Vdekja e radhës e një punëtori ndërtimi

Kantier ndertimi

Vdekja e radhës e një punëtori ndërtimi 44-vjeçar është një tjetër dëshmi e tmerrshme e kushteve të punës dhe pabarazisë sociale që mbizotëron në vend. Nën shkëlqimin e jashtëm dhe fasadën e rritjes ekonomike, fshihet një realitet i errët: shfrytëzimi dhe neglizhimi i jetës së punëtorëve të ndërtimit. Sindikatat, që duhej të ishin zëri i punëtorëve dhe mbrojtësit e të drejtave të tyre, janë shkatërruar nga oligarkët në bashkëpunim me pushtetarët e korruptuar. Shteti, në vend që të ndërhyjë për të mbrojtur qytetarët e tij, mburret për mungesën e sindikatave, duke lejuar kështu shkeljen e të drejtave bazë të punës dhe shfrytëzimin e pamëshirshëm të punëtorëve. Media hesht. Kjo heshtje është pasojë e një skenari të errët ku pronarët e mediave janë shpesh ndërtues, të interesuar për të mbuluar gjurmët e paligjshmërive të tyre. Kjo është një histori e pabarazisë dhe mjerimit. Punëtorët, të cilët janë shtylla kurrizore e shoqërisë, trajtohen si mjete të hedhur poshtë dhe të harruar sapo përfundon puna. Pa sindikata të fuqishme, pa mbrojtje dhe pa zë, ata janë të shtypur dhe të shfrytëzuar, ndërsa fuqia e pushtetit dhe parasë vazhdon të grumbullohet në duart e një pakice gjithnjë e më të vogël. Etja për fitime të mëdha e të shpejta para ka bërë që jeta e punëtorëve të ndërtimit të konsiderohet si një kosto e pranueshme për "progresin". Kjo tragjedi e përditshme duhet të ndalet një orë e më parë. Lëvizja BASHKË qëndron fuqishëm në mbrojtje të punëtorëve, duke u angazhuar për të luftuar për të drejtat e tyre pa marrë parasysh asnjë kosto. Ne do të jemi gjithmonë në krahun e të shfrytëzuarve dhe të nëpërkëmburve, duke sfiduar çdo formë shtypjeje dhe abuzimi. Lëvizja BASHKË do të luftojë politikisht çdo ditë për të siguruar kushte pune të sigurta, ku punëtorëve t'u respektohen të drejtat dhe të mirëpaguhen.

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/vdekja-e-radhes-e-nje-punetori-ndertimi/