SOLIDARITET ME BANORËT E RRJOLLIT

Për të dytën herë rradhazi pa u bërë viti, banorët e Rrjollit të Velipojës po protestojnë për të mbrojtur tokat e tyre nga uzurpimi dhe grabitja që po tentohet nga oligarku Bashkim Ulaj në bashkëpunim me qeverinë e Edi Ramës. Kujtojmë protestat e marsit të kaluar, të cilat patën edhe shumë arrestime, kur banorët bllokuan me sukses nisjen e punimeve.

Këtë herë me metodat e zakonshme prej hajduti që përdoren rëndom nga të pushtetshmit e vendit, kompania Gener 2 ka dërguar natën makinat e punës. Banorët, si përgjigje, kanë bllokuar rrugën për të ndalur punimet, duke u përballur me forcat e policisë dhe arrestime të shumta.

Qeveria e korruptuar Rama, shërbëtore e oligarkisë, përdor shtetin për të marrë me forcë dhe për t'i dhënë oligarkut Ulaj atë që nuk i takon: tokat e banorëve shekullorë të zonës së Rrjollit. E gjitha kjo, pa dakortësinë e banorëve, pa respektuar normat mjedisore, pa mbyllur çështjet gjyqësore të hapura dhe mbi të gjitha, me anë të dhunës policore.

Lëvizja Bashkë Shkodër solidarizohet me banorët e Rrjollit dhe kërkon ndalimin e çdo punimi, tërheqjen e makinerive dhe lirimin e menjëhershëm të të gjithë të arrestuarve. Askush nuk mund të grabisë tokat e banorëve për interesa të veta, aq më pak për vepra të mëdha që kërkojnë konsultime publike dhe mendime eksperte.

Shqipëria i përket shqiptarëve që janë në të drejtën e tyre dhe punojnë me ndershmëri, jo oligarkëve, uzupatorëve dhe politikanëve të korruptuar.