SOLIDARITET ME MOTORISTËT E WOLT

Motiristët e Wolt gjatë protestës së tyre

Motoristët e shpërndarjes së kompanisë WOLT janë ngritur në protestë për të disatën natë radhazi, në Tiranë dhe në Durrës, për të kërkuar pagesa më të larta dhe kushte më të mira pune. Kërkesat e tyre lidhen me tarifat e shërbimit, mjetet e sigurisë, kontratën etj.

Tarifat për rrugën janë ulur prej mbi 1 viti, nga 100 lekë/km që ishin në 30-40 lekë/km, duke ulur të ardhurat e motoristëve. Veç kësaj, mungojnë tarifat për katet e larta, që rëndojnë edhe më tepër punën e tyre. Tarifat mbeten edhe shqetësimi më i madh i motoristëve të Wolt, sidomos në këto kohë kur kostot e jetesës po rriten vazhdimisht për të gjithë.

Pavarësisht detyrimit ligjor për të pajisur punëtorët me mjetet e sigurisë, Wolt ka ndryshuar praktikën e mëparshme, duke i detyruar ata të paguajnë një tarifë të përkohshme për koshin, kokoren dhe mjete të tjera. Tarifa që supozohet t'i ripaguhet punëtorit në fund të marrëdhënies në punë, zakonisht nuk jepet pas me justifikimin se pajisjet janë konsumuar, duke shfaqur kështu një praktikë manipulative të kompanisë.

Motoristët gjithashtu shfaqin shqetësime me cilësinë e jelekëve kundra shiut, aplikacionin, mosmarrjes së kopjes së kontratës që nënshkruajnë dhe faktin absurd që distancat llogariten në vijë ajrore, që jo rrallë ndodh të jetë shumë më e shkurtër se ajo e përshkuar realisht. Së fundmi, përpjekjet e tyre për organizim sindikal dhe protesta janë shoqëruar me pushime nga puna.

Për të gjitha këto dhe më gjerë, Lëvizja BASHKË mbështet motoristët e WOLT në kërkesat e tyre për tarifa të drejta, kushte pune dinjitoze dhe transparencë, dhe dënon përpjekjen e jashtëligjshme e të padrejtë nga ana e firmës të shtypjes së protestave dhe organizimit sindikal.

Deputeti i Lëvizjes BASHKË, Redi Muçi, i është drejtuar Inspektoratit të Punës duke denoncuar të gjitha shkeljet e Kodit të Punës nga kompania WOLT, ndaj së cilës kërkon të merren masa.

Ne do të jemi gjithmonë në krah të punëtorëve dhe të drejtave të tyre në punë, si të drejta themelore dhe të pacënueshme!