Rinia në lëvizje

Pamje nga takimi me të rinjtë në selinë e Lëvizjes Bashkë

Situata e sotme e të rinjve shqiptarë nuk ka qenë kurrë më shqetësuese: statistikat tregojnë se 2 në 4 të rinj janë ose të papunë, ose të paarsimuar; mbi 70% e tyre thonë se do të emigronin sapo t'u jepej mundësia e parë; pjesa dërmuese e tyre përballen me sfidat e pagës së ulët, pensionit të pamjaftueshëm të prindërve, strehimit, izolimit social dhe kulturor etj. Edhe më e pakëndshme është situata e tyre në qytet: pa hapësira kreative dhe profesionale, nën një publike përditë e më të policuar, për ta Tirana nuk është më një qytet dinamik dhe i mundësive.

Sot me të rinjtë e Lëvizjes Bashkë u mblodhëm për të diskutuar rreth problemeve themelore të cilat ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në jetën social-ekonomike të të rinjve.

Diskutimi u përqendua tek ekzistenca e këtyre sfidave dhe përballja me to, mënyrat se si ne duhet të reagojmë për të sjellë ndryshime reale shoqërore.

Ndamë mendime lidhur me problematikat më të rëndësishme në vend si arsimi, strehimi, emigrimi masiv i të rinjve dhe keqqeverisja dhjetra vjeçare.

Pavarësisht kushteve rraskapitëse në Shqipërinë e kapur nga krimi dhe korrupsioni, të rinjtë janë motori më i fuqishëm që do t'a nxjerrë vendin nga ky batak që na ka kapluar.