SOLIDARITET ME POPUJT E TURQISË DHE SIRISË
Sot në orët e para të mëngjesit një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.8 goditi Turqinë dhe Sirinë. Numri i të vdekurve deri në këto momente i ka kaluar 2000 vetët, shumica prej tyre në Turqi. Pamjet që vijnë nga terreni janë ngjethëse. Ndërkaq punonjësit e shpëtimit duket se po bëjnë të pamundurën për të shpëtuar sa më shumë njerëz.
Përmasat e kësaj katastrofe janë mjaft më të mëdha se ato të tërmetit që goditi Shqipërinë në vitin 2019. Asokohe Turqia ishte ndër vendet e para që iu gjend pranë Shqipërisë, ndërkohë që populli i Sirisë prej vitesh lëngon nga lufta civile.
Lëvizja BASHKË shpreh nga larg solidaritetin me popullin turk dhe sirian në këtë ditë të kobshme, duke shpresuar që numri i viktimave të mos shtohet, si dhe të plagosurit dhe njerëzit e traumatizuar të marrin sa më parë ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme.
Po ashtu u bëjmë thirrje institucioneve të shtetit shqiptar që të dërgojnë sa më parë punonjës të emergjencave në zonat e prekura nga tërmeti për të ndihmuar sa të jetë e mundur në procesin e shpëtimit.
SOLIDARITETI NUK NJEH KUFIJ!