Uji është jetë, jo plaçkë për oligarkët!

Lëvizja BASHKË qëndron në krah të banorëve të Tragjasit, të cilët po përballen me një tjetër akt të dhunshëm të qeverisë dhe oligarkëve: devijimin e burimeve ujore të fshatit të tyre për të furnizuar resortet në bregdet.
Në vend që të investohet për të përmirësuar jetesën e banorëve, për t’u garantuar atyre ujë të mjaftueshëm për jetën e përditshme, qeveria zgjedh t’i braktisë e t’i grabisë për t’i shërbyer interesave private. Nuk është rastësi që ky projekt i turpshëm është në varësi të ministres Belinda Balluku, një nga simbolet e qeverisë që shet Shqipërinë copa-copa për interesat e oligarkëve.
Banorët e Tragjasit kanë të drejtë të protestojnë dhe të mos lejojnë ndërtimin e një ujësjellësi që nuk është për ta, por për vilat dhe resortet luksoze të ndërtuara mbi tokën dhe djersën e shqiptarëve. Përgjigjja e qeverisë me polici, dhunë dhe arrogancë politike është një tjetër dëshmi e sundimit të një pakice që përdor institucionet shtetërore për të mbrojtur interesat e saj.
Lëvizja BASHKË i bën thirrje çdo qytetari të ndershëm që të ngrejë zërin kundër kësaj grabitjeje. Sot është Tragjasi, nesër do të jetë një tjetër fshat, një tjetër qytet, një tjetër komunitet që do të zhvatet nga burimet natyrore për të mbushur xhepat e një grushti oligarkësh të lidhur me pushtetin.
I bëjmë thirrje banorëve të Tragjasit të mos ndalen, të organizohen dhe të vazhdojnë të mbrojnë të drejtat e tyre! Do të jemi krah tyre në çdo betejë, në çdo protestë dhe në çdo formë përballjeje me këtë qeveri të korruptuar!
Uji është jetë, jo plaçkë për oligarkët!