të Përgjithshëm të ngrihet një seksion i veçantë (ose dhomë) që të shqyrtojë çështjet e dhunës me bazë gjinore e seksuale.
  • Prania e psikologëve në stacionet e policisë për të ndihmuar procesin e denoncimit dhe mbrojtjes së viktimave.
  • Vendosja e protokolleve të detyrueshme për mjekët dhe policinë për të identifikuar dhe raportuar rastet e dhunës.
  • Krijimi i një databaze të integruar të aksesueshme nga të gjitha subjektet e mekanizmit të referimit në kohë reale.
  • Publikimi i të dhënave mbi rastet e dhunës çdo tre muaj për transparencë, duke ruajtur anonimitetin e viktimave.
  • Krijimi i qendrave të specializuara për viktimat e dhunës, me shërbime juridike, psikologjike dhe rehabilituese.
  • Zbatimi i programeve për rehabilitimin e dhunuesve, bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare gjatë kohës së dënimit.
  • Riintegrimi i viktimave të dhunës në bashkëpunim me strehat, qendrat për punë sociale dhe institucionet e punësimit.
  • Gjobitje më e rëndë për mediat që përdorin gjuhë të urrejtjes dhe diskriminuese, si dhe detyrimi për të transmetuar gjatë reklamave një spot ndërgjegjësues mbi barazinë gjinore, të drejtat e njeriut dhe denoncimin e dhunës.
  • Fushata ndërgjegjësimi me sindikata, shoqëri civile, komunitete, shkolla dhe institucione publike për parandalimin e dhunës, bullizmit dhe gjuhës së urrejtjes.
  • Angazhimi i burrave dhe djemve në fushatat kundër dhunës me bazë gjinore për të ndryshuar perceptimet dhe normat shoqërore
  • Integrimi në tregun e punës duke u krijuar lehtësira mbështetëse së grave në tregun e punës, veçanërisht në grupmoshat 20-30 vjeç, për të shmangur penalizimin e tyre për shkak të mëmësisë.
  • Rritja e kapaciteteve për çerdhet, kopshtet dhe shkollat me programe pas mësimit (sport, aktivitete jashtëshkollore) për të ndihmuar gratë të punojnë me kohë të plotë për të qenë më të pavarura.
  • Rishikimi i politikave për lejen e lindjes për të dy prindërit, bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare.
  • Hartimi i politikave institucionale për të shmangur dhe raportuar ngacmimet seksuale në vendin e punës.
  • Kontrollet prenatale pa kosto shtesë.
  • Rimbursimi i ekzaminimeve laboratorike dhe ekografike gjatë shtatzënisë, si dhe ndjekja e rregullt në maternitete ose qendra shëndetësore.
  • Krijimi i një programi kombëtar për ndjekjen e shtatzënive me rrezik të lartë, me referime të shpejta në maternitetet kryesore.
  • Vendosja e protokolleve të qarta për përdorimin e CTG-së dhe matjen e laktatit fetal për të reduktuar lindjet me ndërlikime.
  • Program për shëndetin mendor të grave pas lindjes, duke ofruar shërbime psikologjike falas për gratë me depresion post-partum.
  • Ofrimi i shërbimeve të shëndetit riprodhues, duke përfshirë akses në kontracepsion dhe këshillim mbi fertilitetin.
  • Pajisja e të gjitha spitaleve rajonale me inkubatorë dhe aparatura moderne për të zvogëluar varësinë nga Tirana.
  • Mamografi falas për gratë mbi 40 vjeç dhe PAP-test falas për gratë mbi 25 vjeç.
  • Sigurimi i vaksinës HPV për vajzat 12-16 vjeç si pjesë e kalendarit kombëtar të vaksinave.
  • Garantimi i anestezisë epidurale për të lehtësuar lindjen natyrale.
  • Kryerja e testeve virale për hepatitet dhe HIV për të gjitha gratë shtatzëna.
  • Sigurimi i aksesit të plotë dhe falas në të gjitha metodat e abortit.
  • Detyrimi i mjekëve për raportimin dhe denoncimin e rasteve të abuzimit seksual te të miturit pa miratimin e familjes.
  • Pajisja falas me produkte për higjienën menstruale në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme, si dhe heqja e TVSH për këto produkte.

Barazia gjinore është një parim themelor i drejtave të njeriut dhe një kusht i domosdoshëm për zhvillimin e qëndrueshëm të një shoqërie. Kur grave u sigurohen të njëjtat mundësi si burrave, ato kontribuojnë në mënyrë të barabartë në ekonomi, politikë dhe jetën shoqërore. Studimet tregojnë se vendet me nivele më të larta të barazisë gjinore kanë tendenca për ekonomi më të forta, nivele më të ulëta të varfërisë dhe një cilësi më të mirë jetese për të gjithë qytetarët. Përveç kësaj, një shoqëri e edukuar, arsimuar dhe e ndërgjegjësuar për barazinë gjinore është më e aftë të luftojë stereotipat dhe paragjykimet që pengojnë zhvillimin e plotë të individëve dhe të shoqërisë në tërësi.

LEVIZJA BASHKE aspiron të kontribuojë në ndërtimin një shoqërie ku gratë dhe çdo minorancë identitare të kenë mundësi të jetojnë pa frikë dhe të gëzojnë të drejtat dhe liritë e plota.