Solidaritet me popullin dhe institucionet e Republikës së Kosovës

Pamje nga sabotazhi i kanalit të ujit në Ibër-Lepenc

Lëvizja BASHKË shpreh solidaritetin e saj të pakushtëzuar me popullin dhe institucionet e Republikës së Kosovës pas aktit kriminal të sabotazhit mbi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit. Ky është një akt agresioni që tregon qartë përpjekjet e vazhdueshme të shtetit të Serbisë për të destabilizuar Kosovën dhe minuar paqen në rajon.

Duke e dënuar këtë sulm, po ashtu i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të mbështesë hetimin e plotë të këtij akti dhe vënien përpara përgjegjësisë së planifikuesve dhe ekzekutorëve të tij. Ky është momenti kur duhet të mbrohet qartë e pa ekuivoke shtetësia dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës.

Ndërkohë, e konsiderojmë të papranueshëm qëndrimin e kryeministrit Edi Rama, i cili flet si ndërmjetës ndërkombëtar, duke e vendosur veten mbi palët, në një kohë kur Shqipëria duhet të jetë zëri më i fuqishëm në mbështetje të Kosovës.

Lëvizja BASHKË qëndron krah Kosovës dhe përpjekjeve të popullit dhe institucioneve të saj për të siguruar integritetin territorial të vendit dhe ndërtuar një shoqëri demokratike ku garantohen të drejtat e të gjithë qytetarëve.

Ndaje në rrjet

Kopjo linkun dhe ndaje me miqte

https://levizjabashke.al/qendrime/solidaritet-me-popullin-dhe-institucionet-e-republikes-se-kosoves/