SOLIDARITET ME POPULLIN E GAZËS

Lëvizja BASHKË po ndjek me shqetësim ashpërsimin e luftimeve në Gaza, sidomos reprezaljet ndaj popullsisë civile. Shpërfillja e pasojave gjithnjë e më tragjike të sulmeve të ushtrisë së Izraelit në Gaza është e patolerueshme për çdo ndërgjegje njerëzore. I dënueshëm është gjithashtu pengimi i ndihmave humanitare për popullsinë civile, e cila prej kohësh është në zgrip të urisë së plotë.
Sulmi terrorist, fund e krye i dënueshëm, i 7 tetorit 2023 ndaj popullsisë civile izraelite nuk mund të justifikojë vrasjen e mijëra civilëve të tjerë palestinezë dhe katastrofën humanitare që po ndodh në sytë e njerëzimit.
Të vetëdijshëm për peshën e Republikës së Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare, ne prapëseprapë kërkojmë nga institucionet e shtetit tonë që të mbajnë krahun e humanitetit dhe të dënojnë vrasjen e civilëve, mes tyre edhe fëmijë. Abstenimi i paradokohshëm i përfaqësuesit të Republikës së Shqipërisë në Asamblenë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për armëpushim të menjëhershëm mbetet një njollë turpi për të gjithë ne.
Duke shpresuar për një armëpushim sa më të shpejtë dhe përfundimtar, Lëvizja BASHKË rishpreh pozicionin e saj politik se zgjidhja afatgjatë e këtij konflikti është ekzistenca e dy shteteve sovrane, Izraelit dhe Palestinës, në kufijtë e njohur prej të drejtës ndërkombëtare.
Përtej çdo ligji dhe përllogaritjeje politike, mbetet parimi: çdo jetë është e shenjtë.