2. Arlind Qori
Si kryetar i Lëvizjes BASHKË që prej dhjetorit 2022, Arlind Qori ka një histori të gjatë angazhimi në kauza punëtore, studentore dhe qytetare. Paralelisht me aktivitetin politik, ai është pedagog në Departamentin e Shkencës Politike në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës.
Arlind Qori është diplomuar në Shkenca Politike në vitin 2004 dhe ka përfunduar studimet master në Departamentin e Sociologjisë dhe Filozofisë në vitin 2009, me disertacionin “Filozofia postmoderne dhe të drejtat e njeriut”. Në vitin 2015, ai përfundoi studimet e doktoratës me tezën “Ideja e Evropës dhe ideologjia shqiptare: Studim i rolit të idesë së Evropës në ideologjizimin e ligjërimit politik shqiptar pas vitit 1991”, duke fituar titullin Doktor i Shkencave. Prej vitit 2005, ai është pedagog i brendshëm në Universitetin e Tiranës, ku ndër vite ka dhënë lëndë si “Historia e mendimit politik”, “Teori të zhvillimit”, “Ligjërimi politik pasmodern”, “Teori të demokracisë”, etj.
Rrugëtimi i tij në angazhimin politik nisi pas protestës së 21 janarit 2011, një ngjarje që tronditi opinionin publik dhe e shtyu atë të angazhohej në Organizatën Politike. Për më shumë se një dekadë, ai ka qenë në vijën e parë të protestave dhe aksioneve politike, duke mbështetur kauza të rëndësishme shoqërore.
Arlind Qori ka qenë një nga figurat kyçe të Lëvizjes Për Universitetin, një lëvizje studentësh e pedagogësh që u formua si përgjigje ndaj reformave neoliberale në arsimin e lartë. Që nga viti 2012, ai ka qenë një zë i fortë kundër komercializimit të arsimit të lartë, kundër tarifave të papërballueshme të studimit dhe abuzimeve nga ana e pedagogëve dhe administratës drejtuese. Ai ishte pjesëmarrës aktiv në protestat studentore të viteve 2014-2017, si dhe në protestën masive të dhjetorit 2018, një nga mobilizimet më të mëdha studentore në historinë e Shqipërisë.
Një nga betejat e tij kryesore ka qenë gjithashtu mbështetja e organizimit të punëtorëve në sindikata. Ai ka mbështetur grevat e minatorëve të Bulqizës, protestat e naftëtarëve, si dhe një sërë aksionesh në mbrojtje të punëtorëve fason dhe punonjësve të qendrave të kontaktit.
Arlindi është një politikan atipik sepse nga 14 vjet aktivizëm në kauza sociale, ai është angazhuar elektoralisht si politikan për vetëm 2 vjet.
Arlindi është një politikan atipik sepse si kryetar i Lëvizjes BASHKË ai nuk i prin listës së kandidatëve, një zotim që e bëri menjëherë pas zgjedhjeve lokale të vitit 2023: “Këto 14 mijë vota të Lëvizjes BASHKË nuk janë privilegj, prandaj unë nuk do të jem i pari në zgjedhjet e radhës.”
Arlindi është një politikan atipik sepse thotë të vërtetën mbi oligarkinë ekonomike që ka kapur për fyti shoqërinë shqiptare. Ai thotë të vërtetën, kur gjithë të tjerët heshtin, i vetëdijshëm se e vërteta do të sjellë pasoja në censurën mediatike, në sulmet personale dhe akuzat ndaj Lëvizjes BASHKË.
Arlindi është një politikan atipik sepse ai nuk do të jetë politikan. Bota akademike dhe mësimdhënia për të janë “puna më e bukur në botë” nga e cila detyrohet të heqë dorë për hir të parimeve dhe bindjeve të tij që e shtyjnë të hyjë në politikë.
Parlamentit shqiptar sot i duhen njerëz me integritet moral dhe profesional, politikanë atipikë si Arlind Qori, që do të përfaqësojnë mbarë shqiptarët e ndershëm e të virtytshëm pas zgjedhjeve të 11 majit.