PROTESTOJMË PËR MINIMUMIN JETIK!
Prej gjashtë muajsh Kuvendi i Shqipërisë shpërfill vullnetin e 21.000 qytetarëve që kanë nënshkruar projektligjin e minimumit jetik. Ndërkohë që Shqipëria lëngon nga varfëria dhe braktiset nga rinia, pensionet nuk mundësojnë as mbushjen e barkut, ndihma ekonomike është qesharake dhe pagat janë nga më të ulëtat në Evropë, pushtetarët janë kujtuar t’i dyfishojnë rrogën vetes. Vendi ynë është i mbërthyer nga korrupsioni dhe zhvatja, nga papërgjegjshmëria dhe krimi, nga mungesa e shtetit zhvillimor e social. Miratimi i ligjit të minimumit jetik do të ishte oksigjeni ekonomik e social i qindra mijëra bashkëqytetarëve tanë të varfër ose në rrezik varfërimi. Ai do të kishte efekt të drejtpërdrejtë në rritjen e pensionit minimal, pensioneve të invaliditetit, ndihmës ekonomike, asistencës së papunësisë e pagës minimale, si dhe do të ndikonte në vazhdim rritjen e të gjithë shkallares së pagave e pensioneve për t’iu afruar stadit të jetës së dinjitetshme. Në kushtet ku kemi përpara një pushtet të shurdhër e abuziv, alternativa është një dhe e vetme: PROTESTA. Të enjten në orën 10:00 Lëvizja BASHKË ju fton të bashkohemi në hyrje të sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë për të kërkuar njëzëri miratimin e minimumit jetik. Minimum jetik tani! Punë dhe jetë me dinjitet! EJA NË PROTESTË!