Solidaritet me minatorët e Spaçit
Sot ishim bashkë me minatorët e minierës së bakrit në Spaç, ku prej mbi 10 ditësh po protestohet për disa të drejta bazike njihen nga legjislacioni i i Republikës së Shqipërisë.
Skenari është i njëjtë dhe i përsëritur si edhe me minatorët e Bulqizës: minatorët që kërkojnë të organizohen sindikalisht për të nënshkruar një kontratë kolektive me kushte më të favorshme, kompania turke që në shkelje të Kodit të Punës nuk e njeh sindikatën e krijuar dhe e përdor grevën e minatorëve si justifikim për të hequr nga puna plot 16 prej tyre, përfshirë kreun e sindikatës.
Përgjigjja e shtetit shqiptar është si gjithmonë e papranueshme: forcat policore që dhunojnë minatorët, ndërkohë që asnjë përfaqësues i Inspektoriatit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore (ISHPSHSH) nuk është i pranishëm për të tentuar zgjidhjen e konfliktit.
Lëvizja BASHKË solidarizohet me minatorët dhe angazhohet për të arritur në një zgjidhje të konfliktit që respekton të drejtën ligjore të minatorëve për t’u organizuar sindikalisht e për të fituar të drejtat e tyre.