Rroftë 8 Marsi!

8 Marsi është një ditë reflektimi dhe veprimi. Është një moment për të kujtuar betejat e grave punëtore që sakrifikuan dhe luftuan për paga të drejta, kushte më të mira pune dhe një jetë me dinjitet. Në një shoqëri ku gratë vazhdojnë të përballen me pabarazi të thella – paguhen më pak se burrat, përjashtohen nga vendimmarrja, shfrytëzohen në punë të pasigurta dhe mbajnë barrën kryesore të punës së papaguar në familje – nuk mund ta reduktojmë këtë ditë në një festë formale. Sot, më shumë se kurrë, duhet të denoncojmë padrejtësitë dhe të kërkojmë ndryshim të vërtetë, sepse barazia gjinore nuk është privilegj, por një e drejtë e patjetërsueshme!
Lëvizja BASHKË e sheh çështjen e barazisë gjinore si thelbësore në programin e saj qeverisës dhe angazhohet për ndërtimin e një shteti social të fortë, një ekonomie të drejtë dhe një shoqërie që nuk lë askënd pas. Barazia nuk mund të mbetet vetëm në fjalime dhe kuota formale, por duhet të mishërohet në politika konkrete: paga të barabarta për punë të barabartë, çerdhe e kopshte publike me orare të zgjatura, investime në strehim të përballueshëm dhe një sistem të vërtetë mbrojtjeje ndaj dhunës dhe shfrytëzimit të grave. Ne nuk kërkojmë vetëm përfaqësim, por ndryshim të rrënjësishëm të sistemit që për dekada ka shfrytëzuar gratë dhe i ka lënë në margjinat e shoqërisë.
Rroftë 8 Marsi, dita e të gjitha grave që nuk dorëzohen, që luftojnë për një jetë të drejtë, të dinjitetshme dhe të lirë për të gjithë!