SHQOPË DHE LOPATA KUNDËR ZJARREVE

Kjo pamje na vjen nga Bashkia e Himarës, ku zjarri po i afrohet manastirit të Shën Mërisë së Kremesovës dhe fshatit Piqeras, një zjarr që vazhdon i pashqetësuar gjatë gjithë ditës, ashtu si në fshatin fqinj të Borshit.
Mirënjohje për të gjithë zjarrfikësit dhe policët e shtetit që me mjete të kufizuara dhe primitive po vënë edhe jetët e tyre në rrezik për të parandaluar përhapjen e flakëve. Vetëm gjatë tri ditëve të fundit kemi një shërbyes publik të vdekur në një aksident rrugës për në vatrat e zjarrit dhe disa të tjerë të plagosur. Në televizor kemi parë shfaqje tronditëse të zjarreve që vënë në rrezik masivisht jetët e njerëzve.
Por çfarë bën kryeministri që pas 83 mandateve ka marrë rrugët nëpër Shqipëri për të kamxhikosur kryetarë dhe shkarkuar drejtorë bashkiakë, nën varësinë e të cilëve është edhe shërbimi zjarrfikës? Çfarë po bën kryeministri i dy satelitëve, mijëra veturave, avionëve privatë? Asgjë! Ai që premtoi avionë për të shuar zjarret, sot nuk ka as zjarrfikëse. I vetmi shpëtim kundër zjarreve për popullin shqiptar është shqopa dhe lopata.
Këto zjarre që po shkrumbojnë bekimet e natyrës, që kërcënojnë pasurinë e përbashkët dhe komunitete të tëra njerëzorë, në fakt veç sa e shpërfaqin lakuriq në sytë e të gjithëve monarkun e plotëfuqishëm Edi Rama dhe vizionin e tij evropian: qesharak, të pafuqishëm dhe mospërfillës. Ashtu siç është ai në të vërtetë.